Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vizitë e paharrueshme në kraterin Ngorongoro

Një vizitë e paharrueshme në kraterin Ngorongoro

Një vizitë e paharrueshme në kraterin Ngorongoro

Nga një shkrimtar i Zgjohuni! në Tanzani

«NËSE engjëjt do ta kishin fotografuar kopshtin e Edenit dhe ne do ta krahasonim atë pamje me fotografitë që mund t’i bëjë dikush sot kraterit Ngorongoro, nuk do të dallonim ndonjë ndryshim shumë të madh.» Kështu shkroi në librin e tij Rajnhart Kynkeli për këtë vend mjaft tërheqës në Tanzani. Krateri Ngorongoro është vërtet një vend i bukur, i mbushur me mijëra kafshë të egra. Ejani me ne dhe shijoni çfarë ju servir natyra!

Një pamje që të lë me gojë hapur

Pas katër orë udhëtimi me makinë, nëpër rrugët gjithë pluhur, më në fund mbërrijmë buzë kraterit Ngorongoro. Për të shijuar pamjen e mrekullueshme që shpaloset përpara nesh, dalim në ballkonin e hotelit ku kemi qëndruar. Panorama është vërtet e pashoqe. Vetëm tani që e shohim me sytë tanë, e kuptojmë se përse natyralistët e kanë quajtur këtë vend «mrekullia e tetë e botës».

Por, pse u quajt Ngorongoro? Askush nuk e di me siguri. Sipas Korporatës së Ruajtjes të Afrikës Lindore, disa thonë se Ngorongoro ishte emri i një masai, i cili jetonte në krater, dhe bënte këmborë për bagëtitë. Të tjerë e lidhin origjinën e këtij emri me një grup luftëtarësh trima datogë, të cilët u mundën nga masait gjatë një beteje që u zhvillua në krater, këtu e 150 vjet më parë. Megjithatë, origjina e emrit sikur s’na intereson më, kur dallojmë disa zebra që po kullotin afër vendit të parkimit. Pasi hipim në makinë, u shkojmë shumë afër, por duket sikur ato nuk na kanë vënë re. Pastaj, fillojmë të ecim drejt fundit të kraterit, për të eksploruar më nga afër botën e gjallë.

Krateri gjendet në një lartësi prej 2.236 metrash mbi nivelin e detit. Ky është krateri më i madh në botë, buzët e të cilit nuk janë prishur ose shembur. Ai ka një diametër prej 19,2 kilometrash dhe një sipërfaqe prej 304 kilometrash katrorë. Zbresim ngadalë poshtë mureve të kraterit, të larta 610 metra, me kokat jashtë dritareve të makinës për të bërë fotografi. Kur ishim buzë kraterit, ajri i mëngjesit ishte i ftohtë. Kurse brenda tij, çuditërisht, bën shumë nxehtë.

Ndërsa shoferi ynë e nget ngadalë makinën përqark shtratit të kraterit, e lëmë pas liqenin e vogël me ujë të kripur bashkë me flamingot e tij të shumtë ngjyrë rozë. Buzët e kraterit, që tani i shohim nga njëfarë largësie, duken të mprehta nën qiellin blu. Ndërkohë që dëgjojmë tingujt që lëshojnë zebrat dhe antilopat, të cilët përzihen me tinguj të tjerë të panjohur, një drithërimë na përshkon trupin nga emocionet. Pa dyshim, kjo është vërtet një parajsë!

Jeta në krater

Në kraterin Ngorongoro mezi presim të shohim buaj afrikanë, elefantë, zebra, antilopa, gazela, rinoqerontë të zinj dhe cerkopitekë (lloj majmuni), e në fakt nuk po zhgënjehemi. Gatopardët, hienat, çakejtë dhe luanët me krifë të zezë, janë disa prej grabitqarëve që enden vërdallë. Në një pellg të vogël, shohim hipopotamët tek po freskohen. Duket se nuk e kanë fare problem që të pozojnë për t’u fotografuar.

Befas shoferi ndalon. Ai tregon me gisht drejt një rinoqeronti të zi, i cili kalon vetëm pak metra përballë nesh. Rinoqeronti duket se ndihet rehat në krater, dhe ndodh vërtet rrallë që t’i shohësh nga kaq afër këto kafshë, në vendbanimin e tyre natyror. Këto kafshë që ndjellin frikë, janë afër zhdukjes; është llogaritur se në krater kanë mbetur më pak se 20 të tillë. Gjuetarë të paligjshëm janë kapur duke vrarë rinoqerontë, të cilëve u marrin brirët. Pastaj, këta brirë shiten në mënyrë ilegale për të bërë doreza kamash dhe ilaçe. Disa roje patrullojnë shpesh në krater, që t’i mbajnë larg këta gjuetarë të paligjshëm.

Dikush që është i dashuruar pas shpendëve, mezi pret të shohë një shumëllojshmëri të këtyre krijesave të bukura fluturuese, si për shembull: strucët, një lloj otarde, krillat me çafkë, çafkat e bardha, çafkat e përhime, zogjtë sekretarë, qukapikët e vegjël sqepkuqë dhe një numër të madh flamingosh të vegjël ngjyrë rozë. Krateri është një habitat me më shumë se njëqind lloje zogjsh, të cilat nuk gjenden as në Parkun Kombëtar Serengeti, që ndodhet këtu ngjitur. Aty ka qukapikë me mustaqe, apalis gushëverdhë, brubrus dhe insektgjuajtës të parajsës. Në barin e lartë, mund të shihet kthetërgjati gushërozë, madje është parë edhe sorra me pelerinë, që është një lloj i rrallë zogu.

Edhe pse shumica e kafshëve, si të thuash, nuk na begenisin dhe aq, na duhet të qëndrojmë në makinë. Ndryshon puna për banorët masai, që jetojnë në kasollet tradicionale të bëra me baltë dhe me çati prej bari në buzë të kraterit. Ata mund të enden sa të duan në krater bashkë me kopetë që kanë, pasi duket që kafshët e egra i kanë pranuar në gjirin e tyre.

Bukuria dhe qetësia e kraterit Ngorongoro është vërtet e jashtëzakonshme dhe na mbush me nderim të thellë. Kjo vizitë është një përvojë e paharrueshme!

[Figura në faqen 15]

Rinoqeront

[Figura në faqen 15]

Barinj masai në buzë të kraterit

[Figura në faqen 15]

Një grua masai

[Figura në faqen 16]

Gatopardë

[Figura në faqen 16]

Krillë me çafkë

[Figura në faqen 16]

Flamingo

[Figura në faqen 16]

Hipopotam

[Figura në faqet 16, 17]

Krateri Ngorongoro

[Figura në faqen 17]

Zebra

[Figura në faqen 17]

Buall afrikan

[Figura në faqen 17]

Elefantë

[Figura në faqen 17]

Cerkopitek