Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të plotësojmë dëshirën e zjarrtë për miqësi

Të plotësojmë dëshirën e zjarrtë për miqësi

Të plotësojmë dëshirën e zjarrtë për miqësi

«VETMIA nuk është sëmundje,​—thotë libri Në kërkim të lidhjeve të ngushta.​—Ndjenja e vetmisë është si ndjenja normale e urisë . . . , një shenjë e natyrshme që tregon se na mungon shoqëria.» Ashtu si uria na nxit të hamë ushqim të mirë, ndjenja e vetmisë duhet të na nxitë të kërkojmë miq të mirë.

Gjithsesi, siç thotë edhe Jaela, një e re nga Franca, «disa njerëz përpiqen të mos kenë të bëjnë fare me të tjerët». Por po të veçohemi, s’ka rëndësi se për çfarë arsye, nuk zgjidhim gjë dhe me siguri do të ndihemi më të vetmuar se kurrë. Një proverb në Bibël thotë: «Kush veçohet kërkon kënaqësinë e tij dhe zemërohet kundër gjithë diturisë së vërtetë.» (Fjalët e urta 18:1) Pra në fillim duhet të bëhemi të vetëdijshëm për nevojën tonë për shoqëri dhe pastaj të vendosim të bëjmë diçka për ta plotësuar këtë nevojë.

Bëj hapa praktikë për të pasur shoqëri

Në vend që të mëshirojmë veten ose të kemi zili ata që duket se kanë më shumë miq ose që kanë miqësi më të forta, përse të mos krijojmë një pikëpamje optimiste, siç bëri Manuela nga Italia? Ajo thotë: «Sidomos kur isha adoleshente, më dukej sikur të tjerët nuk më përfillnin fare. Për ta mposhtur këtë ndjenjë, i vëzhgova me vëmendje njerëzit që kishin miq të mirë. Pastaj u përpoqa të kultivoja cilësitë e mira që kishin ata, që të bëhesha njeri më i këndshëm.»

Një hap praktik është të kujdesesh për veten qoftë fizikisht, qoftë mendërisht. Ushqimi i shëndetshëm, pushimi i duhur dhe fizkultura e përshtatshme do të të ndihmojnë të dukesh dhe të ndihesh mirë. Të jesh i rregullt, i pastër dhe ta mbash veten, jo vetëm që të bën më të pëlqyeshëm për të tjerët, por edhe të jep në masën e duhur një ndjenjë respekti për veten. Megjithatë, mos bjer në grackën që të shqetësohesh tepër për paraqitjen e jashtme. «Për të gjetur miq të vërtetë nuk është e nevojshme të veshësh rroba të modës,​—thotë Gaela nga Franca.​—Ajo që u intereson njerëzve të virtytshëm është bota e brendshme e njeriut.»

Në fund të fundit, janë mendimet dhe ndjenjat tona më të thella ato që ndikojnë në gjërat që themi e madje edhe në mënyrën se si dukemi. A je i sigurt dhe optimist në jetë? Kjo do të të ndihmojë të jesh i qeshur në fytyrë. Një buzëqeshje e çiltër është gjëja më tërheqëse që mund të veshësh. Veç kësaj, siç shpjegon Roxher E. Akstëlli, specialist në fushën e studimit të gjesteve dhe shprehjeve të fytyrës, buzëqeshja e sinqertë «është një gjuhë universale» dhe «rrallë keqkuptohet». * Sikur t’i shtosh buzëqeshjes edhe ndjenjën e humorit, do të shohësh që njerëzit do të tërhiqen natyrshëm drejt teje.

Mos harro, këto cilësi të mira burojnë nga brenda. Prandaj, mbushe mendjen dhe zemrën me mendime dhe ndjenja të shëndetshme dhe optimiste. Lexo gjëra interesante dhe të dobishme, siç mund të jenë informacionet rreth ngjarjeve aktuale, kulturave të ndryshme ose dukurive natyrore. Dëgjo muzikë që të bën të ndihesh mirë shpirtërisht. Por mos lejo që televizori, filmat dhe romanet të ta mbushin mendjen dhe zemrën me fantazira. Lidhjet që tregohen zakonisht në ekran nuk tregojnë realitetin, nuk tregojnë miqësi reale, por janë krijim i imagjinatës së dikujt.

Hape zemrën!

Xulejka, që jeton në Itali, kujton: «Kur isha më e re, isha e ndrojtur dhe e kisha të vështirë të zija shoqëri. Por e dija se nëse duam të kemi miq, duhet të marrim iniciativën, të flasim për veten, që të tjerët të na njohin, dhe të njohim edhe të tjerët.» Po, për të pasur miq të vërtetë duhet të jemi të çiltër me të tjerët, t’i lejojmë ata të njohin se kush jemi në të vërtetë. Për një miqësi të vërtetë, ky lloj komunikimi dhe shprehja e ndjenjave janë shumë më të rëndësishme sesa të jesh i pashëm dhe të kesh një personalitet tërheqës. «Njerëzit që kanë miqësi të forta dhe jetëgjata mund të jenë të ndrojtur, të hedhur, të rinj, të moshuar, tipa që nuk janë interesantë, mund të jenë inteligjentë, të shëmtuar, të pashëm; por gjithnjë kanë diçka të përbashkët, janë të hapur,​—thotë këshilltari dr. Alan Loi Mekginis.​—Ata kanë një çiltërsi të tillë që i lejon njerëzit të shohin se çfarë kanë në zemër.»

Kjo nuk do të thotë t’ia hapësh zemrën kujtdo ose t’u thuash sekretet e tua më intime njerëzve me të cilët nuk ndihesh rehat. Por do të thotë t’i zgjedhësh njerëzit dhe pak nga pak t’u tregosh mendimet dhe ndjenjat e tua të vërteta. Mikela nga Italia thotë: «Në fillim kisha problemin se i fshihja ndjenjat. M’u desh të ndryshoja, t’i shprehja më shumë ndjenjat, që miqtë e mi të kuptonin se çfarë provoja dhe të ndiheshin më pranë meje.»

Edhe po të jesh vetvetiu tip i shoqërueshëm, prapëseprapë, që midis miqve të krijohet një besim reciprok, duhet kohë dhe duhet që ata të kalojnë së bashku përvoja të ndryshme. Ndërkohë, përpiqu të mos kesh tepër ankth për atë që mund të mendojnë të tjerët për ty. Eliza, që është nga Italia, thotë: «E keqja ime ishte se sa herë doja të thosha ndonjë gjë, kisha frikë se nuk do ta thosha siç duhet. Pastaj mendova: ‘Nëse janë vërtet miqtë e mi, do të më kuptojnë.’ Pra nëse thosha diçka gabim, vetëm sa qeshja me veten dhe të gjithë qeshnin bashkë me mua.»

Prandaj, çlirohu! Ji vetvetja! Nuk do të fitosh gjë po të shtiresh. «Asgjë nuk mund të të bëjë më tërheqës sesa po të jesh i çiltër dhe të shfaqesh siç je në të vërtetë»,​—shkroi këshilltari për çështjet familjare F. Aleksandër Maguni. Njerëzit që janë vërtet të lumtur nuk kanë pse të shtiren ose të përpiqen t’u bëjnë përshtypje të tjerëve. Vetëm po të jesh i sinqertë mund të kesh miqësi të sinqerta. Po kështu, është e nevojshme t’i lëmë të tjerët të jenë vetvetja. Njerëzit e kënaqur i pranojnë të tjerët siç janë dhe nuk mërziten për ca huqe të vogla. Ata nuk e ndiejnë nevojën për t’i ndryshuar miqtë që t’ia përshtatin modelit që kanë krijuar më parë në mendjen e tyre. Përpiqu të jesh një njeri i tillë, i lumtur dhe jo kritikues.

Që të kesh një mik, ji një mik

Ka një faktor tjetër edhe më të rëndësishëm, madje më i rëndësishmi nga të gjithë. Rreth 2.000 vjet më parë, Jezui tregoi se çelësi për të pasur sukses në të gjitha marrëdhëniet njerëzore është dashuria altruiste. Ai tha: «Siç dëshironi t’ju bëjnë njerëzit juve, edhe ju bëjuni atyre po ashtu.» (Luka 6:31) Ky mësim njihet ndryshe edhe si Rregulla e Artë. Po, e vetmja mënyrë për të pasur miq të vërtetë është që ti vetë të jesh një mik altruist, pra të përpiqesh për të mirën e tjetrit dhe të japësh nga vetja. Me fjalë të tjera, që të kesh një mik, ji një mik. Që një miqësi të jetë e fortë, miqtë duhet të përpiqen t’i japin njëri-tjetrit, në vend që thjesht të mendojnë ç’mund të marrin. Duhet të jemi të përgatitur që t’i vëmë nevojat e miqve tanë para preferencave dhe rehatisë sonë.

Manuela e përmendur më sipër thotë: «Ashtu siç tha edhe Jezui, lumturia e vërtetë vjen kur jep. Ai që merr është i lumtur, por ai që jep është edhe më i lumtur. Mund të japim edhe thjesht duke i pyetur sinqerisht miqtë tanë se si janë, duke u përpjekur të kuptojmë shqetësimet e tyre dhe duke bërë gjithçka që mundemi, pa pritur që ata të na kërkojnë ndihmë.» Pra merr iniciativën për t’u interesuar për të tjerët, duke përfshirë edhe miqtë që tashmë ke. Forcoji lidhjet që ke. Mos sakrifiko miqësitë për gjëra që kanë më pak vlerë dhe që nuk të mbushin. Miqtë meritojnë kohë dhe vëmendje. Rubeni nga Italia thotë: «Që të gjesh miq dhe të mbash miqësitë është e domosdoshme të gjesh kohë për ta. Para së gjithash, duhet kohë që të jesh një dëgjues i mirë. Të gjithë mund të përmirësojmë në të dëgjuar dhe për të treguar interes për atë që thonë të tjerët pa i ndërprerë.»

Trego respekt për të tjerët

Një element tjetër kyç për të pasur miqësi të lumtura dhe jetëgjata është respekti reciprok. Kjo përfshin të tregosh respekt për ndjenjat e të tjerëve. Ti dëshiron që miqtë e tu të kenë takt dhe të jenë të matur kur shijet ose mendimet e tyre ndryshojnë nga të tuat, apo jo? Atëherë, a nuk duhet t’i trajtosh ata po kështu?​—Romakëve 12:10.

Një mënyrë tjetër për të treguar respekt është të mos u zëmë frymën miqve tanë. Miqësia e vërtetë nuk është as xheloze dhe as mbytëse. Te 1 Korintasve 13:4 Bibla thotë: «Dashuria nuk është xheloze». Prandaj, kujdes nga dëshira që t’i kesh vetëm për vete miqtë! Nëse ata hapen me dikë tjetër, mos të të mbetet hatri e mbase të arrish deri aty sa t’i shmangësh. Mëso se të gjithë duhet ta zgjerojmë rrethin e miqve. Lëri të lirë miqtë të lidhin edhe miqësi të tjera.

Gjithashtu merr parasysh nevojën që kanë miqtë e tu për jetë private. Si të pamartuarit, ashtu edhe çiftet, kanë nevojë për kohë për veten. Ndonëse nuk duhet të ngurrosh për të shkuar tek ata, ji i ekuilibruar dhe i matur dhe mos rri kaq shumë me ta, saqë të lodhen me ty. Bibla paralajmëron: «Shko rrallë në shtëpinë e të afërmit tënd, që ai të mos mërzitet me ty sa të të urrejë.»​—Fjalët e urta 25:17.

Mos kërko përsosmëri

Sigurisht, kur njerëzit njohin njëri-tjetrin, shohin më mirë si dobësitë, ashtu edhe cilësitë e mira të tyre. Sidoqoftë, nuk duhet të lejojmë që kjo të na stepë për të zënë miq. «Disa kërkojnë ca si tepër nga ata me të cilët mendojnë të lidhin miqësi,​—thotë Pakoma nga Franca.​—Duan që miqtë të kenë vetëm cilësi të mira, por kjo nuk është e mundur.» Askush nga ne nuk është i përsosur dhe nuk kemi të drejtë që ta kërkojmë këtë nga të tjerët. Ne shpresojmë që miqtë tanë të na pranojnë pavarësisht nga papërsosmëritë që kemi dhe t’i anashkalojnë dobësitë tona. A nuk duhet të përpiqemi që t’i kapërcejmë të metat e miqve tanë, duke mos shpikur të meta të paqena ose duke mos u kushtuar shumë rëndësi dobësive të tyre? Shkrimtari Denis Prager na kujton: «Miq pa të meta (domethënë, që nuk ankohen kurrë, që janë gjithnjë të dashur, që nuk janë kurrë me humor të keq, që i kanë sytë vetëm te ne dhe që nuk na zhgënjejnë kurrë) mund të jenë vetëm kafshët shtëpiake.» Nëse nuk duam që si miq të ngushtë të na mbeten vetëm kafshët, duhet t’i vëmë veshin këshillës së apostullit Pjetër që ta lëmë ‘dashurinë të mbulojë një shumicë mëkatesh’.​—1 Pjetrit 4:8.

Thuhet se miku i mirë ta dyfishon gëzimin dhe ta përgjysmon hidhërimin. Megjithatë, të jemi realistë, nuk mund të presim që miqtë të na i plotësojnë të gjitha nevojat ose të na i zgjidhin të gjitha problemet. Kjo është një pikëpamje egoiste për miqësinë.

Shokë besnikë në të mirë e në të keq

Pasi të kemi zënë një mik, kurrë nuk duhet ta nënvlerësojmë miqësinë e tij. Kur koha ose largësia i ndan, miqtë mendojnë për njëri-tjetrin, luten për njëri-tjetrin. Edhe nëse kanë mundësi të takohen rrallë, ata shumë shpejt ndihen përsëri afër njëri-tjetrit. Sidomos në kohë të vështira ose në rast nevoje është jetësore që miqve t’u gjendemi pranë. Në shumicën e rasteve nuk duhet të tërhiqemi kur miqtë kanë probleme. Ndoshta kjo është koha kur ata kanë më shumë nevojë për ne. «Shoku i vërtetë të do në çdo kohë dhe është një vëlla i lindur për ditë të vështira.» (Fjalët e urta 17:17, BR) Gjithashtu, kur miqtë e vërtetë kanë keqkuptime, pajtohen shpejt dhe e falin njëri-tjetrin. Miqtë e vërtetë nuk i braktisin shokët vetëm se gjërat nuk shkojnë gjithnjë vaj.

Po të mos nisesh nga motive egoiste dhe po t’u afrohesh të tjerëve me një qëndrim optimist, mund të zësh miq. Por ka rëndësi edhe se çfarë lloj miqsh ke. Si mund të zgjedhësh miq të mirë? Kjo pyetje do të trajtohet në artikullin vijues.

[Shënimi]

^ par. 7 Shih edhe artikullin «Buzëqesh se të bën mirë!» në revistën Zgjohuni! të 8 korrikut 2000, anglisht.

[Kutia dhe figurat në faqet 6, 7]

A mund të jenë «vetëm miq» një burrë e një grua?

A mund të jenë miq një burrë e një grua që nuk janë të martuar me njëri-tjetrin? Varet se çfarë kuptojmë me fjalën «mik». Jezui ishte mik i ngushtë me Marinë dhe Martën nga Betania dhe që të dyja ato ishin beqare. (Gjoni 11:1, 5) Apostulli Pavël kishte miq Prishilën dhe burrin e saj, Akuilën. (Veprat 18:2, 3) Mund të jemi të sigurt se këta njerëz ishin të përzemërt me njëri-tjetrin. Në të njëjtën kohë as na shkon nëpër mend që Jezui ose Pavli të kenë lejuar që këto miqësi të shkonin drejt një lidhjeje romantike.

Në shoqërinë e sotme, jeta bën që burrat dhe gratë të punojnë aq afër njëri-tjetrit sa kurrë më parë, dhe po bëhet gjithnjë e më e nevojshme që njerëzit e të dyja gjinive të dinë se si të mbajnë midis tyre marrëdhënie miqësore të përshtatshme. Edhe çiftet nxjerrin dobi nga shoqëritë e shëndetshme me çifte të tjera dhe me beqarë.

«Megjithatë mund të jetë jashtëzakonisht e vështirë të dallosh ndjenjat e miqësisë nga ndjenjat romantike dhe tërheqja seksuale,​—thuhet në revistën Psychology Today.​—Në të vërtetë, gjithnjë ekziston mundësia që në një lidhje miqësore midis dy gjinive, papritur dhe paftuar të hyjë tërheqja seksuale. Një përqafim i thjeshtë platonik, në çast mund të marrë një kuptim romantik.»

Është veçanërisht e rëndësishme që të martuarit të jenë realistë dhe të matur. «Të gjitha format e intimitetit me të tjerët mund të kërcënojnë martesën,​—shkruan Denis Prageri në librin e tij Lumturia është një problem serioz (anglisht).​—Nuk janë vetëm marrëdhëniet seksuale që krijojnë një lidhje intime, dhe bashkëshorti ose bashkëshortja ka të drejtën të presë që të jetë i vetmi mik me të cilin ke një lidhje intime nga gjinia tjetër.» Jezui theksoi se mbajtja e dëlirësisë morale është çështje zemre. (Mateu 5:28) Prandaj ji miqësor, por ruaje zemrën dhe shmang me shumë kujdes rrethanat që mund të të çojnë në mendime, ndjenja ose veprime të papërshtatshme ndaj personave të gjinisë tjetër.

[Figurat në faqen 7]

Kur kujdesesh për trupin dhe për mendjen, mund të bëhesh më tërheqës

[Figura në faqen 8]

Miqtë flasin hapur me njëri-tjetrin