Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Shpella e «margaritarëve» të mermertë

Shpella e «margaritarëve» të mermertë

Shpella e «margaritarëve» të mermertë

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË MEKSIKË

NJË eksplorues shpellash nga Amerika, duke shkelur mbi qilimin e miliona «margaritarëve» që mbulonin dyshemenë e shpellës, u entuziazmua kaq shumë sa tha: «Faleminderit Perëndi që jam gjallë për të parë këtë mrekulli!» Ai po vizitonte Shpellën e Margaritarëve të Mermertë, një sistem galerish në juglindje të Meksikës, që shtrihet 529 metra në gjatësi dhe është 17 metra e lartë. Brenda saj, mund të shihen formacione shkëmbore madhështore. Duke qenë se kishim dëgjuar për këtë shpellë, donim ta shihnim me sytë tanë.

Shpella ndodhet në territorin e një ferme private, por ne kemi favorin se e njohim gruan e pronarit të kësaj ferme. Kur hyjmë në shpellë nëpërmjet një zgavre, mund të shohim rreth 200 milionë margaritarët e mermertë të shpellës. Këta formojnë një shtresë deri në 12 centimetra të trashë me një shtrirje prej 50 metrash. Askush nuk i reziston dot dëshirës që ta mbushë dorën me këta margaritarë dhe t’i lërë ata më të vegjlit që janë sa thjerrëzat, t’i shkasin nëpër gishta. Më të mëdhenjtë janë sa një kokërr e vogël portokalli. Ata që janë kuriozë, duke hequr mënjanë margaritarët, mund të shohin dyshemenë e fortë. Ajo është e formuar nga një shtresë me margaritarë të vendosur në mënyrë të rrafshët e të ngjeshur me njëri tjetrin.

Si janë formuar margaritarët e kësaj shpelle? Pikat e ujit bien me shumë forcë nëpër pellgje. Kjo bën që kalciti të shkëputet nga tavani ose nga muret. Pastaj këto copa kalciti takojnë në copëza prej lëndësh të tjera, si rërë, pjesë kockash ose edhe në pjesë pipëzash që përdoren për të pirë nga kanaçet. Në këtë mënyrë, duke u shtuar kalciti, formohet edhe margaritari.

Edhe pse kjo shpellë njihej nga banorët vendës prej vitesh, vetëm kohët e fundit specialistë nga vende të tjera, të mahnitur nga numri i madh i margaritarëve të mermertë, shkuan për t’i parë me sytë e tyre. Tani, po bëhen përpjekje për ta eksploruar dhe për ta ruajtur këtë shpellë të jashtëzakonshme.

Vende të tilla, si Shpella e Margaritarëve të Mermertë, na kujtojnë fjalët e Psalmit 111:2: «Veprat e Jehovait janë të mëdha, për t’u shqyrtuar prej atyre që gjejnë kënaqësi në to.» (BR)