Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Meshkujt evropianë i kushtojnë më shumë kohë paraqitjes

«Pesë vitet e fundit, koha që meshkujt i kushtonin paraqitjes u rrit mesatarisht 3,1 orë në javë, e krahasuar me mesataren prej 2,5 orësh që harxhojnë femrat»,​—raporton gazeta The Daily Telegraph e Londrës. Ky interesim i madh për paraqitjen duket nga kërkesat në rritje për trajtimin e lëkurës, të flokëve, për higjienën personale dhe për parfumet, të prodhuara këto enkas për burrat. Të gjitha këto kushtuan «20 miliardë euro [25 miliardë dollarë] vitin e kaluar dhe pritet që kjo shifër të arrijë në 24 miliardë euro [29 miliardë dollarë] aty nga viti 2008». Drejtuesja e një salloni parukerie për meshkuj, tha për gazetën: «Ka pasur një rritje fantastike të numrit të klientëve që harxhojnë rregullisht gati 300 euro [360 dollarë] për trajtimin e fytyrës, të duarve, të këmbëve, të gishtërinjve, si dhe për trajtimin e thonjve të duarve e të këmbëve.» Gjithashtu, gazeta vëren se «60 për qind e parfumeve të burrave u shiten drejtpërdrejt atyre në vend të të dashurave ose grave».

Profesionistë me shumicë

«Sot diploma nuk të garanton një punë»,​—pohon gazeta El Universal e qytetit të Meksikos. Një studim i kohëve të fundit i drejtuar në këtë qytet, zbuloi se «midis viteve 1991 dhe 2000, 40 për qind e profesionistëve u duhej të pranonin punë që nuk kishin lidhje me shkollën për të cilën ishin diplomuar». Kjo do të thotë se rreth 750.000 të diplomuar bëjnë punë që nuk kërkojnë një diplomë, si: «centralistë, shoferë, prestidigjitatorë, klounë [dhe] banakierë në lokale». Studimi llogariti se nga viti 2006, në Meksikë do të ketë 131.000 administratorë më shumë, 100.000 llogaritarë më shumë, 92.000 inxhinierë kompjuterësh më shumë, 92.000 mësues të ciklit të ulët më shumë dhe 87.000 avokatë më shumë në krahasim me vendet e punës që janë në dispozicion për këto profesione.

Në Kinë, makinat konkurrojnë biçikletat

Duke qenë se ekonomia kineze po zhvillohet, njerëzit po përdorin makinat në vend që të ngasin biçikletat. Për shembull, sot vetëm 25 për qind e banorëve të Pekinit përdorin kryesisht biçikletat për të udhëtuar, krahasuar me 60 për qind vetëm para dhjetë vjetësh. «Vetëm në qytetin e Pekinit,​—thotë gazeta Toronto Star e Kanadasë​—numri i automjeteve në rrugë është rritur më shumë se 400.000 çdo vit.» Si rezultat, në këtë qytet «shpejtësia mesatare e automjeteve është 12 kilometra në orë». National Geographic raporton se në Kinë gjatë vitit 2003, «karrieristët që ishin pasuruar kohët e fundit, blenë me entuziazëm më shumë se dy milionë makina​—gati 70 për qind më shumë se në 2002-shin». Ky raport shton se varësia në rritje e banorëve te fuqia e naftës sesa te fuqia e pedaleve, tregon se «Kina ndoshta tashmë ia ka kaluar Japonisë, duke u bërë kështu një nga përdorueset më të mëdha të naftës, numri dy në botë». Megjithatë, në Kinë ka ende përafërsisht 470 milionë biçikleta.

T’u lexosh të sapolindurve është e dobishme

«T’u lexosh fëmijëve ka një ndikim kaq të madh në vitet e ardhshme të jetës së tyre, saqë specialistët tani i rekomandojnë prindërit të fillojnë t’u lexojnë fëmijëve që kur janë bebe disaorëshe»,​—thuhet në gazetën The Toronto Star. Dr. Riçard Goldblumi, i cili para dy vjetësh drejtoi programin e parë të arsimimit për të sapolindurit në Kanada, thotë: «Një nga gjërat që kemi mësuar dhe vëzhguar është se, kur ju u lexoni foshnjave, ato ju kushtojnë vërtet vëmendje. Ato ju dëgjojnë.» Studimi tregon se vetëm fakti që kanë libra nëpër duar që në moshë të njomë, u përmirëson fjalorin dhe aftësitë për të lexuar. Sipas gazetës, «qëllimi nuk është që t’i detyrojmë të vegjëlit të mësojnë të lexojnë, por që të njihen më shumë me gjuhën, pra sa shkronja dhe sa tinguj ka. Kështu ata mund të njohin fjalorin, shkronjat dhe tingujt, dhe së fundi, të fitojnë aftësi të vërteta për të lexuar».

Po zhduken llojet e pambrojtura

Vitet e fundit, mbrojtësit e mjedisit kanë pasur sukses në ruajtjen e më shumë se 10 për qind të sipërfaqes së tokës, siç pohon gazeta El Comercio e Perusë. Me gjithë këto përpjekje të lavdërueshme, «të paktën 300 lloje zogjsh, gjitarësh, breshkash uji dhe amfibësh, që konsiderohen seriozisht të kërcënuara», janë plotësisht të pambrojtura nga sistemi i tanishëm i rezervave natyrore. Sipas Gustavo Fonsekës, zëvendës presidentit ekzekutiv për programet dhe shkencën në institutin për mbrojtjen e mjedisit në nivel ndërkombëtar, Conservation International, problemi është se synimet e tanishme për ruajtjen e mjedisit mund të jenë «tërheqëse nga ana politike», por të pamjaftueshme. «Duhet të përqendrohemi veçanërisht në mbrojtjen e atyre vendeve ku përqendrimi i llojeve vendëse të kërcënuara është më i lartë»,​—pohon ai. Duke nxjerrë në pah një tjetër aspekt që kërcënon llojet e rrezikuara, gazeta raporton se tregtia e këtyre llojeve është një nga aktivitetet më të mëdha tregtare të paligjshme në botë, e renditur pas trafikut të drogës dhe të armëve. Gati gjysma e të gjitha llojeve të kafshëve të shitura në tregun e zi ndërkombëtar, vijnë nga pyjet e Amerikës së Jugut.

Kujdes nga pijet spaik!

Gazeta The Australian paralajmëron se në Australi, «çdo ditë përdhunohen rreth pesë njerëz, pasi kanë pirë pije spaik në klubet e natës, në lokalet ose në festat private». Pijet quhen spaik, kur pijeve u shtohet alkool ose drogë pa dijeninë e atij që e pi. Disa nga drogat që përdoren nuk kanë ngjyrë, as shije dhe as erë. Viktimat mund të çorientohen, të paralizohen ose të bëhen të pavetëdijshme. Disa edhe kanë vdekur. Gazeta thotë se një studim i drejtuar në mbarë vendin nga Instituti i Kriminologjisë Australiane, zbulon se «çdo vit mesatarisht 4.500 njerëzve u jepen pije spaik, dhe 40 për qind përdhunohen». Kur u del pija, individët mund të mos mbajnë mend asgjë se çfarë u ka ndodhur.

Shpresë për shtresën e ozonit!

«Niveli i gazeve CFC​—përbërje që kanë si elementë karbonin, fluorin, klorin dhe hidrogjenin​—në atmosferë më në fund kanë nisur të ulen»,​—raporton revista ECOS, e botuar nga një organizatë kërkimore, Australian Commonwealth Scientific dhe Industrial Research Organization (CSIRO). Prania e CFC-ve në atmosferë, të cilat nuk ekzistonin para viteve 50, dëmtojnë shtresën e ozonit që mbron tokën. Për më shumë se 50 vjet, sasia e CFC-ve e pranishme në atmosferë u rrit gradualisht deri në vitin 2000. Qysh atëherë, siç pohon edhe ECOS-i, përqendrimet e CFC-ve kanë «zbritur gati një për qind çdo vit». Ky raport thotë se duke u bazuar te kjo rënie, «supozohet se vrima në shtresën e ozonit mund të mbyllet nga mesi i këtij shekulli». Megjithatë, këto lëndë kimike, ende vazhdojnë të shkaktojnë dëme. Raporti pohon: «Pavarësisht nga kjo ulje në përqindje, vrima e shtresës së ozonit këtë vit mbi Antarktidë, ishte më e madhe se kurrë më parë. Ajo u shtri afërsisht 29 milionë kilometra katrorë, tri herë më shumë sesa sipërfaqja e Australisë.»