Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kërmilli i detit​—Specialitet i shijshëm i ishujve

Kërmilli i detit​—Specialitet i shijshëm i ishujve

Kërmilli i detit​—Specialitet i shijshëm i ishujve

Nga një shkrimtar i Zgjohuni! në Bahama

«Katër racione kërmill deti taze!», «Një kërmill deti të pjekur në skarë dhe dy sallata me kërmill deti!»

Këto janë shprehjet tipike të klientëve të uritur këtu në Bahama, që porositin për të ngrënë në restorante ku ushqimin mund ta marrësh me vete. Aroma tunduese e kërmillit të skuqur përzier me ajrin e kripur të detit, të hapin oreksin. Por, çfarë është me saktësi një kërmill deti?

KËRMILLI i detit është një molusk që ka vetëm një guaskë, i cili i përket gjinisë Strombus dhe Cassis. Lloji që përdoret veçanërisht si ushqim këtu, është kërmilli mbret. Ai mban emrin latin Strombus gigas dhe gjendet kryesisht në ujërat e ngrohta, nga Florida deri në Brazil. Kërmilli mbret ka një guaskë të madhe në formë spiraleje, me buzën që sa vjen dhe zgjerohet, që te një kërmill i rritur arrin deri në 20 centimetra gjatësi.

Si kapet dhe si gatuhet?

Basili kujton kohën kur ishte fëmijë dhe bashkë me babanë, lundronte me barkë për të kapur kërmij deti. «Babai përdorte një kovë të madhe me një fund të gjerë prej xhami, dhe një shkop të gjatë me dy grremça në fund. Ai e zhyste kovën me fund prej xhami në oqean që të mund të shihte poshtë dhe të gjente vendin ku kishte kërmij. Ndërkohë që me njërën dorë mbante kovën, me tjetrën duke përdorur shkopin, kapte kërmillin dhe e hidhte në barkë.»

Sot metoda më e përhapur është që një zhytës të zhytet dhe t’i kapë kërminjtë me dorë. Kur zhytet më thellë, mund të përdorë një tub ajri ose, nëse ka marrë leje nga qeveria, mund të përdorë një kompresor ajri.

Për të nxjerrë kërmillin, shpohet një vrimë në fundin e guaskës. Pastaj në këtë vrimë futet një thikë që ta shtyjë kërmillin drejt hyrjes së guaskës, kështu të mund të nxirret jashtë. Kërmilli ka katër pjesë kryesore: kokën, organet e brendshme, manton dhe këmbën muskulare. Ngjitur me këmbën ka një pllakëz të fortë ngjyrë kafe, që quhet ndryshe operculum. Një lëkurë e ashpër mbulon këmbën, e cila është pjesa që hahet. Lëkura dhe të gjitha pjesët e pangrënshme hiqen dhe lihet vetëm mishi i bardhë i shijshëm.

Mishi i kërmillit të detit ka shumë proteina. Ai vazhdon të jetë shumë i vlerësuar për vlerat e tij kuruese. Shumë veta tregojnë se shëndeti u është përmirësuar goxha, pasi kanë mbajtur një dietë të pasur me kërmij deti.

Sot ka një industri të zhvilluar që prodhon bizhuteri, të cilat bëhen me guaskat e kërmijve të detit. Guaska, me buzën ngjyrë rozë të ndezur, është e bukur dhe shumë e përhapur midis koleksionistëve të guaskave. Megjithatë, përdorimi më i madh i kërmijve të detit është që të kënaqë shqisën e të shijuarit. Me kalimin e viteve, kuzhinierët e talentuar kanë shpikur receta të reja, me një larmi mënyrash gatimi të këtij ushqimi të zgjedhur.

Një ushqim që bën të të lëshojë goja lëng

Në kohën kur frigoriferët ende nuk ishin të zakonshëm këtu, për t’i ruajtur kërmijtë e detit i thanin. Në fillim, mishi zbutej duke u rrahur me një çekiç druri. Pastaj varej dhe lihej disa ditë që të thahej në diell ose bëhej pastërma. Përpara se të gatuhej, mishi lihej në ujë për disa orë që të zbutej. Edhe sot, shumë veta kënaqen me shijen e kërmillit të ruajtur në këtë mënyrë.

Ushqimi më i preferuar si për vendësit, edhe për turistët, është sallata me kërmij deti, që mund të quhet edhe sushi me kërmij deti. Mendoni, kërmilli hahet i gjallë! Mishi nxirret nga guaska dhe pritet në copa të vogla që përzihen me selino, me speca të mëdhenj jeshilë, me spec djegës, qepë dhe domate. I shtohet edhe kripë, limon i freskët dhe lëng portokalli. Nëse vetëm mendimi që të hani ushqim deti të gjallë ju bën që t’ju përzihet, ka shumë receta të tjera ku kërmilli i detit është i gatuar. Megjithatë, duhet të bëni kujdes. Kur e gatuani kërmillin e detit, në fillim zbuteni mishin e tij me një çekiç druri. Nëse nuk veproni kështu, mishi do të jetë i fortë dhe si llastik.

Kërmilli i detit mund të gatuhet me avull, të zihet, të konservohet duke u tharë në diell, të piqet në skarë, të tiganiset, mund të përdoret në hamburger, të gatuhet me oriz ose të bëhet supë​—lista është e pafund. Kërmijtë e skuqur në brumë të fryrë (sufle) dhe supa me kërmij deti, shpesh serviren si aperitiv. Recetat bazë për përgatitjen e këtyre pjatave, janë trashëguar nga brezi në brez. Pra, kur të vizitoni ishujt e bukur Bahama, mos u ktheni në shtëpi pa e provuar kërmillin e detit. Do të lëpini gishtat me specialitetin e shijshëm të ishujve.

[Kutia dhe figura në faqen 23]

Kërmij deti të tiganisur (Të treguar në fund)

Sandra, një grua dhe nënë vendëse, përshkruan se si e përgatit kërmillin e detit të tiganisur, i cili është shumë i shijshëm: «Në fillim zbuteni me kujdes të gjithë kërmillin. Pastaj lyejeni me miell, që më parë është përzier me kripë dhe piper, dhe pastaj futeni në salcë beshamel (me vezë, miell dhe qumësht). Skuqeni në vaj të nxehtë deri sa të marrë një ngjyrë të florinjtë. Thithjani yndyrën me një pecetë letër, dhe shtojini lëng limoni.»

Kërmilli i përgatitur në këtë mënyrë, zakonisht serviret me patate të skuqura dhe me shumë keçap ose me bizele dhe oriz. Kërmilli i detit i tiganisur mund të hahet edhe me salcë që bëhet me majonezë dhe copa trangujsh turshi. Shpesh kërmijtë e detit eksportohen të ngrirë, kështu që mund të gjeni kërmij edhe në vendin tuaj. Përse të mos i provoni një herë? Kushedi, mbase do t’ju pëlqejnë shumë.

[Figurat në faqen 23]

Sipas akrepave të orës: Guaska e kërmillit mbret; një peshkatar i kërmijve që po përdor kovë me fund prej xhami dhe shkopin me dy grremça; nxjerrja e mishit të kërmillit; supë me kërmill deti; sallatë me kërmill deti; sufle me kërmij; kërmij deti të pjekur në skarë me banane dhe kasava