Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Nëna që po i përballojnë vështirësitë

Nëna që po i përballojnë vështirësitë

Nëna që po i përballojnë vështirësitë

NJË vështirësi kryesore për shumë nëna sot është të punojnë për të ndihmuar ekonomikisht familjen. Veç kësaj, për një arsye ose për një tjetër, disa prej tyre detyrohen t’i rritin të vetme fëmijët, pa pasur dikë tjetër për ndihmë.

Margarita është një nënë e vetme në Meksikë dhe po rrit dy fëmijë. «Ka qenë e vështirë t’i mësoja ata nga ana morale dhe frymore,​—thotë ajo.​—Një herë, kur ishte adoleshent, im bir u kthye gjysmë i dehur nga një festë. E paralajmërova se po ta përsëriste edhe njëherë, s’do ta pranoja në shtëpi. Kështu, kur erdhi prapë i dehur, e lashë përjashta, edhe pse m’u copëtua zemra. Lumturisht nuk e përsëriti më.»

S’kaloi shumë dhe Margarita filloi të studionte Biblën, gjë që e ndihmoi të nguliste vlera të larta morale te fëmijët. Sot të dy fëmijët e saj janë Dëshmitarë të Jehovait dhe shërbejnë në kohë të plotë.

Kur bashkëshorti shkon në emigrim

Shumë burra nga vendet më pak të zhvilluara, shkojnë në vende më të pasura për të gjetur punë dhe lënë gratë që t’i rritin fëmijët. Lakshmi, një nënë në Nepal, thotë: «Burri im ka qenë jashtë shtetit për shtatë vjet. Fëmijët nuk më binden aq sa i binden të atit. Nëse ai do të ishte vazhdimisht këtu për të drejtuar familjen, do të ishte më e lehtë.»

Pavarësisht nga vështirësitë, Lakshmi po i bën ballë kësaj rrethane. Meqë ka pak arsim, ka marrë masa që fëmijët e saj më të rritur të kenë mësues privatë që t’i ndihmojnë për mësimet. Gjithsesi, ajo kujdeset sidomos për arsimimin frymor të fëmijëve dhe çdo javë bën studim biblik me ta. Veç kësaj, përditë bën me fëmijët një bisedë rreth një shkrimi biblik dhe i merr rregullisht në mbledhjet e krishtere.

Nënat me arsim të kufizuar

Në disa vende, një vështirësi tjetër është përhapja e madhe e analfabetizmit te gratë. Duke folur për pozitën e vështirë që ka një nënë pa arsim, Aurelia nga Meksika, e cila ka gjashtë fëmijë, thotë: «Mamaja thoshte gjithnjë se gratë nuk janë për shkollë. Kështu që nuk mësova kurrë të lexoja dhe nuk i ndihmoja dot fëmijët për detyrat e shtëpisë. Kjo gjë më vriste. Por meqë nuk doja që ata të vuanin siç vuajta unë, bëra çmos që të shkolloheshin.»

Nga ana tjetër, sikur nëna të ketë edhe sadopak arsim, kjo mund të ndikojë shumë te fëmijët. Është me vend shprehja: «Arsimoni gratë, dhe kështu po arsimoni mësueset e djemve.» Bishnuja nga Nepali, nënë me tre djem, ishte analfabete, por dëshira për të mësuar të vërtetat e Fjalës së Perëndisë dhe për t’ua mësuar ato djemve të saj, e shtyu të bënte çmos që të mësonte të shkruante e të lexonte. Ajo kujdesej që fëmijët t’i bënin detyrat e shtëpisë dhe shkonte rregullisht në shkollën e tyre për të folur me mësuesit se si shkonin me mësime.

Ndërsa për arsimimin frymor dhe edukimin moral që u dha, djali i Bishnusë, Silashi, thotë: «Gjëja që më pëlqente më shumë te metoda që kishte nëna për të na mësuar ishte se, edhe kur bënim gabime, ajo na tregonte shembuj nga Bibla për të na korrigjuar. Kjo metodë të mësuari ishte e efektshme dhe më ndihmoi të pranoja këshillat.» Bishnuja ka qenë një edukatore e mirë për djemtë e saj, dhe që të tre ata janë bërë burra që i shërbejnë Perëndisë.

Antonia nga Meksika, e cila ka dy fëmijë, thotë: «Kam bërë vetëm gjashtë klasë. Jetonim në një fshat të thellë dhe shkollën e mesme më të afërt e kishim shumë larg. Por doja që fëmijët e mi të kishin më shumë arsim se unë, kështu që merresha shumë me ta. U mësova gjërat elementare në shkrim e lexim dhe numrat. Vajza dinte të shkruante emrin e saj dhe të gjitha shkronjat e alfabetit që para se të hynte në shkollë. Im bir lexonte mirë që para se të shkonte në kopsht.»

Kur e pyetën se çfarë bëri që ata të edukoheshin nga ana frymore dhe morale, Antonia u përgjigj: «U mësoja tregime nga Bibla. Para se t’i vinte goja, vajza i tregonte historitë biblike duke përdorur gjestet. Djali, kur ishte katër vjeç, bëri për herë të parë leximin nga Bibla para auditorit në mbledhjet tona të krishtere.» Shumë nëna me arsim të kufizuar po e përmbushin më së miri rolin e tyre si edukatore.

Luftojnë zakonet e dëmshme

Një zakon që ka fisi tzotzil në Meksikë, është që t’i shesin vajzat në martesë që kur janë 12 ose 13 vjeçe. Shpesh vajzën ia shesin një burri që është shumë më i madh në moshë dhe që kërkon një grua të dytë ose të tretë. Nëse ai mbetet i pakënaqur nga vajza, mund ta kthejë atë dhe të marrë prapë paratë. Petrona u përball me këtë zakon që kur ishte fëmijë. Nënën e saj ia kishin shitur një burri, kishte lindur një fëmijë dhe ishte divorcuar. E gjithë kjo kishte ndodhur para se nëna të mbushte 13 vjeçe. Fëmija i parë i kishte vdekur dhe pas kësaj nënën e Petronës e kishin shitur edhe dy herë të tjera. Gjithsej kishte lindur tetë fëmijë.

Petrona nuk donte që të ndodhte e njëjta gjë edhe me jetën e saj dhe tregon se si ia arriti: «Kur mbarova filloren, i thashë nënës se nuk doja të martohesha, por doja të vazhdoja shkollën. Nëna më tha se nuk ishte në dorën e saj dhe se duhej të flitja me babanë.»

«Do të të gjej burrë,​—tha babai.​—Ti di të flasësh spanjisht. Di të lexosh. Çfarë do më shumë? Nëse do që të vazhdosh shkollën, gjeji vetë paratë.»

«Dhe kështu bëra,​—thotë Petrona.​—Bëja qëndisma që të nxirrja paratë për shpenzimet e mia.» Në këtë mënyrë shpëtoi nga shitja. Kur Petrona u rrit, nëna e saj filloi të studionte Biblën, dhe kjo i dha forcë për të rrënjosur te motrat më të vogla të Petronës vlera morale të bazuara në Bibël. Nga përvoja që kishte pasur vetë, nëna ishte në gjendje t’u mësonte bijave të saj për pasojat e hidhura që vijnë nga zakoni i shitjes së vajzave të vogla në martesë.

Shumë veta ndjekin një zakon tjetër, sipas të cilit u takon vetëm baballarëve që t’i disiplinojnë djemtë në familje. Petrona thotë: «Grave tzotzile u mësohet që janë inferiore ndaj burrave. Burrat janë shumë prepotentë. Djemtë e vegjël imitojnë baballarët dhe u thonë nënave: ‘S’do më thuash ti se çfarë të bëj. Po të mos ma thotë babi, nuk bindem.’ Pra nënat nuk mund t’i edukojnë djemtë e tyre. Por tani që nëna ime ka studiuar Biblën, ia ka dalë mbanë të mësojë vëllezërit e mi. Ata e kanë mësuar përmendësh Efesianëve 6:1, 2: ‘Fëmijë, bindjuni prindërve tuaj. . . . Ndero atin dhe nënën tënde.’»

Edhe Meri, një nënë nga Nigeria, thotë: «Atje ku u rrita, kultura e vendit e ndalon nënën që të mësojë ose të disiplinojë djemtë. Por duke ndjekur shembullin biblik të Loidës dhe Eunikës​—gjyshja dhe nëna e Timoteut​—isha e vendosur të mos lejoja që zakonet e vendit të më pengonin për të mësuar fëmijët e mi.»​—2 Timoteut 1:5.

Një zakon tjetër që praktikohet gjerësisht në disa vende është ai që disa e quajnë «rrethprerja e femrave», zakon që sot në përgjithësi njihet si gjymtimi gjenital i femrave. Sipas këtij zakoni, hiqet një pjesë ose pjesa më e madhe e organeve të jashtme gjenitale të vajzës. Ishte Uaris Diri, një fotomodele e njohur dhe ambasadore e posaçme e Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullsinë, ajo që e demaskoi këtë zakon. Sipas traditës somaleze, kur ishte fëmijë, Uarisi i ishte nënshtruar një praktike të tillë, e detyruar nga e ëma. Sipas një raporti, tetë deri në dhjetë milionë gra e vajza në Lindjen e Mesme dhe në Afrikë rrezikojnë t’i nënshtrohen këtij gjymtimi. Edhe në Shtetet e Bashkuara, ka 10.000 vajza që iu kanoset një rrezik i tillë.

Cilat besëtytni qëndrojnë në rrënjë të kësaj praktike? Disa mendojnë se organet e jashtme gjenitale të femrës janë të liga dhe e bëjnë të papastër vajzën, kështu që do të mbetet pa martuar. Veç kësaj, prerja ose heqja e organeve të jashtme gjenitale shihet si garanci për virgjërinë e vajzës dhe për besnikërinë e saj ndaj bashkëshortit. Nëse nënat nuk e ndjekin këtë zakon, bashkëshorti dhe fqinjët mund të zemërohen.

Megjithatë, shumë nëna kanë kuptuar se qoftë nga ana fetare, qoftë nga ajo mjekësore dhe higjienike, nuk ka arsye të vlefshme për ta përligjur këtë praktikë tepër të dhembshme. Libri nigerian, Të hedhim poshtë zakonet e neveritshme (anglisht), zbulon se shumë nëna, duke treguar guxim, nuk kanë pranuar që vajzat e tyre t’i nënshtrohen kësaj praktike.

Me të vërtetë, në mbarë botën ka nëna që po i mbrojnë dhe po i edukojnë më së miri fëmijët e tyre, pavarësisht nga vështirësitë e shumta. A po i çmojmë vërtet përpjekjet e tyre?

[Kutia dhe figura në faqen 5]

«Studimet kanë treguar vazhdimisht se nuk ka asnjë strategji të efektshme për të nxitur përparimin dhe zhvillimin, në të cilën gratë të mos luajnë një rol jetësor. Kur gratë janë plotësisht të përfshira, dobitë mund të shihen menjëherë: familjet janë më të shëndetshme dhe të ushqyera më mirë; të ardhurat, kursimet dhe investimet e tyre rriten. Siç ndodh me familjet, ndodh edhe me zonat, dhe si përfundim edhe me shtete të tëra.»​—Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Anan, 8 mars 2003.

[Burimi]

Fotografi UN/DPI nga Milton Grant

[Kutia dhe figurat në faqen 8]

Ajo sakrifikoi për ne

Një i ri brazilian, Zhulianu, thotë: «Kur isha pesë vjeç, nëna kishte një karrierë premtuese. Megjithatë kur lindi motrën time, nëna vendosi ta linte punën që të kujdesej për ne. Në punë u përpoqën ta bindnin që të mos largohej. I thanë se kur fëmijët të martoheshin dhe të jetonin më vete, çdo gjë që kishte bërë do t’i kishte shkuar dëm, i thanë se po investonte në diçka që nuk do t’i sillte kurrfarë fitimi. Por mund të them se e kishin gabim; unë s’do ta harroj kurrë dashurinë që na tregoi.»

[Figurat]

Nëna e Zhulianut me fëmijët e saj; majtas: Zhulianu kur ishte pesë vjeç

[Figurat në faqen 6]

Bishnuja mësoi të shkruante e të lexonte dhe i ndihmoi djemtë e saj që të arsimoheshin mirë

[Figurat në faqen 7]

Djali i Antonias bën leximin e Biblës në mbledhjet e krishtere

[Figurat në faqen 7]

Petrona është vullnetare në degën e Dëshmitarëve të Jehovait në Meksikë. Nëna e saj, që u bë Dëshmitare, po mëson vëllezërit dhe motrën e Petronës

[Figura në faqen 8]

Uaris Diri, një zëdhënëse e OKB-së, është e njohur që ka dalë kundër gjymtimit gjenital të femrave

[Burimi]

Fotografi nga Sean Gallup/ Getty Images