Sa tërheqës është peshkimi në akull!
Sa tërheqës është peshkimi në akull!
Nga një shkrimtar i Zgjohuni! në Finlandë
DITËT e bukura të dimrit me dëborë në vendet nordike, të ofrojnë mundësi të shumta për aktivitete sportive. Që të shijojnë peizazhin e dëborës vezulluese dhe ajrin e freskët, njerëzit dalin jashtë që të shëtitin, që të bëjnë ski, patinazh në akull ose që të rrëshqasin me sajë. Por ka edhe nga ata që pëlqejnë më shumë të peshkojnë në akull. Gjithmonë kam qenë kurioz të di: ‘Çfarë ka kaq tërheqëse peshkimi në akull?’ Kështu që i kërkova një mikut tim, Martit, që është një peshkatar i zoti, të më merrte me vete kur të shkonte ndonjëherë për peshk.
Kur e takoj Martin para shtëpisë së tij është duke u gdhirë. Tashmë të gjitha pajimet janë gati: kallamat e peshkimit, grepat, karremat, stolat, si dhe mjeti më i rëndësishëm—turjela e madhe për të hapur vrimat në akull. E vetmja gjë që më duhej të merrja me vete ishte një veshje e përshtatshme. Kush peshkon në akull duhet të vishet mirë dhe rrobat t’i ketë të ngrohta. Kjo sepse i duhet të rrijë ulur për një kohë të gjatë në vende krejtësisht të hapura, si deti dhe liqeni, ku era mund të jetë tmerrësisht e ftohtë. Duke qenë se banon afër detit, Marti pothuajse gjithmonë peshkon aty. Nëse do të jetonte më në thellësi të vendit, ndoshta do të peshkonte në një liqen ose lumë.
Mbërrijmë në breg të detit dhe hedhim hapin e parë në akull. Mendoj me vete: ‘Po sikur të jetë e rrezikshme të ecim në akull?’ Në fakt në këtë kohë të vitit, ecja në akull është më e sigurt. Falë temperaturave shumë të ulëta në fillim të dimrit, tani akulli është më i trashë se zakonisht. Sidoqoftë, është gjithmonë e nevojshme të jesh i kujdesshëm. Madje edhe gjatë dimrave më të ashpër, mund të ketë vende ku shtresa e akullit është e hollë. Është shumë e rëndësishme të jesh i vetëdijshëm për trashësinë e akullit dhe rreziqet që mund të përfshihen, si dhe të jesh i pajisur mirë. Pasi ecim pak, Marti nis të hapë një vrimë në akull. Turjela futet në akull si të ishte gjalpë, saqë edhe vrima e thellë 70 centimetra duket sikur u hap në çast, sa hap e mbyll sytë. Marti përdor një pajisje ngjashëm një site për të pastruar vrimën në akull dhe për të hequr dëborën e shkrirë. Pastaj ulet në stol, fikson fillin dhe hedh grremçin brenda në akull.
Edhe pse, peshkimi në akull është diçka e thjeshtë, në fund të fundit—të bësh një vrimë në akull dhe të hedhësh grremçin—ai bëhet edhe më i thjeshtë kur ia ke marrë dorën në njëfarë mënyre. Për shembull, është thelbësore zgjedhja e një vendi të përshtatshëm. Duke qenë se në dimër peshqit nuk lëvizin shumë për të gjetur ushqim, është e rëndësishme të dihet se në cilat vende grumbullohet tufa e tyre. Marti e kishte vendosur që më përpara vendin se ku do të shkonim për të peshkuar. Nëse do të kishim shkuar në ujëra ku ai nuk kishte peshkuar më parë, padyshim që do të kishte shqyrtuar me kujdes hartën dhe do të kishte planifikuar që më parë ku të kërkonte për peshk. Një peshkatar gjithashtu mëson të vëzhgojë motin dhe se si ndikon ky te lëvizja e peshqve. Ai i kërkon peshqit duke shpuar vrima në akull në vende të ndryshme. Një peshkatar mund të hapë shumë vrima gjatë një dite peshkimi.
Sot, duket sikur peshqit janë fshehur ose nuk kanë uri. Sido që të jetë puna, kjo nuk është se na shqetëson shumë. Në fund të fundit, kam mësuar se sa tërheqës është peshkimi në akull. Nuk është kënaqësi vetëm të zësh peshq, por edhe që të jesh jashtë dhe të shijosh natyrën. Marti e përmbledh këtë kështu: «Veçanërisht për banorët e qytetit peshkimi në akull është sikur të jenë me pushime. I harron të gjitha shqetësimet.»
[Figura në faqen 27]
Duke shpuar në akull
[Figura në faqen 27]
Turjela e akullit