Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kalorës deti në miniaturë

Kalorës deti në miniaturë

Kalorës deti në miniaturë

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË AUSTRALI

BALENAT, delfinët, peshkaqenët​—këto gjallesa detare mbresëlënëse, pa dyshim, ju zgjojnë imagjinatën. Gjithsesi, deti përmban «kafshë të vogla të përziera me të mëdha». (Psalmi 104:25, DSF) Për ata që kanë sy të mprehtë, edhe gjallesat e vogla janë tërheqëse për t’u parë.

Për shembull, në fund të oqeanit, lëvrijnë gjallesa që përshkruhen si «kalorësit e detit të armatosur gjer në dhëmbë». Ndryshe nga ekuivalentët e tyre të mesjetës, shumë prej këtyre «kalorësve» në miniaturë kanë një koracë të zbukuruar me një larmi fantastike ngjyrash dhe modelesh. Këta banorë të vegjël të thellësive, i përkasin një grupi gjallesash të quajtura krustace dhe njihen zakonisht si karkalecat e detit.

Nga planktoni deri në pjatën tuaj

Ndoshta karkalecat e detit i mendoni vetëm si një ushqim i shijshëm. Por, këto krijesa bëjnë një jetë vërtet të larmishme para se të përfundojnë në pjatën tuaj. Disa karkaleca deti femra i mbajnë në bark vezët e fekonduara derisa ato çelin, ndërkohë që disa të tjera i lëshojnë vezët në rrymat e ujërave, ku ato rriten të pavarura.

Pasi vezët çelin, kalojnë në një fazë të hershme larvore që në latinisht njihen me emrin zoeae. Por, para se të marrin pamjen e zakonshme të karkalecave të rritur, duhet të kalojnë ende në disa faza të tjera larvore. Pasi kalojnë ca kohë mes grumbujve me planktone, zoeaet më në fund vendosen në fundin e oqeanit dhe marrin formën që njohim ne, duke u zhvilluar gradualisht në karkaleca deti të rritur.

Ndryshojnë koracën

Si ia bëjnë karkalecat që të rriten, duke qenë se janë të mbërthyer nën një koracë të fortë? «Ky proces (i quajtur në latinisht ecdysis), përfshin formimin e një membrane të re e të butë në brendësi të guaskës së vjetër,​—thotë libri Manual për krustacet e ujërave australiane (anglisht).​—Pastaj, pasi zhvesh membranën e vjetër, gjallesa thith ujë, duke fryrë membranën e re dhe të butë që të bëjë vend për rritjen e mëtejshme.» Libri Bregdetet australiane (anglisht) shpjegon: «Gjallesa duhet të nxjerrë jashtë guaskës së vjetër e të ngurtë të gjithë trupin, duke përfshirë të gjitha zgjatimet, dhe ato nuk janë pak. Disa zgjatime janë të mëdha e të forta, të tjerat janë të vogla e delikate. Aq sa është e lehtë për dikë të nxjerrë gishtat nga dorashka që ka veshur, po aq e lehtë është edhe për këto zgjatime të dalin jashtë guaskës.»

Si i tërheqin krustacet zgjatimet e mëdha, si për shembull muskujt e kthetrave, përmes hapësirave të ngushta që formohen nga pikat e bashkimit të koracës? Autori U. Xh. Dakin thotë: «Kjo bëhet e mundur vetëm sepse pjesët e gjalla të trupit të kafshës janë të buta dhe mund të kalojnë nëpër hapësirat e ngushta. Faktikisht, gjatë këtij procesi, gjaku thithet nga gjymtyrët dhe çohet te pjesët e tjera të trupit, kështu që ato mund të ngjishen me lehtësi gjatë daljes.» Guaska e re ruan formën e rrathëve, vijat dhe ngjyrën e guaskës së vjetër, dhe kjo e ka një shkak.

Disa ngjyra e maskojnë, të tjerat e reklamojnë

Disa karkaleca deti që jetojnë mes tentakulave të anemonave të detit, janë pjesërisht transparentë ose i kanë ngjyrat e guaskës të njëjta me ngjyrat e anemonave. Këta karkaleca të maskuar mbrohen në krahët e anemonave dhe e paguajnë qiranë duke bërë disa punë shtëpie, duke hequr çdo mbeturinë që mund të grumbullohet nëpër anemonat.

Karkaleca të tjerë kanë ngjyra të ndezura; një shembull janë karkalecat pastrues. Shpesh këta jetojnë së bashku nën strehët e shkëmbinjve, dhe ngjyra e tyre e ndezur duket sikur «reklamon» shërbimin e pastrimit që ofrojnë. Peshqit që kanë zënë parazitë notojnë vërdallë shtëpisë së karkalecave pastrues, duke i ftuar këta të fundit që të kërkojnë parazitët e fshehur nëpër trupat e tyre. Madje karkalecat u ngjiten qetë-qetë deri në gojë edhe tek verzat. Pastaj, këta «doktorë» karkaleca heqin dhe hanë çdo parazit dhe ushqehen me shtresën e mukozës së peshkut.

Pavarësisht nga ngjyra apo nga detyra që kanë, një gjë është e sigurt lidhur me këta xhevahirë të vegjël të gjallë​—koraca e tyre është shumë më mbresëlënëse se ajo e çdo kalorësi të lashtësisë.

[Figura në faqen 23]

Karkalec deti gojëmenteshë

[Figura në faqen 23]

Karkalec deti i tejdukshëm që jeton në anemona

[Figura në faqen 23]

Karkalec deti perandor

[Figura në faqen 23]

Karkalec deti i anemonave

[Figura në faqen 23]

Karkalec deti pastrues

[Burimi i figurës në faqen 23]

Të gjitha fotografitë, përveç karkalecit të detit pastrues: © J dhe V Stenhouse