Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse nevojiten burime të reja energjie?

Pse nevojiten burime të reja energjie?

Pse nevojiten burime të reja energjie?

«Nëse mendojmë që nafta është problem sot, shihni si do të jetë pas 20 vjetësh. Një makth.»​—Jeremia Rifkin, Fondacioni i Tendencave Ekonomike, Uashington D.C., gusht 2003.

SIPAS raportit të qeverisë së Shteteve të Bashkuara Perspektiva Ndërkombëtare e Energjisë për vitin 2003, afërsisht brenda 20 vjetësh​—në atë kohë Mikeli i vogël do të ketë arritur moshën për t’i dhënë makinës​—konsumimi i energjisë elektrike në shkallë botërore «pritet që të rritet 58 për qind». Revista New Scientist e quan këtë rritje të parashikuar «vërshimin më të madh të kërkesave për energji, që ka pasur gjatë gjithë historisë». A mundin burimet tradicionale të energjisë t’i plotësojnë pa rrezik këto kërkesa? Shqyrtoni disa fakte që të vënë në mendime.

QYMYRGURI:

▪ Nga të gjitha lëndët djegëse me origjinë fosile, qymyrguri gjendet më me shumicë, dhe sipas llogaritjeve, rezervat e tij do të mjaftonin për 1.000 vjet. Në mbarë botën, termocentralet që punojnë me qymyrguri, plotësojnë rreth 40 për qind të nevojave botërore për energji elektrike. Australia është eksportuesja më e madhe e qymyrgurit në botë, dhe furnizon pothuajse një të tretën e tregut të qymyrgurit anembanë botës.

Megjithatë, një komunikatë për shtyp, që Instituti Worldwatch nxori kohët e fundit, thotë: «Qymyrguri është lënda djegëse fosile me përmbajtjen më të lartë të karbonit, dhe çliron 29 për qind më shumë karbon për njësi energjie sesa nafta dhe 80 për qind më shumë se gazi natyror. Ai është shkaku për 43 për qind të karbonit që çlirohet çdo vit në atmosferë​—rreth 2,7 miliardë tonë.» Përveç ndikimit që ka mbi mjedisin, çfarë pasojash mund të sjellë djegia e qymyrit te shëndeti i njeriut? Le të marrim një shembull: kohët e fundit, në një nga raportet e Kombeve të Bashkuara Perspektiva Botërore e Mjedisit thuhej: «Në 11 nga qytetet më të mëdha të Kinës, tymi dhe grimcat e vockla që krijohen nga djegia e qymyrgurit shkaktojnë çdo vit më shumë se 50.000 vdekje të parakohshme dhe 400.000 raste të bronkitit kronik.»

NAFTA:

▪ Sot bota harxhon në ditë 75 milion fuçi nafte, afro 160-litra secila. Nga rezervat e përgjithshme botërore të naftës, të cilat sipas llogaritjeve kanë qenë rreth 2 mijë miliardë fuçi, tashmë janë harxhuar gati 900 miliardë. Me ritmin e sotëm të prodhimit, parashikohet që rezervat e naftës të mjaftojnë edhe për 40 vjet të tjerë.

Megjithatë, në vitin 1998, gjeologët Kolin J. Kembëll dhe Zhan H. Laer thanë: «Brenda dhjetëvjeçarit të ardhshëm, furnizimi me naftë të papërpunuar nuk do t’u përgjigjet dot kërkesave.» Këta specialistë të industrisë paralajmëruan: «Në përgjithësi ekziston një mendim i gabuar se kova e fundit e naftës mund të nxirret nga toka po aq shpejt sa edhe sasitë e naftës që shpërthejnë nga puset e sotme. Në fakt, ritmi me të cilin nga një pus mund të nxirret naftë​—ose ritmi me të cilin një shtet prodhon naftë​—gjithnjë, arrin një maksimum dhe pastaj, kur është nxjerrë gati gjysma e rezervave të naftës, ky ritëm dalëngadalë fillon të bjerë në zero. Prandaj, nga pikëpamja ekonomike, nuk është e rëndësishme se kur do të shterojnë rezervat botërore të naftës: ajo që ka rëndësi është se kur do të fillojë të bjerë prodhimi.»

Kur parashikohet të bjerë prodhimi i naftës? Gjeologu i naftës Xhozef Riva thotë se «sipas llogaritjeve të IEA-së [Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë] për vitin 2010, rritja e planifikuar e prodhimit të naftës . . . nuk do të mjaftojë për të plotësuar as gjysmën e kërkesave». Revista New Scientist paralajmëron: «Nëse prodhimi bie, ndërkohë që kërkesat vazhdojnë të rriten, ka të ngjarë që çmimet e naftës të ngrihen papritur ose të luhaten në mënyrë të paparashikueshme. Kjo rrit mundësinë e kaosit ekonomik, problemeve me transportin e ushqimeve dhe të furnizimeve të tjera, e madje edhe rrezikun e luftës, ngaqë shtetet do të luftojnë për atë pak naftë që do të mbesë.»

Ndonëse disa analistë e shohin si një problem pakësimin e rezervave të naftës, të tjerë mendojnë se, sa më shpejt t’i vijë fundi varësisë nga nafta, aq më mirë do të jetë. Në një artikull të revistës Utne Reader, Jeremia Kridoni shkruan se «më keq se shterimi i naftës është mosshterimi i saj. Megjithëse dyoksidi i karbonit që krijohet nga djegia e naftës vazhdon të ngrohë planetin, zakonisht, kur diskutohet për ekonominë dhe për mjedisin, ato ende trajtohen si dy çështje të ndara». Duke nxjerrë në pah pasojat që sjell varësia nga nafta, qoftë edhe kur flitet për një vend të vetëm, Komisioni Australian i Transmetimit Radioteleviziv thotë: «26 milionë automjetet që qarkullojnë në Mbretërinë e Bashkuar, lëshojnë një të tretën e të gjithë sasisë së dyoksidit të karbonit (gaz që çon në ngrohjen globale) në këtë vend dhe i shkaktojnë atij një të tretën e ndotjes së ajrit (që vret afro 10.000 njerëz çdo vit).»

GAZI NATYROR:

Sipas raportit Perspektiva e Energjisë Ndërkombëtare për vitin 2003 (anglisht), pothuajse gjatë 20 viteve të ardhshme, «ndër burimet kryesore të energjisë, parashikohet që gazi natyror të jetë më i kërkuari në mbarë botën». Nga të gjitha lëndët djegëse me origjinë fosile, gazi natyror shkakton më pak ndotje. Gjithashtu, mendohet se toka ka rezerva tejet të mëdha me gaz natyror.

Megjithatë, Shoqëria për Furnizimin me Gaz Natyror, me qendër në Uashington D.C., thotë që «askush nuk mund ta dijë me saktësi se sa gaz natyror ka, para se ai të nxirret». «Çdo llogaritje bazohet në një sërë hamendjesh . . . Prandaj është e vështirë të marrësh një përgjigje përfundimtare për pyetjen se sa janë rezervat e gazit natyror».

Metani është përbërësi kryesor i gazit natyror, dhe po kjo shoqëri thotë se ai është «një gaz shumë i fuqishëm i efektit serrë. Metani e ruan nxehtësinë gati 21 herë më shumë se dyoksidi i karbonit». Megjithatë, ky burim thotë se nga një studim i rëndësishëm, i realizuar nga Agjencia e Mbrojtjes së Mjedisit dhe Instituti për Kërkime rreth Gazit Natyror, u arrit përfundimi se dobitë që vijnë nga pakësimi i sasisë së gazeve të çliruara nga djegia e lëndëve të tjera fosile, «duke përdorur më shumë gazin natyror, janë shumë më të mëdha në krahasim me pasojat e dëmshme të shkaktuara nga shtimi i sasisë së metanit» që lëshohet në atmosferë.

ENERGJIA ATOMIKE:

«Rreth 430 reaktorë bërthamorë sigurojnë gati 16 për qind të energjisë elektrike në botë»,​—thotë revista Australian Geographic. Por nuk ekzistojnë vetëm këta reaktorë. Raporti Perspektiva Ndërkombëtare e Energjisë për vitin 2003 thotë: «Në shkurt të 2003-it, në vendet në zhvillim të Azisë gjendeshin 17 nga 35 reaktorët që po ndërtohen sot në botë.»

Energjia bërthamore vazhdon të përdoret, pavarësisht nga rreziku i katastrofave, siç ishte ajo në vitin 1986 në Çernobil të ish- Bashkimit Sovjetik. Revista New Scientist thotë që «krisjet dhe gërryerja po mbulojnë reaktorët ekzistues të Amerikës dhe se në mars të vitit 2002, si pasojë e problemeve të shkaktuara nga gërryerja, reaktori i Devis-Besit, në Ohajo, «gati sa nuk përfundoi në shkrirje, gjë që do të kishte qenë me pasoja katastrofike».

Duke marrë parasysh rezervat e kufizuara të burimeve të sotme energjitike dhe rreziqet e pandashme që bartin ato, lind pyetja: ‘A është medoemos e pashmangshme që, për të shuar etjen e pangopur për energji, njerëzit të rrënojnë tokën?’ Duket qartë se kemi nevojë për burime të tjera energjie që nuk shkaktojnë ndotje dhe që janë të sigurta. A janë në dispozicion burime të tilla dhe a i kemi mundësitë financiare për të përballuar koston e tyre?