Mbledhja më e rëndësishme e vitit—Jeni të mirëpritur!
Mbledhja më e rëndësishme e vitit—Jeni të mirëpritur!
Të enjten, më 24 mars 2005, do të përkujtohet një ngjarje që nuk duhet ta humbitni. Kjo është dita kur, më shumë se gjashtë milionë Dëshmitarë të Jehovait në mbarë botën, do të mblidhen bashkë me miliona të tjerë që respektojnë bindjet e tyre, për të kujtuar darkën e fundit që Jezui hëngri me dishepujt e tij. Në përputhje me udhëzimet e Krishtit, në secilën nga këto mbledhje do të kalohet dorë më dorë bukë pa maja dhe verë e kuqe, dhe do të shpjegohet domethënia e kësaj ceremonie.—Marku 14:22-24.
Nga shumë njerëz, kjo ngjarje njihet si Darka e Zotërisë. Dëshmitarët e Jehovait e quajnë Përkujtimi i vdekjes së Krishtit. Ky është një përkujtues i rëndësishëm i sakrificës që bëri Jezu Krishti, kur vdiq për dobinë e njerëzimit mëkatar. (Gjoni 3:16; 1 Gjonit 2:2) Pas darkës së tij të fundit, Jezui u arrestua, dhe më vonë, vdiq në një shtyllë si të ishte një kriminel.—Gjoni 19:17, 18.
Do të mirëpriteni me ngrohtësi në këtë mbledhje të veçantë, që për Dëshmitarët e Jehovait është më e rëndësishmja në të gjithë vitin. Për vendin dhe orën e saktë të mbledhjes që do të mbahet në lagjen tuaj, ju lutemi, pyesni në Sallën e Mbretërisë së Dëshmitarëve të Jehovait që ndodhet më afër vendit ku banoni.