Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Stresi: Shkaqet dhe pasojat

Stresi: Shkaqet dhe pasojat

Stresi: Shkaqet dhe pasojat

ÇFARË është stresi? Është tension trupor ose mendor që shkaktohet nga faktorë të ndryshëm fizikë, kimikë ose emocionalë. A do të thotë kjo se stresi është medoemos i dëmshëm? Jo. Siç thotë dr. Melisa C. Stëpleri, «njëfarë stresi dhe tensioni ndonjëherë mund të jetë i dobishëm. Kur ndihemi paksa në tension për ndonjë projekt ose detyrë, shpesh kjo na shtyn ta bëjmë mirë një punë dhe të përpiqemi energjikisht».

Por, kur kthehet në problem stresi? Stëpleri thotë: «Ndikimi i dëmshëm i stresit fillon të shfaqet vetëm atëherë kur ai është shumë i madh ose kur nuk e përballon siç duhet.» Le të shqyrtojmë disa burime të zakonshme të stresit.

Në stres për të siguruar jetesën

Mbreti Solomon tha: «Për njeriun nuk ka gjë më të mirë se sa të hajë e të pijë dhe të gëzohet në mundin e tij.» (Predikuesi 2:24) Megjithatë për shumë punonjës, vendi i punës është plot tensione.

Një raport nga Agjencia Evropiane për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë thoshte që, ndër të tjera, shpesh punonjësit stresohen në punë, se ka një komunikim të dobët midis drejtuesve dhe të punësuarve dhe se drejtuesit nuk i lënë punonjësit të shprehin mendimin e tyre për vendimet që ndikojnë tek ata. Arsye të tjera janë mosmarrëveshjet midis punonjësve, pasiguria për punën dhe/ose pagat e ulëta. Cilatdo qofshin arsyet, tensionet në vendin e punës mund të bëjnë që prindërve t’u mbeten shumë pak energji për të plotësuar kërkesat e familjes. E këto kërkesa mund të jenë tejet të mëdha. Për shembull, në Shtetet e Bashkuara, për një vit, rreth 50 milionë njerëz u kujdesën për ndonjë familjar të sëmurë ose të moshuar. Një burim i madh stresi për familjen mund të jenë edhe problemet ekonomike. Rita, nënë me dy fëmijë, pati vështirësi ekonomike kur i shoqi, Leandroja, bëri aksident me makinë dhe mbeti i paralizuar në një karrocë invalidësh. Rita thotë: «Problemet ekonomike të sjellin stres. Kur nuk ke para për të përballuar shpenzimet e familjes, kjo ndikon për keq edhe në gjendjen shpirtërore.»

Presionet që përballojnë prindërit e vetëm

Edhe prindërit e vetëm kanë jashtë mase strese, ndërkohë që përpiqen të plotësojnë kërkesat e familjes. Të çohesh herët për të përgatitur mëngjesin, të veshësh fëmijët, t’i çosh në shkollë, të nxitosh që të jesh në orar në punë dhe pastaj të përballosh kërkesat e punës, mund ta rraskapitë fizikisht dhe emocionalisht dikë që është prind i vetëm. Kur nëna del nga puna, nis një zinxhir tjetër gjërash që sjellin stres. Duhet të shkojë me një frymë të marrë fëmijët nga shkolla, pastaj duhet të përgatitë për të ngrënë dhe të bëjë punët e shtëpisë. Maria, që ka katër vajza adoleshente dhe që është prind i vetëm, e krahason jetën e saj me një tenxhere me presion. Ajo thotë: «Presioni mund të rritet kaq shumë, saqë më duket sikur do të shpërthej.»

Fëmijë të stresuar

Sociologu Ronald L. Picer thotë: «Shumë fëmijë janë tepër të stresuar.» Ata duhet të përballojnë ndryshimet fizike dhe emocionale të pubertetit. Veç kësaj kanë edhe streset e shkollës. Sipas librit Streset e fëmijëve (anglisht), një ditë tipike në shkollë «është plot me probleme dhe tensione që shkaktojnë stres​—në mësime, në sport, në marrëdhëniet me moshatarët dhe me mësuesit».

Në disa vende, ankthit i shtohet edhe frika e dhunës në shkollë, për të mos përmendur frikën që kanë shumë fëmijë sot nga sulmet terroriste dhe nga katastrofa të tjera. Një vajzë adoleshente shkruante: «Kur prindërit thonë vazhdimisht se sa e frikshme është bota sot, na futet frika edhe neve.»

Prindërit duhet të jenë një burim force për fëmijët e tyre. Por, Piceri thotë: «Mjerisht, ndodh shpesh që prindërit nuk i marrin seriozisht, nuk u përgjigjen, i paragjykojnë ose i shpërfillin përpjekjet e fëmijëve dhe të adoleshentëve për të shprehur ndjenjat e thella.» Në disa raste, prindërit nuk janë në gjendje t’u përgjigjen fëmijëve, ngaqë po kalojnë për vete tensione në martesë. «Më dukej sikur prindërit vetëm ziheshin me njëri-tjetrin»,​—tha Titoja, prindërit e të cilit si përfundim u divorcuan. Siç thotë libri Streset e fëmijëve, «rrahjet dhe sherret nuk janë shkaqet e vetme të tronditjes emocionale. Mëria që zien përbrenda, e cila e nxjerr kokën edhe nëse maskohet me fjalë të sheqerosura, i trondit fëmijët».

Pasojat e stresit

Qofshi të rinj a të moshuar, qoftë nëse stresi ju vjen nga puna ose nga shkolla, stresi i vazhdueshëm mund t’i kushtojë shtrenjtë shëndetit. Një shkrimtar për artikuj mjekësorë shpjegon se reagimi i trupit ndaj stresit ngjan pak a shumë me sforcimin e motorit të aeroplanit që bëhet gati për ngritje. Po, kur jeni të stresuar, shtohen rrahjet e zemrës dhe rritet presioni i gjakut. Rritet edhe niveli i sheqerit në gjak. Në trup çlirohen hormone. «Nëse stresi vazhdon,​—thotë po i njëjti shkrimtar,​—të gjitha pjesët e trupit që ndikohen nga stresi (truri, zemra, mushkëritë, enët e gjakut dhe muskujt) marrin vazhdimisht më shumë ose më pak ngacmime se ç’duhet. Me kalimin e kohës, kjo mund të sjellë dëme fizike ose psikologjike.» Alarmohesh kur sheh se sa e gjatë është lista e sëmundjeve ku stresi mund të luajë rol: sëmundjet e zemrës, apopleksia, çrregullimet e sistemit imunitar, kanceri, problemet e muskujve e të kockave dhe diabeti, për të përmendur vetëm disa.

Veçanërisht shqetësuese është mënyra e dëmshme që zgjedhin shumë njerëz, sidomos të rinjtë, për të përballuar stresin. Dr. Beti B. Jangsi thotë me keqardhje: «Është shumë e trishtueshme të shohësh adoleshentët që për t’i shpëtuar vuajtjes, lënë orët e mësimit, i futen rrugës së drogës, alkoolit, krimit, shthurjes seksuale, sulmit, dhunës ose ikin nga shtëpia. Këto mënyra reagimi i çojnë në telashe më të mëdha nga ato prej të cilave donin të shpëtonin.»

Stresi është një realitet i jetës në kohët moderne; nuk mund të shmanget plotësisht. Por, siç do të tregohet në artikullin vijues, mund të bëjmë shumë për ta përballuar stresin.

[Diçitura në faqen 6]

«Presioni mund të rritet kaq shumë, saqë më duket sikur do të shpërthej»

[Figura në faqen 5]

Jeta e prindërve të vetëm shpesh është plot strese

[Figura në faqen 6]

Shkolla mund t’i ngarkojë fëmijët me strese të tepërta