Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Mbrojtje nga peshkaqenët

Vetëm mendimi se mund të gjenden ballë për ballë me një peshkaqen, bën që shumë njerëz të cilëve do t’u pëlqente të notonin, të mos lahen në oqean. Megjithatë, Drejtoria e Natalit për Peshkaqenët, në Afrikën e Jugut, ka zbuluar një pajisje që i mbron njerëzit nga peshkaqenët. Ata «zbuluan se një valë elektromagnetike me parametra të veçantë ndikon te receptorët që ndodhen në hundën e peshkaqenit», siç thuhet në gazetën Weekend Witness, të Kuazulu-Natalit. Kjo drejtori projektoi një transmetues të quajtur «mjet mbrojtës në oqean», i cili bën që peshkaqeni të bezdiset gjithnjë e më shumë ndërsa i afrohet këtij aparati. Kur kjo bezdisje bëhet e padurueshme, «atëherë peshkaqeni ndërron drejtimin dhe largohet menjëherë nga zona». Një firmë australiane prodhon transmetues të tillë për notarët dhe për ata që bëjnë sërf. E vendosur në fund të këmbës së notarit, ai krijon rreth tij një «zonë personale pa peshkaqen». Megjithatë, prodhuesit paralajmërojnë: «Por nuk mund të kemi ndonjë garanci se të gjithë peshkaqenët do të sprapsen, në të gjitha rrethanat.»

Të rriturit kanë më shumë gjasa të helmohen

«Kur njerëzit mendojnë për parandalimin e helmimit, në përgjithësi u shkon mendja te fëmijët e vegjël»,​—thotë Debra Kenti, e cila punon në Qendrën e Informacionit për Drogën dhe Helmimet në Kolumbinë Britanike. Gjithashtu ajo thotë se «shumë prej vdekjeve të shkaktuara nga helmimet ndodhin tek adoleshentët dhe te të rriturit». Sipas gazetës The Vancouver Sun, shumica e helmimeve aksidentale mes të rriturve «kanë ndodhur ngaqë dikush ka futur një substancë helmuese në një enë tjetër pa etiketë, për shembull në ndonjë shishe plastike uji». Aksidente të tjera mund të ishin shmangur nëse njerëzit thjesht do të kishin ndezur dritën dhe do të kishin lexuar etiketën para se të përdornin një produkt. Sipas Sun, «helmimi renditet i katërti në listën e 10 shkaqeve kryesore të vdekjeve nga dëmtimet te të rriturit».

A është televizori i dëmshëm për fëmijët e vegjël?

«Fëmijët shumë të vegjël të cilët shikojnë televizor rrezikojnë më shumë të kenë probleme me përqendrimin kur të shkojnë në shkollë»,​—thotë gazeta The Herald e Meksikos. Në artikull përmendet një studim i botuar në revistën mjekësore Pediatrics. Në këtë studim ishin marrë dy grupe me 1.345 fëmijë gjithsej​—njëri grup me fëmijë njëvjeçarë dhe tjetri me fëmijë trevjeçarë. Sipas këtij studimi, për çdo orë televizor që shihnin fëmijët çdo ditë, rritej 10 për qind rreziku për të pasur probleme me përqendrimin në moshën 7-vjeçare. Studiuesit mendojnë se «imazhet joreale që ndryshojnë me shpejtësi, diçka tipike për shumicën e programeve televizive, mund të kenë pasoja në zhvillimin normal të trurit» te fëmijët e vegjël. «E vërteta është se ka shumë arsye përse fëmijët nuk duhet të shohin televizor,​—thotë dr. Dimitri Kristakisi, autor i studimit.​—Studime të tjera kanë treguar se [shikimi i televizorit] ka lidhje me dhjamosjen dhe agresivitetin.»

E qeshura është ilaç

«Neurologët në Universitetin e Stenfordit, Kaliforni, kanë zbuluar një arsye tjetër pse e qeshura na bën të ndihemi mirë»,​—thotë UC Berkeley Wellness Letter.​—Ata vëzhguan veprimtarinë e trurit të njerëzve që lexonin skica humoristike dhe zbuluan se humori dhe e qeshura stimulojnë ato qeliza të trurit që janë përgjegjëse për ndjesitë e këndshme, e njëjta zonë që dëmtohet nga drogat stimuluese. «E qeshura pakëson stresin, qetëson trurin dhe ngre gjendjen shpirtërore»,​—thotë Wellness Letter. E qeshura gjithashtu shton prodhimin e hormoneve dhe rrahjet e zemrës, dhe ndihmon në përmirësimin e qarkullimit të gjakut dhe në aftësinë e muskujve për të reaguar. «Vërtet, një e qeshur me gjithë shpirt është një lloj ushtrimi,​—komenton Wellness Letter.​—Megjithatë nuk djeg shumë kalori. Pra, mund të shkriheni së qeshuri, por kjo s’do të thotë se do të dobësoheni.»

Bima që zbulon minat

«Një kompani bioinxhinierike daneze ka prodhuar një bimë, gjethet e së cilës bëhen të kuqe kur ajo rritet në një zonë ku ka mina të groposura»,​—thotë gazeta spanjolle El Pais. Siç shpjegohet në gazetë, bima zbuluese e minave, Arabidopsis thaliana, ndryshon ngjyrën kur bie në kontakt me dyoksidin e azotit, «një nga elementet përbërës më të zakonshëm të eksplozivave». «Kur rrënjët e saj thithin këtë substancë, fillon një reaksion biokimik zinxhir që nxit prodhimin e një pigmenti natyral, antocianinës.» Simon Ostergori, presidenti i një kompanie bioteknologjike, thotë se ideja është që «të çohen farat në zonat e minuara, të shpërndahen nëpër fusha, të pritet pesë javë dhe pastaj të çaktivizohen minat». Ostergori thotë se nëse kjo bimë zbuluese do të përdorej gjerësisht mund të shpëtoheshin mijëra jetë njerëzish çdo vit. Luftërat e shekulli të 20-të lanë rreth 100 milionë mina të fshehura në truallin e 75 vendeve.

Aftësitë orientuese të dejkave

Gazeta The Sunday Telegraph e Londrës, pohon se dejkat «shtegtojnë më shumë se 6.000 kilometra nga Afrika për në Angli në fund të prillit». Edhe pse «nuk kanë asnjë satelit që t’u tregojë vendndodhjen në glob, asnjë kontroll të trafikut ajror dhe asnjë pilot», natën ato zakonisht fluturojnë në një lartësi prej 3.000 metrash, duke përdorur aftësitë e tyre orientuese që janë më të sofistikuara sesa ato të aeroplanëve modern. Këta zogj bëjnë përshtatjet e duhura gjatë fluturimit që era të mos i shtyjë në drejtimin e gabuar, dhe për të përcaktuar pozicionin e tyre bazohen tek era dhe jo tek pikat e referimit në tokë, siç mendohej më parë. Dr. Juhan Bekmëni, specialist në Universitetin e Lundit, në Suedi, i cili përdori radarë për të gjurmuar 225 zogj, thotë se «edhe aeroplanët e teknologjisë më të fundit, me pajisje orientuese shumë të sofistikuara ka shumë mundësi që do të ishin të pazotë për të përcaktuar drejtimin e erës ashtu siç e bëjnë këta zogj». Disa studime kanë treguar diçka të mrekullueshme, që dejkat e ‘stakojnë’ gjysmën e trurit kur fluturojnë natën. Por, sipas Graham Maxhit, anëtar i Shoqatës Mbretërore për Mbrojtjen e Zogjve, mbeten disa pyetje pa përgjigje. Për shembull: «Si ushqehen këta zogj ndërkohë që fluturojnë?»

Banja që nuk të vjen të shkosh

E përjavshmja franceze L’Express thotë se «dyshemeja e lagur, uji i ftohtë akull, mungesa e sapunëve», dhe mungesa e intimitetit që vjen si pasojë e «bravave të prishura» dhe «e mureve ndarëse të vogla», bëjnë që shumë nxënës francez të mos shkojnë në banjat e shkollave. Një studim i drejtuar nga Fédération des conseils de parents d’élèves (Federata e Këshillave të Prindërve të Nxënësve), zbuloi që «më shumë se 48 për qind e nxënësve nuk shkojnë rregullisht në banjat e shkollës». Dhe kjo nuk është pa pasoja për shëndetin e fëmijëve. Sipas këtij studimi, «çereku i këtyre nxënësve vuan nga problemet urinare ose të zorrëve». Urologu pediatër Mëshel Avaru thotë: «Fëmijët duhet të shkojnë në banjë pesë ose gjashtë herë në ditë. Fshikëza urinare që nuk zbrazet aq herë sa ka nevojë, mund të sëmuret nga ndonjë infeksion që e bën të mos funksionojë ashtu siç duhet.»