Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

E lumtur që ‘eca më shumë nga ç’më kërkohej’

E lumtur që ‘eca më shumë nga ç’më kërkohej’

E lumtur që ‘eca më shumë nga ç’më kërkohej’

TREGUAR NGA KLER VAVI

ISHULLI i Madagaskarit, që ndodhet 400 kilometra larg Mozambikut, vend i Afrikës Lindore, është një vend malor dhe ka pyje shiu të dendura. Unë linda në pjesën lindore të ishullit, në një fshat të vogël të quajtur Betoko II. Në vitin 1987, kur isha 15 vjeçe, shkova në qytetin bregdetar të Mahanoros, për të ndjekur shkollën.

Jetova në Mahanoro me vëllanë e madh, Selestinin, i cili kishte filluar të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Dy vjet më vonë u bëra Dëshmitare. Isha e vendosur të jepja maksimumin tim në shërbim të Perëndisë Jehova.

Përpjekje për të arritur synimet e mia

Një nga synimet e para ishte të ndihmoja familjen time që jetonte në Betoko II, dhe i lutesha rregullisht Jehovait për këtë. Por e vetmja mundësi që kisha për të shkuar në shtëpi, ishte gjatë pushimeve të shkollës. Udhëtimi qe i vështirë sepse ishte 100 kilometra i gjatë. Dyzet kilometrat e parë mund të bëheshin me makinë. Kurse pjesa tjetër prej 60 kilometrash, ishte një shteg i ngushtë mali që mund të përshkohej vetëm në këmbë.

Më duhej të ngjitja shumë kodra të pjerrëta thikë, dhe disa shtigje ishin të ngushta sa gjatësia e këmbës sime. Nëse nisesha herët në mëngjes dhe ecja deri në të ngrysur, zakonisht arrija të bëja 40 kilometra. Ngarkohesha me më shumë se 16 kilogramë furnizime​—disa i mbaja mbi kokë, disa në kurriz, dhe pjesën e mbetur e mbaja në krahë. Kryesisht merrja literaturë biblike, të cilën ua shpërndaja të afërmve dhe ndonjë të interesuari. U bëra e njohur në ato rrugë si «ajo me shumë trasta».

Në fillim, pavarësisht nga entuziazmi im, ata të shtëpisë nuk donin të më dëgjonin kur u flitja për bindjet e mia të reja. Megjithatë, shpejt ndryshuan dhe më bënin kaq shumë pyetje, saqë disa herë binim për të fjetur në dy të mëngjesit.

Një vizitë e paharrueshme

Më 24 dhjetor 1990, shkova në shtëpi për pushime. Ata të familjes u gëzuan kur më panë, pasi mendonin se kisha shkuar për të festuar Krishtlindjet me ta. Gëzimi i tyre u shndërrua në zhgënjim kur u shpjegova se përse nuk mund të merrja pjesë me ta në festimin e Krishtlindjeve. Duke qenë se banorët në fshat ishin shumë të lidhur me njëri-tjetrin, prindërit ndiheshin në siklet se si t’ua shpjegonin të tjerëve vendimin tim. Kështu që, më duhej të merrja vetë iniciativën për ta bërë këtë. Por si?

Ndihesha pak e pasigurt, sepse isha shumë e re. Po mendoja nëse ishte e përshtatshme që bindjet e mia t’i shpjegoja të nesërmen, kur i gjithë fshati do të mblidhej në kishë. I bëra një lutje të gjatë dhe me përgjërim Jehovait, duke kërkuar drejtimin e tij. Pas kësaj, e pyeta Polin, vëllanë e madh i cili ishte mësues në kishë: «Si thua, a ka problem nëse u shpjegoj atyre që do të vijnë nesër në kishë, pse nuk i festoj Krishtlindjet?» Ai e bisedoi këtë me të tjerët dhe ata ishin dakord.

Të nesërmen më lajmëruan të shkoja në kishë, pasi kishte mbaruar ceremonia. I bëra përsëri një lutje Jehovait dhe mora me vete ca botime biblike. Mbasi i përshëndeta, i falënderova të gjithë që më kishin ndihmuar të kisha një respekt të thellë për Biblën. U shpjegova se kisha vazhduar ta studioja Biblën, edhe pasi kisha ikur që aty. U thashë se kisha gjetur shumë të vërteta biblike që nuk i dinim më parë.

Shfrytëzova rastin për t’u folur për shpresën që na jep Bibla, për të jetuar përgjithmonë në një tokë parajsore (Psalmi 37:29; Zbulesa 21:3, 4); arsyen se përse disa njerëz besnikë nga toka do të shkonin në qiell (Gjoni 14:2, 3; Zbulesa 5:9, 10, 14:1, 3) dhe mësimin e Biblës se të vdekurit janë në gjendje të pavetëdijshme, tamam sikur janë në gjumë, dhe atje nuk ka vuajtje (Predikuesi 9:5, 10; Gjoni 11:11-14, 38-44). Gjithashtu u tregova se të krishterët e hershëm nuk i festonin Krishtlindjet, dhe se kjo festë ishte me origjinë pagane.

Në fund të shpjegimit, shumë prej pjesëmarrësve e pranuan se të gjitha ato që kisha thënë ishin të vërteta. Disa madje bënë edhe pyetje të tjera. Pastaj, u tregova botimet që kisha marrë me vete dhe u shpjegova se ato i kishin botuar Dëshmitarët e Jehovait, si mjete ndihmëse për studimin e Biblës. U thashë se isha e gatshme që të ndihmoja këdo që dëshironte të studionte Biblën. Shumë prej tyre pranuan disa nga kopjet që kisha me vete.

Një zbulim i mahnitshëm

Një grua, të cilën nuk e kisha takuar ndonjëherë më parë, m’u afrua dhe më tha: «Motra ime, që jeton në një fshat tjetër, është e fesë suaj.» E çuditur, e pyeta: «Në cilin fshat është?»

«Në Andranomafana»,​—u përgjigj ajo. Fshati ishte rreth 30 kilometra larg nga Betoko II.

I thashë gruas se ndoshta motra e saj i përkiste ndonjë feje tjetër, sepse Dëshmitarët në këtë zonë e njihnin mirë të gjithë njëri-tjetrin. Por gruaja ngulte këmbë se e motra i kishte thënë të njëjtat gjëra që kisha shpjeguar gjatë fjalimit tim në kishë. I kërkova emrin dhe adresën e motrës, dhe mezi prisja të shkoja menjëherë në fshatin e saj. Megjithatë, mamaja m’u lut që të prisja edhe disa ditë, sepse udhëtimi ishte i vështirë, dhe bëhej i gjithi në këmbë. Dy ditë më vonë, bashkë me vëllanë, Sharlin, u nisëm për në Andranomafana.

Sapo mbërritëm, pyetëm disa fshatarë: «A ka Dëshmitarë të Jehovait këtu?» M’u prenë krahët kur thanë: «Këtu ka vetëm katolikë, pentekostalë dhe kisha të pavarura.»

Pastaj një grua tha: «Nëse po kërkoni Dëshmitarët e Jehovait, ndoshta po kërkoni Marselinën dhe familjen e saj.» Ky ishte tamam emri që kisha marrë shënim!

Dikush shkoi të thërriste Marselinën. Ajo erdhi shpejt, por dukej paksa e frikësuar. I gjithë fshati u mblodh përreth nesh, sepse mendonin se mos ishim zyrtarë që kishim ardhur për ta marrë në pyetje. Më vonë mësova se ajo dhe familja e saj, ishin përndjekur në fshat ngaqë praktikonin «fenë e saj të panjohur».

Marselina na largoi pak nga turma, që të flitnim më qetë. Kur e pyeta nëse ishte Dëshmitare e Jehovait, ajo u përgjigj po. Pas kësaj, iku dhe u kthye sërish me një kopje të librit E vërteta që të çon një jetën e përjetshme, një libër që Dëshmitarët e Jehovait e përdornin në fillim si botim ndihmës për të studiuar Biblën, bashkë me disa revista të vjetra të Kullës së Rojës. Të gjitha ishin të vjetëruara dhe të grisura. «Kë revistë studiuat të dielën që shkoi?»​—e pyeta.

«Këto janë të vetmet revista që kemi,​—u përgjigj ajo,​—dhe i studiojmë vazhdimisht.» Vetëm atëherë i tregova Marselinës, se edhe unë isha Dëshmitare. Sa e lumtur që ishte! Kur i thashë se doja të takoja vëllanë që drejtonte mbledhjet, ajo tha se ai jetonte në një vend tjetër, më larg akoma.

Një tjetër zbulim i këndshëm

Të nesërmen, bashkë me Marselinën u nisëm për të takuar vëllanë. Kur mbërritëm, ai u habit shumë dhe ishte i lumtur për këtë vizitë. Siç e morëm vesh, ai ishte vërtet Dëshmitar dhe kishte ardhur nga Toamasina, një qytet bregdetar më shumë se 200 kilometra larg në verilindje. Vite më parë, ai ishte detyruar të kthehej këtu bashkë me familjen, pasi kishte humbur papritur punën. Me të mbërritur, kishte nisur të predikonte, të drejtonte studime biblike dhe të mbante mbledhjet.

Dëshmitari dhe familjarët e tij u mrekulluan kur panë revistat e fundit të Kullës së Rojës që kisha me vete. Gjithashtu u tregova librin Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsën mbi Tokë, të cilin po e përdornim si mjetin ndihmës kryesor për studimin e Biblës. Kjo ishte hera e parë që po e shihnin. Të dielën vijuese, u ktheva në Andranomafana që të ndiqja mbledhjet me ta. I inkurajova që të lidheshin me zyrën e degës të Dëshmitarëve në kryeqytet, në Tananarive, sepse zyra nuk ishte në dijeni që ekzistonte ky grup i vogël.

Duke filluar nga janari i vitit 1991, udhëtova nga Mahanoro për në Andranomafana pothuajse çdo muaj, duke marrë me vete numrat e fundit të Kullës së Rojës dhe botime të tjera. Çdo herë më duhej të udhëtoja për 130 kilometra, ku më shumë se 80 kilometra i bëja në këmbë​—duke ngjitur dhe zbritur kodra të rrëpira në terren të thyer, duke kaluar përmes pyjeve të dendura, dhe kur binte shi, duke ecur me mundim nëpër baltën e trashë dhe të rrëshqitshme.

Trastat e mia sa vinin dhe bëheshin edhe më të rënda, pasi numri i atyre që kishin nevojë për literaturë, u shtua. Megjithatë, në fund të çdo udhëtimi, kënaqësia e thellë dhe lumturia që provoja, më bënin ta harroja lodhjen dhe dhembjen e muskujve. Çfarë gëzimi ndieja kur shihja grupin që emocionohej tek merrnin çdo botim të ri, dhe kur vëreja si reagonin ndaj të vërtetave biblike!

Filloj shërbimin e plotkohor

Më 1 shtator 1992, u emërova pionere, siç i quajnë Dëshmitarët shërbëtorët në kohë të plotë. Shërbeva si pionere në Mahanoro, por vazhdoja të mbaja lidhje me të afërmit në Betoko II, me anë të letrave. Me kalimin e kohës, ata filluan të studionin me mua me korrespondencë dhe më kërkuan nëse mund të kthehesha në fshat për t’i ndihmuar. Isha e gatshme ta bëja këtë, por në fillim doja të sigurohesha se e kishin marrë seriozisht studimin e Biblës dhe ishin të vendosur për të vepruar sipas asaj që do të mësonin. Kështu që për pak kohë, vazhdova si pionere në Mahanoro.

Nga fundi i vitit 1993, pata privilegjin të ndiqja një shkollë dyjavore për pionierët, në Tananarive. Pas kësaj, më ftuan të bëja kërkesën për të shërbyer si pionere speciale, që do të thoshte se mund të më caktonin kudo në vend. Megjithatë, ngurrova ta pranoja ftesën, sepse doja të ndihmoja të afërmit në Betoko II, të cilët jetonin larg nga kongregacioni më i afërt. Kështu që u ktheva në caktimin tim si pionere e rregullt në Mahanoro.

Pastaj, kur na erdhi për vizitë mbikëqyrësi udhëtues i Dëshmitarëve të Jehovait, e pyeta nëse mund të kthehesha për të ndihmuar familjarët e mi. Në këtë kohë, në Andranomafana ishte krijuar një kongregacion, dhe ai më sugjeroi që të shkoja atje. Kështu mund të isha me kongregacionin dhe të predikoja në territorin e Betokos II. Nisa caktimin më 1 shtator 1994. Po atë muaj, vëllai im, Poli, i cili ishte mësues i fesë, ndoqi një kongres krahinor bashkë me mua. Shpejt, 30 lajmëtarë ishin duke dalë në shërbim në Andranomafana, dhe një mesatare prej 65 vetash ishin të pranishëm në mbledhjet e së dielës.

Ecejaket e mia nuk pushuan

Pak pasi u ktheva në Betoko II, katër nga vëllezërit dhe motrat e mia të gjakut, u kualifikuan për të dalë në shërbim si Dëshmitarë të Jehovait, dhe jo shumë kohë më vonë u pagëzuan. Pasi u ktheva në Betoko II, duhej të ecja rregullisht gati 50 kilometra çdo herë, për të shkuar në Anosibe-Anala, ku merrja literaturën. Gjithë ajo lodhje dhe gjithë ai udhëtim rraskapitës ia vlente, kur shihja rritjen frymore në atë zonë. Kjo më bënte të lumtur.

Sot në Betoko II, ka një kongregacion që po lulëzon. Në mbledhjen e së dielës, mesatarja e të pranishmëve është rreth 45 veta. Tani të gjithë njerëzit e mi më të afërt janë Dëshmitarë të Jehovait, dhe shumica janë pionierë të rregullt. Njëri nga vëllezërit e mi të vegjël është pionier special. Më 1 nëntor 2001, u emërova edhe unë si pionere speciale, dhe u caktova në fshatin e Antanambao-Manampotsit. Por u largova nga Betoko II e lumtur.

Kur fillova të mësoja të vërtetat biblike në vitin 1987, kishte më pak se 3.000 Dëshmitarë në Madagaskar. Tani ka më shumë se 14.000. Edhe unë, ashtu si shumë prej tyre, jam e kënaqur për privilegjin që i harxhova energjitë e mia ‘duke ecur më shumë nga ç’më kërkohej’, për të ndihmuar të tjerët. Dhe falënderoj Jehovain që i ka bekuar përpjekjet e mia në këtë shërbim.

[Figurat në faqet 24, 25]

Shpesh merrja me vete më shumë se 15 kilogramë furnizime për 60 kilometra, deri në fshatin ku kam lindur

[Figura në faqen 25]

Vëllai i madh, Poli

[Figura në faqen 26]

Vëllai tjetër, Sharli

[Figura në faqen 26]

Me disa pjesëtarë të familjes. Të gjithë këta, tani janë Dëshmitarë të Jehovait