Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kushtojuni fëmijëve vëmendjen e duhur

Kushtojuni fëmijëve vëmendjen e duhur

Pikëpamja e Biblës

Kushtojuni fëmijëve vëmendjen e duhur

A KISHTE kohë për fëmijët Biri i Perëndisë? Disa nga dishepujt e tij mendonin se jo. Një herë ata u përpoqën të mos i linin të vegjlit që t’i afroheshin Jezuit. Ai u përgjigj me këto fjalë: «Lërini fëmijët e vegjël të vijnë tek unë; mos u mundoni t’i ndalni.» Pastaj me dashuri mirëpriti një grup fëmijësh dhe foli me ta. (Marku 10:13-16) Në këtë mënyrë Jezui tregoi se ishte i gatshëm që t’u kushtonte vëmendje fëmijëve. Si mund ta ndjekin shembullin e tij prindërit sot? Duke i mësuar siç duhet fëmijët dhe duke kaluar kohë me ta.

Sigurisht, prindërit e përgjegjshëm bëjnë çmos për mirëqenien e fëmijëve të tyre e përpiqen të mos i keqtrajtojnë. Madje mund të thuhet se është «e natyrshme» që prindërit t’i respektojnë dhe t’u kushtojnë vëmendje fëmijëve. Megjithatë, Bibla paralajmëron se në kohën tonë shumë njerëz nuk do të kishin më «përzemërsi të natyrshme». (2 Timoteut 3:1-3) Por edhe ata që kujdesen me dashuri për fëmijët e tyre, mund të mësojnë gjithnjë e më shumë se si të bëhen prindër më të mirë. Prandaj, prindërit që duan më të mirën për fëmijët e tyre i pranojnë me kënaqësi parimet biblike të mëposhtme.

Mësojini fëmijët pa i acaruar

Një herë dr. Robert Kolsi, mësues dhe psikiatër i shquar, tha: «Te fëmija ekziston një ndjesi morale e cila është në zhvillim. Mendoj se këtë ndjesi e ka vënë Perëndia dhe do të thotë që fëmijët kanë një dëshirë të zjarrtë për udhëheqje morale.» Kush duhet t’ua plotësojë këtë dëshirë të zjarrtë për udhëheqje morale?

Tek Efesianëve 6:4, Shkrimet këshillojnë: «Ju, etër, mos i acaroni fëmijët tuaj, por vazhdoni t’i rritni në disiplinën dhe normën mendore të Jehovait.» A e vutë re se shkrimi ngarkon sidomos babanë me përgjegjësinë për t’u ngulitur fëmijëve dashuri për Perëndinë dhe vlerësim të thellë për normat e Tij? Në vargun 1 te kapitulli i 6-të i Efesianëve, apostulli Pavël flet si për babanë, ashtu edhe për nënën, kur u thotë fëmijëve që ‘t’u binden prindërve’. *

Sigurisht, nëse mungon babai, atëherë këtë përgjegjësi duhet ta marrë përsipër nëna. Shumë nëna të vetme ia kanë dalë mbanë t’i rritin fëmijët në disiplinën dhe normën mendore të Perëndisë Jehova. Megjithatë, në qoftë se nëna martohet, drejtimin duhet ta marrë bashkëshorti i krishterë. Nëna pastaj, duhet ta ndjekë me gatishmëri këtë drejtim, kur mëson dhe disiplinon fëmijët.

Si mund t’i disiplinoni ose t’i mësoni fëmijët pa ‘i acaruar’? Nuk ka ndonjë formulë sekrete, sidomos meqë çdo fëmijë është i ndryshëm nga të tjerët. Por prindërit duhet të mendojnë mirë për mënyrën se si i disiplinojnë fëmijët, duke treguar gjithnjë dashuri dhe respekt për fëmijët e tyre. Është interesante se udhëzimi për të mos i acaruar fëmijët përsëritet në Shkrime, te Kolosianëve 3:21. Këtu etërit këshillohen përsëri: «Mos i pezmatoni fëmijët tuaj, që të mos i lëshojë zemra.»

Disa prindër u bërtasin dhe u ulërasin fëmijëve. Pa dyshim kjo i mërzit të vegjlit. Por Bibla nxit: «Le të hiqet prej jush çdo vrer shpirtlig, zemërim, furi, e bërtitur dhe sharje bashkë me çdo të keqe.» (Efesianëve 4:31) Gjithashtu Bibla thotë se «skllavi i Zotërisë nuk duhet të luftojë, por duhet të jetë zemërbutë me të gjithë».​—2 Timoteut 2:24.

Kaloni kohë me ta

T’u kushtosh fëmijëve vëmendjen e duhur do të thotë edhe që të jesh i gatshëm të sakrifikosh dëshirat dhe rehatinë tënde për hir të mirëqenies së fëmijëve. Bibla thotë: «Këto fjalë që sot po të urdhëroj do të mbeten në zemrën tënde; do t’ua ngulitësh bijve të tu, do të flasësh për to kur rri ulur në shtëpinë tënde, kur ecën rrugës, kur ke rënë në shtrat dhe kur çohesh.»​—Ligji i përtërirë 6:6, 7.

Sot, detyrimet e rënda ekonomike bëjnë që vetëm pak prindër të rrinë me fëmijët që nga mëngjesi e deri në darkë. Sidoqoftë, Ligji i përtërirë thekson se prindërit duhet të gjejnë kohë që të rrinë së bashku me fëmijët. Kjo kërkon organizim të mirë dhe sakrifica. Gjithsesi fëmijët kanë nevojë për një vëmendje të tillë.

Shqyrtoni se çfarë tregoi një studim ku morën pjesë 12.000 adoleshentë. Përfundimi që nxorën studiuesit ishte: «Një lidhje e fortë emocionale me prindin është garancia më e mirë për shëndetin e adoleshentit dhe parandalimi më i mirë ndaj sjelljeve të rrezikshme.» Po, fëmijët dëshirojnë me zjarr që prindërit t’u kushtojnë vëmendje. Një nënë i pyeti fëmijët e saj: «Nëse do t’ju jepnin çfarëdo që të kërkonit, çfarë do të zgjidhnit?» Që të katërt u përgjigjën: «Duam të kalojmë më shumë kohë me mamin dhe me babin.»

Pra, të jesh prind i përgjegjshëm do të thotë që të sigurohesh se fëmijëve të tu po u plotësohen nevojat që kanë, përfshirë edhe nevojën për edukim fetar dhe për një miqësi të ngushtë me prindërit. Do të thotë t’i ndihmosh fëmijët që kur të rriten të bëhen njerëz të aftë, të respektueshëm dhe të ndershëm, që i trajtojnë të tjerët me mirësi dhe që i sjellin lavdi Krijuesit të tyre. (1 Samuelit 2:26, DSF) Po, kur prindërit i mësojnë dhe i disiplinojnë fëmijët e tyre siç këshillon Fjala e Perëndisë, ata po tregohen të përgjegjshëm.

[Shënimi]

^ par. 7 Këtu Pavli përdori fjalën greke goneusin, e cila vjen nga fjala goneus që do të thotë «prind». Por në vargun 4, ai përdori fjalën greke pateres, që do të thotë «etër».

[Figura në faqen 13]

Të bërtiturat dhe ulërimat mund ta mërzitin fëmijën

[Figura në faqen 13]

Kaloni kohë me fëmijët