Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A i buzëqeshni dot krokodilit?

A i buzëqeshni dot krokodilit?

A i buzëqeshni dot krokodilit?

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË INDI

A JU shkon nëpër mend t’i buzëqeshni krokodilit? Në një variant muzikor të filmit për fëmijë «Piter Pan», kapiten Grremçi këshillon: «Kurrë mos i buzëqesh krokodilit!» Ai shpjegon se në atë çast krokodili «është duke menduar se sa i mirë je ti për barkun e tij».

Ndonëse është e vërtetë se midis llojeve të shumta të krokodilëve anembanë botës ka edhe nga ata që i sulmojnë njerëzit, «kjo ndodh kaq rrallë, . . . saqë në përgjithësi krokodilët nuk mund të quhen kafshë njeringrënëse». (Encyclopædia Britannica) Megjithëse disave krokodilët u duken krijesa të shëmtuara dhe të frikshme, të tjerë mendojnë se ata janë krijesa magjepsëse. Le t’u hedhim një vështrim tri llojeve indigjene në Indi: krokodilit të ujërave të kripura, krokodilit të ujërave të ëmbla dhe krokodilit të Gangut (Gavialis gangeticus).

Gjiganti i ujërave të kripura

Krokodilët e ujërave të kripura ose të grykajave të lumenjve, janë zvarranikët më të mëdhenj në tokë. Ata mund të arrijnë gjatësinë 7 metra a më shumë dhe të peshojnë 1.000 kilogramë. Meqë jetojnë vetëm në ujëra të kripura, këta krokodilë gjenden në grykajat e lumenjve, në dete dhe në moçalet me rizofore përgjatë bregdetit që nga India e më në lindje, deri në Fixhi. Si mishngrënës që janë, ata ushqehen me minj, bretkosa, peshq, gjarpërinj, gaforre, breshka dhe drerë. Megjithatë hanë pak; meshkujt e mëdhenj konsumojnë mesatarisht vetëm 500-700 gramë ushqim në ditë. Krokodilët e ujërave të kripura harxhojnë pak energji, pasi u pëlqen rehatia dhe kanë një aparat tretës të mirë. Ata e kalojnë kohën duke u thekur në diell ose duke pluskuar në ujë. Me raste, një krokodil i tillë trupmadh mund të sulmojë ndonjë kalimtar të shkujdesur. Këta krokodilë notojnë duke e lëvizur bishtin sa nga njëra anë në tjetrën, dhe ndërkohë që trupin e zhytin në ujë, nxjerrin jashtë vetëm vrimat e hundës dhe sytë. Kurse për të ecur, vënë në punë këmbët e tyre të shkurtra. Ata mund të hovin përpjetë për të kapur ushqimin, dhe dihet që ndonjëherë, ia krisin me të katra për të mbërthyer gjahun. Si të gjithë krokodilët, edhe krokodili i ujërave të kripura e ka të mprehtë shqisën e të nuhaturit, të të parit dhe të të dëgjuarit. Gjatë sezonit të shtimit, krokodili mashkull e mbron me agresivitet territorin e tij, dhe po kështu bën edhe femra me vezët e saj.

Nëna të përkushtuara

Krokodili femër ndërton afër ujit një çerdhe, që zakonisht është një kapicë me baltë dhe bimë që po dekompozohen. Pasi shtron rreth 100 vezë me lëvozhgë të fortë, i mbulon dhe i ruan ato nga grabitqarët. Pastaj, e spërkat me ujë çerdhen për ta shpejtuar dekompozimin e bimëve me të cilat ka mbuluar vezët, dhe kështu çlirohet nxehtësi për ngrohjen e tyre.

Tani ndodh diçka e mrekullueshme. Temperatura në të cilën ngrohet çdo vezë përcakton gjininë e të voglit. Mendoni pak! Afërsisht brenda 100 ditësh, nga vezët e ngrohura në temperaturën 28 deri në 31 gradë celsius dalin femra, kurse brenda 64 ditësh, kur temperatura ka qenë 32,5 gradë celsius, dalin meshkuj. Vezët që ngrohen në temperaturën 32,5 gradë celsius dhe 33 gradë celsius, mund të japin ose meshkuj ose femra. Ndodh që një çerdhe ta ketë njërën anë buzë ujit, kurse anën tjetër nga dielli. Atëherë, nga vezët e anës që sheh nga dielli mund të dalin meshkuj, kurse nga vezët e anës buzë ujit, e cila është më të freskët, dalin krokodilë femra.

Kur nëna dëgjon ca tinguj të mprehtë, heq mbulesën e çerdhes dhe, nëse të vegjlit nuk e kanë çarë ende lëvozhgën e vezëve me dhëmbin e tyre të pajisur enkas, atëherë ajo e bën vetë këtë gjë. Pastaj, i merr të vegjlit gjithë butësi në nofullat e saj të mëdha dhe, duke i mbajtur nën gjuhë, në një pjesë që e ka si xhep, i shpie ata buzë ujit. Që kur lindin, të vegjlit janë të pavarur dhe menjëherë nisin të gjuajnë insekte, bretkosa dhe peshq të vegjël. Megjithatë, disa nëna që kanë shumë merak për të vegjlit e vet, u qëndrojnë afër ca muaj, duke krijuar nëpër moçalishte territore ku bashkë me baballarët përkujdesen dhe i mbrojnë ata.

Krokodili i ujërave të ëmbla dhe krokodili i Gangut

Krokodili i ujërave të ëmbla dhe krokodili i Gangut gjenden vetëm në nënkontinentin indian. Krokodili i ujërave të ëmbla është shumë më i vogël se krokodili i ujërave të kripura, pasi gjatësia e tij arrin pak a shumë 4 metra. Ai jeton në moçale me ujëra të ëmbla, në liqene dhe në lumenj që gjenden anekënd Indisë. Pasi i kap kafshët e vogla me nofullat e tij të fuqishme, i mbyt në ujë dhe i vërtit, që nga mishi i tyre të shkëputet ndonjë llokmë për ta ngrënë.

Si takohen këta krokodilë për t’u çiftuar? Kur kërkon partneren, mashkulli rreh ujin me nofulla dhe hungërin. Më vonë, ai do ta ndihmojë femrën për të mbrojtur çerdhen, do t’i ndihmojë të vegjlit që të dalin nga vezët dhe do të rrijë me ta për ca kohë.

Krokodili i Gangut, një zvarranik i rrallë që në të vërtetë nuk është tamam krokodil, është unik për disa arsye. Ai dallohet lehtë nga nofullat e ngushta dhe shumë të gjata, të cilat janë të shkëlqyera për të kapur peshkun, ushqimin e tij kryesor. Ndonëse si gjatësi është barabar me krokodilin e ujërave të kripura, krokodili i Gangut nuk njihet si sulmues njerëzish. Trupi i lëmuar dhe me formë të përshtatshme për të çarë ujin, bën që ai të lëvizë shpejt në ujërat e thella dhe të rrëmbyera të lumenjve të Indisë Veriore. Gjatë sezonit të shumimit, në majën e turirit, mashkullit i del një gungë e rrumbullakët. Kjo e përforcon fërshëllimën e tij të zakonshme dhe e kthen atë në një zukatje të fortë, që të tërheqë femrën.

Vendi që zënë në ekosistem

A janë të rëndësishëm krokodilët për mjedisin? Ata ushqehen me kërma, dhe kështu pastrojnë lumenjtë, liqenet dhe zonat përreth nga peshqit dhe kafshët e ngordhura. Kjo ndihmon që ujërat të mbahen të pastra. Meqë janë grabitqarë, vënë në shënjestër kafshët e dobëta, të dëmtuara dhe të sëmura. Krokodilët hanë edhe peshq të tillë si peshku mace. Ky njihet si peshk dëmtues, pasi ushqehet me krap dhe tilapi, që janë ndër peshqit më të preferuar për tregti.

Luftë për mbijetesë, jo «lot krokodili»

A keni dëgjuar ndonjëherë të thonë se filani «i ka lot krokodili»? Kjo nënkupton që lotët dhe trishtimi i tij nuk ishin të vërtetë ose të sinqertë. Ç’është e vërteta, krokodili lëshon lot që të nxjerrë nga trupi kripën e tepërt. Megjithatë, në fillim të viteve 70, mbase sinqerisht mund të derdhnim lot për krokodilët. Në Indi kishin mbetur vetëm disa mijëra krokodilë, rreth 10 për qind i numrit të mëparshëm. Pse? Kur njerëzit pushtuan habitatin e krokodilëve, i vranë ata, sepse mendonin që përbënin rrezik për kafshët shtëpiake të vogla dhe të dobëta. Shumë njerëz zbuluan se mishi dhe vezët e krokodilit ishin të shijshme. Myshku që prodhojnë gjëndrat e mashkullit, përdorej për të bërë parfum. Veç kësaj, ndërtimi i digave dhe ndotja e ujit e zvogëluan popullatën e krokodilëve. Por ndoshta, ajo që çoi në prag të zhdukjes së tyre ishin kërkesat këmbëngulëse për lëkurë krokodili. Këpucët, çantat, valixhet, rripat dhe artikuj të tjerë të bërë me lëkurë krokodili janë të bukur, rezistentë dhe mjaft të dëshiruar. Edhe pse këto rreziqe mbeten, masat që janë marrë për mbrojtjen e tyre kanë dalë me shumë sukses.​—Shih kutinë më poshtë.

Mos harroni t’u buzëqeshni

Po tani që u njohët më mirë me disa pjesëtarë të familjes së krokodilëve, ç’mendim keni për ta? Urojmë që çdo mendim negativ t’ia ketë lënë vendin interesit. Anembanë botës, shumë njerëz që i duan kafshët mezi po presin ditën kur, as nga krokodili gjigant i ujërave të kripura nuk do të kenë frikë. Kur Krijuesi i zvarranikëve ta ripërtërijë tokën, do të kemi mundësi t’u buzëqeshim të gjithë krokodilëve.​—Isaia 11:8, 9

[Kutia dhe figura në faqen 13]

Qendra e Mbrojtjes së Krokodilëve në Madras

Kur nga një studim u zbulua se në disa pjesë të Azisë kishin mbetur shumë pak krokodilë, atëherë në vitin 1972, në Parkun e Gjarpërinjve në Madras filluan të merreshin masa për mbrojtjen e tyre. Qendra e Mbrojtjes së Krokodilëve në Madras është më e madhja dhe më e vjetra ndër 30 qendrat e zvarranikëve në Indi. Ajo u ngrit më 1976 nga herpetologu Ramjëlës Uiteker. Kjo qendër zë një sipërfaqe prej 3,5 hektarësh në Bregun e Koromandelit dhe ka 150 lloje pemësh që bëjnë për vete zogj dhe insekte të bukura.

Krokodilët rriten në vende të izoluara, dhe pastaj lëshohen në moçale a lumenj ose çohen në qendra të tjera studimore dhe mbarështimi. Qendra e Mbrojtjes së Krokodilëve në Madras ka një «çerdhe për foshnjat» ku të vegjlit e krokodilëve, që mund të arrijnë deri në 2.500, mbahen në rezervuarë. Ata ushqehen me llokma peshku, që i sjellin çdo ditë peshkatarët vendës. Rrjetat që vihen mbi pellgje janë një mbrojtje nga zogjtë, të cilët vijnë vërdallë për të rrëmbyer peshqit ose krokodilët e vegjël të pafuqishëm. Kur të vegjlit rriten, i çojnë në rezervuarë më të mëdhenj, ku i ushqejnë vetëm me peshq derisa të bëhen pak a shumë tre vjeç dhe të arrijnë gjatësinë rreth 1,25-1,5 metra. Pastaj i ushqejnë me mbeturinat që teprojnë nga mishi i viçit, të cilat i sjellin nga një fabrikë mishi. Fillimisht në këtë qendër rriteshin vetëm 3 lloje krokodilësh indigjenë të Indisë, por tani aty ka edhe 7 lloje të tjera. Veç kësaj, kanë planifikuar t’i mbarështojnë të gjitha llojet që njihen anembanë botës. Mbarështimi i zvarranikëve për t’u marrë lëkurën dhe mishin, është bërë objekt debatesh. Uitekeri i tha korrespondentit të revistës Zgjohuni! se mishi i zvarranikëve është i shijshëm dhe ka pak kolesterol. Masat e marra për mbrojtjen e krokodilëve, të cilat dolën mjaft të suksesshme, bënë që këta zvarranikë t’i shpëtonin zhdukjes, madje mundësuan që tani të ketë më shumë nga ç’mendohej. Gjithashtu Qendra e Krokodilëve në Madras, një pikë e njohur turistike, ka si qëllim ta çrrënjosë idenë e gabuar që është krijuar për krokodilët dhe ta përmirësojë «reputacionin» e tyre.

[Burimi]

Ramjëlës Uiteker, Qendra e Madrasit

[Figura në faqen 11]

Gjiganti i ujërave të kripura

[Figura në faqen 12]

Femra e krokodilit të ujërave të kripura e mban të voglin në nofullat e saj

[Burimi]

© Adam Britton, http://crocodilian.com

[Figura në faqen 12]

Krokodili i ujërave të ëmbla

[Burimi]

© E. Hanumantha Rao/Photo Researchers, Inc.

[Figura në faqen 12]

Krokodili i Gangut