Fabrika e vdekjes
Fabrika e vdekjes
NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË GJERMANI
DISA thonë se Mitëlverku ishte fabrika më e madhe e nëndheshme në botë. Kompleksi i fabrikës ndodhej në malet Harc të Gjermanisë, rreth 260 kilometra në jugperëndim të Berlinit. Ai kishte galeri të stërmëdha që ishin gërmuar rrëzë një kodre dhe që shtriheshin deri në 20 kilometra. Nga viti 1943 deri më 1945, mijëra të burgosur nga kampet e përqendrimit punuan si skllevër në këto galeri. Në kushte të tmerrshme, ata detyroheshin të prodhonin armë për shtetin nazist.
Por armët që prodhonin këta punëtorë të skllavëruar nuk ishin armë të çfarëdoshme. Fabrika prodhonte raketa të njohura si raketat V-1 dhe V-2. Këto transportoheshin nga Mitëlverku për në vendet nga ku do të lëshoheshin, që kryesisht ishin Franca dhe Holanda. Me t’u lëshuar, ato fluturonin pa ekuipazh drejt objektivave në Belgjikë, Britani dhe në Francë, dhe shpërthenin sapo përplaseshin me ndonjë objekt. Madje nazistët shpresonin të shpiknin një raketë kaq të fuqishme sa të transportonte një bombë përtej Oqeanit Atlantik, deri në Nju-Jork. Kur përfundoi Lufta e Dytë Botërore, qindra e qindra raketa V-1 dhe V-2 kishin sulmuar qytetet evropiane. Sidoqoftë, ato ishin pak në krahasim me numrin e raketave që nazistët kishin prodhuar me shpresën që t’i përdornin kundër armiqve të tyre. Asnjë prej raketave nuk arriti kurrë deri në Nju-Jork.
Një veçori që ngjall trishtim
Me të mbaruar lufta, shumë shkencëtarë dhe teknikë gjermanë që kishin projektuar raketat V-1 dhe V-2 u larguan nga Gjermania. Ata morën me vete përvojën që kishin fituar për teknologjinë e raketave, të cilën e vunë në punë në vendet ku shkuan. Njëri nga këta shkencëtarë ishte Vernher fon Braun. Ai shkoi në Shtetet e Bashkuara, ku ndihmoi për prodhimin e raketës Saturn që çoi në hënë një ekuipazh me 11 astronautë.
Sot, përbri fabrikës së mëparshme të Mitëlverkut, qëndron një monument në kujtim të 60.000 njerëzve që ishin burgosur në kampin e përqendrimit. Shumë prej të burgosurve jo vetëm që punuan në galeritë e ftohta dhe gjithë lagështirë, por edhe jetuan në to. Nuk është për t’u habitur që sipas disa llogaritjeve, atje vdiqën afro 20.000 të burgosur. Një ciceron mund t’i shoqërojë vizitorët nëpër galeritë e kësaj fabrike të kthyer në muze. Mbi dyshemetë e këtyre galerive janë ende të shpërndara pjesë raketash të braktisura këtu e 60 vjet më parë. Revista Mbas betejës (anglisht) tregon për raketat e Mitëlverkut një veçori që ngjall trishtim: «Raketat V-1 dhe V-2 janë të vetmet armë që morën më shumë jetë njerëzish kur prodhoheshin, sesa kur shpërthenin.»
[Figura në faqen 21]
Fotografi që tregon raketa V-1 të vendosura mbi transportues, 1945
[Burimi]
Quelle: Dokumentationsstelle Mittelbau-Dora
[Figura në faqen 21]
Duke vizituar galeritë, mbi dyshemetë e të cilave janë ende të shpërndara pjesë raketash