Nga lexuesit tanë
Nga lexuesit tanë
Kafshët shtëpiake Ju falënderoj shumë për serinë e artikujve «Kafshët shtëpiake: Ç’mendoni për to?» (22 shkurt 2004) Në veçanti u kënaqa nga mënyra se si ishin shkruar artikujt, tregonin dashuri dhe përkujdesje për kafshët. Do t’i jap një kopje të revistës veterinerit tim. Artikuj si këta mund t’i nxitin njerëzit që i duan kafshët t’i afrohen Jehovait.
O. M., Itali
Kohët e fundit kam filluar të jetoj vetëm, dhe jam duke rritur dy kotele. Ato më japin shumë gëzim, por shoh gjithashtu se është e rëndësishme të mos u vesh atyre tipare njerëzore. Ky artikull më ka ndihmuar të kuptoj nevojën e një drejtpeshimi lidhur me kafshët shtëpiake.
K. O., Japoni
Nuk gjej fjalë për t’ju falënderuar. Tre javë më parë vendosa t’u jepja fund vuajtjeve të qenit tim 13-vjeçar. Ishte një nga vendimet më të vështira që më është dashur të marr ndonjëherë. Atë mëngjes e lexova përsëri serinë e artikujve për kafshët shtëpiake. Ai shprehte ndjenja dhembshurie, përkujdesjeje dhe ishte praktik.
S. G., Shtetet e Bashkuara
Punoj për një njeri të njohur në fushën e teknologjisë moderne të ushqimit për kafshët shtëpiake. E lashë revistën të hapur te seria e artikujve që flisnin për kafshët shtëpiake dhe e vendosa pranë kompjuterit ku punoj. Kur shkova të haja drekën, ai e pa revistën, e lexoi dhe e pëlqeu kaq shumë saqë dëshiron t’i marrë rregullisht numrat e revistës Zgjohuni!
L. W., Shtetet e Bashkuara
Artikujt ishin të shkëlqyer dhe më ndihmuan që të kem pikëpamje të drejtpeshuar me kafshët e mia shtëpiake. Doja të përmendja se kur një person merr një mace ose një qen në shtëpi, do të ishte mirë që kafsha t’i kishte vezoret të hequra ose organet të tredhura. Një arsye përse shumë qen dhe mace asgjësohen çdo vit është sepse nuk ka shtëpi të mjaftueshme adoptuese që t’i strehojnë.
SH. B., Shtetet e Bashkuara
«Zgjohuni!» përgjigjet: Faleminderit që i vutë në dijeni lexuesit tanë rreth kësaj çështje.
Në artikullin tuaj thuhej se në botën e re të Perëndisë «të gjitha kafshët, si ato shtëpiake, edhe ato të egra, do të jenë paqësore me njëra-tjetrën». A është e arsyeshme të besojmë që kafshët grabitqare nuk do të ekzistojnë më?
D. B., Kanada
«Zgjohuni! përgjigjet: Që kur njerëzimi ra në mëkat, shumë gjëra në tokë nuk janë më në harmoni. Vetëm e ardhmja do të zbulojë saktësisht se si profecitë e Biblës, që përmendin se do të ketë harmoni midis kafshëve në Parajsë, do të përmbushen. Megjithatë, kemi besim të plotë se Krijuesi do të heqë nga toka gjithçka që është e dëmshme.—Psalmi 37:10, 11.
Shëtitja Faleminderit për artikullin «Pse të mos bëni një shëtitje?» (22 shkurt 2004) Është gjë e mirë të dish që rreziku i sëmundjeve të zemrës zvogëlohet thjesht duke ecur. Artikulli më bëri të kuptoja që për një kohë shumë të gjatë nuk kam bërë shumë lëvizje. Do të ndjek këshillën për të shëtitur rregullisht.
L. B., Suedi
Seksi me anë të telefonit Doja t’ju shprehja mirënjohjen time për artikullin «Të rinjtë pyesin . . . Ç’të keqe ka seksi me anë të telefonit?» (22 shkurt 2004) E kam pasur vetë këtë problem serioz. Ai më solli shumë dëme nga ana frymore, duke më shtyrë në mëkate edhe më serioze dhe në humbjen e privilegjeve në kongregacionin e krishterë. Qoftë mençuria e Jehovait mbi ju, ndërkohë që vazhdoni të botoni artikuj që na ndihmojnë të qëndrojmë të fortë frymësisht!
H. H., Spanjë