Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si ishte jeta në mullinjtë e Çekisë?

Si ishte jeta në mullinjtë e Çekisë?

Si ishte jeta në mullinjtë e Çekisë?

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË REPUBLIKËN E ÇEKISË

TROKITJA ritmike e rrotave me dhëmbëza të mullinjve mund të dëgjohej nëpër të gjithë Çekinë njëqind vjet më parë. Në vend që të prishte qetësinë, zhurma dukej se ia shtonte bukurinë fshatit piktoresk çek. Mulliri zinte një pjesë të rëndësishme në jetën e banorëve të kësaj zone.

Në ato ditë, për gruan e mullisit ishte zakon të piqte një bukë erëmirë menjëherë sapo mielli bluhej. Mund të imagjinojmë gruan e mullisit duke vendosur mbi një tavolinë të madhe bukën e sapopjekur. Oh, ç’erë të mirë që mban! Dhe ja tek po vjen mullisi. I zbardhur kokë e këmbë nga mielli, ka një pamje mbresëlënëse. Ai thërret pjesëtarët e familjes për të kaluar disa çaste çlodhëse së bashku.

Mullinjtë në rrjedhën e kohës

Zanati i mullisit është po aq i lashtë sa edhe bujqësia. Në Izraelin e lashtë, bluarja e miellit ishte një punë shtëpie e zakonshme. Në përgjithësi gratë bluanin grurin duke përdorur mullinj dore dhe shpesh ishin dy që punonin së bashku. Gjithashtu Bibla përmend gurë mulliri që rrotulloheshin nga kafshët.​—Marku 9:42.

Kur dëgjoni fjalën «mulli», ndoshta mund të imagjinoni një mulli me erë. Megjithatë, në fshatin çek, më të përhapur ishin mullinjtë me ujë. Përse? Me sa duket çekët mendonin se uji ishte burimi më ekonomik dhe më i sigurt i energjisë për të vënë në punë mullinjtë.

Në Çeki, ashtu si dhe gjetiu në Evropën Qendrore, u ndërtuan sisteme të mëdha rezervuaresh, kanalesh dhe portash për të drejtuar dhe rregulluar sasinë e ujit që shkonte te mullinjtë. Rezervuaret e mullinjve mblidhnin ujin, kanalet e çonin te mullinjtë dhe portat kontrollonin rrjedhën e tij. Disa kanale ishin më pak se 20 metra të gjata, por të tjera shtriheshin më shumë se një kilometër dhe furnizonin me ujë disa mullinj të vendosur përgjatë tyre.

Mullisi dhe ndihmësit e tij

Në Çeki, njëqind vjet më parë, mullisi dhe e gjithë familja e tij jetonin brenda në mulli. Banesa e mullisit dhe dhoma ku bluhej drithi kishin të njëjtën çati dhe mure të forta guri. Banorët e qytetit e kishin zakon ta thërritnin mullisin «baba mjeshtri». Ishte e lehtë ta dalloje me ato pantoflat dhe pantallonat e tij tipike të bardha e të përveshura, me kapelën e zbukuruar me lëkurë deleje, që i rrinte ngjitur pas kokës.

Që të bënte punën e tij, mullisi duhej të ishte i fortë, pasi imagjinoni tërë ata thasë me miell që duhej të ngrinte dhe të transportonte gjatë gjithë jetës. Zanati i mullisit ishte një profesion që respektohej dhe zakonisht trashëgohej nga babai tek i biri. Djali e mësonte zanatin në shtëpi me të atin, por gjithashtu mund të punonte, për disa kohë, me mjeshtra të tjerë mullisë për të marrë më shumë përvojë.

Që të përballonin punën në mulli, e gjithë familja duhej të përvishte mëngët. Shpesh, ndihma e familjes nuk ishte e mjaftueshme, kështu që mullisi merrte edhe njerëz të tjerë në shtëpinë e tij. Këta mund të ishin punëtorë të përhershëm ose punëtorë të përkohshëm të quajtur kallfë. Kallfët ishin mullisë me përvojë, të cilët në ato periudha të vitit kur në mulli vlonte puna, ndihmonin mullisë të tjerë, dhe në shkëmbim u sigurohej strehimi dhe ushqimi.

Kryemullisi, një punëtor shumë i respektuar dhe mjeshtër, shpesh drejtonte punët në mulli. Atë e ndihmonte një djalosh, i quajtur ndryshe krahu i tij i djathtë. Ky i ri kishte mësuar zanatin e mullisit dhe i ishte besuar puna për të përdorur makinën bluese. Cilësia e miellit që prodhohej shihej si provë e njohurisë dhe e aftësisë së këtij punëtori. Veç këtij, mullisi kishte edhe një çirak​—një djalë i zgjuar që nuk ia ndante sytë për asnjë çast mullisëve më të vjetër dhe më me përvojë. Nuk lejohej asgjë që ta shpërqendronte çirakun për të marrë zanatin.

Mokrat

Libri biblik i Jobit përmend ‘gurin e poshtëm të mullirit’. (Jobi 41:24, BR) Ky shkrim i lashtë tregon se si funksiononin gurët e mullirit ose mokrat. Duhej të ishin dy gurë, një gur i sipërm, dhe një gur i poshtëm. Guri i poshtëm ishte i palëvizshëm, ndërsa guri i sipërm rrotullohej për të bluar grurin kur ai kalonte midis tyre.

Në fillim, mokrat bëheshin me gurë të fortë. Më vonë, u prodhuan mokra artificiale, që bëheshin duke bashkuar shkëmbinj të thërrmuar dhe klorur magnezi. Rrotat me dhëmbëza bëheshin nga një mjeshtër dhe për to përdorej dru shumë i fortë. Të bëje rrotat me dhëmbëza ishte një punë e vështirë, jo vetëm për shkak të formave të ndërlikuara, por edhe sepse dhëmbëzat duhej të ngërtheheshin plotësisht me njëra-tjetrën. Struktura e këtyre rrotave bëri që pjesët e tjera të makinës bluese të rrotulloheshin më shpejt. Trokitja ritmike e këtyre rrotave me dhëmbëza u jepte mullinjve atë zhurmën e tyre karakteristike.

Mullisët në folklorin çek

Ndërkohë që disa mullisë ishin të ndershëm dhe të moralshëm, kishte edhe nga ata që ishin lakmitarë, silleshin vrazhdë ose i zhvatnin klientët e tyre. Kështu që, në disa këngë popullore, mullisët dhe familjet e tyre viheshin në lojë, ndërsa në të tjera ata lavdëroheshin, kurse për ndihmësit e tyre thuhej se ishin të mirë për bashkëshortë. Disa këngë të tjera të sjellin ndër mend përmbytjet. Përveç zjarrit, ato ishin rreziku që e kërcënonte më shpesh mullisin dhe mullirin e tij.

Historitë për mullisët ndryshonin disi sipas krahinës dhe kohës kur u bënë. Megjithatë në thelb ishin të ngjashme anembanë Çekisë. Ishin kallfët mullisë, të cilët udhëtonin nga njëri vend në tjetrin, që i përhapnin dhe sigurisht që i zbukuronin këto histori.

Mullinjtë sot

Me kalimin e kohës, zanati i mullisit nuk ushtrohej më. Mullinjtë u modernizuan dhe mekanizmat blues që viheshin në lëvizje nga uji, ua lanë vendin motorëve elektrikë. Disa mullisë u përpoqën ta ruanin me çdo kusht mënyrën tradicionale të jetesës, dhe disa mullinj vazhduan të punonin në Çeki deri pas Luftës II Botërore. Por viti 1948 shënoi fundin e zanatit të mullisit, madje edhe për mullisët më këmbëngulës. Atë vit mullinjtë u bënë pronë shtetërore, dhe shumë prej tyre pushuan së funksionuari dhe nisën të shkatërroheshin.

Mullinjtë që përdoren sot në industri nuk të zgjojnë imagjinatën siç ndodhte me mullinjtë me ujë të së kaluarës. Bluarja bëhet në makineri moderne, shpesh të kontrolluara nga kompjuterët. Cilindrat prej çeliku kanë zëvendësuar shumicën e gurëve të mullirit. Megjithatë, karakteri fshataresk i mullinjve të vjetër që kanë mbetur, ende i bën për vete ata që pëlqejnë mjediset e qeta dhe romantike, si edhe turistët që duan të dinë për kulturën dhe historinë.

Sot disa mullinj janë transformuar në qendra argëtimi për shkak të bukurisë tërheqëse. Shumë vizitorë kur vijnë në Pragë vizitojnë rrotën e mullirit në Çërtovka, që do të thotë «rrjedha e djallit» dhe që është një degë e lumit Vëltava. Ky mulli pushoi së funksionuari në vitin 1938 pasi u bë shkrumb e hi nga zjarri. Por rrota e tij rreth 7 metra e lartë, e ndërtuar më shumë se 600 vjet më parë, u restaurua në vitin 1995 si një monument kulture. Që nga ajo kohë e deri më sot, rrota vazhdon të rrotullohet.

Ndërkohë që soditim një mulli të restauruar, me imagjinatën tonë kthehemi një shekull prapa, dhe para syve na shfaqet mullisi teksa është i zhytur në punën e tij. Mund të dëgjojmë pllaquritjen, ndërkohë që rrota e mullirit rrotullohet. Pak nga pak që largohemi, imazhi i mullirit tretet në largësi. Por trokitja ritmike e rrotave vazhdon të na kumbojë në veshë​—një ritëm i këndshëm që do ta kujtojmë për një kohë të gjatë.

[Figura në faqen 22]

Mokër

[Figurat në faqet 22, 23]

1. Një pastrues dore i vjetër për grurin

2. Një nga vendet e bluarjes

3. Boshti kryesor që transmeton forcën lëvizëse nga rrota e ujit në vendet e bluarjes

4. Rrota e ujit rreth 7 metra e lartë në Çërtovka, e cila vë në punë mullirin

[Figura në faqen 24]

Rrota e mullirit në Çërtovka