Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Dr. Livingstoni, në mos gaboj?»

«Dr. Livingstoni, në mos gaboj?»

«Dr. Livingstoni, në mos gaboj?»

Nga një shkrimtar i Zgjohuni! në Tanzani

«Më 10 nëntor 1871, nën pemën e mangos, e cila ka qenë te ky vend këtu, Henri M. Stenli takoi David Livingstonin.»

​—Pllakë në Monumentin Përkujtimor të Livingstonit, në Uxhixhi, në liqenin Tanganika, Tanzani.

KA KALUAR më shumë se një shekull që nga koha kur Stenli tha përshëndetjen e famshme: «Dr. Livingstoni, në mos gaboj?» Shumë pak veta nga ata që nuk jetojnë në Tanzani, do ta kuptonin rëndësinë e këtij takimi.

Për këtë arsye, një vizitë në Muzeun Përkujtimor të Livingstonit në Tanzani, do të na ndihmojë të mësojmë më shumë. Udhërrëfyesi ynë, zoti Mbingo, na jep një mirëseardhje të ngrohtë. «Në vendin ku ngrihet monumenti,​—shpjegon ai,​—dikur qëndronte një pemë gjigante mangoje, nën të cilën Stenli takoi Livingstonin.» Tani aty janë dy pemë të stërmëdha mangoje. «Në fakt,​—vazhdon ai,​—gjatë viteve 20 të shekullit të 20-të, dukej që pema origjinale e mangos po thahej. U bënë përpjekje për ta shpëtuar, por më kot. Kështu që, dy pemë të shartuara u mbollën afër monumentit.»

Kush ishte Livingstoni?

Ndërsa ulemi nën hijen e njërës prej pemëve të mangos, zoti Mbingo na shpjegon se David Livingstoni lindi në vitin 1813, në një qytet të vogël të Skocisë, që quhej Blantair. «Edhe pse u rrit në varfëri, gjatë kohës që shkonte në shkollë ai punonte për të mbajtur veten, dhe më pas, u diplomua si mjek dhe u stërvit si misionar.» Mësuam se Shoqëria e Misionarëve të Londrës e dërgoi Livingstonin në Afrikë. Gjatë 30 vjetëve që jetoi në këtë vend, ai i bëri emër vetes si eksplorues dhe misionar.

«Dr. Livingstoni erdhi në Afrikë tri herë,​—thotë udhërrëfyesi.​—Herën e parë, erdhi në Afrikën e Jugut në vitin 1841. Në 1845-n, Livingstoni u martua me Meri Mofatin, vajzën e misionarit Robert Mofat.» Bashkë patën katër fëmijë. Edhe pse Meri e shoqëroi atë në shumë udhëtime, pasioni që kishte Livingstoni për eksplorimin nuk i linte mjaft kohë për të ndenjur me familjen. Meri Livingstoni vdiq nga malarja, në vitin 1862, ndërsa shoqëronte të shoqin në një nga ekspeditat e tij.

Enciklopedia e Re Britanike (anglisht) thotë: «Livingstoni ishte i gatshëm të përhapte krishterimin, tregtinë dhe qytetërimin​—ai besonte se këto tri gjëra do ta bënin Afrikën një vend më të hapur me botën jashtë​—në drejtim të veriut, përtej kufijve të Afrikës së Jugut, dhe deri në zemër të kontinentit. Në një deklaratë të famshme që bëri në vitin 1853, ai e shfaqi hapur synimin e tij: ‘O hap një shteg për në zemër të vendit, o këtu kam për të vdekur.’» Pra, udhëtimet e Livingstonit, nuk kishin për qëllim vetëm ungjillëzimin. Ai bënte thirrje të forta për zhdukjen e tregtisë së skllevërve. Gjithashtu, filloi të jepej pas eksplorimit, dhe vuri si synim të zbulonte burimin e Nilit.

Megjithatë, Livingstoni e kuptoi se i vetëm do ta kishte shumë të vështirë ta realizonte këtë qëllim. Në vitin 1857, i tha një grupi të rinjsh të Universitetit të Kembrixhit: «E di se brenda pak vjetësh s’do të jem më gjallë, por mos lejoni që ky vend, i cili tani është i hapur, të mbyllet përsëri! Do të kthehem në Afrikë dhe do të përpiqem të hap një shteg për tregtinë dhe krishterimin; [a do ta] çoni më tej punën që kam nisur? Jua dorëzoj juve stafetën.»

Sidoqoftë, Livingstoni bëri shumë udhëtime në pjesën qendrore të Afrikës. Midis gjërave të tjera, ai zbuloi edhe ujëvarën gjigante në lumin Zambezi, të cilës i vuri emrin Ujëvara Viktoria, për nder të mbretëreshës Viktoria. Më vonë, e përshkroi këtë ujëvarë si «pamjen më të mrekullueshme që i kishin zënë sytë në të gjithë Afrikën».

Kërkimi

«Udhëtimi i fundit i Livingstonit,​—shpjegon udhërrëfyesi,​—nisi në vitin 1866. Mirëpo, mes ekipit të tij nisën përçarjet. Disa nga shoqëruesit e braktisën dhe u kthyen në Zanzibar, ku përhapën fjalë se Livingstoni kishte vdekur. Megjithatë, Livingstoni vazhdoi kërkimin e tij. Në Uxhixhi, në bregun lindor të liqenit Tanganika, ngriti një bazë për ekspeditat e tij.

Mirëpo, kishin kaluar tre vjet, dhe në Evropë nuk kishin marrë asnjë lajm prej tij. Kështu, menduan se kishte vdekur. Botuesit e gazetës New York Herald dërguan reporterin Henri Morton Stenli, që ta gjente Livingstonin, gjallë a vdekur. Pa dyshim që Livingstoni as nuk kishte vdekur, as nuk ishte zhdukur. Ai kishte shumë nevojë për rezerva ushqimore dhe ishte sëmurur rëndë. Në nëntor të 1871-shit, njëri prej shërbëtorëve të Livingstonit erdhi në shtëpinë e tij duke bërtitur: ‘Mzungu anakuja! Mzungu anakuja!’» Në gjuhën suahili do të thotë: «Po vjen një njeri i bardhë!»

Stenli kishte tashmë tetë muaj që po e kërkonte Livingstonin. Në fillim udhëtoi nga India për në Afrikë dhe, më 6 janar 1871, mbërriti në ishullin e Zanzibarit. Më 21 mars 1871, u nis nga Bagamoio, qytet në bregdetin lindor, me gjashtë ton rezerva ushqimore dhe 200 hamej. Ekspedita prej 1.500 kilometrash, nëpër një zonë e cila nuk gjendej në asnjë hartë, ishte tepër e rrezikshme. Lumenjtë ishin fryrë nga shirat e rrëmbyeshëm. Stenli dhe njerëzit e tij, përveç rraskapitjes, vuajtën nga malarja dhe nga sëmundje të tjera. Të gjithë lumenjtë ishin plot me krokodilë. Një herë, Stenli pa i tmerruar kur një krokodil e tërhoqi zvarrë njërin prej gomarëve të fundit që i kishin mbetur, deri sa e ngordhi. Në një rast tjetër, vetë ai u shpëtoi për një qime nofullave të një krokodili! Prapëseprapë, Stenli ishte plotësisht i vendosur ta vazhdonte rrugën. Atë e inkurajonin lajmet që i vinin se një burrë i bardhë plak jetonte në zonën e Uxhixhit.

Ndërsa Stenli i afrohej Uxhixhit, u përgatit për takimin. Libri Stenli (anglisht), nga Riçard Holli, thotë: «Stenli ishte i dobësuar dhe i lodhur, por mendonte se do t’ia dilte të dukej më i zoti se [eksploruesit e mëparshëm], ndërsa marshonte në qytet. Në fund të fundit, ky do të ishte një moment i rëndësishëm në histori​—dhe Stenli jo vetëm që do ta krijonte këtë moment, por edhe do ta dokumentonte atë. Të gjithë anëtarët e ekspeditës, veshën rrobat më të mira që u kishin mbetur. Stenli vuri një shirit të ri përqark kapelës së tij (një helmetë prej tape), veshi pantallona të bardha të pastra dhe i lustroi çizmet aq sa t’i ndritnin.»

Stenli tregon se ç’ndodhi më vonë: «Dhe ja, tani ekspeditës i erdhi fundi. . . . Atje është një grup arabësh nga më të respektuarit; kur afrohem, shoh midis tyre fytyrën e bardhë të një burri plak. . . . Heqim kapelat, dhe unë i them: ‘Dr. Livingstoni, në mos gaboj?’ Ai më thotë: ‘Po.’»

Ngjarjet që pasuan

Në fillim, Stenli kishte planifikuar që të qëndronte vetëm sa për t’i marrë një intervistë dhe për të shkruar historinë e tij. Por shpejt, Livingstoni dhe Stenli u bënë miq. Udhërrëfyesi ynë tregon: «Stenli qëndroi me Livingstonin disa javë, dhe bashkë eksploruan liqenin Tanganika. Stenli u përpoq ta bindte Livingstonin që të kthehej në Evropë, por ai ishte i vendosur të qëndronte dhe të gjente burimin e Nilit. Kështu, më 14 mars 1872, Stenli dhe Livingstoni u ndanë të emocionuar. Stenli u kthye në bregdet, ku bleu rezerva ushqimore dhe ia dërgoi Livingstonit. Pas kësaj, Stenli u nis për në Evropë.»

Çfarë ndodhi me Livingstonin? Udhërrëfyesi na shpjegon: «Në gusht 1872, Livingstoni filloi prapë kërkimin e tij për burimin e Nilit. Ai u drejtua në jug, për në Zambie. Por, rraskapitja dhe sëmundjet bënë të tyren. Më 1 maj 1873, u gjet i vdekur. Shërbëtorët e tij . . . ia balsamosën trupin, ndërsa zemrën dhe zorrët ia varrosën në tokën afrikane. Më pas, trupin e Livingstonit e transportuan gati 2.000 kilometra për në Bagamoio, ku e morën misionarët. Ishin marrë masat që trupi të çohej me anije në Zanzibar dhe pastaj në Britani. Trupi i tij mbërriti në Londër më 15 prill 1874, dhe pas tri ditësh u varros në abacinë e Uestminsterit. U desh përafërsisht një vit që trupi i Livingstonit të prehej në varrin e tij përfundimtar.»

Stenli u kthye në Afrikë për të vazhduar eksplorimin, atje ku e kishte lënë përgjysmë Livingstoni. Stenli bëri disa ekspedita, me qëllim që të eksploronte zonat përqark liqenit Viktoria dhe liqenit Tanganika, si edhe drejtimin e lumit të madh Kongo.

Patjetër që është për t’u admiruar guximi dhe vendosmëria e njerëzve, si Livingstoni dhe Stenli. Enciklopedia e Re Britanike thotë për Livingstonin: «Zbulimet e tij​—gjeografike, teknike, mjekësore dhe sociale​—përbëjnë një burim kompleks njohurie, që po studiohet ende.» Sot Livingstoni dhe Stenli kujtohen si eksplorues dhe jo si një predikues dhe një reporter. Por puna e tyre përgatiti terrenin që njohuria biblike të përhapej gjerësisht dekada më vonë.

Misionarët Dëshmitarë të Jehovait, kanë ndihmuar qindra mijë afrikanë që të përqafojnë të vërtetat biblike. Në fakt, në Uxhixhi, aty ku Stenli takoi për herë të parë Livingstonin, puna e Dëshmitarëve për shpërndarjen e të vërtetave të Biblës, është shumë e njohur. Është kaq e njohur sa, kur banorët vendës i shohin para dyerve të tyre, nuk është e pazakontë që ndonjë të pyesë: «Dëshmitarët e Jehovait, në mos gaboj?»

[Harta në faqen 23]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Liqeni Viktoria

Ekspeditat e Livingstonit

Kejptaun

Porti Elizabet

Kuruman

Liqeni Ngami

Liniant

Luandë

Ujëvara Viktoria

Kelimane

Mozambik

Mikindan

Zanzibar

Çitambo

Liqeni Tanganikë

Niangue

Uxhixhi, ku u takuan dy burrat

Kërkimi i Stenlit për Livingstonin më 1871

Zanzibar

Bagamoio

Uxhixhi, ku u takuan dy burrat

[Burimi]

Harta: Mountain High Maps® Copyright © 1997 Digital Wisdom, Inc.

[Figura në faqet 22, 23]

David Livingstoni

[Burimi]

Livingstoni: Nga libri Missionary Travels and Researches in South Africa, 1858

[Figura në faqet 22, 23]

Henri M. Stenli

[Figura në faqen 23]

Ujëvara Viktoria

[Figura në faqen 24]

Një Dëshmitar i Jehovait në Uxhixhi, duke folur për të vërtetën biblike