Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Burimet e tokës po pakësohen

Burimet e tokës po pakësohen

Burimet e tokës po pakësohen

«Në natyrë çdo gjë është e lidhur me të tjerat dhe sot mbajmë përgjegjësi për gabimet trashanike të së kaluarës.»​—Revista African Wildlife.

SIPAS Fondit Botëror për Natyrën, që nga vitet 80, njerëzit po i shfrytëzojnë burimet natyrore të tokës me ritme më të shpejta nga ç’është aftësia e tyre për t’u ripërtërirë. * Por ky fakt është vetëm një tregues i ngarkesës tejet të madhe që po përballon mjedisi.

Një tregues tjetër është gjendja e ekosistemeve të tokës. Termi «ekosistem» përdoret për të treguar bashkëveprimin e ndërlikuar që ekziston midis të gjithë organizmave brenda një mjedisi natyror, përfshirë gjallesat dhe jogjallesat. Mirëqenia e këtyre ekosistemeve që tregohet nga numri i llojeve që rriten në pyje, në ujërat e ëmbla dhe të kripura, përbën atë që Fondi Botëror për Natyrën e quan Treguesi i Gjallesave të Planetit. Nga viti 1970 deri në vitin 2000 ky tregues u zvogëlua rreth 37 për qind.

A mjaftojnë për të gjithë burimet natyrore?

Nëse jetoni në një vend perëndimor ku dyqanet janë të mbushura plot e përplot dhe rrinë hapur ditë e natë, është e vështirë të mendosh se mund të na kanoset ndonjë krizë për burimet natyrore. Megjithatë, vetëm një pakicë e banorëve të tokës gëzojnë një standard të lartë jetese. Shumica nuk i shpëtojnë dot luftës së përditshme për mbijetesë. Për shembull, sipas llogaritjeve ka më shumë se dy miliardë njerëz që jetojnë me tre dollarë në ditë ose më pak, kurse dy miliardë veta nuk kanë energji elektrike.

Disa njerëz ua vënë fajin praktikave tregtare të vendeve të pasura për varfërinë që rëndon mbi vendet në zhvillim. Libri Vital Signs 2003 thotë: «Në shumë drejtime ekonomia botërore shkon kundër interesave të të varfërve.» Ndërkohë që gjithnjë e më shumë njerëz kacafyten kush e kush të zhvatë nga mjedisi një «thelë» që sa vjen e bëhet edhe më e vogël dhe më e kushtueshme, ata që kanë vështirësi ekonomike nuk kanë fuqi financiare për të konkurruar me të tjerët që të marrin pjesën që u takon. Ky fakt bën që të mbeten më shumë burime natyrore në dispozicion të atyre që kanë në dorë paranë, pra të të pasurve.

Pyje që po zhduken

Afro 80 për qind e banorëve të Afrikës përdorin zjarrin me dru për të gatuar. Veç kësaj, «Afrika ka përqindjen më të lartë në botë për sa i përket shtimit të përgjithshëm të popullsisë dhe shtimit të popullsisë në zonat urbane»,​—thotë revista Getaway e Afrikës së Jugut. Si pasojë territori përreth i disa qyteteve të mëdha të Sahelit, një brez i gjerë toke gjysmëshkretinore në cepin jugor të shkretëtirës së Saharasë, është zhveshur nga pemët në një rreze prej 100 kilometrash. Këto pemë nuk u prenë për punë tekash. ‘Shumica dërrmuese e banorëve të Afrikës e shkatërrojnë mjedisin ku jetojnë vetëm për të mbijetuar’,​—thotë profesori Samuel Nana-Sinkam.

Gjendja është shumë ndryshe në Amerikën e Jugut. Kështu në Brazil janë regjistruar rreth 7.600 shoqëri që merren me prerjen dhe transportimin e drurëve nga pyjet e shiut. Shumë prej tyre janë pronë e organizatave të fuqishme ndërkombëtare, të cilat janë bashkim shoqërish që ushtrojnë biznese të ndryshme. Një dru mogani i kushton 30 dollarë një shoqërie për prerjen e drurëve. Megjithatë, pasi ndërmjetësit, tregtarët dhe përpunuesit nxjerrin fitimin e tyre, vlera e po këtij druri rritet dhe mund të arrijë deri në 130.000 dollarë derisa të përfundojë në dyqanin e mobiljeve. S’është aspak çudi që mogani është quajtur ari i gjelbër.

Shumë është shkruar për shkatërrimin e pyjeve të shiut në Brazil. Pamjet e marra me satelit tregojnë se nga viti 1995 deri në vitin 2000 u shkatërruan më shumë se 20.000 kilometra katrorë pyje braziliane çdo vit. «Ky ritëm frikësues shkatërrimi do të thotë se në çdo tetë sekonda është zhdukur një zonë pyjore sa një fushë futbolli»,​—thotë revista braziliane Veja. Është interesante që sipas raporteve, në vitin 2000, më shumë se 70 për qind e drurit të moganit të prerë në pyjet braziliane është importuar vetëm nga Shtetet e Bashkuara.

Historia e shpyllëzimit është e ngjashme edhe në vende të tjera të botës. Për shembull, gjysma e pyjeve dhe e xhunglave të Meksikës janë zhdukur gjatë 50 viteve të fundit. Zhdukja e pyjeve filipinase ka qenë edhe më e rëndë. Ky vend humbet rreth 100.000 hektarë pyje çdo vit dhe më 1999 u llogarit se po të ecej me këtë ritëm, brenda një dhjetëvjeçari, mund të shfaroseshin dy të tretat e pyjeve të vendit.

Ndoshta duhen 60 deri në 100 vjet që një dru i fortë të rritet plotësisht, por mjaftojnë vetëm disa minuta që ai të pritet. E pra, a duhet të habitemi që rritja e pyjeve nuk mund të ecë me të njëjtin hap me prerjen e tyre?

Toka që po zhduken

Kur toka zhvishet nga bimësia, shtresa e punueshme e lënë djerr thahet dhe gërryhet nga era ose uji. Ky proces quhet erozion.

Erozioni është një proces që ndodh normalisht në natyrë dhe në përgjithësi nuk përbën një problem serioz nëse njeriu nuk e përshpejton për shkak të administrimit të dobët të tokës. Për shembull, revista China Today thotë se stuhitë e rërës bashkë me faktorë të tjerë, siç janë shpyllëzimi dhe kullotja pa kriter, «e kanë përshpejtuar zgjerimin» e zonave shkretinore. Thatësira e pazakontë e viteve të fundit ka bërë që provincat perëndimore dhe veriperëndimore të Kinës të jenë të pambrojtura ndaj erërave të forta siberiane që fryjnë vrullshëm në mbarë vendin. Miliona tonë rëre e verdhë dhe pluhur janë zhvendosur dhe disa kanë arritur deri në Kore dhe Japoni. Rreth 25 për qind e sipërfaqes së thatë të Kinës sot është shkretëtirë.

Zvogëlimi i tokës së punueshme në Afrikë ka ardhur nga shkaqe të ngjashme. «Duke prerë pyjet për të mbjellë drithëra,​—thotë Africa Geographic,​—fermerët e kanë dëmtuar në mënyrë të pariparueshme shtresën e hollë të dheut.» Është llogaritur se pasi hiqen shkurret nga një ngastër toke, brenda tre vjetësh pjelloria e saj bie 50 për qind. Prandaj, revista shton: «Miliona hektarë tashmë janë bërë të pafrytshëm dhe miliona të tjerë po shkojnë drejt asaj rruge, ndërkohë që rendimenti bujqësor në disa zona po bie nga viti në vit.»

Thuhet se Brazili humbet 500 milionë tonë dhé çdo vit për shkak të erozionit. Në Meksikë, Seksioni i Mjedisit dhe i Burimeve Natyrore thotë se erozioni po dëmton 53 për qind të shkurrishtave, 59 për qind të xhunglave dhe 72 për qind të pyjeve. Në një raport të Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara thuhet se duke marrë për bazë gjithë informacionet, «erozioni po dëmton gati dy të tretat e tokës bujqësore në botë. Si pasojë, prodhimi bujqësor po bie me të shpejtë, kurse gojët për t’u ushqyer po shtohen vazhdimisht».

Uji​—Falas, e megjithatë i shtrenjtë

Njeriu mund të jetojë afërsisht një muaj pa ushqim, por pa ujë do të vdiste pak a shumë për një javë. Prandaj specialistët thonë se pakësimi i rezervave të ujit të pijshëm do të bëhet shkak për konflikte gjithnjë e më të mprehta në vitet e ardhshme. Sipas një artikulli të revistës Time në vitin 2002, në mbarë botën ka më shumë se një miliard njerëz që mezi e sigurojnë ujin e pijshëm.

Mungesa e ujit vjen nga një sërë shkaqesh. Në Francë, një nga shkaqet është ndotja, e cila po bëhet gjithnjë e më shqetësuese. «Lumenjtë e Francës janë në një gjendje shumë të keqe»,​—thotë gazeta Le Figaro. Shkencëtarët kanë zbuluar se në rrënjë të problemit janë ujërat e reshjeve që marrin me vete sasi të mëdha nitratesh. Ndotja e këtyre ujërave shkaktohet kryesisht nga plehrat që përdoren në bujqësi. «Lumenjtë e Francës derdhën 375.000 tonë nitrate në oqeanin Atlantik gjatë vitit 1999, pothuajse dyfishi i sasisë së derdhur më 1985»,​—thotë gazeta.

Edhe në Japoni situata është e ngjashme. Jutaka Une, drejtuesi i një organizate jofitimprurëse që merret me problemet e bujqësisë, thotë se «fermerët nuk kanë rrugë tjetër përveçse të përdorin plehrat kimike dhe pesticidet për t’iu përgjigjur kërkesave të shoqërisë», dhe kështu të sigurojnë një burim të vazhdueshëm ushqimesh në vend. Kjo ka çuar në ndotjen e ujërave nëntokësore, të cilën gazeta IHT Asahi Shimbun e Tokios e quan «një problem të madh në mbarë Japoninë».

Gazeta Reforma thotë se në Meksikë, 35 për qind e sëmundjeve «e kanë origjinën te faktorët e mjedisit». Për më tepër, një studim i bërë nga drejtuesi i seksionit të shëndetësisë zbuloi se «një në çdo katër banorë nuk kanë kanalizime të ujërave të zeza, më shumë se 8 milionë e mbushin ujin në puse, lumenj, liqene ose përrenj; dhe më shumë se një milion e marrin ujin me autobot». Nuk është çudi që 90 për qind e rasteve me diarre në Meksikë mendohet se vijnë nga uji i ndotur.

Revista braziliane Veja thotë: «Plazhet e Rios nuk ofrojnë vetëm diellin e nxehtë, rërën e bardhë dhe detin blu. Ato strehojnë edhe shumë baktere me origjinë fekale dhe herë pas here edhe derdhje nafte.» Kjo vjen ngaqë më shumë se 50 për qind e ujërave të zeza në Brazil derdhen drejtpërdrejt në lumenj, liqene dhe oqean pa u trajtuar më parë. Si pasojë ka një mungesë të vazhdueshme për ujë të pastër. Lumenjtë përreth qytetit më të madh të Brazilit, San-Paulos, janë kaq të ndotur saqë ujin e pijshëm e sjellin nga një vend që është rreth 100 kilometra larg.

Në anën tjetër të globit, në Australi, mungesa e ujit vjen kryesisht nga një proces i quajtur kripëzimi. Për dhjetëvjeçarë me radhë pronarët e tokave inkurajoheshin të pastronin tokat nga bimësia që të mbillnin drithëra. Meqë drurët dhe shkurret që thithnin më parë ujin nga nëntoka u pakësuan, niveli i ujërave nëntokësore filloi të ngrihej, duke sjellë me vete nga nëntoka mijëra tonë kripë. «Rreth 2,5 milionë hektarë tokë janë dëmtuar tashmë nga kripëzimi,​—thotë Organizata Australiane e Kërkimeve Shkencore dhe Industriale të Komonuelthit (CSIRO).​—Një pjesë e mirë e kësaj sipërfaqeje është ndër tokat më pjellore të Australisë.»

Disa mendojnë se në qoftë se ligjvënësit australianë nuk do të kishin vënë fitimin para interesit të përbashkët, problemi i kripëzimit mund të ishte mënjanuar. «Qeverive iu tha që nga viti 1917, se sidomos zona e kultivimit të drithërave ishte e prirur për t’u prekur nga kripëzimi,​—thotë Hjugo Bekëli në universitetin australian «Edit Kauën» në Perth.​—Informacioni rreth ndikimit të heqjes së drurëve në kripëzimin e përrenjve u botua aty nga vitet 20 dhe fakti që heqja e bimësisë shkakton ngritjen e nivelit të ujërave nëntokësore u pranua nga Seksioni i Bujqësisë në vitet 30. Në vitin 1950 CSIRO-ja bëri një studim të hollësishëm në ndihmë të qeverisë australiane, . . . megjithatë, qeveritë vazhdimisht i kanë shpërfillur këto paralajmërime, duke i nënvlerësuar shkencëtarët si njerëz me paragjykime.»

Mbijetesa në rrezik

Pa dyshim, shumë nga veprimet e njerëzve janë nisur me qëllime të mira. Por siç ndodh shpesh, ne thjesht nuk e njohim aq mirë mjedisin, sa të parashikojmë me saktësi pasojat e veprimeve tona. Pasojat kanë qenë shkatërrimtare. «E kemi prishur kaq shumë ekuilibrin e jetës, saqë kemi vënë në rrezik vetë tokën që na mban dhe nëpërmjet saj, vetë mbijetesën tonë»,​—thotë Tim Flaneri, drejtor i Muzeut të Australisë Jugore.

Cila është zgjidhja? A do të mësojë ndonjëherë njeriu të jetojë në harmoni me mjedisin? Vërtet, a mund të shpëtohet Toka?

[Shënimi]

^ par. 3 Për shembull është llogaritur se në vitin 1999 ky deficit arriti rreth 20 për qind. Kjo do të thotë se për të zëvendësuar sasinë e burimeve natyrore që harxhuan njerëzit gjatë një periudhe 12-mujore u deshën më shumë se 14 muaj.

[Kutia në faqen 6]

Çdo pikë është e çmuar

Vetëm me disa masa të thjeshta mund të kurseni shumë litra ujë.

● Rregullojini rubinetat që pikojnë.

● Mos rrini shumë në dush.

● Mbylleni çezmën ndërkohë që rruheni ose lani dhëmbët.

● Përdorini dy ose tri herë peshqirët e banjës para se t’i lani.

● Para se të lani me lavatriçe, pritni deri sa të keni grumbulluar aq rroba të palara sa të plotësohet pesha maksimale. (Edhe makinën për larjen e pjatave mbusheni plot kur ta përdorni.)

[Kutia dhe figura në faqen 7]

Kush përdor me kursim, do të ketë fitim

● Gazeta The Canberra Times thotë se ndonëse Australia është kontinenti më i thatë, më shumë se 90 për qind e ujit që përdoret për vaditje në këtë vend u shkon të mbjellave duke përdorur metodën e vjetër «të ujitjes me përmbytje dhe me brazda». Kjo është e njëjta «metodë që përdorej edhe në kohën kur faraonët ndërtonin piramidat».

● Në shkallë botërore, sasia mesatare e ujit për person (përfshirë edhe ujin e përdorur në bujqësi dhe industri) është afro 550.000 litra në vit. Megjithatë, sasia mesatare që harxhon një banor i zakonshëm i Amerikës së Veriut është gati 1.600.000 litra ujë në vit. Në një nga republikat e ish-Bashkimit Sovjetik harxhohet sasia më e madhe e ujit për person, mesatarisht mbi 5,3 milionë litra ujë në vit.

● Sipas revistës Africa Geographic, duhen mesatarisht 4 hektarë për të marrë prodhimet bujqësore që konsumon në vit një afrikano-jugor. Por, vendi mund të shfrytëzojë vetëm 2,4 hektarë tokë bujqësore për person në vit.

[Figura në faqen 5]

Pamje nga zona e Sahelit të shpyllëzuar në Burkina-Faso. Para 15 vjetësh, kjo zonë kishte një bimësi të dendur

[Burimi]

© Jeremy Hartley/Panos Pictures

[Figura në faqen 8]

Metoda bujqësore ‘prit dhe digj’ po shkatërron pyjet e shiut në Kamerun

[Burimi]

© Fred Hoogervorst/Panos Pictures

[Figura në faqen 8]

Ndotja nga automjetet është ende shqetësuese në Shtetet e Bashkuara

[Figura në faqet 8, 9]

Gjatë viteve 1995-2000, në Brazil u shkatërruan çdo vit afro 20.000 kilometra katrorë pyje

[Burimi]

© Ricardo Funari/SocialPhotos.com

[Figura në faqen 9]

Më shumë se dy miliardë njerëz jetojnë me tre dollarë në ditë ose më pak

[Burimi]

© Giacomo Pirozzi/Panos Pictures

[Figura në faqen 9]

Uji që buron nga nëntoka dhe që furnizon pusin e këtij fshati në Indi është ndotur për shkak të fermave të rritjes së karkalecave të detit

[Burimi]

© Caroline Penn/Panos Pictures