Njeriu që zbuloi sekretet e sistemit diellor
Njeriu që zbuloi sekretet e sistemit diellor
NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË GJERMANI
EVROPIANËT e shekullit të 16-të, i shihnin kometat të mahnitur. Kështu, kur një kometë e famshme, e zbuluar nga astronomi danez Tiho Brahe, u duk në qiellin e mbrëmjes, Katerina Kepleri e ngriti nga krevati djalin e saj gjashtëvjeçar Johanin që ta shihte. Më shumë se 20 vjet më pas, Tiho Brahe vdiq. Kë emëroi perandori Rudolfi II në vend të tij, si matematikanin e perandorisë? Në moshën 29-vjeçare, ishte pikërisht Johan Kepleri që u emërua matematikani i Perandorisë së Shenjtë Romake, pozitë që e pati deri në fund të jetës së tij.
Matematika nuk ishte e vetmja shkencë ku Kepleri u vlerësua shumë. Ai u dallua edhe në fushën e optikës dhe astronomisë. Edhe pse i vogël nga shtati, ai kishte një inteligjencë të jashtëzakonshme si dhe një karakter të fortë. Kepleri u diskriminua kur nuk pranoi të bëhej një katolik, ndonëse pati një presion të madh.
Gjeni në matematikë
Johan Kepleri lindi në vitin 1571 në Vejl-der-Shtadt, një qytet i vogël në jugperëndim të Gjermanisë. Familja e tij ishte e varfër, megjithatë, bursat e studimit që i dhanë fisnikët e vendit, i siguruan Johanit një shkollim të mirë. Studioi për teologji në universitetin e Tybingenit, sepse synonte të bëhej një shërbëtor luteran. Megjithatë, u duk qartë se ishte gjeni në matematikë. Kur në vitin 1594 vdiq një mësues matematike në shkollën e lartë luterane në Grac të Austrisë, Kepleri zuri vendin e tij. Ndërkohë që ishte në Grac, botoi veprën e tij të parë të madhe Misteri i gjithësisë.
Astronomi Brahe, kishte vite të tëra që mbante regjistrime të hollësishme mbi vëzhgimin e planetëve.
Kur lexoi librin Misteri i gjithësisë, i bëri shumë përshtypje kuptueshmëria e Keplerit mbi matematikën dhe astronominë, kështu që e ftoi të shkonte tek ai në qytetin e Benajës, afër Pragës, në Çekinë e sotme. Kepleri e pranoi ftesën kur përndjekjet e kishës e detyruan atë të largohej nga Graci. Dhe siç u përshkrua edhe më lart, kur Brahe vdiq, Kepleri e zëvendësoi. Në vend të një vëzhguesi merakli, tani oborri perandorak kishte një gjeni të matematikës.Arritje e madhe në optikë
Që të nxirrte sa më shumë dobi nga materialet e Brahes për vrojtimet e planetëve, Keplerit i duhej të kuptonte më shumë për përthyerjen e dritës. Si përthyhet drita e reflektuar që vjen nga një planet, kur hyn në atmosferën e tokës? Shpjegimet e Keplerit u përmblodhën në librin Shtesë e Vitelos, Zbatimi i Optikës në Astronomi (latinisht), të cilat trajtonin më me hollësi punën e Vitelos, shkencëtar i mesjetës. Libri i Keplerit ishte një arritje e madhe në fushën e optikës. Ai ishte i pari që shpjegoi funksionimin e syrit.
Megjithatë, synimi kryesor i Keplerit nuk ishte optika, por astronomia. Astronomët e hershëm, besonin se qielli ishte një glob bosh nga brenda, dhe se yjet ishin të ngjitur si diamantë vezullues në sipërfaqen e brendshme të tij. Ptolemeu mendonte se Toka ishte qendra e universit, kurse Koperniku besonte se të gjithë planetët rrotulloheshin përqark Diellit të palëvizshëm. Brahe kishte bindjen se planetët e tjerë rrotulloheshin përreth Diellit, ndërsa Dielli vetë rrotullohej përreth Tokës. Pasi në kontrast me Tokën, të gjithë planetët e tjerë ishin trupa qiellorë, ata konsideroheshin si të përsosur. E vetmja formë e lëvizjes që konsiderohej e rregullt për ta ishte rrethi i plotë, ku çdo planet udhëtonte me një shpejtësi konstante. Këto ishin rrethanat kur Kepleri nisi punën e tij si matematikan perandorak.
Fillimet e astronomisë moderne
I pajisur me tabelat e vëzhgimeve planetare të Brahes, Kepleri studioi lëvizjet kozmike dhe nxori përfundime të bazuara në ato që pa. Aftësia e jashtëzakonshme intelektuale për shifrat, ndërthurej me vullnetin e fortë dhe me kureshtjen e pashtershme. Potenciali i tij i jashtëzakonshëm për të punuar, duket nga 7.200 llogaritjet e ndërlikuara që përfundoi pasi studioi të dhënat e përftuara nga vrojtimet e planetit Mars.
Ishte pikërisht Marsi që tërhoqi i pari vëmendjen e Keplerit. Studimi i përpiktë i të dhënave të nxjerra nga vrojtimet e bëra në mënyrë sistematike, zbuloi se Marsi rrotullohej rreth Diellit, por jo në trajtë të përsosur rrethore. E vetmja formë e orbitës që përputhej me vëzhgimet, ishte ajo e një elipsi, me Diellin si një nga vatrat e tij. Megjithatë, Kepleri kuptoi se çelësi për të hapur sekretet e qiellit nuk ishte Marsi, por Toka. Sipas profesorit Maks Kaspar, «prirja e Keplerit për të shpikur, e shtyu atë që të provonte metoda të reja gjeniale». Ai i përdori tabelat e vëzhgimeve planetare për të vënë në jetë një ide të re. Në vend se t’i përdorte ato për të vëzhguar Marsin, Kepleri e
imagjinoi veten duke qëndruar mbi Mars dhe duke parë Tokën. Ai llogariti se shpejtësia e rrotullimit të Tokës, ndryshonte në përpjestim të zhdrejtë me largësinë e saj nga Dielli.Atëherë Kepleri kuptoi se Dielli nuk është vetëm qendra e sistemit diellor, pasi ai vepron gjithashtu, edhe si një magnet, rrotullohet në boshtin e tij dhe ushtron forcë mbi lëvizjen e planetëve. Kasperi shkruan: «Ky koncept i ri shumë i rëndësishëm, e udhëhoqi më pas Keplerin në kërkimet e tij dhe e çoi në zbulimin e ligjeve mbi lëvizjen e planetëve.» Sipas Keplerit, të gjithë planetët ishin trupa fizikë që «qeveriseshin» në mënyrë të harmonishme nga një sërë ligjesh të njëjta. Ajo çka mësoi nga studimi i Marsit dhe i Tokës, duhet të zbatohej edhe për të gjithë planetët e tjerë. Kështu, ai nxori përfundimin se, çdo planet rrotullohet rreth Diellit në një orbitë eliptike dhe me një shpejtësi që ndryshon në varësi të largësisë që ka nga Dielli.
Ligjet e Keplerit mbi lëvizjen e planetëve
Në vitin 1609, Kepleri botoi librin Astronomia e Re, i cili njihet si libri i parë i astronomisë moderne dhe si një nga librat më të rëndësishëm të shkruar ndonjëherë për këtë fushë. Kjo vepër mjeshtërore, përmbante dy ligjet e para të Keplerit mbi lëvizjen e planetëve. Ligji i tij i tretë u botua në librin Harmonia e botës, në vitin 1619, kur ai jetonte në Linc, Austri. Këto tri ligje përcaktojnë thelbin e lëvizjes së planetëve: formën e orbitës së një planeti që rrotullohet rreth Diellit, shpejtësinë e rrotullimit, si edhe lidhjen ndërmjet largësisë së planetit nga Dielli dhe kohës që i duhet për të plotësuar një rrotullim të plotë.
Si reaguan astronomët e tjerë? Ata nuk arritën ta kuptonin rëndësinë e ligjeve të Keplerit. Disa madje, ishin tepër mosbesues. Ndoshta nuk kishin shumë faj. Kepleri përdori një stil të shkruari në latinisht që e mbuloi si me vel kuptueshmërinë, në një mënyrë të tillë sa ishte aq e vështirë për t’u kuptuar, siç është e vështirë për të depërtuar në retë që rrethojnë planetin Afërditë. Megjithatë, koha do ta vërtetonte rëndësinë e këtij zbulimi. Rreth 70 vjet
më vonë, Isak Njutoni u bazua në punën e Keplerit kur nxori ligjet e tij mbi lëvizjen dhe forcën e gravitetit. Sot Kepleri njihet si një nga shkencëtarët më të mëdhenj që kanë ekzistuar deri tani, si ai që ndihmoi astronominë të vinte nga mesjeta në kohët tona moderne.Evropa përfshihet në luftë fetare
Po në të njëjtin muaj kur Kepleri formuloi ligjin e tij të tretë, plasi Lufta Tridhjetëvjeçare. Gjatë asaj periudhe (1618-1648), vrasjet fetare dhe plaçkitjet bënë kërdinë në Evropë, dhe Gjermania humbi një të tretën e popullsisë. Gjuetia e shtrigave u përhap kudo. Nëna e Keplerit u akuzua si magjistare dhe i shpëtoi ekzekutimit për një fije. Ndërkohë që paga e Keplerit nuk paguhej rregullisht përpara luftës, gjatë saj pothuajse nuk paguhej fare.
Gjatë gjithë jetës, Kepleri, si një luteran, hasi përndjekje dhe paragjykim nga kisha. U detyrua të largohej nga Graci—që nënkuptonte humbjen e punës, shtëpisë, gjithë zotërimeve dhe vështirësi të tjera —sepse refuzoi të bëhej katolik. Përsëri në Benajë, u përpoqën për ta bindur që të ndryshonte besimin. Por Kepleri, nuk mund të adhuronte figurat dhe shenjtorët, pasi për të këto ishin vepra të të ligut. Në Linc, ngaqë nuk binte dakord me luteranët e tjerë, të cilët besonin se Perëndia ndodhet kudo njëkohësisht, nuk e lejuan të merrte pjesë në Darkën e Zotërisë. (Shih faqet 20, 21 të kësaj reviste) Intoleranca fetare ishte e neveritshme për Keplerin, i cili besonte se harmonia midis planetëve duhet të jetë e dukshme edhe midis njerëzve. Ai u kap fort pas bindjeve të veta, dhe ishte i kënaqur që vuante. «Të vuash bashkë me shumë vëllezër të tjerë për hir të fesë dhe për lavdi të Krishtit, duke duruar dhembjet dhe poshtërimin, duke lënë shtëpinë, arat, miqtë, dhe familjen: nuk do ta kisha imagjinuar kurrë se të gjitha këto do të më sillnin kënaqësi.»—Fjalë të Keplerit të cituara nga Ernst Zineri në librin e tij Johannes Kepler.
Në vitin 1627, botoi Tabelat e Rudolfit, të cilën e konsideronte si veprën e tij më të rëndësishme astronomike. Ndryshe nga librat e mëparshëm, ky i fundit u vlerësua gjerësisht, dhe shumë shpejt u bë i domosdoshëm për astronomët dhe pilotët. Në nëntor të 1630-ës, Kepleri vdiq në Regensburg të Gjermanisë. Një nga kolegët e tij mahnitej vazhdimisht kur shihte te Kepleri «një bollëk mençurie e njohurie me themel të fortë për sekretet më të thella». Një vlerësim me vend për njeriun që zbuloi sekretet e sistemit diellor!
[Diçitura në faqen 26]
Kepleri njihet si një nga shkencëtarët më të mëdhenj që kanë ekzistuar deri tani, si ai që ndihmoi astronominë të vinte nga mesjeta në kohët tona moderne
[Diçitura në faqen 27]
Intoleranca fetare ishte e neveritshme për Keplerin, i cili besonte se harmonia midis planetëve duhet të jetë e dukshme edhe midis njerëzve
[Kutia në faqen 27]
Astrologjia dhe teologjia e Keplerit
Johan Kepleri krijoi një reputacion të shkëlqyer për zbulimet e tij në fushën e astronomisë. Megjithatë, duhet pranuar se ai ishte i ndikuar nga idetë fetare të përhapura në atë kohë. Për pasojë, shkroi shumë për astrologjinë, ndonëse hodhi poshtë «pjesën më të madhe të ideve që pranoheshin atëherë në lidhje me ndikimin e yjeve».
Gjithashtu, besonte plotësisht në doktrinën e Trinitetit. «Një nga idetë pas të cilës ishte i kapur fortësisht—imazhi i Trinitetit të krishterë, që simbolizohej nga një sferë gjeometrike dhe, si rrjedhim, nga bota e dukshme e krijuar — ishte në fakt një pasqyrim i këtij misteri hyjnor (Perëndia Ati:: qendra; Krishti Biri:: perimetri; Fryma e Shenjtë:: hapësira midis tyre).»—Enciklopedia Britanike.
Por, çfarë thoshte Sër Isak Njutoni për doktrinën e Trinitetit? Nuk e pranonte. Arsyeja kryesore që e kundërshtonte këtë doktrinë ishte se, kur kishte kërkuar të vërtetonte pohimet e bëra në kredot dhe në këshillat kishtare, te Shkrimet e Shenjta nuk gjeti asgjë që ta mbështeste këtë doktrinë. Në fakt, ai besonte plotësisht në sovranitetin suprem të Perëndisë Jehova. Gjithashtu, kishte bindjen e fortë se pozita e Jezu Krishtit ishte më e ulët nga ajo e Atit të tij, ashtu siç tregohet në Shkrimet e Shenjta.—1 Korintasve 15:28.
[Shënimi]
Shih Kullën e Rojës të 15 prillit 1977, faqet 244-247, anglisht.
[Diagrami dhe figurat në faqet 24-26]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
Ligjet e Keplerit mbi lëvizjen e planetëve
Ligjet e Keplerit mbi lëvizjen e planetëve, shihen ende si pikënisje për astronominë moderne. Ato mund të përmblidhen si më poshtë:
1 Planetët lëvizin rreth Diellit në orbita eliptike, në njërën nga vatrat e të cilave ndodhet vetë Dielli
← Dielli ←
↓ ↑
↓ ↑
Planet ● ↑
→ → →
2 Çdo planet lëviz më shpejt kur është më afër Diellit. Në këtë lëvizje, rrezja-vektore e planetit (vija Diell-planet) përshkruan sipërfaqe të barabarta në kohë të barabarta
Planeti lëviz më shpejt
Planeti lëviz më ngadalë
A ● B
↓ ↑
↓ Dielli
A
↓
↓
● B
A
→
→
● B
Pra, nëse koha që i duhet planetit për të shkuar nga pika A në pikën B, është e barabartë në çdo rast, atëherë sipërfaqet me ngjyrë janë të barabarta
3 Koha që i duhet çdo planeti për të bërë një rrotullim të plotë rreth Diellit, quhet periodë. Raporti i katrorit të periodës me kubin e gjysmëboshtit të madh të orbitës, është një madhësi konstante
[Tabela]
Planeti Merkuri
Largësia nga Dielli 0,387
Perioda në vite 0,241
Perioda2 0,058
Largësia3 0,058
Planeti Afërdita
Largësia nga Dielli 0,723
Perioda në vite 0,615
Perioda2 0,378
Largësia3 0,378
Planeti Toka
Largësia nga Dielli 1
Perioda në vite 1
Perioda2 1
Largësia3 1
Planeti Marsi
Largësia nga Dielli 1,524
Perioda në vite 1,881
Perioda2 3,538
Largësia3 3,540
Planeti Jupiteri
Largësia nga Dielli 5,203
Perioda në vite 11,862
Perioda2 140,707
Largësia3 140,851
Planeti Saturni
Largësia nga Dielli 9,539
Perioda në vite 29,458
Perioda2 867,774
Largësia3 867,977
[Shënimi]
Largësia relative e krahasuar me Tokën. Për shembull, largësia e Marsit nga Dielli është 1,524 herë më shumë se sa largësia e Tokës.
Vini re se në këtë skicë, këto dy numra janë të barabartë, ose përafërsisht të barabartë për çdo planet. Diferenca rritet atëherë kur planeti është më larg nga Dielli. Më vonë, Isak Njutoni, në ligjet e tij të gravitetit universal, rregulloi ligjin e Keplerit, bëri korrigjimet e duhura, duke përfshirë masën e planetit përkatës dhe Diellit.
Vini re se në këtë skicë, këto dy numra janë të barabartë, ose përafërsisht të barabartë për çdo planet. Diferenca rritet atëherë kur planeti është më larg nga Dielli. Më vonë, Isak Njutoni, në ligjet e tij të gravitetit universal, rregulloi ligjin e Keplerit, bëri korrigjimet e duhura, duke përfshirë masën e planetit përkatës dhe Diellit.
[Figura në faqen 24]
Jupiteri
[Figura në faqen 24]
Koperniku
[Figura në faqen 24]
Brahe
[Figura në faqet 24, 25]
Kepleri
[Figura në faqen 25]
Njutoni
[Figura në faqen 25]
Afërdita
[Figura në faqen 26]
Neptuni
[Figura në faqen 26]
Teleskopi dhe librat e Keplerit
[Figura në faqen 27]
Saturni
[Burimi]
Me mirësjelljen e NASA/JPL/Caltech/USGS
[Burimet e figurave në faqen 24]
Koperniku dhe Brahe: Brown Brothers; Kepleri: Erich Lessing/Art Resource, NY; Jupiteri: Me mirësjelljen e NASA/JPL/Caltech/USGS; Planeti: JPL
[Burimet e figurave në faqen 25]
Afërdita: Me mirësjelljen e NASA/JPL/Caltech; Planeti: JPL
[Burimet e figurave në faqen 26]
Teleskopi: Erich Lessing/Art Resource, NY; Neptuni: JPL; Marsi: NASA/JPL; Toka: NASA photo