Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Lepujt dhe thithëlopat pushtojnë një kontinent

Lepujt dhe thithëlopat pushtojnë një kontinent

Lepujt dhe thithëlopat pushtojnë një kontinent

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË AUSTRALI

FUSHA e betejës është një tokë djerrë. Kjo fushë, dikur e mbuluar nga bimësia e harlisur, tani është mbushur me vrima të thella. Trupat e luftëtarëve të vrarë janë shpërndarë sa andej-këtej në të gjithë fushën. Këta ushtarë nuk janë të maskuar e as të armatosur, por janë me gëzof të butë dhe me dhëmbë të mprehtë. Ata janë lepujt e egër, murtaja e Australisë.

Lepuj, lepuj ngado!

Lepujt evropianë e nisën pushtimin e tyre në cepin juglindor të Australisë, në vitin 1859. Edhe pse në fillim u importuan për argëtimin e gjahtarëve vendës, shpejt filluan t’i vrisnin jo më për sport. Kjo ishte një orvatje e dëshpëruar për ta mbajtur nën kontroll numrin e tyre.

Ndonëse lepurit evropian iu deshën 900 vjet për të pushtuar Britaninë, një zonë të Australisë, që ishte sa gjysma e kontinentit evropian a në mos më shumë, ai e pushtoi vetëm për 50 vjet. Duke qenë se femrat lindin gati 40 të vegjël brenda një viti, lepujt e zgjeruan vijën e parë të sulmit përmes kontinentit, me një rreze prej 100 kilometrash në vit. Raporti i një agjencie pohon: «Nga të gjithë kolonizimet e gjitarëve në të gjithë botën, ky ishte më i shpejti.» (Bureau of Rural Sciences, BRS) Pasojat ishin shkatërrimtare.

Lepujt hanë ushqimin e kafshëve vendëse, «uzurpojnë» strofkat e tyre dhe janë përgjegjës për zhdukjen e shumë llojeve vendëse. Madje konsiderohen përgjegjës edhe për shpyllëzimin. Sipas shpjegimit të një kërkuesi, «ata hanë fidanët e pemëve, kështu që, kur pemët e rritura vdesin, nuk ka pemë të reja për t’i zëvendësuar». Kur lepujt pushtojnë një ishull të vogël, pasojat mund të jenë katastrofike. «Lepujt që u sollën në vitin 1903 në ishullin Lajsan, në vitin 1936 kishin zhdukur tre nga llojet e zogjve vendës dhe 22 nga të 26 llojet e bimëve. . . . Në vitin 1923, ishulli ishte katandisur në një shkretëtirë me disa pemë të vogla të cunguara»,​—pohon një raport i BRS-së.

Përdoren armë për shkatërrimin në masë

Në Australi lepujt qëlloheshin me armë, kapeshin me leqe dhe helmoheshin. I famshmi Gardhi Kundër Lepujve​—që shtrihej 1830 kilometra përmes Australisë Perëndimore​—ishte ndërtuar në përpjekje për të penguar përhapjen e tyre. * Por dukej se asgjë nuk mund ta sprapste këtë ushtri pushtuese.

Pastaj, në vitin 1950, nisi një kundërsulm duke përdorur një armë biologjike, virusin e miksomatozës. Ky virus e zvogëloi ndjeshëm popullatën e lepujve, që mendohet se në atë kohë kishte arritur shifrën e habitshme prej 600 milionësh. E transmetuar nga mushkonjat dhe mizat, miksomatoza infektonte vetëm lepujt dhe, vetëm brenda dy vjetësh, vrau 500 milionë prej tyre. Megjithatë, shpejt lepujt fituan imunitet ndaj sëmundjes, dhe të mbijetuarit, si për të marrë hakun, u shumuan shumë. Kështu, në vitet 90, numri i tyre kishte arritur deri në 300 milionë. Nevojitej urgjentisht një tjetër armë mbrojtëse.

Lajme të këqija dhe të mira

Në vitin 1995, në Australi u përdor një armë e dytë biologjike, sëmundja hemorragjike e lepujve (RHD). RHD-ja u shfaq për herë të parë në Kinë, në vitin 1984. Më 1998, u përhap në Evropë dhe, menjëherë pas kësaj, shfarosi 30 milionë lepuj të butë në Itali. RHD-ja ishte një lajm i keq për industrinë e lepujve në Evropë, por nga ana tjetër ishte një lajm i mirë për fermerët australianë. Arsyeja ishte se dhjetë milionë lepuj u shfarosën në dy muajt e parë pas shfaqjes së kësaj sëmundjeje. Duket se virusi infektonte vetëm lepujt, të cilët ngordhnin 30 deri 40 orë pas infektimit, pa ndonjë shenjë të dukshme se po vuanin. Në vitin 2003, në shumë zona të thata të Australisë, RHD-ja e kishte zvogëluar numrin e lepujve me 85 për qind ose edhe më tepër.

Duke qenë se nuk kishte më lepuj që t’u brenin gjethet, orkidetë vendëse në një park kombëtar të Australisë së Jugut, u shtuan tetëfish brenda më pak se pesë vjetëve. Siç pohon revista Ecos, në pjesë të tjera të vendit, ndodhi «një rigjenerim i shpejtë dhe i konsiderueshëm i shkurreve vendëse . . . në zona ku sëmundja kishte shpërthyer disa herë rresht». Ra gjithashtu edhe numri i grabitqarëve që ishin sjellë nga vende të tjera, si ai i dhelprave dhe i maceve të egra, për shkak të mungesës së ushqimit të tyre, lepujve. Të dyja palët, si ekologët edhe fermerët, janë të kënaqur me suksesin e kësaj arme të re, duke qenë se lepujt i kanë kushtuar ekonomisë së Australisë rreth 350 milionë euro në vit. Megjithatë, është ende për t’u parë efekti afatgjatë që ka kjo sëmundje mbi popullatën rezistente të lepujve.

Nga heroina të lavdishme në thithëlopa të shëmtuara

Ndërkohë që shkencëtarët mund të kenë dalë fitimtarë mbi lepujt e egër, duket se u duhet të ndeshen sërish me një pushtues tjetër të kohëve të fundit, me thithëlopat gjigante. Ashtu si lepujt, ky «kriminel» nuk hyri tinëz në vend, por u importua enkas. Përse?

Në fillim të shekullit të 20-të, dy lloje të brumbullit të kallamsheqerit kërcënonin ekzistencën e industrisë australiane të kallamsheqerit, e cila sot i siguron 1,2 miliardë euro në vit ekonomisë së vendit. Në vitin 1935, Bufo marinus, ose ndryshe thithëlopa gjigante, një amfib i madh sa një grusht, i njohur si ngrënës i pangopur i brumbujve, mendohej se ishte shpëtimtari për kultivuesit e kallamsheqerit. Me gjithë ngurrimin e disa shkencëtarëve, thithëlopa u importua nga Amerika e Jugut nëpërmjet Havait dhe u la e lirë në plantacionet e kallamsheqerit në Kuinsland.

Sapo u la e lirë, thithëlopa gjigante i shpërfilli brumbujt e kallamsheqerit dhe u bë «tradhtare». Këto krijesa janë helmuese në çdo fazë të zhvillimit, që nga veza e deri sa rriten. Gjatë transformimit nga larva në thithëlopa, disa gjëndra të veçanta rriten nën lëkurën e tyre, dhe kur thithëlopa ngacmohet, pikojnë një qumësht shumë helmues. Është parë se thithëlopat gjigante vrasin hardhucat vendëse, gjarpërinjtë, qentë e egër, madje edhe krokodilët, të cilët tregohen fare budallenj duke i gëlltitur. Ato janë kafshë pjellore dhe janë shpërndarë tashmë në një zonë më shumë se 900 kilometra larg vendit ku u lëshuan. Denduria e kësaj popullate është gati dhjetë herë më shumë se në vendlindjen e tyre, në Venezuelë. Ngjashëm plagëve të përmendura në Bibël, ato pushtojnë fushat, mbushin shtëpitë dhe fshihen nëpër tubat e wc-ve. Duke u përhapur me një rreze prej 30 kilometrash në vit, tani thithëlopat kanë hyrë në një zonë që mund të përshkruhet si parajsa e tyre. Kjo zonë, Parku Kombëtar Kakadu, është në listën e Trashëgimisë Botërore, në Territorin Verior. Qeveria australiane ka harxhuar miliona dollarë për të mbështetur kërkimet që synojnë ndalimin e përhapjes së mëtejshme të thithëlopave. Megjithatë, nuk është gjetur ende një metodë e suksesshme. Beteja nuk ka përfunduar ende, por deri tani janë thithëlopat ato që po fitojnë.

Pse kjo betejë?

Në një ekosistem të paprekur, organizmat kanë mekanizmat e tyre rregulluese natyrorë, që mbajnë nën kontroll numrin e popullatave. Por, kur dalin nga kontrolli dhe nga kufijtë e mjedisit të vendit të tyre, gjallesat që nga jashtë duken sikur nuk janë të rrezikshme, mund të shtohen kaq shpejt, sa të bëjnë kërdinë.

Evropianët që u vendosën fillimisht me banim në Australi, s’e kishin parashikuar dëmin e pallogaritshëm që do të vinte si pasojë e popullatave të pakontrolluara të kafshëve dhe bimëve të importuara. Vërtet, shumë lloje të importuara kanë provuar se janë të dobishme. Në fakt, tani australianët janë plotësisht të varur nga disa lloje bimësh dhe kafshësh që janë të importuara, si: dhentë, gjedhët, gruri, orizi dhe drithëra të tjera. Gjithsesi, lepuri dhe thithëlopa gjigante na bëjnë të mendojmë seriozisht se njerëzit duhet të kenë kujdes kur vendosin të manipulojnë zinxhirin tepër kompleks të jetës këtu në tokë.

[Shënimi]

^ par. 9 Shih Zgjohuni!, 8 shkurt 2003, faqe 14.

[Figura në faqen 26]

Një heroinë u kthye në «tradhtare»​—pushtimi i thithëlopës gjigante vazhdon

[Burimi]

U.S. Geological Survey/photo by Hardin Waddle

[Figura në faqen 26]

Pushtues të etur në një pellg në ishullin Uordang, gjiri i Spenserit, në Australinë Jugore

[Burimi]

Me mirësjellje nga CSIRO

[Burimi i figurës në faqen 25]

Lepuj: Department of Agriculture, Western Australia; thithëlopë: David Hancock/© SkyScans