Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Nxehtësia e qyteteve ndikon te bimët

Një artikull i botuar në revistën Science News thoshte se, me ç’duket nga vrojtimet me satelit në lindje të Amerikës së Veriut, nxehtësia që krijohet në qytete ndikon në rritjen e bimëve. Artikulli thotë se, në krahasim me bimët e zonave rurale përreth, në qytete bimët çelin sythe më herët në pranverë dhe i mbajnë më gjatë gjethet në vjeshtë. Sipas Science News, gjatë një periudhe pesëmujore, temperaturat në qytete ishin «mesatarisht 2,28 gradë celsius më të larta sesa temperaturat e vendeve që ishin rreth 10 kilometra larg çdo qendre urbane». Nga veriu i Floridës e deri në jug të Kanadasë ka të paktën 70 zona urbane që zënë një sipërfaqe më shumë se 10 kilometra katrorë secila. Science News thotë: «Këto të dhëna tregojnë se ato qytete ndikojnë ndjeshëm në klimën vendëse.»

Miqësia te kafshët

Bujqit dhe barinjtë dyshonin prej kohësh, por tani, një studim i drejtuar nga biologia Anja Vasilafski pohoi se kafshët thundrake mund të lidhin miqësi të ngushta me kafshë të tjera të së njëjtës tufë. Sipas Vasilafskit, e cila vëzhgoi kuaj, gomarë, lopë dhe dele, miqësia vërehet te kafshët që qëndrojnë shpesh afër njëra-tjetrës, që e prekin me trup njëra-tjetrën kur pushojnë ose kur ushqehen, kur ndajnë ushqimin dhe kur pastrojnë njëra-tjetrën. Për shembull, delet fërkojnë kokën me një dele «mike» që është ndeshur me një kafshë tjetër. Gazeta gjermane Die Zeit thotë se me sa duket kjo gjë i qetëson dhe i lehtëson delet. Zakonisht gomarët kanë vetëm një mik, por miqësia e tyre vazhdon më gjatë. Megjithatë, duke u përpjekur që të mos i mendojnë kafshët si të ishin njerëz, studiuesit tregohen të kujdesshëm kur vjen puna për të hedhur hipoteza se për çfarë shërbejnë dhe se çfarë ndikimi kanë këto lidhje shoqërore.

Shpyllëzimi në Amerikën Latine

Sipas një raporti të botuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin, brenda 13 vjetësh, në Amerikën Latine janë shkatërruar 50 milionë hektarë pyje, një sipërfaqe sa e gjithë Spanja. Në Brazil u dëmtuan 23 milionë hektarë pyje, kurse në Meksikë u shkatërruan 6,3 milionë hektarë pyje dhe humbën 400.000 hektarë tokë e punueshme për shkak të erozionit. Po gjatë kësaj periudhe, Haiti, Salvadori dhe ishulli Shën-Luçia humbën 46 deri në 49 për qind të pyjeve. Sipas revistës shkencore ¿Cómo Ves? e botuar nga Universiteti Kombëtar Autonom i Meksikës, këto statistika janë «tmerruese» dhe «akoma më tmerruese kur mendojmë për . . . qindra mijë bimë dhe kafshë që janë zhdukur nga planeti ynë që sa vjen e bëhet më i shkretë».

Fizkultura​—Terapi për rraskapitjen kronike

Pavarësisht nga studimet e shumta, shkaqet dhe kura për sindromin e rraskapitjes kronike ende mbeten të paqarta për mjekët. «Dobitë që kanë dhënë trajtimet e shumëllojshme me barna antivirale, trajtimet imunologjike, hormonale dhe trajtimet me ilaçe kundër depresionit kanë qenë shumë të pakta»,​—thotë një artikull i botuar në revistën The Medical Journal of Australia (MJA). Megjithatë, është parë se programet që përfshijnë ushtrimet fizike, si ecjen, biçikletën dhe notin kanë dhënë më shumë rezultat se terapitë e ndryshme. Disa prej atyre që vuajnë nga rraskapitja kronike nuk bëjnë fizkulturë sepse ndiejnë se kur bëjnë tepër ushtrime, simptomat rëndohen. Gjithsesi, nevojitet ekuilibër. Revista MJA thotë se disa njerëz që janë të kujdesshëm me ushtrimet fizike dhe nuk i kalojnë kufijtë që ua diktojnë simptomat e tyre, kanë ‘një përmirësim të ndjeshëm’ në testet e depresionit, në aftësitë për të punuar, në tensionin e gjakut dhe ndihen më mirë përbrenda. «Programet ku vështirësia e ushtrimeve rritet gradualisht duhet të shërbejnë si një bazë për trajtimin e pacientëve që vuajnë nga sindromi i rraskapitjes kronike»,​—përfundon artikulli.

Pandat dhe bambutë

«Panda gjigante, simbol i Kinës dhe i mbrojtjes së kafshëve të egra, nuk është aq e rrezikuar sa ç’mendohej»,​—thotë gazeta The Daily Telegraph e Londrës. Nga një studim katërvjeçar i ndërmarrë nga Fondi Botëror për Natyrën dhe nga qeveria kineze, u zbulua se pandat që gjenden në natyrë nuk janë rreth 1.000 apo 1.100 siç mendohej, por janë më shumë se 1.590. Kësaj radhe llogaritjet ishin më të sakta, pasi u përdor një teknologji më e përparuar, përfshirë sistemin satelitor të përcaktimit të vendndodhjes në glob për të përcaktuar zonat ku do të bëhej studimi. Ndonëse këto rezultate janë lajme të mira për mbrojtësit e mjedisit, Qendra Botërore Vrojtuese për Mbrojtjen e Kafshëve, në Kembrixh, Angli, paralajmëron se bambuja, ushqimi kryesor i pandës gjigante, rrezikohet keqas për shkak të shpyllëzimit. The Guardian e Londrës thotë se bambutë rrezikojnë veçanërisht për shkak të shpyllëzimit të shpejtë, ngaqë «pemët e çdo lloji bambuje lulëzojnë njëkohësisht një herë në çdo 20 deri në 100 vjet, dhe pastaj thahen».

Kujdes nga lëndët kundër mushkonjave

Revista e Indisë Down to Earth thotë se dy studime tregojnë që spiralet kundër mushkonjave, një nga mjetet më të përhapura që përdoren kundër mushkonjave në Azi, mund të jenë të dëmshme sidomos për fëmijët. Së pari, shkencëtarët në Universitetin e Kalifornisë në SHBA thonë se spiralet që shkrihen, gjatë djegies lëshojnë lëndë me efekt të fuqishëm kanceroz për mushkëritë. Shumë familje në vendet në zhvillim i përdorin spiralet e mushkonjave në shtëpitë e tyre të vogla. «Për më tepër, kur flenë gjumë natën, dritaret mbahen mbyllur»,​—thonë autorët e studimit. Studimi i dytë, i bërë nga shkencëtarë nga Malajzia dhe nga Shtetet e Bashkuara, zbuloi se një spirale që digjet për tetë orë «lëshon kaq shumë grimca të vockla sa do të lëshonin 75 deri në 137 cigare». Si mundësi tjetër, specialistët këshillojnë produktet me bazë bimore, si ato që bëhen nga druri i neemit. «Ato jo vetëm që janë të efektshme dhe të mira për shëndetin, por edhe mbahen më kollaj në xhep»,​—thuhet në artikull.

Degradim në klasifikimin e filmave

«Filmat e sotëm kanë shumë më tepër dhunë, seks dhe sharje në krahasim me filmat e së njëjtës kategori një dhjetëvjeçar më parë.» Ky është përfundimi që nxorën studiuesit e Institutit të Shëndetit Publik të Harvardit, në Shtetet e Bashkuara pasi studiuan klasifikimin e filmave sipas grup-moshave të lejuara, një sistem i zakonshëm në disa vende. Studimi analizoi lidhjen ndërmjet këtij klasifikimi dhe përmbajtjes së filmave që janë shfaqur nga viti 1992 deri në vitin 2003. Rezultatet tregojnë se në klasifikimin që u bëhet filmave, duke marrë si kriter moshën e lejuar për të parë një film të caktuar, vihet re se normat sa vijnë e zbuten. Studiuesit nxorën si përfundim se «prindërit duhet të kuptojnë përgjegjësinë që kanë për t’i zgjedhur filmat me fëmijët dhe për fëmijët, si edhe përgjegjësinë për të folur me fëmijët rreth mësimeve që nxjerrin nga filmat, me qëllim që të shmangin çdo ndikim të keq dhe të përforcojnë çdo ndikim të mirë».