Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Po copëtohet Muri i Madh i Kinës

«Dy të tretat e Murit të Madh të Kinës janë shkatërruar nga turistët, sipërmarrësit e ndërtimeve dhe nga erozioni»,​—raporton gazeta The Guardian e Londrës. «Ky vend i Trashëgimisë Botërore po shkatërrohet fare. . . . Thuhet se disa sektorë të murit janë rrënuar nga vandalët, disa janë mbuluar me mbishkrime, si edhe janë zhvatur për t’u përdorur për stalla derrash dhe miniera qymyrguri.» Organizata Fondi për Monumentet Botërore, e përshkruan murin si «një nga monumentet kulturore me shtrirjen më të gjerë në tokë». Kohët e fundit, ajo e vendosi atë në listën e saj për vendet arkitekturore më të rrezikuara të botës. Madje edhe organizatat që janë caktuar për ta mirëmbajtur, kanë shkaktuar një shkatërrim të mëtejshëm të tij. Për shembull, në një rast, «autoritetet për mirëmbajtjen e këtij monumenti, të cilëve u mungonin fondet dhe që nuk ishin shumë të aftë», me sa duket lejuan që një firmë sipërmarrëse ndërtimi të rrëzonte një pjesë muri prej 14 metrash që ishte 600-vjeçare e vjetër. Gjatësia e jashtëzakonshme e murit​—që në fillim ishte rreth 6.400 kilometra​—e bën pothuajse të pamundur të mirëmbahet ashtu siç duhet.

Udhëtarë klandestinë

«Uji i balastit që transportohet nga anijet për të mbajtur ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë, është plot me mijëra gjallesa detare që mund të pushtojnë ambientet e reja kur lëshohen nga anija në portet e ndryshme»,​—paralajmëron grupi ambientalist i Fondit Botëror për Natyrën (WWF). Një raport i agjencisë së lajmeve Rojter, thotë se këto gjallesa klandestine, që përfshijnë kandilin e detit dhe algat, mund të jenë të rrezikshme për ekosistemet dhe «mund të jenë po aq të dëmshme sa dhe derdhja e naftës në det». Ky raport i kësaj agjencie vazhdon: «Gjallesat që mbijetojnë pas udhëtimeve mund të shumohen shumë shpejt në vendbanimet e reja, duke qenë se nuk janë më nën rrezikun e grabitqarëve dhe të parazitëve.» Disa shembuj janë, midhjet-zebra që erdhën nga Evropa dhe zaptuan ujërat në rajonin e Liqeneve te Mëdha në Amerikën e Veriut, algat aziatike që përfunduan në Australi, dhe kandilët e detit nga Amerika e Veriut që u transportuan për në Detin e Zi. Një sasi prej dhjetë bilionë tonë ujë balasti derdhet çdo vit në të gjithë botën. «Zgjidhje të efektshme ekonomike për pastrimin e ujit të balastit ende nuk janë gjetur»,​—tha Andreas Tveterosi, një zëdhënës për WWF-në.

Vetëvrasjet dhe Interneti

Divorci, papunësia, droga dhe abuzimi me alkoolin vazhdojnë të radhiten si faktorët kryesorë që po shkaktojnë një «rritje të madhe të numrit të vetëvrasjeve te të rinjtë» në Angli dhe Uells, sipas gazetës The Times e Londrës. Por, ato që po shkaktojnë gjithnjë e më shumë shqetësim janë dhomat e bisedave në Internet ose chat rooms, ku të rinjtë bashkëbisedojnë dhe planifikojnë vetëvrasjet. «Interneti në vetvete tërheq kryesisht ata që janë më të prirur për të kryer vetëvrasje, të rinjtë. Shtatëdhjetë e pesë për qind e vetëvrasjeve kryhen nga burrat dhe 80 për qind nga djemtë e moshave 15 deri 24-vjeçare»,​—thotë gazeta. Mund të jenë me mijëra site në Internet që quhen ‘site të vdekjes’. «Shumica e atyre që përdorin këto site ndihen sikur askush nuk i do. Duket sikur tashmë po e mendojnë seriozisht vetëvrasjen ose janë orvatur për t’u vetëvrarë. Marrin edhe shumë këshilla se si të mos ndikohen prej atyre që duan t’u mbushin mendjen për të mos bërë vetëvrasje»,​—shton artikulli. Disa site e inkurajojnë viktimën që t’i zbatojë planet e tij, në vend që të ndryshojë mendje.

Posta për Perëndinë

Çdo vit, agjencia postare në Izrael «merr qindra letra adresuar Perëndisë», siç raporton The Economist. «Letrat vijnë nga çdo cep i botës, gjatë gjithë vitit, por ata që i shkruajnë Perëndisë janë më të zellshëm në prag të festave fetare, siç janë për shembull Krishtlindjet ose Dita e Shlyerjes.» Letrat shprehin lutje, ankime ose kërkesa​—shpesh kërkesa për falje ose ndihmë. Por çfarë bëhet me këto letra? «Letrat me adresat e dërguesit, kthehen mbrapsht,​—thotë The Economist.​—Pjesa tjetër dërgohet për te Muri i Perëndimit (Vajtimit) në Jerusalem, ku merren nga një kryerabi, për t’u vendosur në të çarat e murit të shenjtë. Nëse dërguesi i letrës nuk është një hebre, atëherë letra e tij dërgohet në ministrinë e çështjeve fetare.» Gjithsesi, «posta për Perëndinë hapet vetëm një ose dy herë në vit», siç thotë edhe artikulli. Kompania e telekomit izraelit tani «ka një linjë faksi për përdorim ekskluziv me Perëndinë dhe sapo ka hapur një adresë të postës elektronike për ata që dëshirojnë të kenë një lidhje ose komunikim më të shpejtë me të».

Shtohet piratëria

Sipas Agjencisë Ndërkombëtare Detare ICC, «vitin e kaluar sulmet e piratëve përreth botës u bënë më të shpeshta dhe më të dhunshme. U raportuan 445 incidente në krahasim me 370 incidentet e vitit 2002 . . . Numri i sulmeve me armë u rrit në 100 nga 68 që ishte në vitin 2002; pengjet pothuajse u dyfishuan në 359 marinarë; u raportuan 311 raste sulmesh ndaj anijeve dhe 19 anije u rrëmbyen». Shtatëdhjetë e një pjesëtarë ekuipazhi dhe pasagjerë u vunë në listën e të zhdukurve, ndërsa 21 marinarë u vranë, 11 më shumë se vitin e kaluar. Në ujërat territoriale indoneziane ndodhën 121 sulme, e këto treguan përsëri se janë ujëra në të cilat ndodhin më tepër sulme piratërie. Më pas u renditën ujërat e Bangladeshit ku ndodhën 58 incidente dhe ujërat nigeriane me 39. «Të gjitha rrëmbimet e raportuara ishin të dy kategorive kryesore»,​—vëren agjencia. Ato ishin «operacione të tipit luftarak nga grupe militante që kërkonin t’i mbanin peng anëtarët e ekuipazhit dhe shumën e kërkuar për lirimin e tyre ta përdornin për të rritur fondin e kauzës së tyre. Gjithashtu, ishin sulme kundër objektivave të lehtë, si për shembull rimorkiatorëve dhe motobarkave».

Studime për abuzimet seksuale të priftërinjve

«Nga dy studime të shumëpritura është gjetur se Kisha Katolike e Romës [në SHBA] ka përjetuar një epidemi të abuzimit seksual të fëmijëve që përfshiu të paktën 4 për qind të priftërinjve gjatë një periudhe 52-vjeçare dhe arriti kulmin me priftërinjtë që kishin një caktim zyrtar në vitin 1970, ku një në çdo 10 priftërinj ishte akuzuar për abuzim,​—raporton The New York Times.​—Numri i fëmijëve që u bënë viktima të abuzimit arriti në 10.667, e dyshohet se janë dhunuar nga 4.392 priftërinj që nga viti 1950 deri në vitin 2002. Por studimet tregojnë se të dhënat lidhur me këto shifra të paraqitura nuk korrespondojnë me shumën reale», pasi shumë raste nuk janë denoncuar. Një studim, i drejtuar në kolegjin «Xhon Xhei» të Drejtësisë Kriminale në Nju-Jork, bëri të ditur se «priftërinjtë ishin akuzuar për abuzime në më shumë se 95 për qind të dioqezave dhe rreth 60 për qind të komuniteteve nën një urdhër fetar». Studimi tjetër, nga një bord drejtuesish kombëtar katolik, nxori në pah qëndrimet dhe prirjet nëpër seminaret katolike ku «tolerohej sjellja e shthurur morale».

Rekomandohet të bëhen ushtrime me ekuilibër

«Bërja e ekuilibruar e ushtrimeve, si për shembull të ecësh 20 kilometra çdo javë, mund të ndihmojë në parandalimin e shtimit në peshë dhe mund t’i ndihmojë personat që nuk mbajnë dietë të bien nga pesha»,​—raporton FDA Consumer. Një studim, që zgjati tetë muaj dhe përfshiu «182 burra dhe gra mbipeshë të moshave 40 deri në 65-vjeçare që bënin një jetë pa shumë lëvizje», pohoi se «kishte një lidhje të dukshme midis sasisë së aktiviteteve fizike dhe sasisë së peshës së humbur». Pjesëmarrësit në këtë studim u ndanë në katër grupe dhe hëngrën si zakonisht. Tre grupe bënë sasi të ndryshme ushtrimesh. Grupi i katërt, nuk bëri ushtrime. «Ky grup shtoi në peshë gjatë periudhës së studimit,​—vëren artikulli.​—Duke i krahasuar me grupin e katërt, të gjitha grupet që u morën me ushtrime zvogëluan ndjeshëm gjerësinë e belit dhe të ijëve.» Nga këto rezultate mund të kuptohet se pesha shpesh mund të mbahet nën kontroll nëse bëhet një sasi e arsyeshme ushtrimesh, si për shembull të ecësh për një orë e gjysmë çdo ditë.