Mjekët mes një bote në ndryshim
Mjekët mes një bote në ndryshim
Më 1174, Majmonidin e caktuan mjek të oborrit mbretëror që t’u shërbente sundimtarëve të Egjiptit, dhe kështu pjesën më të madhe të jetës e kaloi në pallat. Për të treguar se çfarë bënte kur kthehej në shtëpi, ai shkroi: «Ha diçka të lehtë, dhe ky është i vetmi vakt gjatë njëzet e katër orëve. Pastaj, shkoj të kujdesem për pacientët dhe jap receta e udhëzime për sëmundjet që kanë. Derisa bie muzgu, pacientët hyjnë e dalin dhe nganjëherë, . . . jam kaq i rraskapitur saqë s’kam fuqi as të flas.»
PUNA e mjekut gjithnjë ka kërkuar vetëmohim. Megjithatë, bota ku punojnë mjekët sot po ndryshon me shpejtësi. Për ata, ngarkesa e ditës është po kaq sfilitëse sa edhe për Majmonidin. Por, a respektohen si dikur mjekët sot? Si kanë ndikuar rrethanat e reja në jetën e mjekëve? Dhe, si e kanë ndryshuar marrëdhënien mjek-pacient zhvillimet e fundit?
Një marrëdhënie e ndryshme
Disave ende u kujtohet koha kur mjeku mund t’i mbante të gjitha ilaçet në një çantë të zezë. Ashtu si sot, edhe në atë kohë kishte opinione të ndryshme për mjekët. Shumica respektoheshin për zotësinë e tyre, për pozitën shoqërore, dhe admiroheshin për vlerat e tyre morale. Por, në të njëjtën kohë ata mund të kritikoheshin për çmimet e larta, mund të qortoheshin ashpër kur dështonin gjatë punës ose mund të denoncoheshin për mungesë dhembshurie.
Gjithsesi, shumë mjekë ndienin mjaft kënaqësi duke ndihmuar të njëjtën familje për breza me radhë. Ata shkonin në sa e sa shtëpi për të vizituar të sëmurët, dhe kur shkonin nëpër fshatra, kishte raste që rrinin për një vakt, madje mund të kalonin gjithë natën teksa ndihmonin në lindjen e ndonjë foshnjeje. Shumë mjekë i mbushnin vetë recetat e ilaçeve për pacientët e tyre. Mjekët zemërgjerë i kuronin pa para të vobektit dhe ishin në dispozicion të të sëmurëve 24 orë në ditë, në shtatë ditë që ka java.
Sigurisht, disa mjekë ende punojnë po njësoj. Megjithatë në shumë vende ka mjaft të ngjarë që marrëdhënia mjek-pacient të ketë pësuar më shumë ndryshime gjatë këtyre dhjetëvjeçarëve të fundit, sesa për shekuj me radhë. Si kanë ndodhur këto ndryshime? Në fillim le të shqyrtojmë vizitat në shtëpi.
Çfarë ka ndodhur me vizitat në shtëpi?
T’i vizitoje pacientët në shtëpitë e tyre ishte një mënyrë e zakonshme për të ushtruar profesionin e mjekut, dhe në disa vende vazhdon të jetë kështu. Por në mbarë botën, pak nga pak ky zakon po ndeshet më rrallë. Në gazetën The Times of India thuhej: «Mjeku i familjes që me fjalët dhe kujdesin e tij e qetësonte të sëmurin teksa rrinte pranë shtratit, mjeku që e njihte shumë mirë familjen dhe ishte i gatshëm të të vizitonte në shtëpi kurdo që ishte nevoja, po zhduket në epokën e specialistëve dhe të superspecialistëve.»
Për shkak të vërshimit të njohurive mjekësore, shumë mjekë janë specializuar dhe punojnë në grup. Si pasojë, çdo herë që sëmuren, pacientët mund të vizitohen te një mjek tjetër.
Kjo ka bërë që shumë mjekë të mos kenë mundësi të krijojnë një marrëdhënie të gjatë me familjet, siç bënin dikur.Prirja për të mos i vizituar më pacientët në shtëpi filloi një shekull më parë, kur mjekët nisën t’i përdornin më shumë analizat laboratorike dhe pajisjet për gjetjen e diagnozës. Në shumë vende institucionet e shëndetit publik mendonin se vizitat e mjekëve në shtëpitë e pacientëve e pengonin mjekun që ta shfrytëzonte me efektshmëri kohën. Sot shumica e pacientëve mund të përdorin mjetet e transportit për të shkuar te mjeku. Gjithashtu, shërbimet e infermierisë dhe të urgjencës kryejnë punë që më parë i bënin mjekët.
Rrethana të ndryshme
Në botën e sotme ka më pak mjekë që punojnë më vete. Shërbimet mjekësore më shpesh kryhen nga institucionet e ngritura nga qeveria ose shoqëritë për kujdesin shëndetësor që punësojnë mjekë. Megjithatë shumë mjekëve nuk u pëlqen që në marrëdhënien mjek-pacient të ndërhyjë një palë e tretë. Këto lloj institucionesh shpesh kërkojnë që mjekët të vizitojnë më shumë pacientë brenda një kohe më të shkurtër. «Më duhet të vizitoj një pacient në çdo shtatë ose dhjetë minuta,—thotë dr. Shila Perkinsi, mjeke e përgjithshme në Britani.—Dhe shumicën e kësaj kohe më duhet ta harxhoj duke hedhur të dhëna në kompjuter. Koha që është lënë për të krijuar një lidhje me pacientin është e shkurtër. Kjo gjë mund të jetë shumë tensionuese.»
Në botën e sotme që është në ndryshim, pacientët kanë fituar më shumë autoritet. Dikur «urdhrat e mjekut» nuk viheshin në diskutim. Por sot në shumë vende, mjekët janë të detyruar ta informojnë pacientin për llojet e trajtimit dhe pasojat e mundshme, që pacienti të vendosë se cilin trajtim të pranojë. Marrëdhënia mjek-pacient ka ndryshuar. Në sytë e ndokujt figura e mjekut është kthyer thjesht në figurën e një tekniku.
Në shoqërinë e sotme që ndryshon me të shpejtë, një pjesë e mirë e mjekëve janë gra. Shpesh, mjeket janë më të kërkuara, sepse me sa duket i dëgjojnë më me kujdes pacientët, dhe kështu duket se prania e tyre e bën më të dhembshur profesionin e mjekut.
Shumica e njerëzve e vlerësojnë atë mjek që i kupton ndjenjat e pacientët dhe stresin që përjetojnë ata. Por është e arsyeshme të pyesim: «Sa pacientë i kuptojnë ndjenjat e mjekut dhe stresin që përjeton ai? Me siguri, shqyrtimi i kësaj pyetjeje mund ta përmirësojë marrëdhënien mjek-pacient. Artikulli vijues mund t’ju ndihmojë për këtë.
[Figura në faqen 3]
Majmonidi
[Burimi]
Vëllezërit Braun
[Figurat në faqen 4]
Në të kaluarën, mjekët shpesh shkonin në shtëpitë e pacientëve për t’i vizituar