Interneti: Si të shmangim rreziqet?
Pikëpamja e Biblës
Interneti: Si të shmangim rreziqet?
NË NJË fshat të largët në Indi, një fermer kontrollon çmimin e sojës në Çikago, SHBA, që të përcaktojë kohën më të volitshme për të shitur të korrat e tij. Në të njëjtin moment, një grua në moshë të thyer buzëqesh ndërsa lexon një mesazh me postë elektronike nga nipi; një udhëtar shikon parashikimin e motit për vendin ku do të shkojë dhe një nënë gjen materiale ndihmëse për detyrat e shtëpisë së fëmijës së saj—të gjithë me anë të Internetit. Rritja e shpejtë e numrit të atyre që përdorin Internetin, përafërsisht 600 milionë në të gjithë botën, ka bërë të mundur që Interneti të transformojë mënyrën se si njerëzit komunikojnë dhe bëjnë biznes.
Kryesisht është brezi i ri, i quajtur disa herë «Brezi i kompjuterëve», ai që përqafon me entuziazëm përdorimin e Internetit. Gjithnjë e më shumë, studentët po e përdorin atë si burimin kryesor të informacioneve të kohëve të fundit dhe të kërkimeve, në vend që të shkojnë në bibliotekë. «Pra me pak fjalë, këta studentë janë . . . gati 100 për qind të lidhur ngushtë me Internetin për çdo kërkim që bëjnë», —thotë Diana L. Tilishi, drejtuese e një studimi që përfshiu nxënës të kolegjit në prag të diplomimit, në Shtetet e Bashkuara. Po, Interneti është një mjet i vlefshëm për shoqërinë tonë moderne.
Në përgjithësi, sa më i fuqishëm është një mjet, aq edhe më i rrezikshëm mund të jetë. Një sharrë elektrike, mund të kryejë më shumë punë sesa një sharrë dore; megjithatë, ajo duhet përdorur me kujdes. Interneti është po ashtu jashtë mase i fuqishëm dhe i dobishëm, por duhet të bëjmë kujdes kur e përdorim, duke qenë se edhe ai paraqet rreziqe serioze. Shqetësimi për këto rreziqe ka bërë që më shumë se 40 vendet anëtare të Këshillit Evropian të përpilonin një traktat ndërkombëtar që synonte mbrojtjen e shoqërisë ndaj krimeve të kryera me anë të Internetit.
Por përse një shqetësim kaq i madh për Internetin? Cilat janë disa nga rreziqet për të cilat të krishterët duhet të kenë veçanërisht kujdes? A duhet të shmangni përdorimin e Internetit për shkak të këtyre rreziqeve? Çfarë drejtimi na siguron Bibla?
Nevojitet kujdes
Shekuj më parë, Bibla paralajmëronte për rreziqet nga njerëzit e ligj të përshkruar si ‘mjeshtra Fjalët e urta 24:8) Profeti Jeremia i përshkroi ata si «njerëz të këqinj» dhe që «shtëpitë e tyre janë plot mashtrim». Si gjuetarët që zënë zogj, ata «vënë leqe» për të kapur njerëz dhe «pasurohen». (Jeremia 5:26, 27) Teknologjia u ka vënë në dispozicion ‘njerëzve të këqinj’ të ditëve të sotme, leqe mashtruese që janë shumë të ndryshme nga ato të kohëve të lashta. Le të marrim në shqyrtim disa nga këto kurthe që mund të paraqesin rreziqe të rënda për të krishterët.
intrigash’ dhe që ‘mendojnë të bëjnë keq’. (Pornografia në Internet është një industri që ka një fitim prej 2 miliardë eurosh në vit. Numri i faqeve pornografike në Internet është rritur me një shpejtësi të habitshme dhe të beftë, gati 1.800 për qind gjatë këtyre pesë viteve të fundit. Është përllogaritur se tashmë ka mbi 260 milionë faqe të tilla, dhe numri vazhdon të rritet me një shpejtësi të paparë ndonjëherë. «Pornografia po bëhet kaq mbizotëruese në Internet, saqë tani është e vështirë t’i shmangesh, dhe kjo rrit mundësinë që njerëzit të bëhen më shumë të varur ndaj seksit në Internet», —thotë dr. Kimbërlë S. Jang, drejtoresha ekzekutive e Qendrës për Varësinë ndaj Internetit.
Bibla na thotë se «secili sprovohet duke u tërhequr dhe joshur nga dëshira e vet». (Jakovit 1:14) Duke e konsideruar si një viktimë të mundshme çdo njeri që ka kompjuter, shitësit e pornografisë përdorin një shumëllojshmëri taktikash që e bën cilindo të joshet nga ‘dëshira e vet’, domethënë nga «dëshira e mishit» dhe nga «dëshira e syve». (1 Gjonit 2:16) Synimi i tyre është t’i joshin përdoruesit naivë të Internetit, të cilët ata ‘duan t’i mashtrojnë’.—Fjalët e urta 1:10.
Ngjashëm njerëzve të këqinj të kohëve biblike, njerëzit që shesin materiale pornografike shpesh përdorin mashtrimin. Është llogaritur se gati dy miliardë mesazhe pornografike dërgohen me postë elektronike çdo ditë, dhe kjo për të tërhequr klientë të rinj me pahir. Shpesh temat e këtyre mesazheve në pamje të parë duken të padëmshme. Megjithatë, me të hapur njërën prej këtyre postave mund të të vijnë një lumë imazhesh imorale që është e vështirë për t’i ndaluar pastaj. Nëse kërkon të largohesh, kjo mund të të sjellë si pasojë një vërshim mesazhesh të tjera pornografike.
Një gjuetar zogjsh vendos me kujdes fara përgjatë një shtegu. Një zog që nuk e di se ç’e pret, çukit njëra pas tjetrës farat e shijshme, dhe në fund, krrap!, zogu zihet në grackë. Ngjashëm, kurioziteti bën që disa ‘të çukitin’ imazhet nxitëse seksuale. Shikuesit e pornografisë shpresojnë që askush të mos jetë duke i parë. Meqë kjo gjë është emocionuese nga ana seksuale, disa u rikthehen këtyre imazheve të fuqishme shpesh e më shpesh. Ndjenja e turpit dhe e fajit mund t’i mundojë. Me kalimin e kohës, ajo që njëherë e një kohë ishte tronditëse, bëhet e zakonshme. Për ata që janë të prirur për të parë pornografi, Interneti është si plehu i bimëve i cili bën që dëshirat e tyre të rriten me të shpejtë drejt veprave mëkatare. (Jakovi 1:15) Dr. Viktor Klini, psikolog i cili ka trajtuar qindra pacientë që ishin zënë në kurthin e pornografisë, thotë se së fundi, këta individë mund të shfaqin «një ‘sjellje misterioze dhe të rrezikshme’ jashtë çdo norme, në thelb të së cilës është një dëshirë seksuale e pafre që pret të plotësohet».
Rreziqet e chat rooms
Chat rooms ose dhomat e bisedave në Internet mund të na humbasin kohë dhe janë duke u bërë gjithnjë e më tepër një shkak i zakonshëm për prishjen e lidhjeve familjare. Duke shprehur pakënaqësi për sasinë e madhe të kohës që gruaja harxhon në Internet, një burrë shkroi: «Kur kthehet
në shtëpi nga puna, ajo ndez kompjuterin dhe mund të kalojnë pesë ose më shumë orë para se ta mbyllë. Si pasojë e kësaj martesa jonë po çalon.» Po, koha e harxhuar në Internet është një kohë që ju ia rrëmbeni bashkëshortit dhe familjes suaj.Anxhela Sibsën, drejtoresha e përgjithshme e shërbimit Relate për udhëzime në çështjet martesore, thotë se Interneti «është një derë e hapur për lidhje të tjera. Lidhjet në Internet mund të jenë shumë të fuqishme dhe mund të prishin lidhjet ekzistuese». Ajo që mund të nisë thjesht si një bisedë shoqërore në dhomat e bisedave, mund të shndërrohet shumë shpejt në diçka më serioze. Me synimin që t’i joshin për marrëdhënie seksuale, ata «me dinakëri në zemër» përdorin «lajkat e gjuhës», për t’u thënë viktimave të mundshme çfarë do t’u pëlqente atyre të dëgjonin. (Fjalët e urta 6:24; 7:10) Nikolla, një 26-vjeçare nga Mbretëria e Bashkuar, që ra pre e këtyre bisedave shpjegon: «Ai vazhdimisht më thoshte se më donte. Gjithmonë më thoshte se sa e mrekullueshme isha, dhe unë rashë brenda.» Dr. Al Kuper, autori i librit Seksi dhe Interneti: Manual për psikologët (anglisht), thotë se duhet të «paralajmërohen njerëzit për tatëpjetën e rrëshqitshme që fillon me një flirt në Internet dhe shumë shpesh përfundon me divorc».
Fëmijët janë edhe më të pambrojtur përballë shfrytëzimit dhe dëmtimit të «përdhunuesve në kompjuter». Duke përdorur një ‘të folur me hile’ dhe ‘buzë të çoroditura’, pedofilët vënë në shënjestër fëmijët që nuk janë në dijeni të këtyre kurtheve. (Fjalët e urta 4:24; 7:7) Ata tregojnë shumë vëmendje, ngrohtësi dhe mirëdashje ndaj fëmijës që ta bëjnë atë të ndihet i veçantë. Në pamje të parë duket sikur ata dinë gjithçka që i intereson fëmijës, përfshirë këtu muzikën e tij të preferuar dhe aktivitetet më të dëshiruara prej tij në kohën e lirë. Pedofilët shfrytëzojnë problemet e vogla të familjes duke i zmadhuar ato për të shkaktuar kështu një ftohje të marrëdhënieve të fëmijës me familjen e tij ose të saj. Për të plotësuar dëshirat e tyre të poshtra, grabitqarët madje mund t’i dërgojnë viktimës së tyre një biletë për të udhëtuar përqark vendit. Pasojat janë të frikshme.
Parimet e Biblës mund të të mbrojnë
Pasi kanë përcaktuar se cilat janë rreziqet, disa persona kanë arritur në përfundimin se për ta është më mirë të shmangin plotësisht përdorimin e Internetit. Sidoqoftë, duhet pranuar se vetëm një përqindje e vogël e faqeve në Internet paraqesin rrezik dhe shumica e përdoruesve nuk kanë pasur probleme serioze.
Sa mirë që Shkrimet sigurojnë udhëheqje që të ‘mbrohemi’ nga rreziku! Jemi të nxitur që të fitojmë njohuri, mençuri dhe aftësi të menduari. Cilësi të tilla do të ‘kujdesen për ne’ që ‘të na çlirojnë nga rruga e keqe’. (Fjalët e urta 2:10-12) Jobi, një shërbëtor i lashtë pyeti Perëndinë: «Por nga rrjedh mençuria?» Përgjigjja: «Të kesh frikë nga Jehovai, kjo është mençuri.»—Jobi 28:20, 28, BR.
‘Frika nga Jehovai’, e cila «është të urresh të keqen», është baza për të zhvilluar cilësitë që i pëlqejnë Atij. (Fjalët e urta 1:7; 8: 13; 9: 10) Dashuria dhe nderimi i thellë për Perëndinë, bashkë me respektin për fuqinë dhe autoritetin e tij, do të na ndihmojnë të urrejmë dhe të shmangim ato gjëra të këqija që ai urren. Aftësia e të menduarit qartë, bashkë me njohurinë e saktë të parimeve të Perëndisë, na ndihmojnë të dallojmë rreziqet që mund të na helmojnë mendjen, zemrën dhe të shkatërrojnë gjendjen tonë frymore. Kështu do të na neveriten qëndrimet egoiste dhe lakmitare që mund të na bëjnë copë-copë familjen dhe të na prishin marrëdhënien me Jehovain.
Kështu pra, nëse përdorni Internetin, jini të vetëdijshëm për rreziqet. Jini të vendosur për të mbajtur urdhërimet e Perëndisë. Mos shfaqni qoftë edhe ndonjë interes fare të vogël për gjëra që mund t’ju sjellin shqetësime më vonë, pra mos luani me zjarrin! (1 Kronikave 28:7) Kështu që, nëse ndesh rreziqe kur përdor Internetin, me mençuri do të ikësh prej tyre.—1 Korintasve 6:18.
[Kutia në faqen 19]
QËNDRONI LARG PORNOGRAFISË!
«Kurvëria, ndyrësia e çdo lloji ose lakmia as të mos përmenden ndër ju, ashtu siç u ka hije të shenjtëve.»—Efesianëve 5:3.
«Bëni, pra, të vdesin gjymtyrët e trupit tuaj që janë mbi tokë në lidhje me kurvërinë, ndyrësinë, urinë seksuale, dëshirat e dëmshme dhe lakminë.»—Kolosianëve 3:5.
«Vullneti i Perëndisë është ky: . . . që secili nga ju të dijë ta zotërojë enën e vet në shenjtëri dhe në nder, jo në uri seksuale epshore, si ajo që kanë kombet që nuk e njohin Perëndinë.»—1 Selanikasve 4:3-5.
[Kutia dhe figurat në faqet 20, 21]
RUHUNI NGA CHAT ROOMS NË INTERNET!
Një hetuese që merret kryesisht me krimet në Internet, ftoi një shkrimtar të revistës Zgjohuni! të shihte nga afër rreziqet në chat rooms ose në dhomat e bisedave në Internet. Ajo hyri në një chat room, duke u shtirur si një 14-vjeçare. Vetëm pas pak sekondash, një numër individësh u lidhën me të. Të panjohurit bënin pyetje të tilla, si: «Nga je?» «Je vajzë apo djalë?» «A mund të bisedojmë?» Disa prej përgjigjeve ishin nga grabitës seksualë të cilët policia po i hetonte. Kjo tregon se sa e lehtë është që një pedofil të ndodhet në chat room me fëmijën tuaj.
Disa prindër mendojnë se fëmijët janë të sigurt kur përdorin një chat room, sepse bisedat e tyre merren vesh nga çdonjeri që është në chat room ndërkohë që bashkëbisedojnë. Mirëpo, me të hyrë në chat room, mund të të ftojnë të kesh një bashkëbisedim vetëm për vetëm. Duke iu referuar kësaj praktike, Forcat e Posaçme të Internetit për Mbrojtjen e Fëmijës në Mbretërinë e Bashkuar, paralajmërojnë: «Kjo është njësoj si të mënjanohesh nga një festë plot me njerëz dhe të shkosh në një dhomë private ku të bashkëbisedosh veçmas me një të panjohur.»
Për prindërit është gjithashtu e rëndësishme të kuptojnë që shumë pedofilë nuk duan thjesht të bisedojnë me fëmijën. Një dokument i përgatitur nga Forumi i Krimeve në Internet raporton: «Pedofili bisedën që fillon në chat room, mund ta vazhdojë me anë të mjeteve të tjera, si me e-mail, me postë elektronike, dhe me celularë.» Një raport nga Zyra Federale e Hetimeve e Shteteve të Bashkuara konstaton: «Ndërsa biseda me fëmijën viktimë në Internet është emocionuese për kriminelin seksual të kompjuterit, për fëmijën kjo mund të sjellë shumë probleme dhe ankth. Shumica duan të flasin me fëmijën në telefon. Ata shpesh bëjnë ‘seks në telefon’ me fëmijët dhe shpeshherë kërkojnë të caktojnë një takim për të kryer vërtet marrëdhënie seksuale.»
Për ta arritur këtë synim, kriminelët seksualë të kompjuterit zakonisht u japin fëmijëve numrat e tyre të telefonit. Nëse fëmija juaj i telefonon atij, me anë të një aparati, ai mund të përcaktojë numrin e telefonit të fëmijës. Kriminelë të tjerë kanë numra pa pagesë ose i thonë fëmijës se do t’ia paguajnë ata telefonatën. Disa madje i kanë dërguar fëmijës një celular. Gjithashtu, krimineli mund t’i dërgojë letra, fotografi dhe dhurata.
Fëmijët nuk janë të vetmit që i dorëzohen rrezikut në chat rooms. Kohët e fundit, një burrë bëri që gjashtë gra në Mbretërinë e Bashkuar të binin njëkohësisht në dashuri me të, duke përdorur fjalë lajkatuese e duke u thënë gjëra që gratë duan të dëgjojnë. Njëra nga viktimat, 27-vjeçarja Sherol, një studente tërheqëse pasuniversitare thotë: «Thjesht nuk mund ta shpjegoj dot tani. Lidhja u bë kaq e fortë saqë më pushtoi të tërën.»
«Gratë ndihen më të lehtësuara kur përdorin internetin, sepse aty nuk gjykohen nga paraqitja e tyre fizike. Por nga ana tjetër ato e lënë veten të jenë shumë të prekshme ndaj manipulimit pasi është një tendencë, sidomos në chat rooms, që të zbulosh menjëherë shumë informacion për veten»,—thotë Xheni Medën, themeluesja e organizatës «Gruaja në Internet».
«Gjithçka që më duhet të bëj është të ndez kompjuterin dhe të zgjedh midis mijëra grave që janë në rrjet»,—thotë një burrë i pyetur nga një studim për Universitetin e Floridës, i drejtuar nga Beatris Abila Milhami. Ajo thotë: «Shumë shpejt Interneti do të bëhet forma më e zakonshme e tradhtisë bashkëshortore, në mos është bërë tashmë.» Dr. Al Kupër, redaktori i librit Seksi dhe Interneti: Një manual për mjekët (anglisht), thotë: «Nga terapistë që raportojnë përreth vendit, po dëgjojmë se aktivitetet seksuale në Internet janë shkaqet kryesore të problemeve në martesë.»
Nën dritën e këtyre fakteve që të trondisin, është e mençur të merren masa paraprake të arsyeshme kur përdoret Interneti. Bisedoni me fëmijët tuaj dhe mësojini ata si të mbrohen nga rreziku. Duke pasur njohurinë e duhur, ti mund të shmangësh rreziqet e Internetit.—Predikuesi 7:12.