Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të fiksuar pas bukurisë

Të fiksuar pas bukurisë

Të fiksuar pas bukurisë

MARIA * është një vajzë e re, e zonja dhe ka një familje të këndshme. Prapëseprapë nuk është e lumtur. Pse? Nuk i pëlqen pamja e vet. Ndonëse familjarët përpiqen ta inkurajojnë, Maria mendon se nuk është fare e bukur, dhe kjo e dëshpëron.

Hozeja vjen nga një familje e respektuar dhe duket se nuk i mungon asgjë që të mos jetë i lumtur. Megjithatë mendon se nuk do të gjejë kurrë një bashkëshorte. Përse? Hozeja thotë se nuk është i pashëm, madje është i shëmtuar. Ai është i bindur se asnjë grua që ia vlen nuk do t’ia hedhë sytë.

Luisi tetëvjeçar e ka qejf shkollën dhe është mjaft i shoqërueshëm. Atij i pëlqen të luajë me shokët e shkollës, por shpesh qan, sepse të tjerët e tallin për pamjen e tij. I thonë se është i shëndoshë.

Këto raste nuk janë të rralla. Të thuash se Maria, Hozeja dhe Luisi thjesht vuajnë nga mungesa e vlerësimit për veten, mund të nënkuptonte ta thjeshtoje tepër problemin. Ç’është e vërteta askush nuk dëshiron të ndihet i shpërfillur për shkak të pamjes së jashtme.

Sidoqoftë, shoqëria i jep tepër rëndësi pamjes së jashtme. Në fakt shpesh duket sikur suksesi varet nga pamja e jashtme. Për shembull, shumica e njerëzve të pashëm me sa duket kanë më shumë mundësi për të gjetur punë. Pilar Muriedasi, një nga drejtueset e Rrjetit për Shëndetin e Grave në Amerikën-Latine dhe në Karaibe, thotë se për gratë «të kenë një pamje të bukur është një nga kërkesat kryesore për të qenë të suksesshme». Dhe siç thotë dr. Laura Martinezi, gratë e dinë mirë se, në fund të fundit, «pamja ka shumë rëndësi kur është fjala për një vend pune».

Sigurisht edhe shumë burrave u është bërë fiksim që të kenë një trup «të përsosur». Po, shumë individë nga të dyja gjinitë, janë gati të harxhojnë shumë kohë dhe të bëjnë çmos për t’u bërë të bukur. Madje janë gati edhe t’i gërryejë uria ose t’u nënshtrohen trajtimeve të dhembshme, vetëm që të kenë një fytyrë dhe një trup sa më të bukur. A ia vlejnë gjithë këto përpjekje? A ka ndonjë rrezik?

[Shënimi]

^ par. 2 Emrat janë ndryshuar

[Figura në faqen 3]

Pamja e jashtme mund të ndikojë në mundësitë që i ofrohen dikujt