Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Është shkruar: Do ta shoh përsëri

Është shkruar: Do ta shoh përsëri

Është shkruar: Do ta shoh përsëri

Treguar nga Rosalia Filipsi

«Do të kesh shumë sukses! Je e talentuar dhe ke për t’ia dalë mbanë!» I ulur në pianon e tij, dirigjenti m’i tha me zë të lartë këto fjalë pak para se të ngrihej perdja e skenës. Katër pjesëtarët e tjerë të kompleksit më dhanë me shenjë mirëseardhjen. Veshur me një fustan të kuq, të zbukuruar me temina, isha këngëtarja më e re e grupit. Po më mbytnin emocionet. Këtu në një nga teatrot më të rëndësishëm të kryeqytetit të Meksikës, po bëja debutimin tim, dhe ky ishte hapi i parë drejt karrierës në botën e spektaklit. Ishte marsi i vitit 1976, dhe pas një muaji do të mbushja plot 18 vjeçe.

BABAI kishte tre vjet që më kishte vdekur, dhe kujtimet e tij ende i kisha të gjalla në mendje dhe në zemër. Edhe publiku e mbante mend mirë. Ai kishte qenë një nga aktorët komikë më të mirë, më të dashur dhe më të pëlqyer të vendit. Kishte luajtur në më shumë se 120 filma gjatë periudhës që shpesh është quajtur edhe epoka e artë e kinemasë meksikane. Emri i tij, Herman Valdes ose «Tin-Tan», shfaqej në teatrot anembanë Amerikës Qendrore dhe Jugore, në vendet spanjishtfolëse të Shteteve të Bashkuara dhe në Evropë. Madje edhe sot, më shumë se 30 vjet pas vdekjes së tij, filmat ku ka luajtur ai shfaqen herë pas here në televizion.

Që kur isha e vogël, shtëpia ime kishte qenë një vend ku mblidheshin njerëz të famshëm. Mamaja dhe motrat e saj kishin formuar një trio këngëtarësh të quajtur «Las ermanitas Huljan» (Motrat Huljan). Vëllai i saj Huljo Huljani ishte një tenor i famshëm në Evropë, ndërsa gruaja e tij spanjolle, Konçita Domingezi, ishte soprano. Për më tepër, xhaxhallarët e mi, Manuel «Loko» (i çmenduri) Valdesi dhe Ramon Valdesi të cilin e njihnin më shumë si don Ramoni, ishin aktorë komikë të famshëm të ekranit.

Kinostudiot, estradat dhe studiot e incizimit ishin vende të njohura për mua dhe vëllanë tim, Karlosin, sepse babai na merrte shpesh me vete në punë dhe në turnetë e tij. Duke na marrë me vete nëpër turne, ai përpiqej ta mbante familjen të bashkuar. Çfarë kontrasti kishte mes ambientit sipërfaqësor të botës së spektaklit dhe shtëpisë sonë, ku mbizotëronte harmonia dhe dashuria e vërtetë! E kujtoj babanë si një njeri shumë të dashur, plot gjallëri dhe dashuri për jetën. Ishte jashtëzakonisht bujar, madje nganjëherë më tepër se ç’duhej. Ai më mësoi se lumturia nuk varet nga gjërat që zotërojmë, por nga sa japim.

Një ndryshim tronditës

Nga fundi i vitit 1971, mamaja na dha mua dhe vëllait, lajmin e tmerrshëm se babai ishte diagnostikuar me një sëmundje të pashërueshme. Për një vit e gjysmë e pashë të vuante, ndërsa luftonte me sëmundjen nën ndikimin e ilaçeve shumë të forta.

Akoma e kujtoj ditën kur ambulanca erdhi në shtëpinë tonë për ta çuar babanë në spital. E dija se nuk do të kthehej më. Nuk arrij dot ta shpreh dhembjen që ndjeva. Mendova se meqë ai po vuante, duhet të vuaja edhe unë. Fika një cigare në pëllëmbën e dorës dhe qava me dëshpërim. Më 29 qershor 1973, babai mbylli sytë. Fillova të pyesja veten: ‘Përse një njeri kaq i mirë, që jepte kaq shumë lumturi, duhej të na linte? Ku është ai tani? A mund të më dëgjojë nëse i flas? Çfarë kuptimi ka jeta ime tani pa të?’

Karrierë pa një qëllim

Pasi m’u desh njëfarë kohe që të merrja veten nga ana emocionale, fillova të studioja për dekorimin dhe mobilimin e mjediseve të mbyllura. Megjithatë ngaqë kisha një damar prej rebeli, e lashë shkollën. Bashkë me mamanë vendosëm të futeshim më shumë në shoqëri. Merrnim pjesë në festa elegante që organizoheshin nga njerëz që punonin në botën e spektaklit. Shpesh, para se të përfundonte festa, i zoti i shtëpisë thoshte: «Rosalia, të lutem, na këndo një prej këngëve të tua.» Atyre u pëlqente zëri im dhe që këndoja me ndjenjë, dhe thoshin se kisha trashëguar talentin e prindërve.

Në njërën nga këto festa, kompozitori dhe dirigjenti i grupit Arturo and His Castros 76, më dëgjoi kur këndova dhe më ftoi të bëhesha pjesë e këtij grupi. Në fillim, nuk më pëlqeu ideja. Edhe pse e doja muzikën, i kisha rënë kitarës dhe kisha kompozuar muzikë që kur isha 14 vjeçe, nuk doja të bëhesha një këngëtare profesioniste. Por mamaja më nxiti ta pranoja ftesën, dhe familja kishte nevojë që unë ta mbështetja nga ana ekonomike. Kështu që, si përfundim pranova. Kjo më dha mundësinë e debutimit për të cilin ju fola në fillim.

Që në fillim të karrierës sime zura një punë stabël. Grupi ynë bënte turne nëpër Meksikë, duke dhënë dy shfaqje çdo natë. Punuam në Guatemalë, Venezuelë, Nju-Jork dhe Las Vegas. Qëndrova me grupin për dy vjet. Pastaj m’u ofrua një rast për të luajtur në filma. Më ofruan dy role dytësore dhe një rol kryesor, nga i cili mora dy çmime të rëndësishme.

Një ditë më telefonuan nga kompania televizive më e fuqishme në Meksikë. Ata më ofruan një kontratë ekskluzive që të bëja pjesë në «grupin e aktorëve që luanin rolet kryesore» dhe rolin kryesor në një telenovelë që do të mbante emrin tim. Kjo do të thoshte se do të kapja majat e botës së spektaklit. Do të paguhesha shumë mirë, edhe po të mos punoja rregullisht. Mendoja se nuk e meritoja gjithë këtë dhe nga ana tjetër kisha frikë se mos humbitja pavarësinë time, kështu që e refuzova kontratën. Pranova të luaja në telenovelë, por vetëm sepse kështu do të kisha mundësi të vazhdoja studimet për dramaturgji në universitet. Gjithsesi nuk isha e lumtur. Ndihesha keq kur shihja aktorë që luftonin për vite të tëra që të fitonin një rol kryesor, ndërsa mua më ishte dhënë një rol i tillë, kryesisht ngaqë isha vajza e Tin-Tanit.

Pastaj fillova të bëja incizime muzikore. E para ishte kolona zanore e telenovelës, tekstin dhe muzikën e së cilës i kisha bërë vetë. Më vonë incizova në një studio të famshme në Londër. Bëra edhe incizime të tjera, filma e telenovela të tjera. Artikujt që botoheshin për mua filluan të zinin një vend kryesor nëpër gazeta. E pra, dikush mund të thotë se kisha arritur majën e suksesit. Sidoqoftë, diçka më mungonte. Shihja se sa arrogantë dhe në konkurrencë me njëri-tjetrin ishin aktorët. Veç kësaj midis tyre kishte një imoralitet të shfrenuar dhe mungonte sinqeriteti. Kjo më bëri të humbja besimin te njerëzit.

Më vonë në vjeshtën e vitit 1980, në një rast familjar, takova dajën tim Huljon. Ai kishte vendosur ta linte operën, dhe e dëgjova të fliste për një parajsë të premtuar nga Perëndia. Dajë Huljo tha se padrejtësia dhe vuajtjet do të zhdukeshin nga toka dhe se do të mbizotëronte dashuria. Ai tha gjithashtu se emri i Perëndisë së vërtetë është Jehova. Ajo që më tërhoqi më shumë ishte kur dëgjova se në parajsë të afërmit tanë të vdekur do të ringjalleshin. Shpresa që të shihja babanë përsëri, më bëri me krahë. Gjithmonë e kisha ndjerë mungesën e tij dhe më qante zemra për inkurajimin dhe ngrohtësinë e tij. Sa e mrekullueshme do të ishte sikur ta kishim përsëri mes nesh! Por thellë brenda vetes më dukej e pamundur. Dajë Huljo më dha një Bibël dhe më ftoi bashkë me mamanë të ndiqnim një kongres të Dëshmitarëve të Jehovait që do të mbahej pas disa javësh. I thamë se ndoshta mund të shkonim.

Vendosa të bëja ndryshime në jetë

Një mbrëmje, isha shtrirë në krevat dhe ndërkohë që po lexoja Biblën që më kishte dhënë daja, kisha ndezur edhe një cigare. Nga ajo që lexova në librin e Fjalëve të urta arrita në përfundimin se drita, kuptueshmëria dhe jeta erdhën nga Perëndia, kurse errësira, pështjellimi dhe vdekja erdhën nga një burim tjetër, i kundërt. Po atë mbrëmje, shuajta cigaren e fundit që kam pirë në jetën time dhe prita të vinte mamaja. Me lot në sy, iu luta të më mbështeste në disa vendime të mëdha që do të merrja. Pastaj, shkova në teatër ku bëja provat për rolin e Kordelias në tragjedinë Mbreti Lir të Shekspirit. Hoqa dorë nga roli, dhe u ndava me të dashurin tim, një nga aktorët kryesorë.

Mirëpo, ende nuk kisha mësuar t’i shërbeja Perëndisë, kështu që nuk kisha asgjë që të më jepte kurajë. Rashë në depresion të rëndë. Iu luta Perëndisë të më ndihmonte që të ndieja se isha pjesë e diçkaje domethënëse ku të ndihesha vetvetja dhe ku të tjerët të më pranonin për atë që isha, dhe jo për shkak të talentit të trashëguar ose ngaqë isha bërë e famshme. I shkëputa lidhjet me të gjithë kolegët dhe i lashë të gjitha veprimtaritë ku shkoja rregullisht.

Rruga drejt suksesit të vërtetë

Në mes të këtij pështjellimi, m’u kujtua ftesa që më kishte bërë daja për të ndjekur kongresin. I telefonova, dhe ai më mori në stadium. U preka shumë nga ajo që pashë atje. Pashë njerëz të rregullt që nuk përdornin fjalë të ndyra, nuk pinin duhan dhe nuk përpiqeshin t’i binin në sy ndokujt. Ajo çfarë dëgjova nga Bibla më kujtoi atë që kisha lexuar te një libër i vogël që e gjeta në shtëpinë time pak kohë pas vdekjes së babait dhe që titullohej A është Bibla vërtet fjala e Perëndisë? *.

Në këtë kohë më ofruan një tjetër rol kryesor në një telenovelë. Roli më pëlqeu, sepse dukej sikur përkrahte ato vlera hyjnore për të cilat kisha mësuar në kongres. Duke mbajtur parasysh këtë, e pranova rolin. Nga ana tjetër, ky varg i Biblës më vinte vazhdimisht në mendje: «Mos u futni nën të njëjtën zgjedhë me jobesimtarët. Sepse . . . ç’pjesë ka drita me errësirën?»​—2 Korintasve 6:14.

Brenda meje po rritej dëshira për t’i pëlqyer Perëndisë. Desha të merrja pjesë në një mbledhje në Sallën e Mbretërisë me dajën dhe nusen e tij. Kongregacioni i tyre ishte një orë larg nga shtëpia ime, megjithatë shkova edhe tre të dielat pasuese. Daja vendosi të më çonte në një kongregacion të zonës sime. Arritëm atje kur mbledhja po mbaronte. Atje takova Isabelën, një vajzë moshatare me mua. Ajo ishte e thjeshtë dhe e dashur. Kur daja më prezantoi me të, duke përmendur emrin tim, Rosalia Valdes, asaj as që i bëri fare përshtypje emri im. Ky reagim i saj më pëlqeu shumë. Ajo më tha të studionim bashkë Biblën në shtëpinë time.

Nisëm studimin me librin E vërteta që të çon në jetën e përjetshme. * Isabela i përshtatej me shumë gatishmëri programit tim. Disa herë iu desh të priste deri natën vonë, kur unë mbaroja me xhirimet e telenovelës. Sa mirënjohëse ndihesha që dikush interesohej për mua, thjesht sepse doja të mësoja të vërtetat e Biblës! Ajo ishte një vajzë e sinqertë, e ndershme dhe e kulturuar, cilësi që unë kisha menduar se mund të fitoheshin vetëm duke studiuar filozofi dhe artet e bukura. Programuam që të studionim për orë të tëra, ndonjëherë edhe disa herë brenda javës.

Në fillim e kisha të vështirë të çlirohesha nga mendimet e gabuara, por dalëngadalë atyre ia zunë vendin të vërtetat e Biblës. Kujtoj se sa zemër më dha premtimi i Perëndisë: «Edhe pak dhe i pabesi nuk do të jetë më; po, ti do të kërkosh me kujdes vendin e tij dhe ai nuk do të jetë më. Por zemërbutët do të zotërojnë tokën dhe do të gëzojnë një paqe të madhe.» (Psalmi 37:10, 11) Gjithashtu në këtë kohë, shpresën se do të shihja përsëri babanë në parajsë, fillova ta shihja si një realitet dhe jo si një ëndërr. Shpesh mendoja për fjalët e Jezuit: «Mos u mrekulloni për këtë, sepse po vjen ora kur të gjithë ata që janë në varre do ta dëgjojnë zërin e tij dhe do të dalin prej tyre; ata që kanë bërë të mira, në ringjallje të jetës.»​—Gjoni 5:28, 29.

Pasi mbarova me xhirimin e telenovelës, menjëherë mora disa oferta të tjera. Edhe pse kishte shumë të ngjarë që projektet të më jepnin mundësi për t’u bërë më e famshme, duke marrë pjesë në to do të ishte sikur të miratoja imoralitetin, idhujtarinë dhe ide të tjera të rreme. Kisha mësuar se Satanai ishte person real dhe nuk do që ne t’i shërbejmë Jehovait. Kështu që, refuzova ofertat dhe fillova të ndiqja mbledhjet rregullisht. Siç mund të pritej, mamaja dhe vëllai nuk arrinin ta kuptonin pse po hiqja dorë nga gjithë ato mundësi dhe nga gjithë ato para. Megjithatë, në të njëjtën kohë, ata shihnin se kisha ndryshuar. Nuk isha më e palumtur dhe zemërlëshuar si dikur, por isha e gjallë dhe e gëzuar. Më në fund kisha një qëllim në jetë!

Ndjeva dëshirën që të ndaja me të tjerët ato çka po mësoja dhe shpejt u bëra një lajmëtare e mesazhit të bukur të Mbretërisë së Perëndisë. Kur predikoja, disa herë ishte e vështirë që pronari i shtëpisë t’u kushtonte vëmendje fjalëve të mia, pasi shumë më njihnin si aktore. Më shumë se në një rast, unë dhe shoqja ime e predikimit rastiste të ndodheshim në dyert e shtëpive në kohën që në televizor po jepej telenovela ku kisha luajtur unë. Të zotët e shtëpisë nuk arrinin ta besonin që unë isha atje, në pragun e derës së tyre!

Më 11 shtator 1982 u pagëzova në simbol të kushtimit tim ndaj Jehovait. Jeta ime tani kishte një qëllim të vërtetë, dhe një lloj tjetër karriere shtrihej përpara meje. Zelli i Isabelës për shërbimin më nxiti edhe mua. Ajo shërbente si pionere e rregullt, siç quhen ata Dëshmitarë të Jehovait që shërbejnë në kohë të plotë. Shpejt fillova ta shoqëroja kur ajo studionte Biblën me njerëz të tjerë. Isabela u bë mikja ime më e ngushtë.

Pothuajse e kisha braktisur punën time si aktore, kështu që mamaja dhe unë duhej të kënaqeshim me një jetë më të thjeshtë. Ndërkohë, kompozova muzikën e albumit tim të katërt, i cili përfshinte edhe disa këngë që flisnin rreth vlerave të reja dhe besimit tim të ri. Shkrova një këngë për shpresën e sigurt që kisha për të parë përsëri babanë. Këngën e titullova «Është shkruar: Do ta shoh përsëri.» Kur ia këndova për herë të parë mamasë, ajo u prek thellë. E kuptoi se isha vërtet e bindur për këtë. U drithërova kur më shprehu dëshirën për të studiuar Biblën. Dy vjet më vonë, ajo u bë një shërbëtore e pagëzuar e Jehovait. Mamaja vazhdon në shërbim edhe sot e kësaj dite.

Me kalimin e kohës e kisha më të lehtë për të refuzuar ofertat për punë. Dhe sa herë që përballesha me një sprovë ose tundim, imagjinoja skenën e mrekullueshme kur babai të ishte bashkë me ne në një parajsë të bukur. Kjo më forconte besimin dhe vendosmërinë që të vazhdoja për t’i shërbyer Jehovait.

Një ditë më ftuan të bëhesha pjesë e stafit të aktorëve për versionin spanjisht të programit televiziv për fëmijë Sesame Street. Mendova se nuk mund ta bëja dhe i thashë regjisorit se parimet e mia të bazuara në Bibël nuk më lejonin të mbështetja gjëra të tilla, siç ishin festat dhe ditëlindjet. Regjisori m’u përgjigj se nëse do ta pranoja punën, ai do të respektonte bindjet e mia dhe mund të nënshkruanim një kontratë ku të specifikonim me hollësi pozitën time. Atëherë pranova dhe xhiruam 200 episode. Kjo ishte puna ime e fundit si aktore.

Kisha ende një kontratë me kompaninë diskografike, kështu që incizova dhjetë nga kompozimet e mia për këtë studio, duke përfshirë edhe këngën që kisha kompozuar për babanë dhe ringjalljen. Pata mundësinë për ta kënduar atë këngë në televizion dhe para publikut, ku gjithmonë përmendja bindjet e mia. Mirëpo, kompania diskografike filloi të më bënte presion për të qenë më sensuale. Kështu që hoqa dorë.

Bekime në shërbimin e Perëndisë

Në dhjetor 1983, bashkë me Isabelën, vizituam ndërtesat e degës të Dëshmitarëve të Jehovait në Bruklin, Nju-Jork. Atje njoha Rasëll Filipsin, i cili më vonë do të bëhej bashkëshorti im. I shkruam letra njëri-tjetrit për gati dy vjet. E mbaj mend mirë ditën kur fillova shërbimin si pionere e rregullt​—imagjinoni, Rasëlli më dërgoi trëndafila që nga Nju-Jorku!

Për një vit shërbeva si pionere me Isabelën. Pastaj atë e ftuan të shërbente në zyrën e degës të Dëshmitarëve të Jehovait në Meksikë. Fjalët e saj për caktimin e ri ndezën tek unë dëshirën për të shërbyer më shumë, nëse do ishte vullneti i Jehovait, të shërbeja edhe unë në Bethel.

Rasëlli ka qenë një tjetër bekim në jetën time. Falë dashurisë së tij për Jehovain dhe për organizatën e Tij, kam mësuar të çmoj shërbimin e plotë kohor. Ai e donte Bethelin, dhe kishte shërbyer në Bethelin e Bruklinit për tre vjet. Pasi u martuam, shërbyem të dy si pionierë të rregullt në Kolorado të SHBA-së. Më vonë, na ftuan të punonim si vullnetarë ndërkombëtarë për ndërtimin e ndërtesave të reja të degëve në vendet e tjera. Çfarë surprize ishte kur mësuam se ishim caktuar në Meksikë! Në prill 1990, pranuam të lumtur privilegjin që të ishim anëtarë të familjes Bethel në Meksikë. Shembulli i Rasëllit më inkurajonte shumë. Admiroja frymën vetësakrifikuese që e nxiti atë të linte vendlindjen dhe familjen e tij, për të çuar përpara interesat e Mbretërisë së Perëndisë në Meksikë.

Ne po kënaqeshim shumë me privilegjin tonë të shërbimit në degën e Meksikës. Por gjërat papritur ndryshuan kur mbeta shtatzënë. Për ne ishte e papritur. Sidoqoftë, gjithmonë i kishim admiruar prindërit që i rritnin fëmijët e tyre në udhën e së vërtetës, dhe me mirënjohje e pranuam këtë si një caktim të ri. Më tetor 1993, lindi djali ynë Evani dhe dy vjet e gjysmë më vonë vajza, Giana. Edhe pse rritja e fëmijëve kërkon përpjekje të vazhdueshme, e ndiejmë se mundi ynë shpërblehet sa herë që djali 11-vjeçar dhe vajza 8-vjeçare tregojnë besimin e tyre kur marrin pjesë në shërbim.

Tani, Rasëlli shërben në Komitetin Rajonal të Ndërtimit të Sallave të Mbretërisë, kurse unë kohët e fundit rifillova shërbimin në kohë të plotë si pionere. Gjatë 20 viteve të kaluara kam ndihmuar 12 pjesëtarë të familjes, si dhe 8 të tjerë, të mësojnë të vërtetën biblike dhe t’i shërbejnë Jehovait.

Ndonjëherë fëmijët më pyesin: «Mami, a e kishe të vështirë të lije botën e spektaklit?» E unë u përgjigjem me fjalët e apostullit Pavël: «E konsideroj çdo gjë si një humbje për shkak të vlerës së pashoqe të njohurisë së Krishtit Jezu, Zotërisë tim. Për shkak të tij kam pranuar humbjen e çdo gjëje dhe i konsideroj ato si shumë plehra, që të fitoj Krishtin.» (Filipianët 3:8) Sa mirënjohëse i jam Jehovait që më çliroi nga një jetë e kotë dhe pa qëllim dhe më lejoi të bëhesha pjesë e popullit të tij të mrekullueshëm! Nuk lodhem kurrë së falënderuari Jehovain për bekimet e panumërta që na siguron përmes Birit të tij, Jezu Krishtit. Shpesh këndoj me gëzim këngën që shkrova për babanë. Jam e sigurt se do ta shoh përsëri.

[Shënimet]

^ par. 21 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, por tani nuk shtypet më.

^ par. 24 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, por tani nuk shtypet më.

[Figura në faqen 10]

Me prindërit dhe me vëllanë kur isha një vjeçe

[Figura në faqet 12, 13]

Duke kënduar me «Arturo and His Castros 76»

[Burimi]

Angel Otero

[Figura në faqen 14]

Me familjen time sot

[Burimi i figurës në faqen 10]

Activa, 1979