Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Celulari: Mik apo armik?

Celulari: Mik apo armik?

Celulari: Mik apo armik?

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË AUSTRALI

DISA vjet më parë telefonat e lëvizshëm ose celularët, vështirë se mund të konsideroheshin si aparate vërtet të «lëvizshme». Këta telefona ishin të tillë vetëm nëse ju ishit shumë të fortë ose nëse i kishit të instaluar në makinën tuaj, meqë bateritë e tyre ishin jashtëzakonisht të rënda. Telefonat ishin më të mëdhenj sesa kutitë e këpucëve dhe kushtonin mijëra dollarë.

Sot ka rreth 1,35 miliardë telefona celularë. Në disa vende, më shumë se gjysma e popullsisë ka një të tillë. Shumica prej tyre janë aq të vegjël sa fshihen në pëllëmbën e dorës dhe madje disa herë mund të marrësh një telefon edhe pa lekë. * Revista australiane The Bulletin raporton: «Afërsisht numri i këtyre pajisjeve që janë në përdorim është sa numri i televizorëve dhe i kompjuterëve personalë të marrë së bashku.» Në më shumë se 20 vende, tani ka më shumë celularë sesa telefona fiks. Një specialist në industri, nuk i përshkruan celularët vetëm si një mrekulli të teknologjisë, por edhe si «një dukuri shoqërore».

Çfarë pasojash kanë celularët në shoqëri? A mund t’i quani miq apo armiq?

Një avantazh për biznesin

Nga bumi i shitjeve të celularëve, përfitojnë shumë biznese. Një firmë e madhe pohon: «Tregu i celularëve deri tani është segmenti më i madh i pajisjeve elektronike për konsumatorët.» Me fjalë të tjera, paratë që harxhohen sot me celularët janë shumë më tepër sesa ato që harxhoheshin në të kaluarën me çdo pajisje tjetër elektronike.

Për shembull, në Australi, nga të 20 milionë banorët, më shumë se 15 milionë kanë celularë. Vetëm vitin e fundit, klientët e njërës prej kompanive të shumta telefonike në këtë vend, bënë 7,5 miliardë telefonata me celular. Kudo përreth botës, celularët u sigurojnë kompanive të telekomunikacionit miliarda dollarë në vit. Ja përse për bizneset e mëdha celulari është një mik.

Po krijojnë një gjuhë të re

Shumica e informacioneve që shkëmbehen nga këto pajisje të teknologjisë së lartë, nuk janë në formë bisede, por me shkrim. Në vend që të flasin me telefon, një numër gjithnjë e në rritje përdoruesish të celularëve​—veçanërisht të rinjtë​—po përdorin një shërbim të quajtur Shërbimi i Mesazheve të Shkurtra (SMS). Ky shërbim u lejon atyre të shkruajnë dhe t’i dërgojnë mesazhe të shkurtra njëri-tjetrit, pa harxhuar shumë. Por, duke qenë se tastiera e telefonit mbi të cilin shkruhet mesazhi është e vogël, atëherë ata që janë të dhënë pas SMS-ve, përdorin një formë të shkurtuar të gjuhës që kombinon shkronjat dhe numrat për të formuar tingullin e fjalës. Edhe pse të shkruarit e mesazheve është i bezdisshëm po të krahasohet me të folurit në telefon, përsëri, çdo muaj, rreth 30 miliardë mesazhe shkëmbehen në të gjithë botën.

Çfarë përmbajnë gjithë këto mesazhe? Një studim britanik zbuloi se 42 për qind e të rinjve të moshës nga 18 deri 24-vjeçare, përdorin SMS-të për të flirtuar; 20 për qind e përdorin këtë formë komunikimi që është në modë, për t’i kërkuar dikujt takim që të dalin së bashku, dhe 13 për qind i kanë përdorur SMS-të për t’i dhënë fund lidhjes me dikë.

Disa komentues për çështjet shoqërore shqetësohen, pasi shqiptimi i copëzuar dhe sintaksa e përdorur në SMS-të, po dëmton aftësitë e të shkruarit dhe të të lexuarit te të rinjtë. Disa të tjerë nuk janë dakord, duke pohuar se fenomeni i SMS-ve «po shkakton te brezi i ri një rilindje të dëshirës për të shkruar». Zëdhënësja e një shtëpie botuese që boton një fjalor australian, tha për gazetën Sun-Herald: «Rrallë kemi mundësinë të zhvillojmë një stil tërësisht të ri [të gjuhës], . . . kombinimi i mesazheve të shkruara [SMS] dhe i Internetit do të thotë se të rinjtë po shkruajnë më shumë. [Ata] duhet të jenë të rrjedhshëm dhe të kenë një shqiptim të mirë që ta kapin këtë stil të ri gjuhe dhe të bëhen mjeshtra në përdorimin e shprehjeve më të përhapura dhe të simboleve . . . të këtij shkrimi.»

Disa prirje jo të mira

Ndonëse celularët janë një mjet i dobishëm edhe për lidhjet shoqërore, edhe për të bërë biznes, për shumë punonjës këto pajisje disa herë mund të duken më shumë si pranga, sesa si miq. Kjo, pasi i bën të jenë gjithnjë të lidhur pas zyrës. Një sondazh zbuloi se 80 për qind e punonjësve të reklamave dhe 60 për qind e punonjësve të ndërtimit, gjatë gjithë kohës ndihen nën presionin për t’iu përgjigjur menjëherë si pronarit, ashtu edhe klientëve. Presioni që ndiejnë njerëzit për t’iu përgjigjur një telefonate në celular pavarësisht se ku janë ose çfarë janë duke bërë në ato momente, po krijon, siç e quan dhe një nga studiuesit, një «kulturë ndërprerjesh». Si kundërpërgjigje, inxhinierët kanë shpikur një material ndërtimi për t’u përdorur në restorante dhe teatro, që pengon valët sinjalizuese të celularëve.​—Shih kutinë «Disa këshilla për përdorimin e celularit».

Më shumë sesa vetëm të krijojnë ndërhyrje të mërzitshme, këto pajisje, që t’i zë syri ngado, kanë fuqinë që të transformohen në një armik publik. Nga një studim kanadez, u zbulua se përdorimi i celularit ndërkohë që ngitni makinën, është po aq i rrezikshëm sa edhe të ngitni makinën kur keni pirë. Profesori Mark Stivenson, i Qendrës Kërkimore të Dëmtimeve në Universitetin e Australisë Perëndimore, shpjegon se të flasësh në telefon është shumë më e ndërlikuar sesa thjesht të flasësh me një tjetër në makinë. Kjo është e rrezikshme dhe në disa vende policia i gjobit shoferët që përdorin celularin gjatë kohës që i japin makinës. Megjithatë nga një sondazh i kohëve të fundit, u zbulua se 1 në 5 shoferë australianë kanë dërguar SMS dhe një e treta kanë bërë ose kanë marrë telefonata në celular ndërkohë që ngitnin makinën.

Rreziqet e përdorimit të papërshtatshëm të celularit ekzistojnë edhe gjatë udhëtimit me aeroplan. Edhe pse sistemi elektrik në aeroplanët më të fundit është i mbrojtur nga valët sinjalizuese të celularit, thuhet se disa aeroplanë më të vjetër që janë ende në përdorim, ndikohen nga ndërhyrjet e valëve. Revista New Scientist raporton: «Në provën që u bë në bordin e dy avionëve, Autoriteti i Aviacionit Civil britanik [CAA] konfirmoi se rrezatimi i celularëve ndërhyn te pajisjet elektronike, të cilat kanë një rol kritik për një fluturim të sigurt.» Duke identifikuar rrezikun domethënës që përbëjnë këta telefona, një zëdhënës i CAA-së tha: «Një celular, sa më larg të jetë nga stacioni bazë, aq më shumë rrezaton fuqi. Pra, kur një avion ngrihet në fluturim, valët e celularit rriten në fuqi, duke rritur kështu nivelin e ndërhyrjes në momentin më të rëndësishëm të fluturimit.» Nga një studim australian u zbulua se pajisjet elektronike personale, duke përfshirë këtu edhe celularët, shkaktuan shumë aksidente. Kjo ndodhi tek avionët e linjave që patën probleme gjatë fluturimit, pasi pasagjerët shpërfillën paralajmërimet për t’i fikur këto aparate kur ishin në bordin e avionit.

Celularët dhe kanceri

Ende vazhdon debati nëse valët e radios të prodhuara nga celularët dhe stacionet bazë prej të cilit marrin valët, mund të shkaktojnë kancer te njerëzit. Duke qenë se janë me qindra milionë njerëzit që i përdorin këto pajisje, sikur edhe një përqindje fare e vogël e tyre të kishin probleme shëndetësore, kjo do të përbënte një rrezik të madh. Si rezultat, janë bërë shumë studime të thella shkencore, për të parë ndikimin e rrezatimit të celularit tek indet e gjalla. Në çfarë përfundimi dolën?

Grupi Ekspert i Pavarur për Celularët (IEGMP) ka botuar një raport, në të cilin thuhet: «Grupi Ekspert beson se, nën dritën e fakteve që janë aktualisht në dispozicion, nuk është e nevojshme që popullsia të shqetësohet për përdorimin e celularëve.» Gjithashtu revista New Scientist raporton: «Me gjithë historitë frikësuese të viteve të fundit, shumica e të dhënave deri tani tregojnë se ekspozimi ndaj valëve radiofonike të prodhuara nga celularët, nuk ka pasoja negative mbi shëndetin. Studimet që kanë provuar këto pasoja, e kanë pasur të vështirë për t’i përsëritur ato.»

Duke qenë se dyshimet për pasojat që mund të kenë celularët te shëndeti mbeten ende, miliona dollarë vazhdojnë të shpenzohen për kërkime të mëtejshme. Derisa të gjendet një përgjigje përfundimtare, IEGMP-ja këshillon si më poshtë: «Kur përdorni celularët, bisedoni sa më shkurt që të jetë e mundur. Përdorni ata telefona që kanë një SAR (tregues i rrezatimit që lëshon celulari dhe që përthithet nga trupi) të vogël. Përdorni kufje dhe pajisje të tjera me karakteristika të tilla që zvogëlojnë SAR-in.» Grupi Ekspert gjithashtu rekomandon se «fëmijët nën moshën 16-vjeçare, duhen inkurajuar që të mos përdorin celularët», sepse sistemi nervor i tyre që është në zhvillim e sipër, do t’i bënte «më të prekshëm ndaj çdo rreziku shëndetësor të panjohur».

Megjithëse është bërë objekt debatesh, celulari ka pasur dhe vazhdon të ketë një ndikim të madh si në aspektin ekonomik, ashtu edhe në atë shoqëror. Ngjashëm «kushërinjve» të tij elektronikë​—televizorit dhe kompjuterit personal​—celulari ka fuqinë që, njëkohësisht, të jetë edhe skllav i dobishëm, edhe pronar i ashpër. Faktikisht, është në dorën tuaj të përcaktoni nëse celulari po ju kthehet në një mik apo në një armik.

[Shënimi]

^ par. 4 Disa herë, telefonat celularë u jepen falas vetëm atyre që lidhin kontratë me një shërbim telefonik për të shpenzuar një sasi të përcaktuar lekësh, duke telefonuar brenda një periudhe të caktuar.

[Kutia dhe figura në faqen 19]

DISA KËSHILLA PËR PËRDORIMIN E CELULARIT

1. Mos e ngrini zërin kur flitni në një vend ku ka njerëz. Mikrofoni i telefonit është shumë i ndjeshëm, kështu që zëri juaj mund të dëgjohet edhe kur flisni me zë të ulët. Veç kësaj, me siguri atyre që janë përreth, nuk u interesojnë bisedat tuaja private.

2. Fikeni telefonin ose lëreni pa zë dhe me dridhje, nëse jeni në grumbullime fetare, në mbledhje biznesi, në kinema ose në ngjarje të tjera publike, apo në restorant.

3. Mos i përdorni celularët që duhen mbajtur në dorë për të folur, kur ngitni makinën.

[Figura në faqen 18]

Përreth botës, rreth 30 miliardë mesazhe dërgohen çdo muaj

[Figura në faqen 20]

Të përdorni celularin ndërkohë që ngitni makinën, është po aq e rrezikshme sa edhe të ngitni makinën kur keni pirë