Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
Kokrra kafeje pa kafeinë
Gazeta spanjolle El País raporton se shkencëtarët brazilianë kanë zbuluar një varietet të ri të Coffea arabica—lloji më i përhapur i bimës së kafesë—që pothuajse nuk ka fare kafeinë. Kjo kafe natyrale pa kafeinë, rritet në Etiopi dhe përbën një zbulim të rëndësishëm për industrinë e kafesë. Anembanë botës, gati 10 për qind e përdoruesve të kafesë e preferojnë kafenë pa kafeinë, dhe kjo përqindje vazhdon të rritet. Një kokërr kafeje e zakonshme, përmban 12 miligramë kafeinë për gram, kurse varieteti i ri i zbuluar ka vetëm 0,76 miligramë për gram. El País raporton: «Procesi industrial për të hequr kafeinën është i kushtueshëm dhe sipas shkencëtarëve, heq jo vetëm kafeinën, por edhe disa përbërës kryesorë që i japin kafesë atë shijen e saj të pëlqyeshme.» Kështu pra, bima e re do t’i zgjidhë të dyja këto probleme që lindin nga procesi i heqjes së kafeinës.
Si i rezistojnë merimangat forcës së rëndesës?
«Shkencëtarët kanë zbuluar sekretin se si ia bëjnë merimangat të qëndrojnë të kapura nëpër mure dhe tavane»,—thotë The Times e Londrës. Merimanga ka tetë këmbë. Secila këmbë, në fund ka një tufë me qime të vogla, e secila prej këtyre qimeve është e mbuluar me qime akoma edhe më të vogla që quhen ketë. Forca ngjitëse që ndodhet në majat e 624.000 ketëve të merimangës, është kaq e madhe, saqë një merimangë mund të mbajë një peshë që është sa 170-fishi i peshës së trupit të saj ndërkohë që rri e kapur në një mur ose në një tavan. Duke përdorur një mikroskop elektronik, disa studiues në Gjermani dhe në Zvicër studiuan këmbën e merimangës kërcyese. Zbulimet, shpjegon The Times, tregojnë se «është e mundur të përdoren teknika të ngjashme për të prodhuar ngjitës të rinj, super të fortë» që «nuk ndikohen nga lagështia». Profesoresha Antonia Keseli, drejtuesja e grupit të studimit, shton: «Gjithashtu, mund të imagjinoni astronautët me kostumet hapësinore që i ndihmojnë të ngjiten nëpër muret e anijes kozmike.»
Rrëmbimet e personave në Meksikë
Botimi ndërkombëtar The Miami Herald, raporton se një shoqëri këshilluese në fushën e sigurisë, arriti në përfundimin se Meksika është vendi i dytë në Amerikën Latine, pas Kolumbisë, që ka përqindjen më të lartë të rrëmbimit të personave. «Një përllogaritje jozyrtare tregon se numri i rrëmbimeve [gjatë vitit 2003] e tejkaloi shifrën 3.000.» Por nga ana tjetër, shumë nga rrëmbimet nuk raportohen, pasi familjarët e viktimave parapëlqejnë të merren vesh vetë me rrëmbyesit. Gjithashtu, në këtë shifër, nuk janë përfshirë rrëmbimet e ashtuquajtura «flesh», ku viktimat i detyrojnë të tërheqin para të thata nga bankomati dhe pastaj i lënë të lira. Është llogaritur se në qytetin e Meksikos, ndodhin të paktën 16 rrëmbime të tilla çdo ditë, por gazeta thotë se mund të ndodhin deri në 80 raste të tilla. Shqetësues është fakti se rrëmbimet sa vijnë e po bëhen gjithnjë e më brutale. Shumë prej pengjeve vriten, edhe nëse paguhet shuma e kërkuar si shpërblim për lirimin e tyre.
Rekord i rasteve me SIDA
Gazeta The Wall Street Journal raporton se pesë milionë njerëz u infektuan me virusin e SIDA-s në vitin 2003, dhe ky është «numri më i madh i të infektuarve që nga koha kur plasi kjo epidemi këtu e njëzet vjet më parë. Pavarësisht nga përpjekjet globale për të luftuar HIV-in në vendet në zhvillim, virusi i SIDA-s vazhdon të infektojë një numër gjithnjë e në rritje njerëzish, dhe vazhdon të marrë miliona jetë çdo vit.» Sipas të dhënave të botuara nga UNAIDS-i, një program kundër SIDA-s, i sponsorizuar nga Kombet e Bashkuara dhe grupe të tjera, çdo vit rreth 3 milionë njerëz vdesin nga SIDA, dhe më shumë se 20 milionë kanë vdekur që nga koha kur u diagnostikua për herë të parë sëmundja në vitin 1981. Aktualisht, sipas llogaritjeve të agjencisë së Kombeve të Bashkuara, 38 milionë njerëz janë të infektuar me HIV. Zona e Afrikës që ndodhet poshtë Saharasë është krahina më e prekur, me 25 milionë raste, e ndjekur nga Azia Jugore dhe Juglindore me 6,5 milionë të infektuar. «Në të gjithë botën, përafërsisht gjysma e rasteve të reja me HIV, janë të rinj 15 deri 24-vjeçarë»,—thotë gazeta.
Fëmijë me sy të përgjumur
«Gjumi ka filluar të shihet si humbje kohe,—raporton gazeta spanjolle ABC.—Edhe fëmijët e vegjël flenë më pak orë sesa është e nevojshme për të pasur një zhvillim psikologjik dhe fizik të shëndetshëm.» Sipas pavionit të shqetësimeve të gjumit në spitalin «Dekseus» të Barcelonës, mungesa e gjumit te fëmijët çon në ankth, në gjendje të acaruar, nota të ulëta në shkollë, gjendje mërzie, dhe madje pengon rritjen e tyre normale. Fëmijët janë duke hyrë në borxhe të mëdha me gjumin. Specialistët thonë se shkaku për këtë është përdorimi i kompjuterëve, televizorit, celularëve dhe lojërave kompjuterike nga fëmijët, pak përpara se ata të bien të flenë. Këto pajisje jo vetëm që u rrëmbejnë kohën që duhet t’ia rezervojnë gjumit, por edhe ua nxjerrin gjumin, pasi i vënë në lëvizje dhe i bëjnë aktivë. «Të gjithë fëmijët e dinë se pirja e duhanit është e dëmshme, por askush nuk u thotë që e kanë të nevojshme të flenë mjaftueshëm,—pohon psikologia Viktoria de la Fuente.—Nëse nuk ndërhyjmë tani, ka shumë të ngjarë që kur të rriten, të vuajnë nga pagjumësia.»
Pemët kanë kufij se sa mund të rriten
«Sekuotë gjigante janë qeniet e gjalla më të gjata në Tokë. Por edhe ato kanë kufij të lartësisë që ndoshta nuk mund të kapërcehen, pavarësisht se sa ideale mund të jenë kushtet»,—pohon gazeta Las Vegas Review-Journal. Një studim për pemën më të lartë sot në botë (110 metra e lartë, sa një ndërtesë 30-katëshe) dhe i katër sekuove të tjera pak a shumë me të njëjtën lartësi, tregon se lartësia maksimale që mund të arrijë një sekuo, është rreth 130 metra. Ndërkohë që lagështia avullon nga gjethet, uji duhet të tërhiqet nga rrënjët dhe të arrijë deri në majë të pemës, duke i rezistuar forcës së gravitetit. Studiuesit kanë llogaritur se kjo lëvizje mund të kërkojë gati 24 ditë. Ndërsa uji qarkullon nëpër enët e quajtura floema, pesha e ujit sa vjen dhe bëhet edhe më e madhe, dhe furnizimi ndërpritet, duke kufizuar kështu lartësinë e pemës. Një bredh i Dagllasit, pema më e lartë e regjistruar, arriti lartësinë prej rreth 126 metrash.
Telefon për t’u falur myslimanët
Një tip i ri celulari, i bërë posaçërisht për myslimanët, sapo është hedhur në treg. Sipas gazetës gjermane Die Zeit, jo vetëm që telefoni përmban të gjithë Kuranin, por edhe mund të programohet që ta kujtojë besimtarin të lutet pesë herë në ditë. Madje të tregon edhe drejtimin e Mekës nga më shumë se 5.000 vende anembanë botës. Datat mund të vendosen sipas kalendarit gregorian, që përdoret në Perëndim, ose sipas kalendarit islamik hixhri. Edhe pse ky telefon është goxha i shtrenjtë, ka fituar miratimin e njërës prej qendrave kryesore të mësimit islam.
Toka po bëhet më e errët
«Shkencëtarët kanë zbuluar se, këta dhjetëvjeçarët e fundit, në sipërfaqen e tokës po mbërrin më pak dritë nga dielli,—vëren Scientific American.—Kjo, jo se dielli po humbet dritën e tij, por sepse po hyjnë në mes retë, ndotja e ajrit dhe aerosolet.» Që nga fundi i viteve 50 e deri në fillim të viteve 90 të shekullit të 20-të, qindra aparate regjistruan një rënie prej 10 për qind të sasisë së dritës së diellit që mbërrinte në tokë. Kjo rënie ishte edhe më e madhe në Azi, Evropë dhe Shtetet e Bashkuara. Hong-Kongu për shembull, pati një rënie prej 37 për qind të dritës së diellit. Shkencëtarët ende nuk e kanë kuptuar plotësisht se si ndodh e gjithë kjo.