Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mjekë të stresuar

Mjekë të stresuar

Mjekë të stresuar

«Një çift i ri erdhi tek unë gjithë shpresë se do të bëja diçka për foshnjën e tyre të sapolindur. Kur e vizitova, m’u drodh zemra. Sëmundja e tij ishte e pashërueshme. A e imagjinoni dot se si u ndjeva kur u thashë këtyre prindërve të rinj se djali i tyre nuk do të shihte kurrë? Kur i përcolla nga dhoma e vizitave, isha tejet i prekur. Por pas pak, ja tek mbërriti pacienti tjetër që priste nga unë një buzëqeshje për ta ftuar brenda. Për mua kjo është stresuese.»​—Një kirurg okulist në Amerikën e Jugut.

ZAKONISHT pacientët nuk shkojnë te mjeku për t’u marrë me problemet e tij. Pacienti s’mendon gjë tjetër veçse për nevojën që ka për ndihmë. Si pasojë, pak njerëz e kuptojnë se çfarë stresi provojnë çdo ditë mjekët.

Sigurisht, çdokujt i duhet të përballojë strese dhe profesioni i mjekut nuk është i vetmi zanat që ka strese. Gjithsesi, meqë pothuajse çdokush, në një mënyrë ose në ndonjë tjetër përfshihet në marrëdhënien mjek-pacient, ia vlen të kuptojmë stresin që përjetojnë mjekët dhe pasojat që mund të ketë ky stres tek ata.

Mjekët fillojnë të mësohen herët me stresin, teksa përpiqen me të gjitha forcat që të hyjnë në fakultetin e mjekësisë. Por hapat e parë drejt përgatitjes si mjek, zakonisht janë një përvojë tronditëse e paharrueshme. Është fillimi i një procesi që mund të ndryshojë ndjenjat e studentit të mjekësisë, mund të ndryshojë vetë karakterin e tij.

Përgatitja për t’u bërë mjek: Një përvojë tronditëse

Vizita e parë tronditëse në morg mund të bëhet që javën e parë të studimeve për mjekësi. Ndoshta shumë studentë nuk kanë parë kurrë më parë ndonjë kufomë. Të shohësh trupa lakuriq e të rrudhur, ku janë bërë çarje të madhësive të ndryshme për të studiuar anatominë e njeriut, mund të jetë një pamje goxha e pështirë. Studentëve u duhet të gjejnë mënyra për të mposhtur ndjenjat që provojnë. Shpesh shohin si shpëtimtar humorin dhe i vënë çdo kufome një nofkë qesharake. Dikujt që është thjesht spektator, kjo gjë mund t’i duket tmerrësisht e pashpirt dhe pa pikë respekti, por është diçka e nevojshme për studentët që po përpiqen të mos mendojnë për njeriun të cilit i përkiste ky trup.

Pastaj fillon praktika në spital. Shumicës së njerëzve nuk iu duhet të mendojnë se sa e shkurtër është jeta, ndoshta derisa arrijnë moshën mesatare. Kurse studentët e mjekësisë përballen me sëmundjet e pashërueshme dhe me vdekjen që kur janë shumë të rinj. Një mjek e përshkroi herën e parë që bëri praktikën në spital si diçka kaq «të neveritshme, saqë të vinte për të vjellë». Gjithashtu për studentët, qoftë në vende të pasura, qoftë në të varfra, mund të jetë shumë tronditëse, kur për herë të parë e kuptojnë se sa shpesh pacientëve nuk u jepet kura që u nevojitet, vetëm ngaqë mungojnë paratë.

Si e përballojnë stresin mjekët e sapodiplomuar? Personelit mjekësor në shumë raste i duhet të mos përfshihet emocionalisht në problemin e pacientëve, duke mos i parë ata si persona. Në vend që të përmendin emrin e atij që ka nevojë për kujdes, ndonjë nga personeli mund të thotë: «Doktor, në dhomën dy ka një këmbë të thyer.» Mbase duket qesharake kur e dëgjon dhe kur nuk e di përse shprehen kështu.

Sfilitje nga dhembshuria

Mjekët janë përgatitur për të qenë shkencëtarë, megjithatë për shumë prej tyre, pjesa më e madhe e punës përfshin bisedat me pacientët. Disa mjekë ndihen të papërgatitur për të përballuar emocionalisht marrëdhënien mjek-pacient. Siç u tha në hyrje të artikullit, një nga gjërat më të vështira për mjekun është të japë një lajm të keq. Disa mjekë janë të detyruar ta bëjnë çdo ditë këtë gjë. Njerëzit që janë në hall zakonisht kanë nevojë ta zbrazin ankthin që ndiejnë përbrenda dhe nga mjekët pritet t’i dëgjojnë. Të merresh me njerëz në ankth dhe të frikësuar, mund të jetë kaq e lodhshme saqë disa mjekë vuajnë nga një lloj sfilitjeje që tani quhet sfilitje nga dhembshuria.

Duke menduar për vitet e para të punës, një mjek në Kanada shkroi: «Puna po më merrte frymën: kishte njerëz në nevojë që kërkonin t’u kushtoja kohë; njerëz të shqetësuar që donin të zbraznin ankthin; të sëmurë që kishin nevojë për ndihmën time; njerëz manipulues që të detyronin dhe kërkonin me çdo kusht t’ju dilte e tyrja; njerëz që vinin për të më takuar; njerëz që kërkonin t’u shkoja patjetër; njerëz që nëpërmjet telefonit më «vinin» në shtëpi, madje edhe në dhomën e gjumit. Njerëz, njerëz, kudo njerëz. Vërtet doja të isha i dobishëm, por kjo gjendje ishte një çmenduri.»​—Dilema e mjekut (anglisht), shkruar nga Xhon. U. Holand.

A pakësohet stresi me kalimin e viteve? Zakonisht përvoja sjell edhe më shumë përgjegjësi. Shumë herë vendimet për jetë a vdekje duhen marrë aty për aty, ndoshta në bazë të informacioneve të pamjaftueshme. «Kur isha i ri, kjo gjë nuk më shqetësonte,​—thotë një mjek anglez,​—ashtu si të rinjtë nuk shqetësohen kur i japin makinës në mënyrë të rrezikshme. Por me kalimin e moshës, jeta të duket më e shtrenjtë. Tani vendimet që kanë të bëjnë me trajtimin e pacientit më japin më shumë ankth se kurrë.»

Si ndikon stresi te mjekët? Zakoni për të mos u lidhur emocionalisht me pacientët mund të ndikojë edhe në marrëdhëniet familjare. Mjekët mund ta kenë të vështirë që ta luftojnë këtë prirje. Nga ana tjetër, disa mjekë janë jashtëzakonisht të dhembshur ndërsa i ndihmojnë emocionalisht pacientët. Por sa do të rezistojnë para se t’u fillojë sfilitja nga dhembshuria? Kjo është dilema e mjekut.

Përballen me pacientë të vështirë

Kur i pyesin për stresin në marrëdhëniet mjek-pacient, shpesh mjekët fillojnë të përshkruajnë pacientët e vështirë. Ndoshta ju njihni disa nga tipat që përmenden më poshtë.

Së pari, janë pacientët që ia harxhojnë kohën kot mjekut, ngaqë e sjellin bisedën rrotull e rrotull dhe nuk dalin aty ku duhet, pra të shpjegojnë se çfarë i shqetëson. Pastaj vijnë pacientët që kërkojnë t’u kushtosh shumë vëmendje. Ata i telefonojnë mjekut natën ose në fundjavë për gjëra që nuk janë urgjente ose për të kërkuar kura që mjeku nuk do t’ua këshillonte. Veç këtyre janë pacientët mosbesues. Disa njerëz kërkojnë informacione të dobishme për problemin e tyre, mbase në Internet, dhe kjo mund të jetë diçka e dobishme. Por informacione të tilla mund t’i bëjnë që të humbin besimin te mjeku që vizitohen. Ndoshta mjeku nuk ka kohë të diskutojë anët e mira dhe të këqija të çdo gjëje që ka gjetur pacienti nga kërkimet e bëra. Për mjekun është e mërzitshme dhe acaruese kur mosbesimi e bën pacientin të mos i ndjekë këshillat e tij. Së fundi është edhe pacienti i paduruar. Ai e lë kurën para kohe, kur ajo ende nuk ka bërë efekt, dhe mbase drejtohet diku tjetër.

Sidoqoftë, në disa vende të botës, stresi më i madh mjekëve nuk u vjen nga pacientët, por nga avokatët.

Mjekësia mbrojtëse

Në shumë vende raportohet një vërshim i padive kundër mjekëve për shkelje gjatë ushtrimit të profesionit. Disa avokatë parashtrojnë ca pretendime të kota që të pasurohen. «Ata kanë bërë që të rritet jashtë mase kuota që duhet t’u paguajnë mjekët shoqërive të cilat i sigurojnë në rast paditjeje për dëmshpërblim,​—thotë presidenti i Shoqatës së Mjekëve Amerikanë.​—Këto padi kanë çuar në mundime të tjera. Një mjeku mund t’i sjellë shumë dëme një padi e padrejtë​—turp nga opinioni, humbje kohe, . . . stres dhe ankth.» Disa mjekë kanë arritur deri në vetëvrasje.

Si pasojë, shumë mjekë detyrohen që të ushtrojnë «mjekësinë mbrojtëse». Kjo nënkupton se në vend që t’i marrin vendimet duke mbajtur parasysh ç’ka është më e mira për pacientët, ata marrin vendime të atilla që të jenë në gjendje t’i mbrojnë nëse dikush do t’i hedhë në gjyq. «Të ushtrosh zanatin e mjekut duke marrë parasysh se si të mbrohesh, sot është diçka e zakonshme»,​—tha revista Physician’s News Digest.

Ndërkohë që presionet ndaj mjekëve po shtohen, shumë prej tyre pyesin se çfarë do të sjellë e ardhmja. Të njëjtën pyetje bëjnë edhe shumë pacientë, pasi vërejnë se disa sëmundje po shtohen me gjithë përparimet në mjekësi. Artikulli vijues jep një pikëpamje realiste për të ardhmen, si për mjekët, edhe për pacientët.

[Kutia dhe figura në faqen 6]

BASHKËPUNONI ME MJEKUN

1. Shfrytëzojeni sa më mirë kohën kur të shkoni te mjeku. Për këtë përgatituni që t’ia shpjegoni plotësisht, por edhe shkurtimisht shqetësimet që keni, duke filluar me problemin kryesor

2. Mos e telefononi mjekun jashtë orarit të punës për gjëra që nuk janë të ngutshme

3. Jini të duruar. Duhet kohë për të gjetur diagnozën e saktë dhe për t’u kuruar

[Kutia dhe figurat në faqen 7]

‘EDHE RASTET MË TË ZAKONSHME TË SJELLIN KËNAQËSI’

«Hendeku ndërmjet punës që bën mjeku në këtë vend dhe punës së mjekut në vende më të zhvilluara është tejet i madh. Këtu të mësosh një profesion shihet si mënyrë për të shpëtuar nga varfëria, prandaj është e zakonshme që njerëzit të studiojnë për mjekësi. Por ka shumë mjekë dhe pak punë. Si pasojë mjekët paguhen fare pak. Pak njerëz mund të përballojnë shpenzimet për t’u vizituar te ndonjë mjek privat. Unë punoj në një spital shumë të vjetër, i cili ka një çati që pikon dhe vetëm pajisjet më të domosdoshme. Personeli mjekësor ka dy mjekë dhe pesë infermiere. Kujdesemi për 14.000 veta.

Ndonjëherë pacientët mendojnë se nuk i vizitoj siç duhet, por kur ke 25 pacientë që presin, nuk mund të rrish gjatë për të dhënë këshilla. Sidoqoftë, të kuroj pacientët më jep kënaqësi, madje edhe rastet e zakonshme. Për shembull, nënat shpeshherë sjellin fëmijët e kequshqyer dhe që kanë humbur shumë lëngje nga diarreja. Ata kanë sy pa shkëlqim dhe ankth në fytyrë. Thjesht duhet t’u tregoj nënave si të përdorin kripërat për hidratimin e trupit, ilaçet për parazitët dhe antibiotikët. Kur këto bëjnë efekt, fëmija fillon të hajë sërish. Pas një jave, duket sikur është fëmijë tjetër. Mundësia për të ndjerë kënaqësinë e përvojave të tilla më zgjoi dëshirën që të bëhesha mjek.

Që kur isha fëmijë, ëndërroja t’i ndihmoja njerëzit e sëmurë. Por gjatë periudhës që përgatitesha si mjek ndryshova në një mënyrë që nuk e prisja. Shihja njerëz që vdisnin ngaqë nuk kishin as ato pak para që u duheshin për një kurë që mund t’u shpëtonte jetën. Prandaj m’u desh të bëhesha i pandjeshëm për të mos dëmtuar veten nga dëshpërimi. Vetëm kur më treguan në Bibël shkakun e vuajtjeve, kuptova dhembshurinë e Perëndisë dhe m’u kthye prapë ndjeshmëria ndaj të tjerëve. Atëherë arrita të qaja sërish.»

[Figurat]

Dr. Marko Vijegasi punon në një qytet të izoluar në rajonin e Amazonës, Bolivi