Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Korkovadoja​—Diamanti natyror i Kosta-Rikës

Korkovadoja​—Diamanti natyror i Kosta-Rikës

Korkovadoja​—Diamanti natyror i Kosta-Rikës

Nga një shkrimtar i Zgjohuni! në Kosta-Rikë

«NJË DIAMANT natyror.» Kjo frazë përshkruan më së miri Parkun Kombëtar të Korkovados. Ky park ndodhet në gadishullin Osa, në bregdetin e Kosta-Rikës (Amerika Qendrore), nga ana e Paqësorit Jugor. Bukuria e jashtëzakonshme e këtij pylli shiu pothuajse të paprekur, vendndodhja e tij e izoluar dhe fakti që është shtëpia e një larmie të mahnitshme pemësh, insektesh, zvarranikësh dhe gjitarësh, e bëjnë Korkovadon një vend magjepsës për t’u vizituar.

Ky park i bukur është një diamant natyror në tërë kuptimin e fjalës. Ai ndodhet në një nga pyjet më të mëdha tropikale të shiut të Amerikës Qendrore. Këtu nuk do të gjeni shumë restorante, hotele ose dyqane me suvenirë. Përveç disa stacioneve të rojave dhe shtigjeve të gjata për të ecur, ka shumë pak gjëra që të kujtojnë praninë e njeriut këtu. Një libër udhërrëfyes, këto shtigje i quan sistemin më të mirë të shtigjeve në të gjithë parqet me pyje të shiut.

Nga pyll në park

Në fillim të viteve 70 të shekullit të 20-të, u mendua seriozisht për ta transformuar këtë pyll shiu në një park kombëtar. Megjithatë, ky transformim s’do të ishte aspak i lehtë. Kjo, po të mbahej parasysh se do të duheshin shumë fuqi krahu dhe të ardhura. Në mes të viteve 70, u raportua se në rajonin që përfshinte këtë pyll po vendoseshin me banim disa njerëz. Përveç kësaj, një punishte sharrash që zotëronte një zonë të madhe në pyll, kishte planifikuar që të priste një numër të madh drurësh. Ndërsa shumë gjuetarë e shfrytëzonin pyllin për gjueti.

Megjithatë, shkencëtarët dhe biologët nga e gjithë bota ushtruan ndikimin e tyre, sepse kishin kuptuar se sa vlerë kishte ruajtja e këtij pylli. Më 31 tetor 1975, qeveria e Kosta-Rikës shpalli ngritjen e Parkut Kombëtar të Korkovados. Që prej asaj kohe, operacionet për prerjen në masë të drurëve dhe gjuetia nuk përbëjnë më rrezik.

«Faqet» e ndryshme të Korkovados

Territori prej 54.000 hektarësh i Korkovados ka një shumëllojshmëri të madhe kafshësh e bimësh. Të paktën tetë habitate ose ekosisteme ekzistojnë brenda kufijve të këtij parku. Brenda këtyre ekosistemeve ka të paktën 500 lloje pemësh. Pema më e madhe është pema e kapokut. Diametri i saj është më shumë se 3 metra dhe është e lartë më shumë se 70 metra.

A ju pëlqen të vëzhgoni zogjtë? Pa dyshim, në Korkovado do të jeni të zënë dhe do të ndieni shumë kënaqësi duke parë gati 400 llojet e zogjve që e kanë bërë këtë park shtëpinë e tyre. Në të mund të gjeni edhe numrin më të madh të papagajve të kuq në të gjithë vendin. Kur ata fluturojnë, ngjyrat marramendëse që shkëlqejnë nga rrezet e diellit tropikal, bëjnë që të duken si shirita përmes qiellit.

Ndoshta doni të studioni diçka që është më afër tokës. S’ka problem fare! Korkovadoja ju ofron 116 lloje të ndryshme amfibësh dhe zvarranikësh, duke përfshirë këtu edhe gjarprin Bothrops atrox. Por mos e vëzhgoni gjatë ose nga shumë afër, sepse ky gjarpër helmues njihet për agresivitetin e tij unik. Midis amfibëve është një lloj bretkose e tejdukshme. Nëse ajo ndodhet mbi një sipërfaqe të pastër qelqi, mund t’i dalloni organet e brendshme tek punojnë.

Gjithashtu, ndoshta do të kaloni kohë duke parë disa nga 140 gjitarët që e kanë bërë Korkovadon shtëpinë e tyre. Këtu përfshihen jaguarët, oçelotët, katër lloje majmunësh, tri lloje mizangrënësish, dy lloje të një gjitari të quajtur «përtaci» dhe dy lloj armadilosh. Gjithashtu, parku përmban rreth 10.000 varietete insektesh.

Shirli Ramires Karvahali, biologe dhe koordinatore e parkut për programin e kontrollit të kafshëve të egra në Korkovado, thotë për Zgjohuni! se ekziston një projekt për t’u vënë një qafore me radiotransmetues jaguarëve dhe kafshëve të tjera. Kjo do t’i ndihmojë shkencëtarët që të studiojnë nga afër zakonet e të ushqyerit dhe shtrirjen e habitatit të tyre. Informacioni do t’i ndihmojë nëpunësit e parkut që të vendosin nëse kufijtë e parkut duhet të zgjerohen, që të ketë ushqim të mjaftueshëm për popullatën e kafshëve. Zgjerimi i parkut do të shërbejë gjithashtu për të mbrojtur kafshët nga rreziqet gjenetike të kryqëzimit brenda familjes së tyre.

Por Korkovadoja, përveç bollëkut të florës dhe faunës, ofron shumë gjëra të tjera. Mund të vizitoni shpellën e famshme të Salsipuedes, në të cilën ka qenë një pjesë e thesarit të marinarit dhe eksploruesit anglez, sër Fransis Drejkut. Vetëm pak kilometra në veri të Korkovados, është gjiri Drejk, ku thuhet se eksploruesi zbriti në vitin 1579 gjatë lundrimit të tij përreth botës.

Dikur, ky «diamant» ishte në rrezik, kur shpërthyen ethet e arit. Gjetja e copave të arit që peshonin gati 1 kilogram, ndezi valën e parë të etheve në vitet 30 të shekullit të 20-të. Më vonë, në vitet 60, ndodhi një tjetër vërshim për kërkimin e arit, dhe përsëri një tjetër disa vjet më vonë pas ngritjes së parkut. Ethet e fundit të arit provokuan shpërnguljen e qindra minatorëve në këtë vend. Në vitin 1986, qeveria i përzuri minatorët nga Korkovadoja dhe i ndaloi të hynin përsëri.

Ashtu si edhe çdo vend tjetër, Korkovadoja nuk u ka shpëtuar dot problemeve. Gerardo A. Çavesi, zëvendësadministrator i Parkut Kombëtar të Korkovados, përmend se përveç përpjekjeve të vazhdueshme për të siguruar anën financiare dhe mjetet e tjera, shqetësime të tjera përfshijnë shpyllëzimin në zonat jashtë parkut dhe problemin e gjuetisë pa leje. Që Korkovadoja të vazhdojë të lulëzojë, pa asnjë dyshim që në një të ardhme të afërt do të duhet të zgjidhen këto probleme.

Pa dyshim, Parku Kombëtar i Korkovados mbetet një nga zonat më të virgjëra të tokës. Sigurisht, një diamant prej vërteti kërkohet për bukurinë dhe qëndrueshmërinë e tij. Ashtu edhe diamanti natyror i Kosta-Rikës në vitet pasuese, do të vlerësohet dhe do të shijohet nga mijëra vizitorët që i çmojnë bukuritë e tokës. Të krishterëve, ky park u sjell ndër mend se sa e bukur do të jetë e gjithë toka kur Perëndia do ta transformojë në një parajsë globale!​—Luka 23:43.

[Harta në faqen 14]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Parku Kombëtar i Korkovados

[Figura në faqen 15]

Pylli i shiut

[Burimi]

Steve Pace

[Figurat në faqen 15]

Kërpudha të bardha dhe kërpudha të kuqe që hahen

[Burimi]

©kevinschafer.com

[Figura në faqet 16, 17]

Pylli i shiut shtrihet deri në bregdet

[Figura në faqet 16, 17]

Bretkosa me shigjetë helmuese

[Figura në faqet 16, 17]

Ekskursionist nën një ujëvarë

[Figura në faqen 17]

Majmunë ketra

[Figura në faqen 17]

Oçelot

[Figura në faqen 17]

Motmot

[Figura në faqen 17]

Përtac

[Figura në faqen 17]

Papagall i kuq

[Burimet e figurave në faqen 17]

Bregdeti: Barbara Magnuson/Larry Kimball; bretkosa: © Michael and Patricia Fogden; ujëvara: ©kevinschafer.com; të gjitha fotografitë e tjera: Steve Pace