Të gjithë kemi nevojë për miq
Të gjithë kemi nevojë për miq
«Një mik është dikush me të cilin mund të flasësh lirshëm për çdo gjë, të cilit mund t’i telefonosh në çdo kohë.»—Jaela, Francë
«Një mik të kupton kur vuan dhe ndihet njësoj si ty.»—Gaela, Francë
«ËSHTË një mik që është më i lidhur se një vëlla.» (Fjalët e urta 18:24) Që nga koha kur këto fjalë u shkruan në Bibël, rreth 3.000 vjet më parë, natyra njerëzore nuk ka ndryshuar. Miqësia është ende jetësore për gjendjen shpirtërore të njeriut, ashtu si buka dhe uji janë jetësorë për trupin. Por, shumë veta e kanë të vështirë ta plotësojnë këtë nevojë themelore për të pasur miqësi. Vetmia është shumë e përhapur. «S’ka nevojë të shkojmë larg për të kuptuar disa nga shkaqet»,—thonë Karina Rubenstajni dhe Filip Shevëri në librin e tyre Në kërkim të lidhjeve të ngushta (anglisht). Ata përmendin faktorë të tillë, si «lëvizja e shpeshtë e njerëzve»—njerëzit e ndryshojnë shpesh vendbanimin—«indiferenca ndaj të tjerëve dhe krimet e shumta nëpër qytete» dhe fakti se «në vend që njerëzit të takohen e të flasin me njëri-tjetrin, rrinë në shtëpi dhe shohin televizor ose videokaseta».
Gjithashtu, jeta moderne na e merr të gjithë kohën dhe na i shteron energjitë. «Në një javë të vetme, një banor i qytetit sot takon më shumë njerëz nga ç’takonte gjatë një viti ose gjatë gjithë jetës një fshatar në shekullin e shtatëmbëdhjetë»,—shkruan Leti Pogrebini në librin e saj Mes miqsh (anglisht). Meqë në jetën tonë mund të njohim qindra njerëz, mund të jetë e vështirë të përqendrohemi tek individët aq kohë sa duhet për t’u lidhur dhe për të krijuar miqësi të forta me ta.
Edhe në vende ku jo shumë kohë më parë ritmi i jetës nuk ishte kaq i ethshëm, kushtet shoqërore po ndryshojnë me të shpejtë. «Më parë ishim shumë, shumë të lidhur me miqtë tanë,—thotë Ula, që jeton në Evropën Lindore.—Por sot shumë njerëz humbin pas punës ose synimeve personale. Çdokush është gjithë kohën i zënë dhe e ndiejmë se miqësitë e vjetra dalëngadalë po shpërbëhen.» Me ritmin e shpejtë të kohëve moderne miqësitë mund të lihen disi pas dore.
Prapëseprapë nevoja që kemi për të pasur miq është tejet e madhe. Sidomos të rinjtë e ndiejnë shumë këtë. Jaela, fjalët e së cilës u cituan më sipër, thotë se «kur je i ri, ke nevojë të ndiesh se të tjerët të pranojnë e të mirëpresin në shoqëri dhe të ndihesh i afërt me dikë». Të rinj a të moshuar qofshim, të gjithë kemi nevojë për miqësi të ngushta që na sjellin gëzim. Dhe pavarësisht nga pengesat, mund të bëjmë shumë për të zënë dhe për të mbajtur miq të vërtetë. Artikujt vijues do të flasin për këtë.