Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Domatja​—«Perime» shumë e përdorshme

Domatja​—«Perime» shumë e përdorshme

Domatja​—«Perime» shumë e përdorshme

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË BRITANI

«E ÇFARË do të bëja pa domatet?!»​—thotë e mërzitur një amvisë italiane. Një ndjenjë të ngjashme e dëgjon të shprehet nga një mori kuzhinierësh të tjerë, kudo përreth botës. Vërtet, domatja është një nga përbërësit kryesorë për recetat e gatimit, në shumë kultura. Ata që kanë kopsht në shtëpi, mbjellin domate më shumë se çdo bimë tjetër. Mirëpo, ku hyn domatja, te frutat apo perimet?

Sipas botanikës, domatja është një frutë sepse kokrra e saj përmban fara. Megjithatë, shumë njerëz mendojnë se ajo është perime, sepse hahet zakonisht në pjatën kryesore të një vakti. Ky ushqim i shijshëm ka një të kaluar tërheqëse.

Një e kaluar interesante

Në Meksikë actekët e mbollën domaten për ta përdorur si ushqim. Nga fillimi i shekullit të 16-të, kur pushtuesit spanjollë u kthyen në Spanjë, morën edhe domaten me vete. Huazuan fjalën nahuatliane tomatl, dhe e quajtën tomate. S’kaloi shumë e spanjollët që jetonin në Itali, në Afrikën Veriore dhe në Lindjen e Mesme, po shijonin këtë ushqim të ri të shijshëm.

Nga fundi i këtij shekulli, domatja u fut edhe në Evropën Veriore. Në fillim mendohej se ishte helmuese, prandaj u mboll si një shkurre zbukuruese kopshti. Pavarësisht se ishte anëtare e familjes Solanaceae, me gjethe që kishin një erë të fortë dhe kërcej helmues, u vu re se fryti i saj nuk ishte aspak i dëmshëm.

Ka shumë të ngjarë që domatet e para që u sollën në Evropë të kenë qenë të verdha, ja përse italianët e quajtën pomodoro (mollë e artë). Anglezët e quajtën tomate dhe më vonë tomato, por edhe termi «molla e dashurisë» u bë shumë i famshëm. Nga Evropa, domatja bëri një rrugë të gjatë përmes Atlantikut për në Amerikën Veriore, ku faktikisht, gjatë shekullit të 19-të, ajo u bë një ushqim shumë i përdorshëm.

Larmi dhe përhapje e jashtëzakonshme

Çfarë ngjyre kanë domatet? Ka shumë të ngjarë që përgjigjja të jetë «e kuqe». Por, a dini se ka lloje me ngjyrë të verdhë, portokalli, rozë, vjollcë, kafe, të bardhë, ose jeshile, disa madje janë edhe me vija? Jo të gjitha vijnë të rrumbullakëta. Disa janë të sheshta, vezake ose në formë dardhe. Mund të jenë të vogla sa një kokërr bizele ose të mëdha sa një grusht.

Domatja është e përhapur gjerësisht: gjendet në veri, deri në Islandë, por edhe në jug, deri në Zelandën e Re. Prodhuesit më të mëdhenj janë Shtetet e Bashkuara dhe vendet e Evropës Jugore. Vendet me klimë të ftohtë i varin shpresat tek të mbjellat nëpër serra, kurse vendet jopjellore, i rritin të mbjellat me anë të teknikave hidroponike​—që do të thotë, se nuk i mbjellin në tokë, por në një solucion ushqyes.

Domatja ngelet bima e preferuar e kopshtarëve amatorë. Nuk do shumë përkujdesje për t’u rritur, dhe vetëm pak rrënjë japin aq domate, sa mjaftojnë për të mbajtur një familje të vogël. Nëse nuk ke vend të mjaftueshëm për t’i mbjellë, shih për ato lloje domatesh që rriten enkas në tarraca ose në saksitë e dritareve.

Diçka për shëndetin dhe sugjerime të tjera

Temperaturat e ulta ia prishin shijen domates, kështu që, mos i vini domatet në frigorifer. Për ta përshpejtuar pjekjen e tyre, mund t’i lini në parvazin e dritares që t’i zërë dielli, ose mund t’i vini në një tas dhe t’i lini në temperaturën e dhomës, bashkë me një kokërr domate ose banane të pjekur mes tyre. Një mënyrë tjetër është duke i vendosur në një çantë letre të trashë me ngjyrë kafe të errët për disa ditë.

Domatet të bëjnë shumë mirë për shëndetin. Kanë vitaminën A, C dhe E, si edhe kalium, kalcium dhe kripëra minerale. Kërkime të tjera po zbulojnë se ato janë gjithashtu një burim i shkëlqyer likopeni, një lëndë antioksiduese shumë e fortë, që thuhet se zvogëlon rrezikun e disa sëmundjeve, si për shembull, të kancerit dhe të sëmundjeve të zemrës. Domatet përmbajnë 93 deri në 95 për qind ujë dhe për ata që e kanë merak peshën: ato kanë pak kalori.

Të shijshme sido që t’i përdorësh

Kur blini domate, çfarë lloji zgjidhni? Të kuqet, lloji më i zakonshëm i domateve, përdoren shumë për sallatë, supë dhe salcë. Domatet e vogla sa një qershi me ngjyrë të kuqe, portokalli ose të verdhë, që janë të ëmbla sepse përmbajnë mjaft sheqer, janë shumë të shijshme kur hahen të gjalla. Nëse po bëni pica ose makarona, ndoshta domatet me tulë të fortë që kanë formë vezake si të kumbullës, do të ishin një zgjidhje e mirë. Domatja e madhe zemërkau​—quhet kështu se e ka brumin të fortë dhe të ngjeshur​—është ideale për t’u mbushur dhe për t’u bërë në tavë. Domatja jeshile, disa herë me vija të dallueshme, është një përbërës i shkëlqyer që mund t’ua shtojmë ushqimeve të tjera. Vërtet, domatja u jep shije dhe ngjyrë të veçantë një numri të madh gatimesh me perime, vezë, makarona, mish dhe peshk. Nëse nuk gjeni dot domate të freskëta, pa dyshim që mund të blini prodhime me domate të përpunuara në dyqanet që keni përreth.

Çdo kuzhinier ka recetat e tij të domateve, por ja disa sugjerime që ndoshta do të donit t’i provonit.

1. Përgatitni një aperitiv të shpejtë duke vendosur feta domateje, djathë mocarela dhe avokado. Hidhini vaj ulliri dhe piper të zi, dhe zbukurojeni me gjethe borziloku.

2. Bëni një sallatë greke me copa domatesh, trangull, djathë të bardhë, ullinj të zinj dhe qepë të kuqe të grirë në feta të holla. Për t’i dhënë shije, shtojini kripë e piper dhe shërbejeni me salcë të përgatitur me vaj ulliri dhe lëng limoni.

3. Përgatitni një salcë meksikane me copa domatesh të freskëta, qepë, speca jeshilë e me gjethe koriandër, dhe përziejini bashkë me pak lëng të shtrydhur qitroje.

4. Përgatitni një salcë makaronash, të thjeshtë dhe të shijshme, duke hedhur në tigan domatet e konservuara, një thërrime sheqer, pak vaj ulliri, një thelb hudhër të grirë imët, disa erëza, si: borzilok, gjethe dafine ose rigon dhe pak kripë e piper. Jepini një valë përzierjes dhe, pastaj, lëreni të ziejë ngadalë në zjarr të avashtë për rreth 20 minuta, deri sa salca të trashet. Pastaj, pasi t’i keni kulluar makaronat, hidhni salcën.

Domatja është vetëm një shembull i ushqimeve të mrekullueshme që janë krijuar për kënaqësinë tonë.