Bukuria që ka më shumë vlerë
Bukuria që ka më shumë vlerë
NJERËZVE u pëlqejnë dhe i bëjnë për vete personat që për ta janë tërheqës. Po çfarë të bën vërtet tërheqës? Sado të përpiqesh për të ndryshuar pa rrezikuar tiparet e trashëguara, në fund të fundit ka një kufi. Për më tepër bukuria fizike është kalimtare, sepse askush sot nuk mund t’u shpëtojë pasojave rrënuese të plakjes dhe të sëmundjes. A ka ndonjë lloj bukurie që është më e rëndësishme, më e qëndrueshme dhe më e arritshme?
Rëndësia e bukurisë së brendshme
Bibla na siguron se Krijuesi, Perëndia Jehova, e vlerëson shumë bukurinë e brendshme. Shqyrtoni disa shembuj.
Kur Jehovai i tha profetit Samuel që të zgjidhte nga bijtë e Jeseut një mbret për Izraelin, profetin e tërhoqi Eliabi i pashëm. «Me siguri i vajosuri i Zotit është para tij»,—tha Samueli. Por Jehovai i tha Samuelit: «Mos ia shiko as pamjen as shtatgjatësinë, sepse unë e kam refuzuar, sepse Zoti nuk shikon si shikon njeriu, njeriu shikon pamjen, kurse Zoti shikon zemrën.»—1 Samuel 16:6, 7.
Më në fund doli se njeriu i zgjedhur për t’u bërë mbret ishte Davidi, djali më i vogël. Ndonëse thuhet se kishte «sy të bukur» dhe «pamje të hijshme», Davidi mund të mos ketë pasur një pamje kaq mbresëlënëse sa vëllezërit e tij më të mëdhenj. Megjithatë «që nga ajo ditë Fryma e Zotit zbriti te Davidi». Edhe pse ishte i papërsosur dhe bëri gabime të rënda, ai u dallua si njeri me zemër të mirë dhe një shërbëtor besnik i Perëndisë, deri në fund të jetës së tij. (1 Samuelit 16:12, 13) Pa dyshim që Davidi ishte tërheqës për Perëndinë, kryesisht për bukurinë e tij të brendshme.
Në kontrast me këtë, shqyrtoni shembullin e Absalomit, njërit prej bijve të Davidit. Ngjarjet treguan se ai ishte një njeri i padëshirueshëm, edhe pse kishte një pamje për t’u pasur zili. Bibla thotë për të: «Në të gjithë Izraelin nuk kishte njeri që ta lavdëronin më tepër për bukuri se sa Absalomit; nga tabanët e këmbëve deri në majën e kokës nuk kishte asnjë të metë tek ai.» (2 Samuelit 14:25) Megjithatë, ambicia e shtyu Absalomin të rebelohej kundër vetë atit të tij dhe t’i uzurponte fronin. Madje përdhunoi edhe konkubinat e të atit. Si pasojë mbi Absalomin u derdh zemërimi i Perëndisë dhe ai pati një vdekje të dhembshme.—2 Samuelit 15:10-14; 16:13-22; 17:14; 18:9, 15.
A ju bën për vete Absalomi? Sigurisht që jo. Nga gjithë ç’ka pamë, ai ishte një njeri i neveritshëm. Bukuria e tij e madhe nuk mjaftonte për të mbuluar arrogancën dhe pabesinë e tij, dhe as nuk e ruajti nga shkatërrimi. Nga ana tjetër, Bibla flet për shumë njerëz të mençur dhe tërheqës, për të cilët nuk thuhet asgjë për pamjen e jashtme. Është e qartë se ajo që kishte më shumë vlerë ishte bukuria e tyre e brendshme.
Bukuria e brendshme i tërheq të tjerët
A mund t’i tërheqë të tjerët bukuria e brendshme? Georgina, e cila ka dhjetë vjet e martuar, thotë: «Gjatë këtyre viteve ajo që më ka tërhequr te burri im është ndershmëria dhe sinqeriteti që ka treguar ndaj meje. Gjëja më e rëndësishme në jetën e tij është t’i pëlqejë Perëndisë. Kjo e ka nxitur të jetë i respektueshëm dhe i dashur. Ai merr parasysh edhe mendimin tim kur vendos për diçka dhe më bën të ndihem e vlerësuar. E di që më do vërtet.»
Danieli që është martuar në vitin 1987, thotë: «Për mua gruaja ime është e bukur. Jo vetëm që më tërheq si pamje, por personaliteti i saj më bën ta dua edhe më shumë. Ajo mendon gjithnjë për të tjerët dhe përpiqet t’i bëjë të ndihen mirë. Ka cilësi të vyera të krishtere. Këto gjëra më kanë bërë të ndihem i kënaqur që e kam pranë.»
Në këtë botë sipërfaqësore duhet të shohim përtej fasadës. Duhet të kuptojmë se të arrish pamjen «ideale» është e vështirë, për të mos thënë e pamundur, dhe ka një vlerë të kufizuar. Por është e mundur të kultivojmë cilësi të dëshirueshme që mund të na bëjnë vërtet të bukur nga brenda. Bibla thotë: «Hiri është i rremë dhe bukuria është e kotë, por gruaja që ka frikë nga Zoti është ajo që do të lëvdohet.» Duke bërë një kontrast me këtë, përsëri Shkrimet e Shenjta thonë: «Si një unazë ari në feçkën e një derri, kështu është një grua e bukur që nuk ka mend.»—Fjalët e urta 11:22; 31:30.
Fjala e Perëndisë na ndihmon të çmojmë ‘njeriun e fshehtë të zemrës me veshjen e paprishshme të frymës së qetë e të butë, e cila ka vlerë të madhe në sytë e Perëndisë’. (1 Pjetrit 3:4) Po, bukuria e brendshme është shumë më e rëndësishme sesa bukuria e jashtme. Dhe mund ta arrijnë të gjithë.
[Figurat në faqet 8, 9]
Cilësitë e mira mund të të zbukurojnë më shumë se çdo trajtim kozmetik