Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Roli i nderuar i nënës

Roli i nderuar i nënës

Roli i nderuar i nënës

ROLI i nënës shpesh është nënvlerësuar e madje është përçmuar. Dhjetëvjeçarë më parë, disa njerëz filluan ta shihnin si diçka të rëndomtë që të kujdeseshe për fëmijët. Sipas mendimit të tyre, të merreshe me fëmijët nuk ishte aq e rëndësishme sa karriera, madje ishte diçka ndrydhëse. Ndonëse shumicës kjo pikëpamje mund t’i duket ekstremiste, është e zakonshme që nënat t’i bëjnë të ndihen sikur të kujdesesh për shtëpinë dhe për fëmijët është një punë e dorës së dytë. Madje disa mendojnë se gruaja ka nevojë për një punë jashtë shtëpisë për të shfrytëzuar plotësisht kapacitetin e saj.

Gjithsesi, shumë bashkëshortë dhe fëmijë kanë arritur ta vlerësojnë rolin e nënës në familje. Karloja, i cili shërben në zyrën e degës të Dëshmitarëve të Jehovait në Filipine, thotë: «Sot jam këtu falë kujdesit dhe mësimit të nënës sime. Babai kërkonte shumë disiplinë dhe menjëherë na ndëshkonte, kurse nëna na ndihmonte, duke na i shpjeguar gjërat dhe duke arsyetuar me ne. E çmoj vërtet mënyrën si na mësonte.»

Piteri nga Afrika e Jugut është njëri prej gjashtë fëmijëve që i rriti një nënë me arsim të kufizuar. I ati e kishte braktisur familjen. Piteri thotë: «Nëna nuk fitonte shumë nga puna si shërbyese dhe si pastruese. E kishte të vështirë të paguante shpenzimet e shkollës për të gjithë ne. Shpesh shkonim të uritur në shtrat. Nëna e kishte të vështirë edhe të na siguronte një shtëpi ku të futnim kokën. Por pavarësisht nga vështirësitë, ajo nuk u dorëzua kurrë. Na mësoi që të mos e krahasonim kurrë veten me të tjerët. Po të mos ishte për përkushtimin dhe kurajën e saj, kurrë nuk do t’ia dilnim mbanë në jetë, siç ia dolëm.»

Ahmedi nga Nigeria thotë se çfarë mendon për ndihmën e së shoqes në rritjen e fëmijëve: «E vlerësoj punën e gruas sime. Edhe kur nuk ndodhem në shtëpi, jam i bindur se fëmijët janë në duar të sigurta. Në vend që të ndihem sikur gruaja po përpiqet të më zërë vendin, e falënderoj dhe u them fëmijëve se duhet ta respektojnë atë siç më respektojnë mua.»

Një burrë palestinez nuk ngurron ta lavdërojë gruan e tij për punën e saj të mirë si nënë: «Lina ka bërë një punë shumë të mirë me vajzën tonë dhe e ndihmon shumë familjen nga ana fetare. Sipas meje ajo ia ka dalë mbanë falë bindjeve të saj fetare.» Lina është Dëshmitare e Jehovait dhe ndjek parimet e Biblës kur edukon të bijën.

Cilat janë disa nga këto parime? Cila është pikëpamja e Biblës për nënat? Si u jepej nënave dinjitet dhe respekt në kohët e lashta, për punën që bënin si edukatore të fëmijëve të tyre?

Një pikëpamje e ekuilibruar për nënat

Kur u krijua, gruas iu caktua një vend i nderuar në familje. Libri i parë i Biblës thotë: «Perëndia Jehova tha: ‘Nuk është mirë që njeriu të qëndrojë vetëm. Do t’i bëj një ndihmës, si një plotësim për të.’» (Zanafilla 2:18, BR) Pra gruaja e parë, Eva, u krijua si plotësim i Adamit. Ajo u krijua tamam ashtu siç duhej që të ishte një ndihmëse e përsosur për të shoqin. Eva do të merrte pjesë në përmbushjen e qëllimit që kishte Perëndia për ta, pra që ata të lindnin fëmijë, të kujdeseshin për këta fëmijë, si edhe për tokën dhe kafshët. Ajo do t’i jepte Adamit qoftë ndihmën nga ana intelektuale, qoftë mbështetjen që jep një bashkëpunëtor i vërtetë. Sa i lumtur ishte Adami për këtë dhuratë të bukur që mori nga Krijuesi!​—Zanafilla 1:26-28; 2:23.

Më vonë, Perëndia dha udhëzime se si duheshin trajtuar gratë. Për shembull, nënat izraelite duheshin nderuar dhe nuk duheshin trajtuar me përçmim. Nëse një djalë ‘do të mallkonte të atin ose të ëmën’ ai do të dënohej me vdekje. Edhe fëmijët e krishterë u këshilluan ‘t’u bindeshin prindërve të tyre’.​—Levitiku 19:3; 20:9; Efesianëve 6:1; Ligji i përtërirë 5:16; 27:16; Fjalët e urta 30:17.

Nën drejtimin e burrit, nëna duhej të edukonte edhe vajzat, edhe djemtë. Për një djalë ishte urdhër që ‘të mos e braktiste ligjin e nënës së tij’. (Fjalët e urta 6:20, BR) Gjithashtu, në kapitullin 31 të Fjalëve të urta flitet për ‘mesazhin profetik [me peshë, BR] që nëna ia dha si ndreqje’ mbretit Lemuel. Ajo e këshilloi me mençuri të birin që të mos i përdorte pa vend pijet alkoolike duke thënë: «Nuk u shkon mbretërve të pinë verë as princave të dëshirojnë pije dehëse, sepse duke pirë të mos harrojnë ligjin dhe të mos shtrembërojnë të drejtën e të pikëlluarve.»​—Fjalët e urta 31:1, 4, 5.

Gjithashtu, do të ishte mirë që çdo djalë që po mendon për martesën, të shqyrtonte se si e përshkruan nëna e mbretit Lemuel «një grua të virtytshme [të zonjën, BR]». Ajo tha: «Vlera e saj është shumë më e madhe nga ajo e margaritarëve.» Pasi foli për ndihmën e rëndësishme që jep në familje një grua e tillë, nëna e mbretit tha: «Hiri është i rremë dhe bukuria është e kotë, por gruaja që ka frikë nga Zoti është ajo që do të lëvdohet.» (Fjalët e urta 31:10-31) Është e qartë se Krijuesi ynë e bëri gruan që të zinte një vend të nderuar dhe me përgjegjësi në familje.

Edhe në kongregacionin e krishterë, gratë dhe nënat nderohen dhe vlerësohen. Efesianëve 5:25 thotë: «Burra, vazhdoni t’i doni gratë tuaja.» Timoteut të ri, të cilin nëna dhe gjyshja e mësuan që të respektonte «shkrimet e shenjta», iu dha kjo këshillë: ‘Përgjëroji më të moshuarat si nëna.’ (2 Timoteut 3:15; 1 Timoteut 5:1, 2) Prandaj një burrë duhet ta respektojë një grua të moshuar sikur të ishte e ëma. Vërtet, Perëndia i vlerëson gratë dhe u jep atyre një vend dinjitoz.

Shprehuani vlerësimin

Një burrë që u rrit në një kulturë ku gratë shiheshin si inferiore thotë: «Edukata që më dhanë kishte si figurë kryesore burrin dhe kam parë se si keqtrajtoheshin gratë e sa pak respekt tregohej ndaj tyre. Prandaj më është dashur të bëj një luftë me veten që ta shoh gruan siç e sheh Krijuesi, si një pjesë plotësuese, si një shoqe që të ndihmon në familje dhe si bashkëpunëtore në edukimin e fëmijëve. Ndonëse për mua është e vështirë t’i shpreh gruas fjalë lavdërimi, e kuptoj se cilësitë e mira që shoh te fëmijët janë falë punës së saj të palodhur.»

Vërtet, nënat që marrin përsipër përgjegjësinë e tyre në edukimin e fëmijëve mund të ndihen krenare për rolin që kanë. Është një karrierë që ia vlen. Ato meritojnë me të drejtë lavdërim dhe shprehje vlerësimi që vijnë nga zemra. Nga nënat mësojmë kaq shumë! Mësojmë zakone që na vlejnë për të gjithë jetën, një sjellje të mirë që është thelbësore për marrëdhënie të mira dhe në shumë raste një edukim nga ana morale dhe fetare që i bën të rinjtë të ecin në rrugën e drejtë. A ia keni shprehur kohët e fundit nënës vlerësimin për atë që ka bërë për ju?

[Figura në faqen 9]

Nëna e mësoi Piterin që të mos dorëzohej kurrë

[Figura në faqen 10]

Ahmedi e çmon shumë ndihmën e gruas në rritjen e fëmijëve

[Figura në faqen 10]

Burri i Linës ia jep meritën për sjelljen shembullore të vajzës, bindjeve fetare të së shoqes