Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të koleksionosh: Një hobi që kërkon ekuilibër

Të koleksionosh: Një hobi që kërkon ekuilibër

Të koleksionosh: Një hobi që kërkon ekuilibër

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË AUSTRALI

A JU ka ndodhur ndonjëherë që të grumbulloni sende për të cilat keni thënë se mbase do t’ju hynin në punë një ditë? Por kur me kalimin e kohës vini re se këto sende nuk i keni përdorur fare, ndoshta doni t’i hidhni ato që nuk ju shërbejnë më për asnjë gjë. Mirëpo, është interesante se shumë ndiejnë kënaqësi kur grumbullojnë gjëra që ndoshta nuk do t’u hyjnë kurrë në punë. Këta janë ata persona që e kanë hobi koleksionimin.

Sendet tipike që koleksionohen më shumë janë, gurë, pulla poste ose monedha të vjetra. Koleksionistë të tjerë kanë pasion për të koleksionuar kukulla, kafshë të balsamosura, lugë, medalje nderi, kartolina, sende antike, disqe muzikore ose suvenirë nga vendet e pushimeve. Mundësitë janë të pafundme! Imagjino për shembull, një avokat amerikan ka një koleksion prej 200.000 gozhdë hekurudhash! Ky është një prej qindra të apasionuarve, të cilët i bien kryq e tërthor rrethinave duke kërkuar gozhdë të vjetra hekurudhe, që kanë një datë të stampuar në kokë.

Një revistë, Harper’s Magazine, vëren: «Është e habitshme kur sheh gjërat që koleksionojnë njerëzit​—dhëmbë dhe parukë, kafka dhe mbajtëse ëmbëlsirash, bileta tramvaji, flokë dhe erashka, balona dhe pinca, qen dhe monedha, bastunë, kanarina dhe këpucë, . . . kopsa dhe kocka, karfica kapelesh dhe firma të kopjuara, botime të para të librave dhe maska kundërgazi.»

Megjithatë, ka edhe koleksionues që kanë preferenca të çuditshme. Një rast është ai i një konteshe ruse që grumbulloi oturakët e njerëzve të pasur dhe të famshëm. Një regjent japonez kishte një koleksion prej 5.000 qensh, dhe i strehonte nëpër kolibe luksoze. Sipas revistës Harper’s Magazine, një koleksionues i pasur mblodhi mijëra pleshta dhe «e ruajti secilin në alkool, nëpër shishe të veçanta, duke i shënuar vendin nga ishin marrë dhe emrin e bartësit në të cilin ishte gjetur pleshti, që mund të ishte kafshë ose njeri».

Edhe pse ka shembuj të grumbullimit të gjërave nga më të çuditshmet, ideja e koleksionimit të sendeve nuk është një gjë e re e kohëve tona moderne. Për shembull, koleksionimi i një numri të madh librash dhe dorëshkrimesh, ka qenë një punë e lashtë. Libri Dritë nga e kaluara antike (anglisht) tregon se mbreti asirian Ashurbanipali (shekulli i 7-të p.e.s.) dërgoi skribët e tij në të gjithë vendin që të grumbullonin kopje të regjistrimeve dhe dokumenteve të hershme për bibliotekën e tij mbretërore që ndodhej në qytetin e Ninevisë. Pallati i Ashurbanipalit që përmbante edhe këtë bibliotekë të mahnitshme, u gjet nga gërmimet arkeologjike në vitin 1853.

Aristokracitë greke dhe romake ishin gjithashtu të mirënjohura për artin e koleksionimit. Libri Të koleksionosh​—Një pasion i pakontrollueshëm (anglisht) pohon: «Në kohën e Ciceronit dhe të Cezarit, Roma ishte shembull tipik i harxhimeve pa fre dhe i shfrytëzimit në mënyrë të spikatshme të të mirave materiale për të plotësuar tekat. . . . Tregtarët e veprave të artit pushtuan blloqe të tëra ndërtesash të qytetit. Madje, disa prej qytetarëve më të pasur kishin muzetë e tyre personalë.»

Përse janë kaq të dhënë pas koleksionimit?

Përse për disa njerëz sot koleksionimi i gjërave është transformuar në një hobi? Një enciklopedi, The Encyclopedia Americana, thotë: «Njerëzit ndjekin një hobi për shumë arsye, por kryesisht për kënaqësi. Një gjë e tillë i çlodh dhe u thyen rutinën e përditshme.» Me të vërtetë, shumë veta, kur kalojnë kohë për të parë me vëmendje çdo detaj të gjërave të dashura që kanë koleksionuar, provojnë kënaqësi.

Një artikull i gazetës australiane Canberra Times, sugjeron më tej se një person që e ka hobi koleksionimin «mund të kujtojë një mori vendesh dhe njerëzish që mendja pothuajse i ka harruar fare. Kur koleksioni përbëhet nga sende antike, krijohet një lidhje midis brezave të mëparshëm dhe brezit të tanishëm. Si rrjedhojë, duke parë kushtet e tyre primitive të jetesës, nxitemi të vlerësojmë më shumë përparimin që është bërë në kohët tona». Po, koleksionimi mund të jetë edukues e prej tij mund të mësojmë shumë. Për shembull, Reks-Nan Kiveli, ishte një koleksionist i mirënjohur në Australi. Ai grumbulloi një koleksion të jashtëzakonshëm prej 15.000 sendesh që lidheshin me historinë e hershme të Australisë dhe të Zelandës së Re.

Një arsye tjetër përse kjo praktikë është kaq e përhapur mund të jetë fakti që shumë njerëz besojnë se koleksionet janë një investim i sigurt financiar. «E për ç’arsye do të paguanin njerëzit 65 euro për një seri ‘biletash origjinale të Woodstockut’ [koncert rrok] të vitit 1969, bashkë me një letër që vërteton origjinalitetin, edhe pse nuk ishin vetë të pranishëm në koncert? . . . Koleksionimi i sendeve që kanë të bëjnë me kulturën popullore është bërë një biznes shumë fitimprurës»,​—thuhet në revistën Utne Reader.

Megjithatë, kujdes! Artikulli në gazetën The Canberra Times paralajmëron: «Koleksionimi nuk të sjell vetëm kënaqësi. Ka edhe gracka. Jo të gjithë shitësit janë të ndershëm, korrektë dhe të moralshëm, e kështu shesin mallra që nga jashtë duken sikur janë gjëra me vlerë, ndërkohë që janë mallra të falsifikuara me cilësi të ulët.» Sa zhgënjyese është kur zbulon se një «investim» është një vepër e falsifikuar pa vlerë! Shkrimi te Fjalët e urta 14:15 është shumë praktik për koleksionuesit: «Budallai i beson çdo fjale, por njeriu i matur tregon kujdes të veçantë për hapat e tij.»

Duhet ekuilibër

Koleksionimi mund të harxhojë shumë kohë, energji dhe para. Një grua koleksioniste e përshkruan hobin e saj si «një dëshirë të parezistueshme për të kërkuar sende për koleksionin e saj». Alstar Martini, që ka një jetë të tërë që koleksionon, pranon madje që disa koleksionues «janë disi të çuditshëm».

Në librin e tij Të koleksionosh​—Një pasion i pakontrollueshëm, Vërner Muensterbergeri thotë: «Po të vëzhgosh me kujdes koleksionuesit, shpejt mund të zbulosh një nevojë të paepur, madje një etje për të përvetësuar sa më shumë. . . . Nuk është thjesht procesi i koleksionimit që mund t’u duket i çuditshëm atyre që nuk e kanë këtë pasion, por më tepër personaliteti i pazakontë dhe i spikatur i shumë koleksionistëve; emocionet e forta që ata shfaqin kur kërkojnë objektet; entuziazmin ose dëshpërimin e tyre kur i gjejnë ose i humbasin ato dhe në disa raste sjellja dhe zakonet e tyre të çuditshme.»

A duhet të lejojë një i krishterë që magjepsja pas ndonjë hobi ta përpijë kaq shumë saqë ai të shkojë në ekstreme të tilla që e bëjnë të sillet si i pamend dhe të ndihet në vështirësi? Jo, sepse Bibla na nxit të «jemi të ekuilibruar». (1 Pjetrit 1:13, shënimi, BR, anglisht) Edhe nëse një hobi mund të sjellë kënaqësi, në të vërtetë nuk është një prej ‘gjërave më të rëndësishme’ për të cilat duhet të shqetësohet një njeri që do t’i pëlqejë Perëndisë. (Filipianët 1:10) Mësoni prej mbretit Solomon. Duke përdorur pasuritë e tij të mëdha, ai kishte një koleksion madhështor shtëpish, vreshtash, pemësh dhe bagëtish. «Tërë ato që sytë e mi dëshironin, nuk ua mohova atyre»,​—rrëfen Solomoni. Por, a i solli kënaqësi të vërtetë ky përkushtim për sigurimin e gjithë këtyre gjërave? Solomoni përgjigjet: «Pastaj u ktheva të shikoj tërë veprat që kishin bërë duart e mia dhe mundin tim për t’i kryer; dhe ja, të gjitha ishin kotësi dhe një kërkim për të kapur erën.»​—Predikuesi 2:3-11.

Çfarë mund të bëni që pasioni juaj për koleksionimin të mos ju përpijë aq shumë sa të lini pas dore gjërat më të rëndësishme? Mund të pyesni veten: ‘Sa kohë mund të shpenzoj në mënyrë të arsyeshme për këtë hobi ose për këtë argëtim?’ Kujto që thjesht të kesh në dorë objektin e dëshiruar nuk do të thotë që me kaq mbaroi gjithçka, dhe nuk të duhet të harxhosh më kohë duke u marrë me të. Të kujdesesh për sendet e koleksionuara, pra t’i pastrosh rregullisht, t’i vendosësh në një vend të dukshëm, të kënaqesh duke i parë dhe t’i mirëmbash, do të thotë të harxhosh kohë. Ç’të themi për paratë? Ndjekja e këtij hobi, a ju kërkon shpenzime të mëdha, aq sa ju duhet të harxhoni edhe ato para që ju duhen për të plotësuar përgjegjësitë tuaja familjare? (1 Timoteut 5:8) A keni vetëkontroll për t’i thënë jo një blerjeje kur faktikisht nuk e përballoni dot? Veç kësaj, edhe pse mund të përpiqeni me ngulm, nuk mund të arrini të koleksiononi çdo send të mundshëm. Ajo çfarë tha Solomoni për librat mund të zbatohet edhe për koleksionet me gjëra të tjera: «Shkruhen shumë libra, por nuk mbarohet kurrë kjo punë dhe studimi i tepërt e lodh trupin.» (Predikuesi 12:12) Pra, është e domosdoshme të kihet një ekuilibër duke mbajtur në mend parimet e krishtere.

Siç u vërejt më sipër, koleksionimi është quajtur «një pasion i pakontrollueshëm». Por nuk duhet të jetë kështu. Nëse kemi një pikëpamje të ekuilibruar dhe vetëkontroll për këtë hobi, do të shohim se ai mund të jetë çlodhës, i kënaqshëm dhe madje një zbavitje nga e cila mund të mësojmë shumë.

[Figura në faqen 26]

Është e mençur të llogaritim sa na kushton një hobi, duke mbajtur parasysh që kjo përfshin kohën dhe shpenzimet tona