Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ju mund ta përballoni stresin!

Ju mund ta përballoni stresin!

Ju mund ta përballoni stresin!

«LUFTA për të ekuilibruar përgjegjësitë në punë, në familje dhe jashtë saj është bërë më e madhe në vitet e fundit.» Kështu thoshte një libër i ri që fliste për jetën familjare. Po, jetojmë në kohë stresuese. Megjithatë, kjo nuk i habit aspak studentët e Biblës, sepse ajo parathoshte se do të vinin «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar».​—2 Timoteut 3:1-5.

«Stresi është diçka e zakonshme,​—thotë Hesusi, baba me tre fëmijë.​—Prandaj duhet të dish si ta mbash nën kontroll.» Kuptohet, ta mbash nën kontroll stresin mund të jetë e lehtë ta thuash, por jo edhe aq e lehtë ta bësh. Megjithatë, ka sugjerime praktike dhe parime biblike që mund t’ju ndihmojnë.

Si ta përballoni stresin në punë

A jeni të stresuar, ndoshta për shkak të rrethanave që keni në punë? Ka mundësi që po të vuani në heshtje, vetëm sa do të ndiheni më shumë në tension. Siç thotë Bibla, te Fjalët e urta 15:22: «Planet prishen aty ku nuk flitet në mirëbesim.»​—BR.

Studiuesit që kanë bërë kërkime për stresin në vendin e punës këshillojnë që «të flitni me punëdhënësin: nëse nuk e dinë se ekziston një problem, nuk mund t’ju ndihmojnë». Kjo nuk do të thotë të shfryni dufin. «Gjakftohtësia i fashit fyerjet edhe kur janë të rënda»,​—thuhet te Predikuesi 10:4. Flitni konkretisht për problemin dhe mos u përballni me punëdhënësin me një ton luftarak. Mbase e bindni se më pak stres në punë, do të thotë më shumë rendiment.

E njëjta gjë mund të thuhet për probleme të tjera që lidhen me punën, siç janë acarimet dhe mosmarrëveshjet me punonjësit e tjerë. Kërkoni mënyra të efektshme për t’i trajtuar këto probleme, dhe po të jetë nevoja, kërkoni edhe informacione që flasin për to. Në revistën Zgjohuni! janë botuar një sërë artikujsh që mund t’ju ndihmojnë. * Nëse gjendja duket e pashpresë, mbase është më mirë të mendoni për të gjetur një punë tjetër.

Lehtësim nga streset ekonomike

Bibla ka edhe këshilla që mund t’ju ndihmojnë të përballoni vështirësitë ekonomike. Jezu Krishti dha këtë këshillë: «Mos jini më në ankth për shpirtrat tuaj, se ç’do të hani ose ç’do të pini, apo për trupat tuaj, se ç’do të vishni.» (Mateu 6:25) Si bëhet e mundur kjo? Duke krijuar besimin që Perëndia Jehova do të na i sigurojë gjërat e domosdoshme. (Mateu 6:33) Premtimi i Perëndisë nuk është fjalë boshe. Miliona të krishterë sot marrin forcë nga ky premtim.

Sigurisht keni nevojë edhe për ‘mençuri’ ose dituri kur bëhet fjalë për paratë. (Fjalët e urta 2:7, BR; Predikuesi 7:12) Bibla na kujton: «Asgjë nuk kemi sjellë në botë, e asgjë nuk mund të marrim prej saj. Prandaj, nëse kemi ç’të hamë, ç’të veshim e ku të futim kokën, le të kënaqemi me kaq.» (1 Timoteut 6:7, 8) Të mësosh të kënaqesh me pak është realiste dhe praktike. A ju kujtohet Leandroja, i cili mbeti i paralizuar në një karrocë invalidësh pas një aksidenti? Ai dhe e shoqja gjetën mënyra se si të kursenin paratë. Leandroja shpjegon: «Përpiqemi të bëjmë ekonomi. Për shembull, nëse drita nuk na duhet, e fikim, që të mos harxhojmë korrent. Sa për makinën, mendojmë që më përpara se ku do të shkojmë, dhe me një rrugë kryejmë disa punë për të kursyer karburant.»

Prindërit mund t’i ndihmojnë fëmijët që të kenë qëndrimin e duhur. Vajza e Leandros, Karmeni, thotë: «E kisha zakon të blija aty për aty, pa bërë plane, por prindërit më kanë ndihmuar të dalloj se cilat gjëra janë vërtet të nevojshme dhe cilat nuk janë. Në fillim, ishte e vështirë të përshtatesha. Por mësova të dalloja dëshirat nga nevojat.»

Komunikimi​—Qetësues për stresin

Shtëpia duhet të jetë një liman mbrojtjeje nga stresi, por shpesh është një nga burimet kryesore të stresit. Përse? «Çiftet . . . që janë disi të stresuara ose që shkojnë majë më majë,​—thuhet në librin Strategji për mbijetesën e çifteve (anglisht),​—thonë se mungesa e komunikimit është shkaku më i zakonshëm i mosmarrëveshjeve.»

Parimet e Biblës mund t’i ndihmojnë çiftet që të përmirësojnë aftësinë për të komunikuar. Bibla thotë se ka «një kohë për të heshtur dhe një kohë për të folur» dhe «sa e mirë është fjala që thuhet në kohën e duhur». (Predikuesi 3:1, 7; Fjalët e urta 15:23) Këto gjëra mund t’ju ndihmojnë të mos hapni një bisedë që mund të ndezë gjakrat, kur bashkëshortja a bashkëshorti janë të lodhur ose të stresuar. A nuk është më mirë që të pritni kohën e duhur, kur tjetri është më i gatshëm për të dëgjuar?

Vërtet, nëse keni kaluar një ditë të vështirë në punë, mund të mos jetë e lehtë të jeni të qetë ose të duruar. Por, ç’mund të ndodhë po ta shfryjmë mllefin duke i folur ashpër bashkëshortes ose bashkëshortit? Bibla na kujton se «fjala therëse e nxit zemërimin». (Fjalët e urta 15:1) Në ndryshim të madh me këtë, «fjalët e ëmbla janë si një huall mjalti, ëmbëlsi për shpirtin dhe ilaç për kockat». (Fjalët e urta 16:24) Mund të duhet vërtet vendosmëri që në bisedat si çift të mos ketë ‘vrer shpirtlig, zemërim, furi, të bërtitur dhe sharje’. (Efesianëve 4:31) Megjithatë ia vlen barra qiranë. Çiftet që komunikojnë mund të jenë burim ngushëllimi dhe ndihme për njëri-tjetrin. «Mençuria është me ata që këshillohen së bashku»,​—thuhet te Fjalët e urta 13:10, BR. *

Vështirësitë e komunikimit prind-fëmijë

Të komunikosh me fëmijët është e vështirë, sidomos kur ke pak kohë. Bibla i nxit prindërit që të flasin me fëmijët në çdo rast, si për shembull, ‘kur rrinë ulur në shtëpi dhe kur ecin rrugës’. (Ligji i përtërirë 6:6-8) Leandroja thotë: «Duhet t’i kërkosh mundësitë për të folur. Kur jam në makinë me tim bir, përfitoj nga rasti për të folur me të.»

Është e vërtetë që jo të gjithë prindërit e kanë të lehtë të komunikojnë me fëmijët. Alehandra, nënë me tre fëmijë, thotë: «Nuk dija të dëgjoja. Mungesa e një komunikimi të mirë më bënte të ndihesha e zemëruar dhe fajtore.» Si mund të përmirësojë një prind në këtë drejtim? Duke mësuar që të jetë «i shpejtë për të dëgjuar». (Jakovi 1:19) «Të dëgjuarit me vëmendje është një nga mënyrat më të efektshme për të pakësuar stresin»,​—thotë dr. Beti B. Jangsi. Duhet të keni kujdes se si dëgjoni. Kur i dëgjoni fëmijët, shihini në sy. Mos i merrni lehtë shqetësimet e fëmijëve. Nxitini ata të shprehin ndjenjat. Bëjuni pyetje të përshtatshme. Shprehuani me bujari dashurinë dhe besimin që keni se ata do të bëjnë atë që është e drejtë. (2 Selanikasve 3:4) Lutuni me fëmijët.

Duhen përpjekje për të pasur një komunikim të mirë. Por kjo mund t’ju ndihmojë që të pakësoni stresin në familje. Komunikimi ju ndihmon të dalloni nëse fëmijët tuaj po kalojnë një periudhë stresuese. Mund të bëheni më të aftë për t’u dhënë fëmijëve këshilla të mençura, nëse i kuptoni ndjenjat dhe rrethanat e tyre. Së fundi, fëmijët që inkurajohen ta shkarkojnë stresin duke biseduar, do të jenë më pak të prirur që ta shkarkojnë stresin duke u sjellë keq.

Bashkëpunimi​—Thelbësor për punët e shtëpisë

Kur edhe burri, edhe gruaja janë në marrëdhënie pune, punët e shtëpisë mund të jenë një burim tjetër stresi. Disa nëna që janë në punë arrijnë ta përballojnë ngarkesën duke i thjeshtuar punët që bëjnë çdo ditë në shtëpi. Ato e kuptojnë se nuk është as e mundur dhe as praktike që të gatuajnë shumë gjëra për një vakt. Kujtoni këshillën që Jezui i dha një gruaje, e cila po përgatiste një vakt që kërkonte shumë punë: «Pak gjëra janë të nevojshme, ose vetëm një.» (Luka 10:42) Pra thjeshtojini gjërat. Në librin Familja me një prind (anglisht) thuhet: «Bëni gjellë me zarzavate ose gjellë që duan vetëm një enë, që të mos keni shumë për të larë.» Po, stresin mund ta pakësoni edhe duke i thjeshtuar punët e përditshme të shtëpisë.

Sidoqoftë, edhe në këtë rast, mund të ketë prapë shumë gjëra që duhen bërë. Një nënë që është në punë thotë: «Kur isha e re, ia dilja t’i bëja të gjitha vetë. Tani që mosha po kalon, e kam më të vështirë. Jeta e ngarkuar që kam kaluar po bën të vetën. Prandaj, kur secili në familje bën diçka, kjo është shenjë kujdesi dhe më ndihmon të mos stresohem shumë.» Po, nëse të gjithë pjesëtarët e familjes përveshin mëngët, punët mund të bëhen pa i ngarkuar barrë të tepërt ndonjërit. Një libër për prindërit thotë: «T’u caktosh fëmijëve punë shtëpie është një nga mënyrat më të mira për të kultivuar tek ata . . . ndjenjën se janë të zotë. Punët e shtëpisë që u jepen rregullisht, zhvillojnë tek ata zakone të dobishme dhe qëndrimin e duhur karshi punës.» Po t’i bëni bashkë punët e shtëpisë, kjo mund t’ju japë edhe mundësi që të kaloni kohë me fëmijët.

Xhulieta, një e re, thotë: «E shoh se mami ndihet mirë kur e lehtësoj disi nga punët. Kjo më jep kënaqësi dhe më bën të ndihem e përgjegjshme. Më ndihmon të vlerësoj familjen. Duke mësuar të bëj punët e shtëpisë jam e përgatitur për të ardhmen.» Mari-Karmeni thotë diçka të ngjashme: «Që kur ishim të vegjël, prindërit na mësuan të kujdeseshim për veten. Kjo na ka ndihmuar shumë.»

Disa mënyra të shëndetshme për të përballuar stresin

Në ditët tona, stresi është pjesë e jetës; nuk mund të shmanget. Megjithatë, ju mund të mësoni ta përballoni. (Shih kutinë në faqen 10.) Për këtë mund t’ju ndihmojë ndjekja e parimeve të Biblës. Për shembull, nëse për ndonjë arsye ndiheni tejet të rënduar, mbani mend se «është një mik që është më i lidhur se një vëlla». (Fjalët e urta 18:24) Flitni hapur me një mik të pjekur ose me bashkëshorten a bashkëshortin. «Mos e mbani sikletin brenda,​—thotë sociologu Ronald L. Picer.​—Shprehjani ndjenjat dhe shqetësimet tuaja një njeriu të pjekur që ju kupton dhe interesohet për ju.»

Bibla flet edhe për njeriun që «i bën të mirë vetes». (Fjalët e urta 11:17) Po, është e përshtatshme të kujdeseni për nevojat tuaja. Bibla thotë: «Vlen më tepër një grusht me pushim se sa dy grushte, me mundim, duke u përpjekur të kapësh erën.» (Predikuesi 4:6) Rezervoni pak kohë për veten, edhe sikur pak minuta herët në mëngjes sa për të pirë një çaj, për të lexuar, për t’u lutur ose për të medituar në qetësi. Kjo gjë mund të jetë ilaç.

Gjithashtu, pak fizkulturë dhe ushqimi i shëndetshëm mund t’ju bëjnë mirë. Një libër për prindërit na kujton: «Po të flasim në mënyrë figurative, kur harxhoni pak nga energjitë dhe koha juaj e çmuar për veten, është sikur po mbushni depozitën tuaj bankare. . . . Kur shpenzoni vazhdimisht, do të thotë që duhet të siguroheni se edhe do të futni diçka për ta zëvendësuar, përndryshe rrezikoni që nga ana emocionale të dilni deficit, në mos do të falimentoni fare.»

Veç kësaj, Bibla na ndihmon të zhvillojmë cilësi që nevojiten për të përballuar stresin, të tilla, si: ‘butësia e karakterit’, durimi dhe mirëdashja. (Galatasve 5:22, 23; 1 Timoteut 6:11) Por jo vetëm kaq, Bibla na jep shpresë, na premton se do të vijë një botë e re, në të cilën të gjitha gjërat që u shkaktojnë vuajtje njerëzve do të kalojnë. (Zbulesa 21:1-4) Prandaj, është e mençur ta bëjmë zakon që ta lexojmë Biblën çdo ditë. Nëse dëshironi ndihmë për të nisur një program të tillë, Dëshmitarët e Jehovait do t’ju ndihmojnë me kënaqësi, pa pagesë.

Kjo nuk do të thotë se një i krishterë bën një jetë pa strese. Por Jezui tha se është e mundur të mos ‘rëndohemi nga . . . ankthet e jetës’. (Luka 21:34, 35) Gjithashtu, nëse do ta njihni Perëndinë Jehova dhe do ta keni mik, ai mund të jetë vërtet një strehë për ju. (Psalmi 62:8) Ai mund t’ju ndihmojë të përballoni streset e jetës.

[Shënimet]

^ par. 7 Shih serinë e artikujve «Viktimë në vendin e punës: Ç’mund të bëni?», në numrin e 8 majit 2004.

^ par. 15 Për informacione të mëtejshme, shih kapitullin e tretë të librit Sekreti i lumturisë familjare, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Diçitura në faqen 11]

«Kur isha e re, ia dilja t’i bëja të gjitha vetë. Tani që mosha po kalon, e kam më të vështirë. Jeta e ngarkuar që kam kaluar po bën të vetën»

[Kutia dhe figurat në faqen 10]

Si ta pakësoni stresin

▪ Pushoni sa duhet çdo ditë

▪ Hani ushqime të shëndetshme Mos hani tepër

▪ Bëni rregullisht fizkulturë pa e tepruar, si për shembull, një ecje të shpejtë

▪ Nëse ju shqetëson diçka, flitni me një mik

▪ Kaloni më shumë kohë me familjen

▪ Disa punë shtëpie lëruani të tjerëve ose bëjini bashkë

▪ Kuptoni kufizimet tuaja fizike dhe emocionale

▪ Vini synime realiste; mos kini maninë për përsosmëri

▪ Jini të organizuar; mbani një program të ekuilibruar dhe të arsyeshëm

▪ Zhvilloni cilësi të krishtere si butësia dhe durimi

▪ Rezervoni kohë për veten

[Figura në faqen 7]

Po të flitni me respekt me punëdhënësin për problemet që keni, stresi në punë mund të pakësohet

[Figura në faqen 8]

Prindërit mund të bisedojnë me fëmijët se si të gjejnë mënyra për të kursyer para

[Figura në faqen 8]

Po të jesh i ri, shkarkoje stresin duke biseduar me dikë që mund të të ndihmojë

[Figura në faqet 8, 9]

Të gjithë mund të ndihmojnë në punët e shtëpisë