Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
Bëjeni leximin të kënaqshëm për fëmijët tuaj
«Është vërejtur se fëmijët që i kanë prindërit lexues të mirë ndjekin shembullin e tyre»,—pohon specialistja e neurolinguistikës Beatriz Gonzalez Ortunio, në një artikull të gazetës meksikane Reforma. Duke qenë se fëmijët kanë aftësi të jashtëzakonshme për të mësuar, do të ishte mirë që t’u nxitnit interesin për leximin, madje edhe para se ata të arrijnë t’i dallojnë zanoret. Për shembull, mund t’u lexoni tregime që do t’i ndihmojnë të zhvillojnë imagjinatën. Që t’ua bëni të kënaqshëm leximin fëmijëve, gazeta jep disa nga sugjerimet e mëposhtme: «Uluni bashkë me fëmijët. . . . Lërini t’i kthejnë vetë faqet e librit, t’ju ndërpresin kur të duan dhe t’ju pyesin. . . . Kërkojini që t’ju flasin për objektet dhe personazhet që shfaqen në tregim, dhe përgjigjjuni të gjitha pyetjeve të tyre. . . . Ua lidhni gjërat që lexuat në libër me vetë jetën e tyre.»
Elefantët dhe specat djegës
Elefantët në parqet natyrore të Afrikës, kanë qenë prej kohësh shkaku i grindjeve ndërmjet mbrojtësve të mjedisit dhe fermerëve. Gardhet, zjarret dhe zhurma e lartë e daulleve, kanë dështuar që t’i mbajnë elefantët brenda kufijve të këtij parku. Elefantët endacakë kanë shkatërruar herë pas here të mbjellat, dhe madje, kanë shkelur disa njerëz duke u shkaktuar vdekjen. Por më në fund, u gjet mjeti për t’i sprapsur: speci djegës. Në vendet ku specat mbillen përgjatë kufirit të parkut, siç raporton gazeta e Afrikës së Jugut The Witness, elefantët kthehen mbrapsht, të neveritur «nga era e bimës». Rojat e parkut janë shumë të kënaqur, pasi tani nuk u duhet më që «tufat e elefantëve, t’i kthejnë mbrapsht brenda parkut», kështu dëmet në të mbjellat e fermerëve të asaj zone janë pakësuar. Specat djegës mund të jenë gjithashtu një burim të ardhurash.
Mesazhet në celular prishin gjumin
«Mesazhet në celular prishin gjumin e të rinjve»,—thotë buletini gjerman për shëndetin Apotheken Umschau. Gjatë një studimi që u bë në Universitetin e Leuvenit, Belgjikë, 2.500 fëmijë të moshave 13 deri në 16-vjeçare, u pyetën se sa shpesh zgjoheshin prej mesazheve që u vinin në celularë, dhe sa të lodhur ndiheshin gjatë periudhave të ndryshme kohore. Dhjetë për qind e këtyre të rinjve, raportuan se ishin zgjuar të paktën një herë në javë. Tre për qind prej tyre, u ishte prishur gjumi çdo natë për të njëjtën arsye. Sipas njërit prej studiuesve, «zbulimet tregojnë se celularët mund të kenë një ndikim të fuqishëm në cilësinë e gjumit të një numri sa vjen e më të madh adoleshentësh». Buletini rekomandon: «Prindërit duhet të sigurohen që celulari i fëmijës të jetë i fikur gjatë natës.»
Si arrijnë peshqit të notojnë kundra rrymës?
Sipas një studimi të botuar në revistën Science, troftat e përroit dhe lloje të tjera peshqish, shfrytëzojnë vorbullat që formohen rreth e qark objekteve të palëvizshme nën ujë. Kështu, kursejnë energjitë që u duhen për të notuar kundra rrymës. Sipas revistës New Scientist, duke e ndryshuar pozicionin e trupit dhe duke i sinkronizuar lëvizjet me vorbullat, troftat kursejnë kaq shumë energji, saqë nuk u duhet t’i përdorin muskujt kryesorë të notimit. «Me anë të kësaj metode, kur lëvizin përmes një vorbulle, harxhojnë shumë pak energji»,—shpjegon një nga studiuesit, Xhorxh Lauderi, i cili merret me studimin e proceseve biomekanike, në Universitetin e Harvardit. Në fakt, «peshqit, për të përfituar nga vorbullat, i përkulin trupat e tyre në formën e fletëve të një aliskafi, ashtu si një barkë me vela lundron në drejtimin të kundërt me erën», vazhdon të thotë New Scientist.
Të moshuarit nuk janë një barrë
«Në vend se të përqendrohemi vetëm te shpenzimet që kërkon kujdesi për të moshuarit, është e rëndësishme të mbajmë parasysh dobitë dhe kursimet që vijnë nga puna vullnetare që bëjnë këta të moshuar,—thotë një raport i botuar nga Instituti Australian për Studimet Familjare.—Në përgjithësi, puna pa pagesë që bëjnë të moshuarit siguron një mbështetje, të cilën zor se do ta siguronte puna që paguhet.» Studimi zbulon se «australianët e moshës mbi 65-vjeç, duke punuar pa pagesë, i kursejnë shoqërisë rreth 22 miliardë euro çdo vit». Aktivitetet e tyre vullnetare përfshijnë: kujdesin për fëmijët, punën si infermier për të rriturit e sëmurë dhe punë shtëpiake. Gjithë kjo punë e papaguar, theksojnë studiuesit, «mund të veprojë si një ‘ngjitës’ që ndihmon shoqërinë të jetë e bashkuar». E gjithë vlera e kësaj pune vullnetare, nuk mund të matet thjesht me para.
Teksti i shtypur më i vjetër që i ka mbijetuar kohës
Në lajmet e BBC-së njoftohet se Biblioteka Britanike përmban atë që besohet se është teksti i shtypur më i vjetër që i ka mbijetuar kohës. Teksti budist, i quajtur Diamond Sutra, që daton që nga viti 868 të e.s., u gjet në vitin 1907 në një shpellë të qytetit të Dunhuanit, Kinë. «Ky botim është një rrotull prej letre ngjyrë gri, e shkruar me shkronja kineze dhe e mbështjellë në një shtyllë druri»,—thotë raporti. Libri dhe sendet e tjera të gjetura bashkë me të, mendohet të kenë qenë «pjesë e një biblioteke, e cila u muros brenda shpellës rreth vitit 1000 të e.s.». Kjo rrotull, u shkrua qindra vjet para se të fillonte në Evropë shtypja me shkronja të lëvizshme, por siç vëren edhe raporti i BBC-së, «në atë kohë në Kinë, prodhimi i letrës dhe shtypja, tashmë ishin mjaft të njohura».
Zhurma ngadalëson shpejtësinë e reagimit
«Sa më shumë zhurmë të ketë, aq më ngadalë reagoni edhe ju»,—thotë The Toronto Star. Këto janë rezultatet e një studimi të drejtuar në universitetin «Memorial», Njufaundlend Kanada, nga kërkuesi Duan Batën, me disa persona të cilët, ndërkohë që bënin punë fizike dhe mendore, dëgjonin zhurma të niveleve të ndryshme. Ai zbuloi se ekspozimi ndaj zhurmës 53 decibel, që bëhet në ambientet e zyrave, e ngadalëson shpejtësinë e reagimit të personit 5 për qind, ndërsa zhurma në qendrat industriale prej 95 decibelësh, e ngadalëson 10 për qind. Edhe pse ndryshimet në shpejtësinë e reagimit janë tepër të vogla, raporti thekson se «pikërisht këto të qindta të sekondës ndikojnë shumë gjatë një udhëtimi me makinë». Siç thotë Batëni, madje edhe një vonesë prej 35 të mijtave të sekondës, rrit rrezikun e pasjes së një aksidenti.
Kishat po dalin në shitje
Kryedioqeza katolike romake e Bostonit, SHBA, ka njoftuar se do t’i mbyllë 65 nga 357 famullitë e saj, pra, gati një të pestën. Nga këto, 60 kisha dhe 120 ndërtesa që lidhen me to do të shiten. Sipas gazetës The New York Times, ky ndryshim ka «ndodhur pjesërisht nga ulja e pjesëmarrjes në kishë dhe nga rritja e problemeve financiare, që erdhën si pasojë e krizës që u shkaktua nga abuzimet seksuale midis anëtarëve të klerit». Gazeta citon fjalët e R. Skot Apëlbi, drejtori i qendrës Koshua për Studimin e Katolicizmit Amerikan, në Universitetin e Notrë Damit, i cili thotë se «skandali i ka pakësuar burimet financiare të kryedioqezës» kaq shumë, sa ajo nuk mund «t’i përballojë shpenzimet për famullitë».