Malet: Kush do t’i shpëtojë?
Malet: Kush do t’i shpëtojë?
NË VITIN 2002, për katër ditë, Bishkeku i Kirgizistanit (Azia Qendrore) mikpriti Samitin Botëror për Malet. Ishte mbledhja e parë ndërkombëtare që u kushtohej çështjeve që kishin të bënin me malet. Organizuesit shpresonin se viti 2002 do të shënonte «fillimin e një epoke të re, epokë që do ta njihte vlerën e vërtetë të maleve».
Samiti miratoi njëzëri «Platformën e Bishkekut për Malet», e cila përmban udhëzime për çdokënd që interesohet për mbrojtjen e maleve. Synimi që shpallej aty ishte «të përmirësohet jeta e njerëzve që jetojnë në male, të mbrohen ekosistemet e maleve dhe të përdoren më me mençuri burimet natyrore të maleve».
Në këtë fushë është bërë njëfarë progresi. Një rrjet mbarëbotëror parqesh kombëtare mbron zonat me bukuri dhe larmi të jashtëzakonshme gjallesash. Në shumë pjesë të globit, grupet e ambientalistëve kanë pasur njëfarë suksesi për të frenuar dallgën e shkatërrimit të mjedisit. Një iniciativë që u mor nga Samiti i Bishkekut, ishte angazhimi serioz për të pastruar mbeturinat bërthamore të derdhura në malet e Kirgizistanit. Ky material mjaft toksik vuri në rrezik rezervat e ujit që furnizojnë 20 për qind të popullsisë në Azinë Qendrore.
Gjithsesi, mbeten ende pengesa shumë të mëdha në përpjekjet për mbrojtjen e maleve. Për shembull, në 1995-ën, autoritetet kanadeze paraqitën «Kodin e Shfrytëzimit të Pyjeve» për të mbrojtur pjesën që ka mbetur nga pylli i shiut në Kolumbinë Britanike. Por, nga një hetim i mëvonshëm u zbulua se kompanitë e prerjes së drurëve në përgjithësi e shpërfillnin kodin dhe vazhdonin të rrafshonin edhe pemët që ishin në shpatet më të thikëta të maleve. Në vitin 1997 kodi u bë më tolerant, meqë industria e përpunimit të drurit pretendonte se ai ishte tepër i vështirë për t’u zbatuar.
Interesat tregtare nuk janë pengesa e vetme. Deklarata përfundimtare e Samitit të Bishkekut pohonte se lufta, varfëria dhe uria, i japin shtysë rrënimit të pafre të ekosistemeve në male. Malet, si edhe pjesa tjetër e planetit, do të vazhdojnë të vuajnë derisa të marrin fund këto shkaqe thelbësore të shkatërrimit të habitateve.
Interesimi i Perëndisë për krijimin
Pavarësisht nga kjo tablo e zymtë, kemi arsye për të qenë optimistë. Perëndia i Plotfuqishëm nuk është në padije për çka po i ndodh krijimit të tij. Bibla thotë për Perëndinë se «të tijat janë majat e larta të maleve». (Psalmi 95:4) Ai interesohet edhe për faunën e maleve. Sipas Psalmit 50:10, 11, Jehovai thotë: «Të miat janë në fakt tërë kafshët e pyllit; imja është bagëtia që ndodhet me mijëra ndër male. I njoh tërë zogjtë e maleve; dhe të gjitha ato që lëvizin në fushat janë të miat.»
A ka ndonjë zgjidhje Perëndia për të shpëtuar mjedisin nga problemet? Po. Bibla thotë se ai ka «nxjerrë një mbretëri, që nuk do të shkatërrohet kurrë». (Danieli 2:44) Jezu Krishti, Sundimtari i caktuar i kësaj qeverie qiellore, interesohet në mënyrë të veçantë për tokën dhe për njerëzit që jetojnë në të. (Fjalët e urta 8:31) Sundimi i tij do të sjellë paqe në tokë, do t’i japë fund shfrytëzimit me lakmi dhe do të ndreqë dëmet që i janë bërë këtij planeti.—Zbulesa 11:18.
Nëse e dëshironi fort këtë zgjidhje, pa dyshim do të vazhdoni të luteni që të ‘vijë mbretëria e Perëndisë’. (Mateu 6:9, 10) Lutje të tilla nuk do të mbeten pa përgjigje. Së shpejti, Mbretëria e Perëndisë do t’u japë fund padrejtësive dhe do të ndreqë dëmet që ka pësuar toka. Kur të ndodhë kjo, në mënyrë figurative malet ‘do të ngazëllohen’.—Psalmi 98:8.