Ndihmojnë fermerët të mbijetojnë në Sertaun
Ndihmojnë fermerët të mbijetojnë në Sertaun
NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË BRAZIL
RRETH dhjetë milionë dhi enden nëpër Sertaun *, një rajon gjysmëshkretinor, me sipërfaqe 1.100.000 kilometra katrorë, në verilindje të Brazilit. Këtu vera nënkupton nëntë muaj me qiell pa re, me një vapë mbytëse dhe me një tokë të përzhitur e të fortë gur. Lumenjtë zhduken, gjethet e pemëve bien, era është e nxehtë dhe e thatë, kurse kafshët e fermave i bien kryq e tërthor vendit në kërkim të atyre bimëve të pakta e të dobëta që kanë mbetur, çfarëdolloj qofshin.
Megjithatë, duket sikur dhitë vendëse të Brazilit as që duan t’ia dinë për thatësirën. Kur bën thatësirë e madhe, tufat e gjedhëve dhe të dhenve pakësohen, por numri i dhive rritet. Si ia dalin ato të mbijetojnë?
Një gojë e bërë enkas për të mbijetuar
Shumë banorë të Sertaunit thonë se dhitë hanë çdo gjë, madje edhe çizme, shalë për kuaj dhe rroba. Profesori Zhuaun Ambrosio, studiues në Qendrën Kombëtare të Kërkimeve për Dhitë në Sobral, në verilindje të Brazilit, pohon se dhitë mund të mbijetojnë duke ngrënë gjëra që duken të patretshme, siç janë rrënjët, gjethet e thata dhe lëvorja e më shumë se 60 lloje bimësh. Kafshë të tjera të fermave, si për shembull, gjedhët, ushqehen pothuajse vetëm me bar.
Ngaqë nuk janë nazelie dhitë e kanë më të lehtë të gjejnë ushqim, por avantazhi i tyre më i madh është goja. Ambrosio tregon se gjedhët e kapin ushqimin me gjuhë dhe nuk janë në gjendje të veçojnë një gjethe të vetme ose lëvoren e një bime. Kurse dhitë përdorin gojën e tyre të vogël, buzët që përshtaten lehtë dhe dhëmbët e mprehtë për të zgjedhur dhe për të këputur pjesën më ushqyese të bimës. Kjo aftësi për të gjetur dhe për të zgjedhur ushqimin e paktë, ka bërë që dhive t’u hapet nami se shkatërrojnë bimësinë. «Fajin e kanë njerëzit që i detyrojnë dhitë të jetojnë në kushte të tilla. Dhitë vetëm sa po përpiqen të mbijetojnë»,—thotë Ambrosio.
Të rritësh dhi është me leverdi
Nuk është për t’u habitur që dhitë e forta vendëse kanë luajtur një rol kryesor në bujqësi, nëpërmjet së cilës banorët e Sertaunit sigurojnë gjërat e domosdoshme të jetesës. Për shumë familje, dhitë janë një burim i rëndësishëm proteinash. Meqë mishi i viçit mund të jetë i shtrenjtë, mishi i dhisë, i pjekur ose i zier, dhe bushada (stomaku i dhisë i mbushur me oriz dhe me pjesë stomaku të prera në copa kubike) janë një gjellë e zakonshme. Lëkura e dhisë u shitet fabrikave të
përpunimit të lëkurës për të siguruar të ardhura të tjera. Prandaj, në raste të ngutshme, dhitë mund të shkëmbehen lehtë me para për të blerë ilaçe ose gjëra të tjera të domosdoshme.Një përfitim tjetër është se dhitë rriten vetë, pothuajse pa kurrfarë ndihme. Gjatë ditës, tufa të vogla me dhi kullotin së bashku në katingat e parrethuara me gardh, që janë pyje me ferrishta. Kur bie muzgu, dhitë e njohin zërin e të zotit dhe secila kthehet e bindur në vathën e vet. Zakonisht fermeri ndërhyn vetëm gjatë sezonit të shtimit, kur zgjedh dhitë që do të therë, kur mjekon të sëmurat dhe kur damkos të vegjlit. Të rritësh dhi është kaq e lehtë saqë edhe në qytet njerëzit shpesh mbajnë disa në kopshtin prapa shtëpisë, dhe, pavarësisht se është e ndaluar me ligj, ata i lënë dhitë të enden rreth e rrotull qytetit. Nuk është e pazakontë të shohësh ndonjë dhi që kullot në sheshin kryesor të qytetit.
Përvoja disashekullore ka treguar se të rritësh dhi është me leverdi, sidomos për fermerët e vegjël. Për të rritur tetë dhi duhet po aq mund dhe po aq vend sa duhet për të rritur një lopë. Të marrim një shembull: mendoni sikur një fermer të ketë pesë lopë. Nëse njëra do të ngordhte, kjo do të nënkuptonte një humbje të barabartë me 20 për qind të tufës. Por ta zëmë se në vend të pesë lopëve ai do të rriste 40 dhi. Do t’i duhej po aq punë dhe po aq tokë sa në rastin e parë. Megjithatë nëse do të ngordhte një dhi, tufa e fermerit do të pësonte një humbje vetëm 2,5 për qind. Kuptohet lehtë përse afro një milion familje braziliane i shohin dhitë si mbrojtje në rast thatësire dhe prishjeje të të mbjellave.
Nxitje për punë të palodhur
Në shtetin e Bahias rriten disa nga kopetë më të mëdha që kanë me mijëra dhi. Thuhet se në Uaua, një qytet i vogël rreth 800 kilometra më në brendësi se Salvadori, kryeqyteti, ka kaq shumë dhi, saqë raporti është pesë dhi për çdo banor. Pothuajse të gjitha mjetet e jetesës sigurohen nga rritja e dhive ose nga veprimtaritë që lidhen me këtë gjë. Shpesh vendësit thonë me shaka: «Në Uaua janë dhitë që rritin njerëzit dhe jo njerëzit që rritin dhitë.»
Të vegjlit e parë të dhive lindin në maj, gati pesë muaj pas fillimit të sezonit të shtimit. Barinjtë punojnë me përkushtim nga ora katër e mëngjesit deri në orën shtatë të mbrëmjes. Ata i mbledhin dhitë, u japin ujë dhe shpëtojnë të vegjlit që kanë humbur ose që janë në rrezik. Çdo ditë barinj të zotë u hedhin lakun dhe mjelin me qindra dhi për të mos lejuar që të sapolindurit të pinë kaq shumë qumësht, sa të ngordhin. Gjithashtu barinjtë u mjekojnë plagët dhive dhe i pastrojnë nga një lloj paraziti që e bën me vrima të vogla lëkurën e dhisë, dhe kështu ia ul vlerën e shitjes.
Të kujdesesh në këtë mënyrë për dhitë është një punë që kërkon dashuri, gjithsesi nuk bëhet pa përfituar diçka. Sistemi tradicional i pagës, i quajtur sistemi kuartesau (i ndarjes më katërsh), i cili përdoret në Uaua dhe në zona të tjera fshatare, i shpërblen barinjtë e palodhur të dhive. Atyre u japin 1 në çdo 4 dhi që kanë lindur gjatë çdo sezoni shtimi ose 1 në 3 kur pronari i kopesë është bujar. Çdo dhie i caktohet një numër dhe pastaj hidhet shorti, duke tërhequr nga një kupë monedhat që mbajnë këta numra. Meqë për short mund të bjerë një dhi e çalë ose e shëndetshme, e dobët ose e dhjamosur, barinjtë kujdesen për kopetë sikur të ishin të vetat.
Përfitojnë më shumë nga dhitë e vendit
Dhitë braziliane janë pasardhëse të llojeve që sollën kolonizatorët evropianë në fillim të shekullit të 16-të. Por, dhitë e vendit në përgjithësi janë më trupvogla dhe japin shumë më pak qumësht sesa paraardhëset e tyre evropiane.
Për shembull, kanindaja braziliane, jep më pak se një litër qumësht në ditë, kurse një lloj i afërt me të që rritet në Evropë, dhia angleze alpine, jep deri në 3,8 litra. Për dhjetëvjeçarë të tërë, ëndrra e shumë fermerëve dhe agronomëve ka qenë që të kombinojnë rezistencën e dhisë së vendit me rendimentin e paraardhëses së saj të huaj. Në këtë mënyrë «lopa e njeriut të varfër», siç e quajnë shumë dhinë, mund të bëhej një minierë ari për fermerët e Sertaunit.
Kryqëzimi i dhive vendëse me të huajat ka qenë një metodë e shpejtë për të marrë pasardhës më trupmëdhenj dhe për të rritur rendimentin e qumështit. Një institucion që merret me kërkime në fushën e bujqësisë në shtetin e Paraibës, në verilindje të Brazilit, kryqëzoi me sukses dhitë e vendit me varietete italiane, gjermane dhe angleze. Nga ky kryqëzim u morën dhi më trupmëdha që i bëjnë ballë thatësirës dhe japin më shumë qumësht. Varietete dhish që më parë jepnin më pak se një litër qumësht në ditë, sot japin 2,2 deri në 3,8 litra në ditë.
Qendra kërkimore në Sobral ka bërë një zbulim po kaq fitimprurës, por që ka një kosto më të ulët. Kërkuesit vunë re se dhive u pëlqenin më shumë gjethet e disa pemëve. Por këto gjethe mund t’i hanin vetëm kur pemët binin në gjumë dhe gjethet i lëshonin përtokë. Për të shtuar këtë lloj ushqimi, disa pemëve iu krasitën të gjitha degët që ishin mbi njëfarë lartësie. Kjo i bëri pemët që t’i nxirrnin degët më poshtë, në një lartësi që dhitë mund t’i kapnin. Cili ishte rezultati? Pesha e dhive që kullotnin në zonat e përgatitura u rrit katërfish.
Me gjithë këto risi, pronarët e tufave të vogla ende mund të hasin një problem që ka të ngjarë se nuk mund të zgjidhet me ndihmën e kërkimeve shkencore. Cili është ky problem? Po ja, siç e shpjegoi një fermer, «dhitë mësohen me njerëzit që kujdesen për to dhe bëhen si kafshët që mbahen për shoqëri. Prandaj mund të jetë e vështirë të vrasësh ndonjërën». Çështja është e thjeshtë, të zotët nuk duan të ndahen nga këto kafshë. Të jetë kjo vallë një arsye tjetër përse dhitë mbijetojnë?
[Shënimi]
^ par. 3 Me sa duket, kolonizatorët portugezë e quajtën këtë vend Desertaun ose Shkretëtira e madhe, pasi u kujtonte shkretëtirat dhe savanat e Afrikës së Veriut.
[Kutia dhe figura në faqen 27]
E vërteta rreth qumështit të dhisë
Shumë njerëz thonë se qumështi i dhisë mezi tretet; të tjerë thonë se mban erë të keqe. Por mos u besoni këtyre fjalëve. Nëse e tretni me vështirësi qumështin e lopës, ka shumë mundësi që mjeku ose dietologu t’ju këshillojë që të hani produktet e bëra me qumësht dhie. Ndonëse ka më shumë proteina dhe yndyrna, pikëlat e yndyrës së qumështit të dhisë janë më të vogla dhe treten më lehtë. Por ç’të themi për erën?
Ç’është e vërteta, qumështi i dhisë është pa erë. Nëse ndieni një erë të fortë e të keqe, ajo mund të vijë ngaqë dhinë e kanë mjelë në kushte johigjienike ose ngaqë dhia ka qenë shumë afër një cjapi. Prapa brirëve mashkulli ka gjëndra që mbajnë erë dhe që prodhojnë një hormon i cili tërheq femrën. Por nga ana tjetër ky hormon ndot gjithçka që prek cjapi.
[Burimi]
CNPC–Centro Nacional de Pesquisa de Caprinos (Sobral, CE, Brasil)
[Harta në faqen 25]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
«Sertauni»
[Figura në faqen 26]
Dhia përdor gojën që është e përshtatshme për të zgjedhur pjesët më të mira të bimëve
[Burimi]
Dr. Zhuaun Ambrosio–EMBRAPA (CNPC)
[Burimet e figurave në faqen 25]
Harta: Mountain High Maps® Copyright © 1997 Digital Wisdom, Inc.; dhitë: CNPC–Centro Nacional de Pesquisa de Caprinos (Sobral, CE, Brasil)