Si t’i mbaj nën kontroll ndjenjat?
Të rinjtë pyesin . . .
Si t’i mbaj nën kontroll ndjenjat?
«Kur nevrikosem me prindërit, u them gjëra që s’i kam me tërë mend. Pastaj u rri larg derisa të më kalojë.»—Keti, 13 vjeçe.
«Pasiguria është problemi im më i madh. Disa herë më duket sikur po vdes përbrenda.»—Ivani, 19 vjeç.
NDJENJAT janë të fuqishme. Ato ndikojnë në mënyrën se si mendon dhe si vepron. Mund të të motivojnë si për mirë, ashtu edhe për keq. Madje, disa herë mund të të duket sikur po të mbytin. «Asnjëherë nuk jam i kënaqur me veten,—thotë Jakobi, një djalë 20-vjeçar.—Shpesh, nuk i arrij gjërat që kërkoj nga vetja. Disa herë e nxjerr dufin duke qarë. Por ka raste kur nevrikosem aq shumë, sa ua nxjerr të gjithë inatin atyre që kam përqark. E kam të vështirë ta kontrolloj veten.»
Megjithatë, të mësosh të kontrollosh ndjenjat, është një hap i rëndësishme që të ndihmon të bëhesh një i rritur i pjekur dhe i përgjegjshëm. Sot disa specialistë mendojnë se, të jesh i aftë për të kontrolluar ndjenjat dhe të dish si të sillesh me të tjerët, vlen më shumë sesa të jesh inteligjent. Gjithsesi, Bibla i jep shumë rëndësi kontrollimit të ndjenjave. Për shembull, Fjalët e urta 25:28 thotë: «Nëse nuk e kontrollon dot zemërimin, je aq i pashpresë sa edhe një qytet pa mure, që mund ta sulmojnë kollaj.» (Today’s English Version) Përse është kaq e vështirë t’i kontrollosh ndjenjat?
Një luftë për të rinjtë
Njerëzit e të gjitha moshave dhe kulturave luftojnë që të kontrollojnë ndjenjat e tyre. Megjithatë, beteja mund të jetë veçanërisht e vështirë për dikë, kur është duke kaluar nga adoleshenca në moshë të rritur. Libri Trupa që ndryshojnë, jetë që ndryshojnë (anglisht) nga Ruth Belli, thotë: «Shumica e adoleshentëve kanë një përzierje ndjenjash të çmendura, të bukura, të frikshme e të ndryshme. Shumë njerëz kanë një sërë ndjenjash të ndryshme në të njëjtën kohë e për të njëjtat gjëra. . . . Për një moment mund të ndihesh në njëfarë mënyre, pastaj aty për aty ndihesh krejt ndryshe.»
Duke qenë se je i ri, je edhe pa përvojë. (Fjalët e urta 1:4) Kështu, nëse ndesh rrethana të reja dhe vështirësi për herë të parë, është fare e natyrshme të ndihesh pak i pasigurt dhe në ankth. Sa mirë që Krijuesi i kupton ndjenjat e tua! Ai njeh madje edhe ‘mendimet e tua turbulluese’. (Psalmi 139:23, BR) Në Fjalën e tij ai ka vendosur disa parime që mund të të ndihmojnë.
Një çelës për të kontrolluar ndjenjat
Një çelës për të kontrolluar ndjenjat është të mësosh më parë të kontrollosh mendimet. Mendimet negative mund të ta heqin forcën që të nevojitet për të vepruar. (Fjalët e urta 24:10) Por, si të mësosh të mendosh pozitivisht, dhe kështu ta kesh më të lehtë të kontrollosh ndjenjat?
Një mënyrë është të mos përqendrohesh shumë te gjërat negative, që të bëjnë të ndihesh i mërzitur ose i pasigurt. Nëse ndjek këshillën e Biblës që të përqendrohesh te gjërat që janë «serioze» dhe ‘të drejta’, mund t’i zëvendësosh mendimet negative me ato pozitive. (Filipianëve 4:8) Ndoshta kjo mund të mos jetë e lehtë, por po të përpiqesh mund t’ia dalësh mbanë.
Le të mendojmë për një të re që quhet Zhazmina. «Më duket sikur të gjitha gjërat që po përballoj, po më zënë frymën,—u ankua ajo një herë.—Puna e re, përgjegjësitë e reja. Përbrenda ndihem bosh. S’kam kohë as për të marrë frymë.» Nuk është çudi që disa herë një i ri të ndihet kështu. Kjo pastaj e bën që të ndihet i pasigurt e të mos ketë besim tek vetja. Bibla na flet për një të ri të quajtur Timote, i cili ishte mjaft i kualifikuar për të përmbushur përgjegjësitë që i ishin ngarkuar. Por duket se ai luftonte me ndjenjat e pavlefshmërisë.—1 Timoteut 4:11-16; 2 Timoteut 1:6, 7.
Mbase, në mënyrë të ngjashme, mund të ndihesh i pasigurt kur ke përpara një detyrë të re. Ndoshta mund të thuash me vete: ‘S’kam për ta bërë dot kurrë këtë.’ Por ti mund t’i kontrollosh ndjenja të tilla pasigurie duke mos lejuar që t’i bluash në mendje mendimet negative. Përqendrohu që të mësosh ta kryesh detyrën ashtu siç duhet. Pyet nëse nuk di diçka dhe ndiq udhëzimet që të jepen.—Fjalët e urta 1:5, 7.
Sa më shumë t’ia marrësh dorën punës, aq më shumë do të fitosh siguri. Mos u fikso te dobësitë e tua, duke i lejuar kështu që të të paralizojnë e të të pengojnë të përmirësohesh. Një herë, kur apostullin Pavël e kritikuan, ai u përgjigj: «Por, edhe nëse jam i pazoti në fjalë, sigurisht që nuk jam i tillë në njohuri.» (2 Korintasve 10:10; 11:6) Në mënyrë të ngjashme, ti mund të krijosh besimin tek vetja duke kuptuar pikat e tua të forta dhe duke iu drejtuar Perëndisë për ndihmë që t’i përballosh me sukses dobësitë. Perëndia mund të të ndihmojë vërtet, ashtu siç ka bërë me shumë të tjerë në të kaluarën.—Eksodi 4:10.
Një mënyrë tjetër se si mund t’i kontrollosh ndjenjat është, që të vendosësh synime të arsyeshme e realiste dhe të pranosh kufizimet e tua. Gjithashtu, mos e krahaso në mënyrë të padrejtë veten me të tjerët. Te Galatasve 6:4, Bibla na jep një këshillë të shkëlqyer kur thotë: «Secili le të tregojë me prova se si është vepra e tij dhe atëherë do të ketë shkak për ngazëllim vetëm në lidhje me vetveten dhe jo në krahasim me personin tjetër.»
Freno zemërimin
Të kontrollosh zemërimin mund të jetë një tjetër luftë e brendshme. Ashtu si Keti, e përmendur në hyrje të artikullit, zemërimi bën që shumë të rinj të thonë dhe të bëjnë gjëra që lëndojnë ose dëmtojnë.
Kuptohet, është normale që të ndiejmë zemërim ndonjëherë. Por, mos harro vrasësin e parë, Kainin. Kur ai «u ndez nga një zemërim i madh», Perëndia e paralajmëroi se ky zemërim mund ta shtynte të kryente një mëkat serioz. Ai e pyeti Kainin: «Ti, a do ta mposhtësh [mëkatin]?» (Zanafilla 4:5-7, BR) Kaini nuk ia vuri veshin kësaj këshille hyjnore; por ti, me ndihmën e Perëndisë, mund ta kontrollosh zemërimin dhe të mos mëkatosh!
Përsëri del në pah kontrollimi i mendimeve. Te Fjalët e urta 19:11, Bibla thotë: «Mençuria e bën njeriun të mos rrëmbehet shpejt nga zemërimi dhe është në lavdinë e tij t’i kapërcejë fyerjet.» Kur dikush të cingëris nervat, përpiqu të kuptosh përse ai ose ajo u soll ashtu. A po përpiqej të të lëndonte me qëllim? Apo mos ndoshta veproi pa u menduar ose nga padija? Duke toleruar gabimet e tjerëve, ti po pasqyron mëshirën e vetë Perëndisë, dhe kjo mund të të ndihmojë që të frenosh ndjenjat e zemërimit.
Po sikur zemërimi të jetë i justifikuar? Shkrimet thonë: «Zemërohuni, por mos mëkatoni.» (Efesianëve 4:26) Nëse është e nevojshme, diskutoje çështjen me vetë individin. (Mateu 5:23, 24) Ose ndoshta gjëja më e mirë që duhet bërë, është thjesht ta hedhësh prapa krahëve, të largosh zemërimin dhe të vazhdosh me jetën tënde.
Është interesante, por miqtë mund të kenë një ndikim mbi ty në mënyrën si vepron me zemërimin. Bibla na urdhëron: «Mos lidh miqësi me njeriun zemërak dhe mos u shoqëro me njeriun idhnak, që të mos mësosh rrugët e tij dhe të mos gjesh një kurth për shpirtin tënd.»—Fjalët e urta 22:24, 25.
Shoqërimi me njerëz që përpiqen të kontrollojnë zemërimin e tyre, mund të të ndihmojë që të zhvillosh edhe ti vetëkontroll. Kongregacionet e krishtere të Dëshmitarëve të Jehovait janë plot me njerëz të tillë të pjekur, shumë prej të cilëve janë më të mëdhenj dhe kanë më shumë përvojë se ti. Bëj përpjekje që t’i njohësh disa prej tyre më nga afër. Vëzhgo se si i përballojnë problemet. Ndoshta ata do të jenë në gjendje të të japin «këshilla të urta» kur të përballesh me vështirësi. (Fjalët e urta 24:6) Jakobi, i përmendur më lart, thotë: «Një shok i pjekur, që më kujton Fjalën e Perëndisë, është shumë i çmuar. Kur kujtoj që Jehovai më do pavarësisht nga pasiguritë e mia, kjo më ndihmon të kontrolloj ndjenjat dhe të ruaj qetësinë.»
Hapa të tjerë praktikë
Një libër shumë i njohur ushtrimesh thotë: «Studime të panumërta kanë provuar se mënyra si e lëvizni trupin, ndikon në humorin tuaj nëpërmjet sinjaleve biokimike. Sasia e hormoneve dhe e oksigjenit ndryshon me llojin e lëvizjeve që bëni.» S’ka asnjë fije dyshimi se ushtrimet fizike janë të dobishme. Bibla na thotë: «Ushtrimi i trupit është i dobishëm.» (1 Timoteut 4:8, Dio) Përse të mos bësh një program të arsyeshëm për të bërë fizkulturë rregullisht? Mund të ndikojë për mirë në mënyrën si ndihesh. Edhe ushqimi i shëndetshëm mund të të sjellë dobi.
Gjithashtu, mbaj parasysh llojin e muzikës dhe të zbavitjes që zgjedh. Një studim i botuar në The Harvard Mental Health Letter, thotë: «Shikimi i dhunës . . . ka prirjen të zgjojë ndjenjat e zemërimit dhe të agresivitetit. . . . Njerëzit që shohin filma të dhunshëm, kanë më tepër mendime agresive dhe u rritet presioni i gjakut.» Pra, merr vendime të mençura kur duhet të vendosësh se çfarë do të dëgjosh dhe do të shikosh.—Psalmi 1:1-3; 1 Korintasve 15:33.
Dhe së fundi, mënyra më e mirë për të mësuar të mbash nën kontroll ndjenjat, është që të zhvillosh një miqësi të ngushtë me Krijuesin tënd. Ai fton secilin prej nesh që të flasim me të dhe t’ia zbrazim ndjenjat tona në lutje. «Mos jini në ankth për asgjë,—inkurajoi apostulli Pavël.—Kërkesat tuaja le t’i bëhen të njohura Perëndisë; dhe paqja e Perëndisë, që tejkalon çdo mendim, do të ruajë zemrat tuaja dhe fuqitë tuaja mendore.» Po, ti mund të zhvillosh fuqinë e brendshme e cila do të të ndihmojë të përballosh çfarëdolloj rrethane në jetë. Apostulli Pavël shtoi: «Për çdo gjë kam forcë në saje të atij që më jep fuqi.»—Filipianëve 4:6, 7, 13.
Malika, një e re, thotë: «Kam mësuar të lutem, të lutem, të lutem pa pushim. Kur mendoj se Jehovai kujdeset për mua, kjo më ndihmon të jem e qetë dhe t’i kontrolloj më shumë ndjenjat.» Me ndihmën e Perëndisë, edhe ti mund të mësosh të kontrollosh ndjenjat e tua.
[Diçitura në faqen 19]
Një çelës për të kontrolluar ndjenjat është të mësosh më parë të kontrollosh mendimet
[Figura në faqen 20]
Duke u shoqëruar me njerëz të pjekur e më të rritur, mund të mësosh si t’i kontrollosh ndjenjat