Salmoni i Atlantikut: Një «mbret» në telashe
Salmoni i Atlantikut: Një «mbret» në telashe
NGA SHKRIMTARI I ZGJOHUNI! NË IRLANDË
SALMONËT janë të njohur për aftësinë që kanë për të notuar kundër rrymës. Kjo aftësi shfaqet kur ngjitin ujëvarat gjatë periudhës së shumimit. Thuhet se njëherë një peshkatar vuri re që «një numër i madh salmonësh nuk po ia dilnin dot të ngjitnin [ujëvarën]» ku ai po peshkonte. Disa madje binin në bregun e lumit në fund të ujëvarës. Ai ndezi një zjarr mbi një shkëmb të dalë afër fundit të ujëvarës dhe vuri një tigan të nxehej mbi të. «Pas përpjekjeve të tyre të pasuksesshme,—tregonte ai,—disa nga salmonët e gjorë binin padashur brenda në tigan.» Kështu, ky peshkatar më vonë mund të mburrej se ‘salmoni në vendin e tij ishte me kaq bollëk saqë ata kërcenin vetë në tigan, duke ia lehtësuar kështu punën’.
Pa dyshim, kjo histori mund të jetë pak e ekzagjeruar. Sidoqoftë, është plotësisht e vërtetë që salmoni kërcen nga poshtë lart ujëvarave. Një raport i dhënë nga Agjencia Kërkimore e Salmonit në Irlandë, tregoi se vitet e fundit ka pasur «një rënie tragjike në numrin e peshqve që notojnë kundër rrymës për t’u shumuar». Një sondazh tregoi se brenda një viti, vetëm 3 për qind (rreth 1.300) notonin kundër rrymës nga afërsisht 44.000 salmonët e vegjël të kapur, të shënuar dhe pastaj të lëshuar sërish.
Çfarë ka ndikuar që numri i «Mbretit të peshqve», salmonit të Atlantikut, të bjerë kaq shumë? A do të jenë ndonjë ditë aq të shumtë sa më parë? Nëse kuptojmë ciklin interesant dhe të pazakontë të jetës së këtij peshku të mrekullueshëm, do të arrijmë të kuptojmë se cilat janë shkaqet e këtij problemi dhe zgjidhjet e mundshme të tij.
Fazat e para të jetës
Jeta për salmonin nis midis nëntorit dhe shkurtit në shtratin e një rrëkeje me ujë të ëmbël. Salmoni mashkull siguron mbrojtje nga gjallesat e tjera, ndërkohë që femra gërmon disa gropa të vogla deri 30 centimetra të thella. Së bashku ata pllenojnë mijëra vezët që ndodhen në çdo gropë. Pastaj femra për t’i mbrojtur vezët i mbulon me rërë.
Në mars ose prill, nga veza del një peshk me një pamje të çuditshme. I quajtur në anglisht alevin, ai është i gjatë gati tre centimetra dhe ka një trajsë viteline që e pengon të lëvizë, e cila ndodhet në pjesën e poshtme të trupit. Fillimisht alevini qëndron i fshehur nën rërë, duke u ushqyer me rezervën viteline, apo ushqimin brenda trajsës viteline, të cilën e ka gjithmonë me vete. Pas katër ose pesë javësh, kur trajsa tashmë është përtharë, fry, siç quhet anglisht në këtë fazë salmoni, duke u përpëlitur arrin të dalë jashtë nga vendi ku ishte nën zaje, për në rrëkenë kryesore. Është rreth pesë centimetra i gjatë dhe tani ngjan tamam si një peshk. Ai bluan vetëm dy gjëra në kokë. E para, të gjejë ushqim natyror—insekte të vogla dhe planktone—dhe e dyta, të gjejë një vend të sigurt për të jetuar. Në këtë fazë, më shumë se 90 për qind e salmonëve ngordhin sepse nuk gjejnë ushqim dhe një vend të sigurt për të jetuar, ose sepse i hanë grabitqarët siç janë, troftat, bilbilat e ujit, çafkat dhe lundrat.
«Pas një viti ose diçka e tillë,—thotë Majkëlli, i cili ka studiuar për njëfarë kohe salmonin dhe peshq të tjerë,—salmoni rritet dhe bëhet gati tetë ose dhjetë centimetra. Tani quhet parr dhe ka njolla të errëta dalluese në të dyja anët e trupit. Kur arrin gjatësinë pesëmbëdhjetë centimetra, njollat e errëta zëvendësohen me një ngjyrë të argjendtë të shndritshme e të njëtrajtshme në të gjithë trupin. Tani ndodhin disa ndryshime të jashtëzakonshme dhe të ndërlikuara që do ta dallojnë salmonin nga peshqit e tjerë.»
Majkëlli vazhdon: «Midis majit dhe qershorit, peshku, tani i quajtur smolt, shtyhet nga disa sinjale të brendshme dhe bashkohet me mijëra të tjerë në një lëvizje masive në drejtim të rrymës drejt grykëderdhjeve.» Por sigurisht që një krijesë e ujërave të ëmbla nuk mund të mbijetojë në det, apo jo? Kur iu bë Majkëllit kjo pyetje, ai u përgjigj: «Në përgjithësi jo, por ndodhin një sërë ndryshimesh të ndërthurura përreth verzave të tij, që i japin mundësi të filtrojë kripërat që gjenden në ujin e detit. Kur këto ndryshime kanë përfunduar, salmoni, i cili është aq i vogël saqë mund të qëndrojë në pëllëmbën e dorës, nis një udhëtim të jashtëzakonshëm.»
Jeta në det
Pse ky peshk kaq i vogël e braktis lumin ku ka lindur? Ku shkon? Salmoni duhet të arrijë në vendin ku do të ushqehet me qëllim që të bëhet plotësisht i rritur. Nëse ia del t’u shmanget grabitqarëve të tillë, si, karabullakëve, fokave, delfinëve madje edhe balenave vrasëse, ai do të arrijë në këtë vend dhe do të ushqehet me disa lloje të mëdha mikroorganizmash shtazore, me ngjala rëre, si dhe me harenga, trofta, dhe peshq të tjerë. Pas një viti pesha e tij do të jetë rritur 15 herë—nga disa qindra gramë deri në tre kilogramë. Nëse ai qëndron në oqean për pesë vjet, pesha e tij mund të shkojë deri në 18 kilogramë ose edhe
më shumë. Madje disa e kanë kaluar peshën 45 kilogramë.Vendi se ku ushqehej ky peshk, nuk dihej me saktësi deri në vitin 1950, kur peshkatarët tregtarë filluan të zinin sasi të mëdha salmoni në brigjet e Grënlandës. Një tjetër vend i madh ku ushqehet ky peshk u zbulua më vonë përqark Ishujve Farer, në veri të Skocisë. Që nga ajo kohë janë zbuluar edhe vende të tjera ushqimi. Madje ka raporte që tregojnë se salmoni ushqehet dhe nën akujt e Arktikut. Me zbulimin e këtyre vendeve filluan vërtet telashet për salmonin e Atlantikut. Zona të mëdha peshkimi u formuan në Grënlandë dhe në Ishujt Farer. Mijëra tonë me peshq u kapën nga peshkatarët tregtarë dhe befas numri i atyre që ktheheshin për t’u shumuar në ujërat e ëmbla të lumenjve, ra ndjeshëm. Duke kuptuar seriozitetin e këtij problemi, qeveritarët vendosën për peshkatarët disa kufizime, si për shembull të kapnin një sasi të përcaktuar peshqish. Kjo ka ndihmuar për ta mbrojtur salmonin gjatë kohës që jeton në det.
Kthimi për në ‘shtëpi’
Së fundi, salmoni i rritur kthehet në lumë, aty ku çeli nga veza, gjen shokun ose shoqen e tij, dhe cikli fillon përsëri. «Ajo që është vërtet e mahnitshme,—shpjegon Majkëlli,—është se ky peshk i jashtëzakonshëm noton me mijëra kilometra në oqean pa gabuar, edhe pse nuk e ka bërë më parë atë rrugë. Se si arrin ta bëjë këtë, kjo vazhdon t’i habisë shkencëtarët. Disa thonë se salmoni noton duke u drejtuar nga forca e gravitetit të tokës, rrymat oqeanike, madje edhe nga yjet. Mendohet se menjëherë sapo kthehet në grykëderdhje, salmoni e njeh lumin ku ka lindur nga ‘era’ e tij, ose ndryshe nga përbërja e tij kimike.»
Majkëlli vazhdon: «Ai përshtatet me jetën në ujërat e ëmbla dhe fillon përsëri jetën në lumë. Instinkti për të gjetur rrugën për në shtëpi edhe pas një udhëtimi të gjatë, është kaq i fortë saqë edhe sikur ujëvarat ose rrëmbesat ta pengojnë, ky salmon, tani shumë më i madh dhe më i fortë, do të luftojë me kokëfortësi për të kaluar çdo pengesë që i del përpara.»
Gjatë rrugës së kthimit, salmoni ndesh më shumë vështirësi kur përballet me digat pothuajse të pakapërcyeshme, me sistemet hidroelektrike të ujit ose me pengesat e tjera të bëra nga njeriu. Çfarë ndodh atëherë? «Shumë njerëz që kujdesen për mbrojtjen e salmonit sigurojnë një rrugëzgjidhje, —thotë Dërdrë, një studiues i salmonit. —Është ndërtuar një kalim anësor për të shmangur pengesën e madhe. Ne e quajmë këtë një shkallë ose kalim për peshqit. Ajo bën të mundur që salmoni të vazhdojë shëndoshë e mirë udhëtimin e tij në ngjitje drejt vendit ku lëshon vezët.
Megjithatë, kjo zgjidhje jo gjithmonë funksionon,—vazhdon Dërdrë. —Kam parë disa salmonë që e shpërfillin kalimin. Ata njohin vetëm rrugën që kanë bërë në fillim dhe përpiqen pareshtur për të kapërcyer pengesën e re të
bërë nga njeriu. Shumë prej tyre ngordhin nga sfilitja ose ngaqë përplasen për vdekje pas pengesës.»Rezervuaret e salmonit
Salmoni është një ushqim me vlera. Duke qenë se numri i salmonit të Atlantikut është duke u zvogëluar, janë ngritur rezervuare tregtare për këtë. Salmonët mbahen në vaska me ujë të ëmbël përgjatë bregut, derisa arrijnë fazën smolt. Pastaj transferohen në disa si kafaze të vendosura në det. Atje ushqehen derisa rriten, dhe më pas janë gati për t’iu shitur restoranteve dhe dyqaneve të peshkut.
Por edhe pse i rritin në këtë mënyrë, telashet për salmonët nuk mbarojnë. Mbarështuesit e peshqve i ushqejnë me ushqime artificiale. Veç kësaj, ngaqë janë të kufizuar në këto kafaze, rrezikojnë të sëmuren dhe të marrin parazitë, si për shembull, pleshtat e detit. Disa prej spërkatësve mbrojtës që përdoren kundër këtyre parazitëve, mund të jenë goxha të fortë. «E kam pasur zakon të notoja brenda disa prej këtyre kafazeve, —thotë Ernesti, një zhytës,—dhe ishte fare e dukshme që pjesa më e madhe e shtratit të detit përreth atyre zonave, s’kishte jetë.»
Një «mbret» në telashe
Shumë salmonë që rriten të lirë kapen nga rrjetat e hedhura në det përpara se të arrijnë në lumin ku kanë lindur. Vlera e lartë tregtare e salmonit që rritet në gjendje të lirë, i nxit disa peshkatarë që të peshkojnë në mënyrë ilegale. Ata pak salmonë që ia dalin mbanë të kthehen përsëri në lumë, u duhet gjithashtu t’u shpëtojnë atyre që kanë lejen për të peshkuar me kallama. Për të mbrojtur rezervat e salmonit, janë vendosur disa rregulla, si për shembull, peshkimi të kufizohet vetëm në disa zona përgjatë lumit; taksa shumë të larta për të marrë lejen që të peshkosh salmon, dhe një sezon peshkimi të kufizuar. Pavarësisht nga këto masa, është llogaritur se 1 në 5 salmonë do të kapet përgjatë rrugës së kthimit për në lumë.
Veç kësaj, salmoni preket nga sëmundje të ndryshme, dhe këto kanë rrezikuar seriozisht popullatën e tij. Njëra nga këto sëmundje, e njohur si nekroza ulceroze e lëkurës, shkakton ulcera në lëkurën e peshkut dhe përfundimisht bën që ai të ngordhë. Salmoni, ashtu si dhe gjallesat e tjera ujore, duhet të luftojë edhe me rreziqe të tjera vdekjeprurëse, siç janë ndotja industriale dhe pesticidet që gjenden në ujërat e lumenjve.
Me gjithë këto rreziqe që duhet të kalojë, nuk është për t’u habitur që «Mbreti i peshqve» është në telashe. Me gjithë përpjekjet më të mira që kanë bërë mjaft njerëz, problemet e salmonit vazhdojnë. Ekuilibri i natyrës do të rivendoset vetëm kur Krijuesi i tokës, Perëndia i Plotfuqishëm, do ta ndalojë njeriun që të vazhdojë të shkatërrojë tokën.—Isaia 11:9; 65:25.
[Diagrami dhe harta në faqet 14, 15]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
Salmoni i Atlantikut udhëton nga lumenjtë që gjenden në Shtetet e Bashkuara, në Rusi dhe në Spanjë, drejt vendeve të ushqimit në Ishujt Farer dhe në Grënlandë, përpara se të kthehet në shtëpi për t’u shumuar
[Hartë]
Shtetet e Bashkuara
Grënlandë
Islandë
Ishujt Farer
Rusi
Francë
Spanjë
[Diagrami dhe figurat në faqen 15]
NJË CIKËL I MAHNITSHËM JETE
Vezë
↓
Sa fillojnë t’u duken sytë
↓
Alevin
↓
Fry
↓
Parr
↓
Smolt
↓
I rritur
↓
Duke u shumuar
[Figurat]
Alevin
Parr
[Burimet]
Cikli i jetës: © Atlantic Salmon Federation/J.O. Pennanen; alevin: U.S. Fish & Wildlife Service, Washington, D.C.; parr: © Manu Esteve 2003
[Figurat në faqet 16, 17]
Gjatë rrugës së kthimit salmoni mund të ngjitë këtë ujëvarë ose të zgjedhë rrugën më të lehtë duke u ngjitur në shkallën për peshqit (djathtas është vendosur e zmadhuar)
[Figurat në faqet 16, 17]
Rreziqet për salmonin përfshijnë peshkimin tej mase dhe sëmundjet si pasojë e jetës në rezervuare
[Burimet]
Fotografia: Vidar Vassvik
UWPHOTO © Erling Svensen
[Burimi i figurës në faqen 14]
© Joanna McCarthy/SuperStock