Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Po sikur ai të thotë: ‘Jo.’

Po sikur ai të thotë: ‘Jo.’

Të rinjtë pyesin . . .

Po sikur ai të thotë: ‘Jo.’

E KISHE thjesht shok. Por pastaj fillove të ndieje diçka tjetër për të. Ndoshta të bëri për vete mirësjellja e tij ose mënyra si të buzëqeshte kur të fliste. Sido që të ishte, koha kalonte dhe ai nuk po shprehte ndonjë interes romantik për ty. Prandaj vendose ta pyesësh nëse dëshironte që të ishit më shumë se shokë. Sa u zhgënjeve kur ai me mirësjellje, por edhe me vendosmëri, të tha: ‘Jo.’ *

Natyrisht ndihesh e lënduar. Por mos lejo të lëndohesh tepër; përpiqu t’i shohësh gjërat siç duhet. Po, është e vërtetë që një djalë të tha se nuk dëshiron të lidhet me ty. Por, mos harro se vendimi i tij nuk e ndryshon vlerën tënde si njeri dhe as nuk e hedh poshtë faktin që të tjerët të duan dhe të respektojnë. Në të vërtetë, vendimi i tij mbase nuk ka të bëjë me mendimin që ka ai për ty, por me faktin që ka synime të tjera dhe gjëra që për të janë më të rëndësishme.

Nëse je e krishterë, mund të kujtosh edhe se ‘Perëndia nuk është i padrejtë, që të harrojë veprën tënde dhe dashurinë që tregove për emrin e tij’. (Hebrenjve 6:10) Sonja * thotë: «Ke ende vlerë. Për Jehovain je e çmuar si individ.» Meqë Më i Larti dhe të tjerët të vlerësojnë shumë, atëherë përse duhet ta humbasësh respektin për veten?

Prapëseprapë, mbase të duket vetja si dështake ose ke frikë se ndoshta nuk je e përshtatshme si bashkëshorte. Por vetëm pse nuk ishe personi «i duhur» për këtë djalë, nuk do të thotë se nuk do të jesh «tamam personi i duhur» për dikë tjetër. (Gjyqtarëve 14:3, BR) Prandaj, në vend që të mendosh se përpjekjet e tua për të gjetur një bashkëshort të përshtatshëm dështuan, bëhu e vetëdijshme se përpjekjet e tua sollën diçka të mirë: kuptove se ky djalë nuk është për ty. Përse e themi këtë?

A ishte i përshtatshëm për ty?

Bibla i urdhëron bashkëshortët «t’i duan gratë e tyre, si vetë trupat e tyre». Gjithashtu i urdhëron ‘t’u japin nderim’ bashkëshorteve. (1 Pjetrit 3:7) E pra, në rastin tënd, ka shumë të ngjarë që ky djalë të çmon si shoqe. Por duke thënë ‘jo’, ka treguar se nuk është i gatshëm të të dojë dhe të të nderojë si gruan e tij. Ishte e drejta e tij të bënte këtë zgjedhje. Pa mendo njëherë: nëse ndjenjat e tij janë këto, a do të ishte ai vërtet bashkëshorti i përshtatshëm për ty? Imagjino se sa e palumtur do të ishe nëse do të martoheshe me dikë që nuk të do dhe nuk të trajton siç thonë Shkrimet e Shenjta!

Tani që shpresat e tua për një lidhje romantike nuk do të realizohen, ndoshta mund të ndihesh më mirë, po t’i shqyrtosh edhe një herë veprimet e tij. Ndonjëherë ndjenjat e forta të bëjnë të verbër dhe nuk arrin të vësh re dobësitë e personalitetit ose dobësitë frymore të dikujt, dobësi që të tjerët mbase i shohin qartë. Për shembull, mos ndoshta ai nuk e kishte kuptuar se kishe filluar të ndieje për të? Apo i ushqente qëllimisht ndjenjat e tua duke u shoqëruar vazhdimisht me ty? Po të jetë kështu, a nuk tregon kjo se mbase ai nuk është gati të jetë një bashkëshort i krishterë i kujdesshëm dhe i dhembshur? Në një rast të tillë, është mirë që e zbulove këtë gjë, ndonëse mund të jetë e dhimbshme.

Ndjenjat e Marsias u zgjuan kur një djalë filloi të tregonte interes të veçantë për të. Kur e pyeti se çfarë synimi kishte, ai iu përgjigj se nuk ishte i interesuar që të lidhej me të. Çfarë e ndihmoi Marsian që ta përballonte zhgënjimin? Ajo thotë: «Vura në punë mendjen dhe jo zemrën, kjo më ndihmoi t’i mposhtja ndjenjat.» Duke sjellë ndër mend kërkesat që thotë Bibla për bashkëshortët e krishterë, Marsia kuptoi se ai nuk i përmbushte ato. Kjo e ndihmoi të mposhtte dëshpërimin.

Andreas i ndodhi diçka e ngjashme. Më vonë kuptoi se mënyra se si ishte sjellë ai djalë me të, tregonte mungesë pjekurie. Ajo arriti të kuptonte se ai nuk ishte gati për martesë dhe është mirënjohëse që Jehovai ia hapi sytë të shihte realitetin. Andrea thotë: «Mendoj se Jehovai është në gjendje të të mbrojë nga rrethana që mund të të lëndojnë, por duhet të kesh besim tek Ai.» Sigurisht, në shumë raste një djalë sillet mirë dhe thotë ‘jo’ për arsye të ndershme. Sido që të jetë, si mund t’i mposhtësh ndjenjat që provon?

Ç’mund të bësh?

Zemrës mund t’i duhet kohë të pranojë faktin që ai të ka thënë ‘jo’. Ndjenjat e tua për të lindën e u forcuan me kalimin e kohës dhe po kështu duhet kohë që ato të shuhen. Rrallë ndodh që ndjenjat romantike të shuhen tak-fak, siç bëhet me një llambë. Ka ditë kur duket sikur ato të mbysin. Ki durim. Ashtu siç kalon koha, kështu do të kalojnë edhe ndjenjat. Por në qoftë se do që këto ndjenja të të shuhen më shpejt, shmang gjithçka që i ushqen ato.

Për shembull, mos analizo çdo fjalë dhe gjest tëndin kur i shprehe ndjenjat atij djali, për të gjetur se çfarë nuk the ose çfarë nuk bëre siç duhet. Nëse nuk u vë fre këtyre mendimeve, mund të arrish në përfundimin se ai në të vërtetë nuk donte të thoshte ‘jo’ ose po t’ia kishe thënë ndryshe mund të kishte përfunduar mirë. Prano faktin se nuk mund t’i ndryshosh ndjenjat e tij. Ka shumë të ngjarë që, sido që t’ia kishe thënë, përgjigjja e tij do të kishte qenë e njëjta.

Një grackë tjetër mund të jenë ëndrrat me sy hapur. Përfytyron sikur më në fund të dy bashkë jetoni të lumtur e të gëzuar. Mbase këto ëndërrime të duken sikur të qetësojnë, por ato nuk tregojnë realitetin. Kur ëndrrat mbarojnë, ndien sërish të njëjtin boshllëk e bashkë me të vjen edhe trishtimi. Kështu, po të mos përpiqesh shumë t’i japësh fund kësaj gjendjeje që kalon nga kënaqësia në një dëshpërim të padurueshëm, ajo mund të vazhdojë për një kohë të gjatë.

Përpiqu të mos ëndërrosh me sy hapur. Sa të ndiesh se po humbet prapë në ëndërrime, ngrihu dhe bëj një shëtitje. Merru me punë fizike, bëj diçka që ta çosh mendjen gjetkë. Përqendrohu te gjëra që të japin forcë, jo që të sjellin trishtim. (Filipianëve 4:8) Në fillim, kjo ndoshta është e vështirë, por dalëngadalë do ta fitosh këtë betejë dhe do të gjesh paqe.

Mbështetja e miqve të ngushtë mund të jetë një ndihmë. (Fjalët e urta 17:17) Megjithatë, Sonja jep këtë këshillë: «Nuk është mirë nëse miqtë që ke janë të gjithë beqarë, kanë të njëjtën moshë me ty dhe kanë dëshirë të martohen. Ke nevojë edhe për miq më të rritur, që mund të të ndihmojnë t’i shohësh gjërat me një sy realist.» Dhe kurrë mos harro se ekziston dikush që mund të të ndihmojë edhe më shumë për të përballuar dhembjen.

Jehovai​—Një mik dhe një mbështetje

Kur një njeri besnik në kohët e lashta pësoi zhgënjim, iu lut Jehovait për ndihmë. Çfarë ndodhi më pas? Ai shkroi: «Kur një numër i madh shqetësimesh më mbysnin, përdëllimet [ngushëllimet, BR] e tua më jepnin zemër.» (Psalm 94:19) Jehovai do të të ngushëllojë dhe do të të mbështetë edhe ty, po t’i lutesh me besim. Kështu bëri Andrea. Ajo thotë: «Lutja të ndihmon shumë që ta mposhtësh dhembjen dhe të vazhdosh jetën.» Edhe Sonja thotë për lutjen: «Të ndihmon të kesh vlerësim për veten, dhe ky nuk varet nëse të tjerët të pëlqejnë apo të refuzojnë.»

Asnjë njeri nuk mund të të kuptojë plotësisht se si ndihesh, por Jehovai të kupton. Ai i krijoi njerëzit me dëshirën për të dhënë dhe për të marrë dashuri në martesë. Ai e di mirë se sa e fuqishme mund të jetë tërheqja romantike dhe di si të mbahet nën kontroll. Ai mund të të ndihmojë ta heqësh dhembjen e madhe nga zemra, sepse 1 Gjonit 3:20 thotë: «Perëndia është më i madh se zemra jonë dhe di gjithçka.»

Ruaj ekuilibrin

Martesa mund të sjellë shumë lumturi, por nuk është i vetmi burim lumturie. Gëzimin e provojnë të gjithë ata që i shërbejnë Jehovait, gëzimi nuk është vetëm pronë e të martuarve. Nga disa anë, beqarët kanë më shumë avantazhe se të martuarit. Ata nuk vuajnë nga ‘shtrëngimi në mish’ që thuhet te 1 Korintasve 7:28. Ky shtrëngim nënkupton streset dhe shqetësimet që kanë të gjitha çiftet e martuara. Veç kësaj, beqarët janë më të lirë dhe e kanë më të lehtë ta përdorin jetën për t’i shërbyer Jehovait. Prandaj Bibla mëson: «Ai që e jep virgjërinë e vet në martesë bën mirë, por ai që nuk e jep në martesë do të bëjë edhe më mirë.» (1 Korintasve 7:38) Edhe nëse ke shumë dëshirë të martohesh, po të mendosh për këto gjëra që thotë Bibla, mund ta kesh më të lehtë që të ruash ekuilibrin dhe të gjesh sa më shumë gëzim në rrethanat që je tani.

Disa miq që nisen për mirë, mund të të thonë: «Mos u bëj merak, një ditë do të gjesh një njeri të mrekullueshëm.» Dhe është e vërtetë, se fakti që dikush të refuzoi nuk do të thotë që do të mbetesh gjithnjë vetëm. Megjithatë, një vajzë e krishterë me emrin Kandesa mendon kështu: «Unë kam besim te Jehovai. Nuk pres që ai medoemos të më japë një bashkëshort që të më bëjë të lumtur. Por e di që do të më japë çfarë më duhet për ta mbushur këtë boshllëk.» Ky qëndrim optimist e ka ndihmuar të përballojë zhgënjimin.

Në këtë botë ndodh shpesh që përpjekjet për të nisur një lidhje romantike dështojnë, por dështojnë edhe shumë martesa. Nëse ke besim te Jehovai dhe u bindesh këshillave të tij, ai mund të të ndihmojë që zhgënjimi t’ia lërë vendin gëzimit. Mund të provosh edhe ti atë që provoi mbreti David, i cili shkroi: «O Zot, çdo dëshirë që kam është para teje dhe psherëtimat e mia nuk të janë fshehur. Sepse shpresoj te ti, o Zot, ti do të përgjigjesh, o Zot, Perëndia im.»​—Psalmi 38:9, 15.

[Shënimet]

^ par. 3 Artikulli «Të rinjtë pyesin . . . Si t’ia them çfarë ndiej?» (22 tetor 2004) shpjegonte se për kulturën e disa vendeve mund të jetë e papranueshme që vajza të marrë iniciativën për t’i shprehur ndjenjat djalit. Ndonëse Bibla nuk e dënon këtë gjë, ajo i inkurajon të krishterët që të mos bëhen pengesë për të tjerët. Prandaj personat që duan bekimet e Perëndisë bëjnë mirë ta marrin parasysh këshillën e Biblës para se të vendosin se çfarë të bëjnë.​—Mateu 18:6; Romakëve 14:13; 1 Korintasve 8:13.

^ par. 5 Disa nga emrat janë ndryshuar.

[Figurat në faqen 20]

Gjej lehtësim nga ndihma që jep Perëndia