Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Ah, sikur të gjithë të rinjtë të arrinin ta kuptonin këtë!»

«Ah, sikur të gjithë të rinjtë të arrinin ta kuptonin këtë!»

«Ah, sikur të gjithë të rinjtë të arrinin ta kuptonin këtë!»

DAVIDI pasi mbaroi shkollën e mesme, ndryshe nga shumë të rinj të cilët kanë synime materialiste, kishte ndër mend plane të tjera. Në shtator të vitit 2003, bashkë me një shokun e tij, u shpërngulën nga Ilinoisi, Shtetet e Bashkuara, për në Republikën Domenikane. * Dejvi, siç e thërritnin miqtë dhe familja, vendosi të mësonte spanjishten që të merrte pjesë në veprën e arsimimit biblik bashkë me Dëshmitarët e Jehovait në kongregacionin e Navës. Kongregacioni e mirëpriti duke e bërë të ndihej si në shtëpinë e tij. «Dejvi bënte gjithçka që i kërkohej,​—thotë Huani, mbikëqyrësi i vetëm në atë kongregacion.​—Vëllezërit e donin shumë sepse ishte gjithmonë gati për t’i ndihmuar të tjerët.»

Dejvit, i pëlqente shumë shërbimi që bënte në territorin ku ishte caktuar. «Këtu po ia kaloj shumë mirë,​—i shkroi ai një mikut të tij në Shtetet e Bashkuara.​—Shërbimi është fantastik! Flasim gati 20 minuta në çdo derë, pasi njerëzit duan të dëgjojnë çdo gjë që mund t’u thuash. Tashmë drejtoj gjashtë studime biblike, por ende kemi nevojë për ndihmë. Në një mbledhje ishim 103 të pranishëm, ndërkohë që kongregacioni ynë përbëhet nga 30 lajmëtarë të Mbretërisë.»

Mjerisht, më 24 prill 2004, Dejvi bashkë me një të ri nga i njëjti kongregacion, humbën jetën në një aksident. Deri ditën e vdekjes, Dejvi ishte plot entuziazëm dhe inkurajonte të rinj të tjerë të vendlindjes së tij që të bashkoheshin me të në të njëjtin shërbim. Ai i shkroi një Dëshmitareje në moshë të re: «Ky shërbim do të të bëjë t’i shohësh gjërat nga një këndvështrim tjetër.»

Dejvi e provoi vetë këtë lidhur me gjërat materiale. «Njëherë kur kishte ardhur për vizitë në shtëpi,​—kujton i ati,​—Dejvin e ftuan të shkonte për ski. Ai pyeti se sa do t’i kushtonte e gjithë kjo. Kur i thanë shumën, Dejvi tha se nuk do të harxhonte në asnjë mënyrë aq shumë para për të bërë ski, ndërkohë që me këto para mund të kalonte disa muaj në Republikën Domenikane.»

Zelli i Dejvit ndikoi te të tjerët. «Kur dëgjova për gjërat që bënte Dejvi dhe sa i lumtur ishte,​—thotë një e re nga vendi i tij,​—mendoja se edhe unë mund të bëja diçka të ngjashme. Kur Dejvi vdiq, fillova të pyesja veten: ‘Çfarë do të thoshin për mua nëse do të vdisja? A do të kisha pasur një ndikim kaq pozitiv në jetën e të tjerëve?’»

Si Dëshmitarë të Jehovait, prindërit e Dejvit, motra dhe vëllai i tij, kanë besim të plotë se Perëndia do ta ringjallë Dejvin në botën e re të drejtësisë që po vjen. (Gjoni 5:28, 29; Zbulesa 21:1-4) Ndërkohë, ata ngushëllohen duke ditur se Dejvi e jetoi jetën në mënyrën më të mirë të mundshme​—në shërbim të Krijuesit të tij. (Predikuesi 12:1) Duke komentuar për vendimin e tij që të shërbente atje ku kishte më shumë nevojë, një herë Dejvi tha: «Do të doja që çdo i ri dhe e re të mund të bëjë të njëjtën gjë dhe të provojë të njëjtën kënaqësi që po provoj edhe unë. Nuk ka asgjë më të mirë sesa t’i shërbesh Jehovait me gjithë shpirt. Ah, sikur të gjithë të rinjtë të arrinin ta kuptonin këtë!»

[Shënimi]

^ par. 2 Ngjashëm Davidit, shumë Dëshmitarë të Jehovait kanë shkuar për të shërbyer si vullnetarë në një vend tjetër ku ka më shumë nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë. Disa madje, po mësojnë një gjuhë të huaj për t’u mësuar të tjerëve të vërtetat e Fjalës së Perëndisë. Për momentin në Republikën Domenikane po shërbejnë më shumë se 400 vullnetarë të tillë.