Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Punime ari mbi çelik

Punime ari mbi çelik

Punime ari mbi çelik

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË SPANJË

VIKTORI është 74-vjeç. Shikimi i është dobësuar nga orët e panumërta që ka kaluar duke u përqendruar mbi objekte të imëta. Megjithatë, sytë i shkëlqejnë sa herë që i kërkojnë të përshkruajë 50 vjetët e përvojës së tij si punues i arit mbi fletët e çelikut. Viktori ka filluar ta mësojë këtë zanat që kur ishte 14 vjeç. Ai është një artizan i zoti në artin damasken. Çfarë është ky art? Është zbukurimi me ar ose argjend i një sipërfaqeje të gërryer metalike.

«Për mua, të krijoj diçka me stilin damasken është më shumë sesa një zanat,​—shpjegon Viktori.​—Disa herë kam ndenjur zgjuar i zhytur plotësisht në punë për 24 orë rresht.» Ndërsa merr në duar veglat që i ka përdorur kaq shumë në zanatin e tij të çmuar, fytyra i rrëzëllen nga kujtimet e asaj kohe kur prodhonte këto vepra arti unike.

Nga Damasku në Spanjë

Arkeologët kanë gjetur në varret egjiptiane disa vepra të stilit damasken, që datojnë që nga shekulli i 16-të p.e.s.

Megjithëse veprat e para të këtij lloji mund të jenë prodhuar në Kinë ose Egjipt, emri në vetvete ka ardhur nga qyteti i lashtë i Damaskut. Artizanët e zotë të këtij kryeqyteti sirian, krijuan sende me një bukuri të tillë saqë vetë emri i teknikës së prodhimit të tyre u bë një sinonim i emrit të këtij qyteti, pra Damaskut. Duke qenë se ndodhej në një udhëkryq të rëndësishëm midis vendeve lindore mesdhetare dhe vendeve të Mesopotamisë dhe të Lindjes, Damasku u bë një qendër tregtie. Kjo epërsi mbi tregjet e tjera, bëri që shumë zejtari tradicionale të qytetit, si për shembull arti damasken, të nxirreshin e të përhapeshin në vende larg Sirisë.

Brenda pak shekujsh, arti damasken u përhap në Evropë, dhe nga shekulli i 16-të, qyteti spanjoll i Toledos u bë qendra kryesore e këtij arti. Shpatat, armaturat dhe mburojat e prodhuara në këtë qytet, ashtu si edhe objektet që kërkonin më shumë punë të hollë artistike, zbukuroheshin sipas këtij stili elegant dhe të veçantë.

Një art i kontrasteve

Në një vepër të stilit damasken të Toledos, të bie në sy shkëlqimi i arit dhe i argjendit mbi shtresën e zezë sterrë të çelikut. Kombinohen motivet zbukuruese siç janë, shkrimi kufik (shkronjat e lashta arabe) me forma gjeometrike dhe me lule që janë tipike për kulturën arabe dhe atë mudejare, një stil arab i përzier me atë spanjoll. Ejani me ne për një vizitë në Toledo e të zbulojmë se si mjeshtrat vazhdojnë ta praktikojnë këtë zanat.

Ndërsa endeni nëpër rrugët e ngushta dhe gjarpërushe të Toledos së vjetër, është e lehtë ta imagjinoni veten sikur jeni kthyer prapa në mesjetë. Shpejt do të zbuloni se arti damasken nuk ka humbur. Do të shihni se në dritaret e shumë prej dyqaneve janë ekspozuar një numër i madh sendesh të stilit damasken, si: karfica zbukurimi, byzylykë, kopsa manshetash, karfica kravatash, kuti ilaçesh, gishtëza, vathë dhe pjata zbukurimi. Përveç kësaj, në disa dyqane mund të rrini e të vështroni mjeshtra shumë të zotë, që duke përdorur një vegël çeliku përpiqen t’i japin formë e të fiksojnë fijen e arit mbi një fletë metalike. Ja, kështu krijohen veprat artistike sipas artit damasken.

Një teknikë që kërkon shumë punë

Nëse afroheni edhe pak, do të vini re se artizani ka disa fletë çeliku të prera në forma dhe madhësi të ndryshme. Ai zgjedh një fletë çeliku të rrumbullakët dhe fillon fazën e parë të punës, që quhet gërvishtje. Kjo përfshin mbushjen e të gjithë sipërfaqes së metalit me vija të holla të hequra kryq e tërthor, duke përdorur një daltë të veçantë, një mjet skalitës i mprehtë i bërë nga çelik shumë i fortë. Pas kësaj, ai përdor daltën për të skicuar në vija të trasha modelin që dëshiron të nxjerrë.

Pasi ka përfunduar këtë punë, mjeshtri e vendos fletën metalike mbi një pllakë druri të lëvizshme të lyer me një përbërës rrëshinor. Kjo e mban dhe e mbron fletën gjatë procesit tjetër që vijon.

Tani fillon mbushja sipas modelit të vizatuar. Duke e mbajtur fijen e arit me njërën dorë, artizani me ndihmën e një dalte, e ngjesh atë butë mbi kanalet që ka bërë në fletën metalike, derisa vizatimi të jetë i plotë. Mbi disa fletë mund të krijohen motive tërheqëse me lule, gjethe, fruta e ndonjëherë me kafshë, forma gjeometrike, madje edhe me pamje panoramike të qytetit të vjetër të Toledos. Disa mjeshtra kombinojnë disa prej këtyre motiveve në një plan të vetëm.

Faza tjetër është procesi i fiksimit që kërkon një daltë më të gjerë. Duke goditur me saktësi me të, artizani fikson fijet e arta mbi sipërfaqen e gërryer të çelikut.

Vizatimet e ndërlikuara duken edhe më qartë pas fazës tjetër. Fleta e çelikut zhytet në një banjë me sodë kaustike dhe nitrat kaliumi në temperaturën 800 gradë celsius. Ky trajtim oksidon metalin dhe i jep një ngjyrë të zezë të theksuar. Sipërfaqja metalike, që duket si një copë kadife e errët, bën një kontrast të bukur me motivet e arta karakteristike të artit damasken.

Së fundi, mjeshtëri dalton formën përfundimtare dhe lustron motivet që zbukurojnë pllakën. Pasi bën këtë, vizatimet prej ari duken si të gjalla. U jepet formë edhe hollësive më të vogla, si pendëve të një zogu ose petaleve të një luleje. Pastaj lustrohet me një copë agati, duke u dhënë fijeve të arit një shkëlqim vezullues që bën shumë kontrast me sfondin e zi. Dhe më në fund, shfaqet një pikturë vezulluese!

Veçoritë unike të veprave të artit damasken, janë meritë e shumë mjeshtrave që e mbajtën gjallë këtë art të lashtë përgjatë shekujve. Falë tyre, ne sot mund të gjejmë kënaqësi duke parë këto punime të bukura ari dhe argjendi të gdhendura mbi çelik.

[Figura në faqen 16]

Një thikë e zbukuruar që hap zarfet e letrave

[Figura në faqen 17]

Toledo, Spanjë

[Figura në faqen 17]

Vathë

[Figura në faqen 17]

Varëse

[Figura në faqen 17]

Një kuti antike bizhuterish

[Figurat në faqen 18]

Gërvishtja

Mbushja

Fiksimi

Oksidimi

Daltimi

Lustrimi

[Burimi i figurave në faqen 16]

Të gjitha fotografitë: Agustín Sancho

[Burimi i figurave në faqen 17]

Konturet e faqeve, varësja dhe kutia e bizhuterive: Agustín Sancho