Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Vendi i ‘parasë së madhe’

Vendi i ‘parasë së madhe’

Vendi i ‘parasë së madhe’

Nga një shkrimtar i Zgjohuni! në Guam

DIKU, në hapësirën e paanë të Oqeanit Paqësor, do të gjeni ishujt Japi. Bukuria tropikale dhe klima e përshtatshme, e bëjnë këtë grumbull ishujsh një liman të këndshëm për udhëtarët, që kërkojnë një vend të vetmuar. Por vizitorët, shpesh mbeten të habitur kur shohin se njerëzit e këtij vendi i lënë në rrugë paratë e tyre.

Gjithandej nëpër ishuj, përballë ndërtesave dhe përgjatë rrugëve, mund të vëresh rrotulla guri. Këto rrotulla, të quajtura rai në gjuhën e banorëve vendas, janë njësia monetare që përdoret në ishujt Japi. Edhe pse disa i mbajnë në shtëpi monedhat prej guri, shumica i depoziton nëpër «banka», domethënë, në disa vende të caktuara në fshat. Në këto institucione, nuk ka as roje sigurimi dhe as arkëtarë që t’u shërbejnë klientëve të tyre. Madje s’keni për të gjetur as edhe vetë ndërtesën! Në vend që t’i ruajnë paratë në vende të sigurta, këto «banka» i lënë pasuritë jashtë në natyrë. Ja, atje, mbështetur pas atyre pemëve të arrave të kokosit dhe pas mureve, paska më shumë rrotulla guri, secila me nga një vrimë në mes. Diametri i tyre shkon deri në 4 metra, dhe mund të peshojnë më shumë se pesë ton.

Aty ku jetoni ju, mund të mbani me vete nëpër xhepa para të shkoqura, por këtu, monedhat janë kaq të mëdha sa nuk i nxë as makina. Që nga viti 1931 nuk janë bërë më monedha të tilla guri. Megjithatë, sot në këta ishuj, pranohet ende ligjërisht përdorimi i këtyre monedhave. Si erdhi në ekzistencë kjo monedhë kaq e çuditshme?

Një punë e vështirë

Sipas një legjende, shumë kohë më parë, një grup udhëtarësh nga ishujt Japi, zbritën në ishullin Palau dhe shtinë në dorë disa gurë të bukur. Kur u kthyen në ishull i morën me vete, dhe njerëzit atje vendosën t’i përdornin si njësi monetare. Ata filluan t’i gdhendnin gurët në formën e disqeve, si forma e hënës së plotë, por me një vrimë në qendër.

Banorët e Japit e zgjidhnin me kujdes materialin që përdornin. Preferonin mineralet që tani i njohim si aragoniti dhe kalciti. Aragoniti, që gjendet në rezervat minerale të tokës, është një element që ndodhet edhe te perlat. Kurse kalciti, është përbërësi kryesor i mermerit. Këto minerale duken shumë të bukura kur gdhenden me mjeshtëri. Por në Japi, nuk gjendej asnjë prej tyre, prandaj banorët e këtij vendi vazhduan të shkonin në Palau për të marrë gurë. Palau ndodhet rreth 400 kilometra në jugperëndim të Japit dhe, për të shkuar deri atje, duhet të udhëtosh pesë ditë me një lloj të veçantë kanoe, nëpër ujëra të rrezikshme.

Në Palau, banorët e Japit, pasi siguruan lejen nga kryetari i vendit, ia nisën punës për të gërmuar shkëmbin e fortë. Duke përdorur mjete primitive, ata prenë disa pllaka guri nga shpellat e nëndheshme dhe i gdhendën këto pllaka në formë disku. Për të gdhendur një monedhë të vetme, çekani dhe dalta dëgjoheshin për muaj të tërë, e disa herë edhe për vite!

Që gurët të transportoheshin deri në breg, pllakave u hapej një vrimë në të cilën futeshin shufra me material shumë të fortë. Pastaj, atje në breg, paratë e sapo gdhendura ngarkoheshin në kanoe ose në trape bambuje. Për të transportuar një monedhë të madhe, punëtorët e mbanin atë drejt mbi ujë dhe pastaj ndërtonin një trap të madh rreth e rrotull saj. Me ndihmën e erës dhe duke vozitur me forcë, ata e tërhiqnin trapin që mbante monedhën e sapo gdhendur për ta çuar në Japi.

Gjithë kjo punë bëhej me forcën e krahëve, dhe ishte e rrezikshme. Në fakt, shumë plagoseshin dhe vriteshin, ndërkohë që pritnin dhe transportonin në tokë të thatë blloqet e mëdha të shkëmbinjve. Por edhe rruga e kthimit për në Japi mbartte rreziqet e veta. Në fund të oqeanit, përreth ishujve Japi dhe Palau, mund të shihen disa monedha guri. Kjo gjë dëshmon se jo të gjitha monedhat dhe jo të gjithë ata që i transportonin ato, ia dilnin mbanë të mbërrinin në Japi shëndoshë e mirë. Gjithsesi, këto monedha të fundosura janë pronë e dikujt në Japi. Ato kanë të njëjtën vlerë me monedhat prej guri, që janë në tokë të thatë.

Sa e ka vlerën një monedhë?

Pasi përfundohet një marrëveshje biznesi dhe rait i jepen pronarit të ri, ky i fundit në përgjithësi i lë gurët aty ky janë. Shumë kanë qenë prej dekadash në vendin ku ndodhen ende sot, dhe janë goxha larg nga shtëpitë e pronarëve të tyre të fundit. Por, nuk ekziston frika se mund t’i vjedhin.

Nëse ndonjë hajdut i ka vënë syrin ndonjë monedhe guri, në fillim duhet të mbledhë të gjitha forcat që ta ngrejë, e pastaj të jetë mjaft i pacipë sa ta bëjë një gjë të tillë. Por, edhe nëse arrin deri këtu, gjërat për të do të vështirësohen më shumë, për faktin që fqinjët e dinë mirë se kush është pronari i çdo guri, dhe i respektojnë thellë të drejtat e pronësisë.

Si e përcaktoni vlerën e një monedhe guri? Në fillim, shikoni madhësinë, bukurinë e gurit dhe cilësinë e gdhendjes. Pastaj vritni mendjen për historinë e saj. Sa e vjetër është? A ishte e vështirë për ta prerë dhe për ta gdhendur copën e shkëmbit? A rrezikuan apo humbën jetën ata që e transportuan për në Japi? Dhe së fundi, çfarë pozite shoqërore kanë ata që përfshihen në një marrëveshje tregtare? Monedhat prej guri që janë pronë e një kryetari kanë më shumë vlerë sesa ato të një njeriu të thjeshtë.

Në vitin 1960, kur një bankë e huaj bleu një monedhë guri me diametër 1,5 metra, historia e kësaj monedhe u përhap në të gjithë botën. Me sa duket, kjo monedhë ka qenë në qarkullim që nga vitet 80 të shekullit të 19-të. Njëherë, ajo kishte shërbyer si paga e punëtorëve që kishin ndërtuar një shtëpi. Në një rast tjetër, banorët e një fshati ia dhanë banorëve të një fshati fqinj, për shkak të një kërcimi të veçantë që këta kishin bërë. Më pas, një pronar shtëpie e shkëmbeu me një çati prej teneqeje. Të gjitha këto marrëveshje tregtare bëheshin pa e lëvizur gurin nga vendi dhe pa nënshkruar kontrata. Pronari dhe historia e kësaj monedhe njiheshin gjerësisht në të gjithë Japin.

Nuk është gjithmonë madhësia ajo që përcakton vlerën

Qindra vjet më parë, kur rai hyri në përdorim, monedhat prej guri ishin kaq të rralla dhe të vlefshme saqë vetëm kryetarët mund t’i zotëronin. Pastaj, nga fundi i shekullit të 19-të, veglat prej hekuri dhe anijet e mallrave bënë të mundur që të gdhendeshin dhe të transportoheshin më shumë nga këto monedha, përfshirë këtu edhe ato me përmasa tepër të mëdha. Ndonëse monedhat e reja janë më të mëdha se ato të vjetrat, nuk kanë të njëjtën vlerë, pasi nuk prodhohen në mënyrën tradicionale, e cila ishte më e mundimshme.

Në vitin 1929, nga një llogaritje zyrtare u zbulua se në Japi ishin 13.281 gurë​—më shumë se popullsia e këtyre ishujve. Por Lufta e II Botërore shkaktoi ndryshimin e kësaj shifre. Trupat ushtarake konfiskuan shumë monedha guri, dhe disa prej tyre i copëtuan që të ndërtonin pista për avionët dhe fortifikata. Vetëm gjysma e monedhave prej guri mbijetuan. Më vonë, kërkuesit e suvenirëve dhe koleksionistët privatë morën me vete shumë prej këtyre monedhave. Sot, qeveria i mbron me ligj si një thesar kulturor këto monedha prej guri.

Në Japi, paratë nuk rriten në pemë dhe as rrugët nuk janë të shtruara me flori. Por banorët, ende i lënë paratë e tyre në rrugë që t’i shohin të gjithë!

[Hartat në faqen 20]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Japoni

OQEANI PAQËSOR

Filipine

Sajpan

Guam

Jap

Palau

[Burimi]

Globe: Mountain High Maps® Copyright © 1997 Digital Wisdom, Inc.

[Figura në faqen 21]

«Bankë» monedhash prej guri

[Figura në faqen 22]

Disa monedha në Japi mund të peshojnë më shumë se pesë tonë