Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Përpjekjet e njeriut për të shfrytëzuar erën

Përpjekjet e njeriut për të shfrytëzuar erën

Përpjekjet e njeriut për të shfrytëzuar erën

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË SPANJË

ÇFARË ju vjen ndër mend kur shihni mullirin me erë që tregohet në faqen tjetër? Ndoshta një peizazh nga Holanda apo fisniku Don Kishot, një personazh i letërsisë spanjolle, të cilit mullinjtë me erë i dukeshin si gjigantë të rrezikshëm? Ndoshta fotografia ju bën të mendoni për një mulli me erë që është restauruar dhe tani shërben si monument historik.

Ndonëse mullinjtë me erë i gjen edhe sot anembanë fshatrave në shumë pjesë të botës, ata mund të duken thjesht objekte antike që na kujtojnë kohët e vjetra. Megjithatë, për shekuj me radhë mullinjtë me erë ishin një nga arritjet më të rëndësishme të teknologjisë. Kohët e fundit, pasi janë lënë pas dore për dhjetëvjeçarë të tërë, mullinjtë me erë po gjejnë sërish përdorim, dhe nga kjo rilindje po përfitojnë njerëz ngado. Ju ftojmë të njiheni me historinë e mullirit me erë dhe me mënyrën se si i është përshtatur ai ndryshimit të drejtimit të erës, si dhe ndryshimit të nevojave të njerëzve.

Bluajnë pa mokër

Gjithçka filloi me nevojën jetësore për bukë. Për të bërë miellin, njerëzit në lashtësi, si për shembull izraelitët, i bluanin drithërat ‘me mokër’. (Numrat 11:7, 8) Të bluaje duke rrotulluar me dorë një gur të rëndë të vendosur mbi një gur tjetër, ishte një punë e rëndë. Me kalimin e kohës filluan të përdoreshin dendur mullinjtë me mokra më të rënda që ‘rrotulloheshin nga një gomar’ ose ndonjë kafshë tjetër barre. (Mateu 18:6) Por edhe këta mullinj kishin të metat e tyre.

Njerëzit tashmë kishin mësuar ta shfrytëzonin fuqinë e ujit për të rrotulluar rrotën hidraulike dhe fuqinë e erës për të shtyrë varkën me vela. Ndoshta nga shekulli i shtatë i e.s., diku aty në stepat e shkreta të Azisë ose të Lindjes së Mesme, u realizua një kombinim i këtyre dy shpikjeve, që erën ta shfrytëzonin për të rrotulluar gurin e mullirit. Velat e kësaj shpikjeje të re, të cilat viheshin në lëvizje nga era, rrotullonin një bosht vertikal që ishte fiksuar te njëri gur i mullirit. * Ky mulli primitiv shërbente për të bluar grurin ose elbin, si edhe për të nxjerrë ujë nga toka. Sa e vërtetë është thënia që nevoja është nëna e shpikjes!

Ndryshohet modeli për të shfrytëzuar më mirë erën

Mullinjtë e hershëm, me krahë që rrotulloheshin rreth një boshti vertikal, nuk ishin shumë të efektshëm. Rendimenti i tyre u rrit shumë kur zbuluan se fuqia do të ishte më e madhe nëse velat ose krahët e mullirit do të fiksoheshin në një bosht horizontal që dilte nga një kullë. Për të rrotulluar gurin e mullirit, që ndodhej poshtë, rrotullimi i boshtit horizontal përçohej në boshtin vertikal me anë të disa ingranazheve. Ky modifikim bëri të mundur që mullinjtë me erë ta shfrytëzonin më mirë energjinë e erës. Këta mullinj të rinj kishin aq fuqi saqë mund të vinin në punë makineri të rënda, si për shembull sharrat disk.

Sidoqoftë, për çfarëdo që të përdoreshin, mullinjve me erë u duhej një burim energjie i vazhdueshëm. Por era ka një të keqe që e ndryshon shpesh drejtimin. Si u arrit që velat e mullirit t’i përshtateshin drejtimit të erës? Një zgjidhje e hershme ishte shpikja e mullirit rrotullues ose mullirit-shtyllë. Mulliri fiksohej në një shtyllë, e cila bënte të mundur që e gjithë struktura, me gjithë velat kryesore të rrotullohej në mënyrë të tillë që erën ta kishte përballë.

Meqë këta mullinj rrotullues kishin medoemos përmasa të kufizuara, ndërtues të tjerë mullinjsh vendosën që shtylla të ishte e palëvizshme dhe të vendosej një çati rrotulluese. Në këta mullinj boshti kryesor dilte nga çatia dhe kjo bënte të mundur që çatia dhe velat të drejtoheshin përballë erës pavarësisht nga drejtimi i saj. Por si ta lëvizte mullisi çatinë, duke marrë parasysh peshën e boshtit, të velave dhe të sistemit të frenimit? Shiheni edhe një herë fotografinë në faqen 23, ku tregohet një mulli në Kartagjenë, Spanjë. Do të vëreni një tra që del nga çatia dhe duke u zgjatur prapa mullirit arrin gjer në tokë. Ndonëse mund të duket si një tra mbështetës, në të vërtetë ai shërben si krah leve. Ky krah mund të shtyhet ose të tërhiqet nga një njeri ose nga një kafshë, për ta rrotulluar çatinë derisa fletët e mullirit t’i rrahë era.

Mullinj të tjerë, kanë prapa velave kryesore një si helikë të vogël, ose ventilator. Kjo helikë është projektuar për t’i lëvizur velat automatikisht në drejtimin e duhur. Si funksionon ajo? Përfytyroni sikur velat kryesore të mullirit ta kenë përballë erën dhe po rrotullohen me shpejtësi maksimale. Papritur era e ndryshon drejtimin dhe velat ngadalësohen. Helikën, e cila formon një kënd të drejtë me velat, tani e rreh era dhe fillon të rrotullohet. Ky rrotullim vë në punë një sërë ingranazhesh që automatikisht e kthejnë çatinë dhe velat përballë erës, e cila e ndryshon vazhdimisht drejtimin.

Nga velat te grilat

Një arsye tjetër që e bën të vështirë shfrytëzimin e erës është ndryshimi i vazhdueshëm i forcës së erës. Mullinjtë e parë që kishin vela të ngjashme me ato të varkave, nuk mund të përshtateshin lehtë me ndryshimin e shpejtësisë së erës. Nëse frenat do të sforcoheshin, nxehtësia e krijuar nga fërkimi mund të shkaktonte zjarr. Dhe shkulmet e forta të erës mund të bënin që velat të thyheshin e të përplaseshin me njëra-tjetrën ose me vetë mullirin duke shkaktuar një dëm të papërshkrueshëm. Imagjinoni që në disa raste, kur frenat nuk kapnin, mullisi fluturonte në ajër po të ishte mbi ndonjë krah të mullirit duke palosur velat!

Më 1772 ky problem u zgjidh kur një mullindërtues skocez i zëvendësoi velat me grila që hapeshin dhe mbylleshin automatikisht, diçka e ngjashme me grilat veneciane. Libri Mullinjtë me erë (anglisht) shpjegon: «Kur vjen një shkulm i fortë ere, forca e ushtruar te fletët e grilës është më e madhe se forca që i duhet sustës për ta mbajtur grilën mbyllur. Kështu grila hapet, era fryn përmes krahëve të mullirit duke bërë që rrotullimi të ngadalësohet. Kur era dobësohet, tensioni i sustës e mposht forcën e erës dhe fletët e grilës mbyllen. Në këtë mënyrë krijohet një sipërfaqe më e madhe që rrihet nga era, dhe kjo bën të ruhet shpejtësia e fletëve të mullirit.»

Me çati rrotulluese dhe me vela që vetëpërshtateshin, mullinjtë me erë arritën rendimentin më të madh nga fundi i shekullit të 19-të, kur në Evropë mullinjtë me erë prodhonin një fuqi afro 1.500 megavat. * Por më vonë përparimet në teknologji sollën elektricitetin, turbinat me avull dhe motorin me djegie të brendshme. Mullinjtë me erë nuk mund të konkurronin efektshmërinë dhe lehtësinë për të lëvizur që kishin makineritë e reja dhe dukej sikur era nuk do të frynte më kurrë në velat e tyre. Por më vonë lindi një nevojë e paparashikuar.

Pasardhësit modernë të mullinjve të lashtë

Kriza për lëndë djegëse në vitet 70 i detyroi njerëzit të kërkonin burime zëvendësuese energjie që nuk vareshin nga lëndët djegëse me origjinë fosile të tilla, si nafta, qymyrguri, etj. Pak a shumë në të njëjtën kohë lindi një shqetësim që sa vinte e rritej për ndotjen që i sillnin atmosferës lëndët djegëse fosile. Filluan kërkimet për një burim «të pastër» energjie. Papritur mullinjtë me erë u dukën një mundësi interesante, dhe kështu dolën turbinat me erë.

«Mullinjtë me erë» të kohëve moderne janë shumë më elegantë se pararendësit e tyre. Kjo vjen ngaqë ndryshe nga mullinjtë tradicionalë, turbinat me erë të ditëve tona zakonisht nuk prodhojnë energji për ndonjë makineri që ndodhet brenda strukturës së mullirit. Çdo turbinë e kthen fuqinë e erës në energji elektrike, e cila shpesh kalon në rrjetin elektrik vendës. Në Evropë, nga viti 1988 këta «mullinj me erë» prodhonin 1.500 megavat, ashtu siç kishin bërë pararendësit e tyre një shekull më parë.

Të vënë në radhë në kreshtat e kodrave që spikatin, mullinjtë modernë duken si pemë të larta, kurse ngjyra e tyre e ndritshme i bën që të duken si të mbuluar me kristale akulli. Me një pamje të tillë, mullinjtë e fermave ia kanë ndryshuar peizazhin e fshatrave. Ndonëse këto turbina me erë mund të mos duken bukur, shumica e njerëzve mendojnë se çdo e metë nga ana estetike është një çmim i vogël që duhet paguar për dhjetëra mijë megavat energji të pastër që turbinat me erë prodhojnë në mbarë botën. Në ditët tona, mullinjtë me erë japin një ndihmesë të madhe në përpjekjet që bëhen anembanë botës për të pakësuar efektin serrë, dhe nga kjo gjë nxjerr dobi çdo njeri.

Gjithsesi, as mullinjtë tradicionalë me erë dhe as turbinat moderne me erë nuk do të funksiononin nëse nuk do të ishte burimi i pashtershëm i energjisë «së pastër», era. Sa mirënjohës i jemi Atij që ‘krijoi erën’!​—Amosi 4:13

[Shënimet]

^ par. 7 Në disa vende të Lindjes së Mesme, këta mullinj të thjeshtë u përdorën deri në shekullin e 20-të.

^ par. 16 Një megavat është baraz me 1.000.000 vat. Një llambë elektrike e zakonshme e ka fuqinë 60 vat.

[Figura në faqen 23]

Mulli spanjoll me tetë vela, i quajtur El Molino Zabala

[Figura në faqet 24, 25]

Turbinat e sotme me erë, Kadiks, Spanjë

[Figurat në faqen 25]

1. Konsuegra, Spanjë

2. Majorka, Spanjë

3. Aruba, Antilet e Vogla

[Burimet]

Godo-Foto

Godo-Foto