Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Toka jonë e dërrmuar

Toka jonë e dërrmuar

Toka jonë e dërrmuar

NË VITIN 1805, eksploruesit e famshëm Meriuedhër Luis dhe Uilliam Klark arritën në lumin Kolumbia, aty ku sot ndodhet shteti i Uashingtonit në SHBA. * Më shumë sesa vetë lumi, atyre u bëri përshtypje bollëku i madh i salmonit. «Është pothuajse e pabesueshme se ç’mizëri peshqish të tillë ka,​—shkruanin dy eksploruesit në ditarin e anijes.​—Rryma sjell me vete sasi shumë të mëdha salmoni dhe i nxjerr në breg, kështu që indianëve u duhet vetëm t’i mbledhin, t’i presin dhe t’i thajnë.» Mendoni, kishte kaq shumë salmon, saqë indianët i thanin dhe i përdornin për zjarr!

Sot gjendja është krejt ndryshe. «Që prej më shumë se dhjetë vjetësh shkencëtarët e dinë se ritmi me të cilin peshqit nxirren nga oqeani është më i shpejtë se ritmi me të cilin ata shumohen dhe zëvendësojnë sasinë e humbur»,​—thotë një artikull në revistën Newsweek. Për shembull në Atlantikun Verior, është zhdukur rreth 90 për qind e popullatës së salmonit.

Por nuk po pakësohen vetëm peshqit. Burimet natyrore, siç janë lëndët djegëse me origjinë fosile, mineralet dhe produktet e pyjeve, po shterojnë me ritme tronditëse. Fondi Botëror për Natyrën raporton se nga viti 1970 në vitin 1995 shteruan 30 për qind e burimeve natyrore të tokës. Shfrytëzimi i këtyre burimeve shpesh është thikë me dy presa, sepse metodat që përdoren mund t’i shkatërrojnë habitatet natyrore.

Disa njerëz arrijnë në përfundimin se meqë i krijoi njeriu këto probleme, ai është edhe në gjendje t’i zgjidhë ato. Si shembull përmendim se vitet e fundit ndotja e ajrit është pakësuar në shumë qytete të industrializuara. A na japin këto arritje një grimë shpresë se njerëzimi po e merr situatën nën kontroll?

[Shënimi]

^ par. 2 Luisi dhe Klarku ishin dërguar për të eksploruar dhe për të bërë një hartë të territoreve të blera rishtazi në perëndim të lumit Misisipi.

[Burimi i figurës në faqen 3]

© Kevin Schafer/CORBIS