Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Katolicizëm me nuanca afrikane

Katolicizëm me nuanca afrikane

Katolicizëm me nuanca afrikane

Nga një shkrimtar i Zgjohuni! në Brazil

NË Salvador, kryeqyteti i shtetit të Bahias në Brazil, festa e Vitit të Ri dallohet për morinë e pjesëmarrësve. Qindra gra bëjnë një procesion deri në Kishën e Bonfimit dhe i lajnë shkallët e saj me ujë të parfumuar. Ky rit bëhet për nder të Oshalasë, perëndisë afrikane të krijimit.

Ceremoninë e ndjekin rreth një milion spektatorë. Pas kësaj, nën ritmin e veglave muzikore afrikane ata marrin pjesë në festën e zhurmshme që fillon nëpër rrugë.

Ky rit 250-vjeçar është shembull i qartë i përzierjes së besimeve fetare, një veçori tipike e katolicizmit në Brazil. Thuhet që më shumë se 70 milionë brazilianë kanë lidhje të drejtpërdrejtë ose të tërthortë me fenë kandombla, umbanda, shango dhe me fe të tjera afrikano-braziliane. Megjithatë, në të njëjtën kohë, shumica dërrmuese pohojnë se janë katolikë.

Si erdhi kjo shkrirje besimesh? Çfarë mendon Kisha Katolike për këtë? A është përzierja e besimeve fetare diçka për t’u vlerësuar apo për t’u shmangur?

‘Trampolinë drejt besimit të vërtetë’

Llogaritjet ndryshojnë, por ka shumë gjasa që nga mesi i shekullit të 16-të e deri në vitin 1888, kur u ndalua skllavëria, të jenë transportuar si skllevër në Brazil më shumë se gjashtë milionë afrikanë. Ata vinin nga fiset afrikane joruba, bantu dhe nga fise të tjera. Pra përzierja e besimeve tradicionale afrikane me katolicizmin në Brazil, është trashëgimi nga koha e skllavërisë.

Ndonëse këmbëngulte që të gjithë skllevërit të ndryshonin fe, Kisha Katolike dha miratimin që katolicizmi të merrte edhe veçori të feve afrikane. Sipas historianit Rozhe Bastid, misionarët jezuitë mendonin se për t’i tërhequr në besimin katolik njerëzit me origjinë afrikane, si për shembull fëmijët, duhej shfrytëzuar muzika, vallëzimi dhe dëshira e madhe që kishin ata për tituj e për pozitë. «Ata nuk duhen detyruar që të shkëputen plotësisht nga zakonet e tyre,​—shkroi Bastidi,​—por këto zakone duhen vlerësuar, dhe ato që janë të pranueshme duhen shfrytëzuar si trampolinë për t’i ndihmuar që të përqafojnë besimin e vërtetë.»

Në vëllazëri të ndryshme fetare të përbëra vetëm nga afrikanë, siç ishin ato të kushtuara «Shën» Benediktit katolik dhe Virgjëreshës së Rruzareve, shumë zakone afrikane morën një lustër «të krishterë». Një herë në vit, për festën e «Shën» Benediktit, vëllazëri të tilla zgjidhnin një mbret dhe një mbretëreshë nga anëtarët e tyre. Ky zakon erdhi nga trashëgimi i fronit nga një mbret te tjetri në fiset afrikane.

«Shenjtorë» apo orisha?

Besimi te shumë ndërmjetës midis Perëndisë dhe njeriut është diçka e zakonshme për katolicizmin dhe fetë afrikane. Për shembull, jorubat besonin tek orishat. Mendohej se këta ishin luftëtarë dhe mbretër të hyjnizuar, që kontrollonin forcat e natyrës dhe që shërbenin si ndërmjetës midis popullit dhe perëndisë së tyre më të lartë, Olorunit. Po kështu, katolikët besojnë se «shenjtorët» ndërmjetësojnë për njerëzit te Perëndia. Ata u luten për mbrojtje «shenjtorëve» të veçantë në lidhje me veprimtari të veçanta.

Në vend që të braktisnin orishat e tyre, shumë skllevër thjesht e maskuan përnderimin ndaj orishave duke nderuar «shenjtorë» me veçori të ngjashme. Kështu, perëndia jorube e luftës, Oguni, mori identitetin e «shenjtorëve» katolikë Antonit ose Xhorxhit, që të dy ushtarë dhe heronj të krishterizmit.

Po kështu, Jemanzha, nëna e të gjithë orishave dhe perëndeshë e deteve, u barazua me «vegimet» e virgjëreshës Mari. Zoti i Bonfimit, «shenjtori» më i njohur në Salvador, u barazua me Oshalanë, orisha më e lartë e jorubave. Kjo lidhje midis «shenjtorit» dhe orishës kremtohet ende me anë të ritit vjetor të larjes së shkallëve të kishës. *

«Këtu njerëzit besojnë sinqerisht dhe kanë të njëjtin besim te Jezui, te shenjtorët katolikë dhe tek orishat»,​—thotë një udhëheqës katolik nga qyteti i Salvadorit. «Shumë veta kalojnë shpejt sa te njëra fe, te tjetra,​—shton një antropolog brazilian.​—Sapo dalin nga mesha në kishën katolike shkojnë direkt në një qendër të fesë [afrikane] kandombla.»

Kjo përzierje e katolicizmit me fetë afrikane është një çështje delikate. Lukas Moreira, ish-president i Konferencës Episkopale Katolike Braziliane, tha i bindur: «Çdokush duhet të ndjekë fenë e vet, pa u përzier me të tjera.» Por një peshkop tjetër katolik thotë: «Përzierja e feve është një realitet që shpërfill çdo përpjekje të kishës.»

Ka dy mendime të kundërta. Udhëheqësit konservatorë të kishës i luftojnë gjërat që u duken pagane dhe demonike, kurse të tjerë këmbëngulin që në ritet e Kishës Katolike të përfshihen simbolet dhe vallet afrikane.

Ç’do të thoshte Jezui?

Jezu Krishti, Themeluesi i Krishterimit, u predikoi njerëzve të feve dhe grupeve të ndryshme etnike. Por ishte i prerë kur tha: «Adhuruesit e vërtetë do ta adhurojnë Atin me frymë dhe të vërtetë, sepse, në fakt, Ati po kërkon të këtillë që ta adhurojnë.» (Gjoni 4:23) Për më tepër, Jezui tha se Ati, Perëndia Jehova, e zbulon të vërtetën nëpërmjet Fjalës së Tij, Biblës.​—Gjoni 17:17.

Jezui i udhëzoi ithtarët e tij të mësonin ‘njerëz të të gjitha kombeve që të zbatonin të gjitha gjërat që u kishte urdhëruar’. (Mateu 28:19, 20) Ai kurrë nuk la të nënkuptohej që ata mund të ndryshonin mësimet e tij, që të tërhiqnin njerëz të cilët ndiqnin tradita dhe besime të tjera. Në ditët e apostujve, disa njerëz u përpoqën të futnin ide dhe zakone që i huazuan nga fe të tjera. Megjithatë, orvatje të tilla u dënuan. ‘Dilni nga mesi i tyre dhe ndahuni,​—shkroi apostulli Pavël,​—dhe [Perëndia] do t’ju pranojë.’​—2 Korintasve 6:17.

[Shënimi]

^ par. 14 Sipas Dicionario de Cultos Afro-Brasileiros (Fjalorit të feve afrikano-braziliane), larja e shkallëve të kishës së Bonfimit lidhet ngushtë me ceremoninë jorube, të quajtur uji i Oshalasë, që përfshin ritin e larjes së otave (gurëve të shenjtë) të Oshalasë.

[Figurat në faqen 12]

Priftëresha afrikano-braziliane duke larë shkallët e kishës

Turma në shkallët e Kishës së Bonfimit, Brazil

[Burimet]

Sipër: De: A Tarde​—Wilson da Rocha Besnosik; poshtë: De: A Tarde​—Antonio Queiros